Zgjedhjet 2025

Cakolli: Për rinumërim edhe dy javë, certifikimi i rezultateve në mes ose fund të shkurtit

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) ka thënë se për rinumërim të të gjitha vendvotimeve Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) do t’i duhen të paktën edhe dy javë dhe se afati optimal për certifikim të rezultateve sipas tij është mesi i shkurtit. 

“Me dinamikën e deritanishme, KQZ-ja ka rinumëruar mesatarisht rreth 80 kuti në ditë, me një kapacitet prej rreth 20 tavolinash numërimi. Pas dyfishimit të kapaciteteve, KQZ-ja do të duhej tashmë të rinumërojë të paktën 150 kuti në ditë. Kjo nënkupton se për rinumërimin e plotë të të gjitha vendvotimeve do të nevojiten të paktën edhe deri në dy javë”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai ka thënë se pas përmbylljes së rinumërimit, do të fillojnë të rrjedhin afatet për ankesa mbi procedurat e administruara në QNR, që mund të marrin deri në 12 ditë kohë. “Prej tyre, 48 orë janë për parashtrim ankese në PZAP dhe tri ditë për vendimmarrje nga kjo e fundit. Më pas, ekziston edhe afati tjetër 48-orësh për ankesë në Gjykatën Supreme, e cila ka deri në 5 ditë afat për vendimmarrje”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se vetëm pas shterimit të këtyre procedurave dhe afateve mund të shpallen rezultatet përfundimtare. 

“Edhe këto, më pas, mund të ankimohen, me afate të ngjashme sikur ato parapraket – që në total mund të zgjasin deri në 13 ditë. Sipas të gjitha këtyre afateve, në skenarin më optimal, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë gjatë mesit të muajit shkurt. E në rastin më të keq, në fund të shkurtit, apo edhe tek në fillim të marsit - në varësi të vendimmarrjes mbi ankesat potenciale”, ka shkruar Cakolli. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit në vendvotimet e rregullta të rinumërohen.

Vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur sot, pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore, pasi që në rinumërimin e pjesshëm janë evidentuar manipulime me vota në mes të kandidatëve të subjekteve politike.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi ka thënë se bazuar në raportin nga procesi i deritashëm i rinumërimit, për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuar janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë.

Për dallim nga votat për subjektet politike, ai ka thënë se të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, ka theksuar Radoniqi.