Vullnet Bugaqku nga KDI, ka thënë se procesin e vettingut po e pengon vetëm mungesa e konsensusit politik sepse pjesa tjetër është e përfunduar. Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Bugaqku ka thënë se duhen edhe votat e deputetëve të Listës Serbe për të kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Tutje Bugaqku ka thënë se Kosova në lidhje me vettingun ka dështuar kur nuk ka arritur ta bindë Komisionin e Venecias për vlerësim të performancës dhe si rrjedhojë drita e gjelbër është dhënë për një vetting shumë të kufizuar.
“Procesi i vettingut nuk është sabotuar nga askush. LDK-ja ka qenë bartëse e komisionit për hartimin e amandamenteve kushtetuese të procesit të vettingut. Ku kemi dështuar si shtet është që nuk kemi arritë ta bindim Komisionin e Venecias që vettingun duhet ta bëjmë për vlerësim të performancës. Neve na është dhënë drita e gjelbër ta zhvillojmë nje koncept të vettingut në mënyrë shumë të kufizuar. Vetëm në vlerësim të integritetit, të krerëve të sistemit drejtësisë. Jo të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kanë nisur e janë përfunduar amandamentet kushtetuese por për shkak të mungesës së votës së Listës Serbe, nuk ka kaluar. Pa e bindë Listën Serbe për votë në kuvend, nuk do të kemi fare proces. Pengesë është mungesa e konsensusit politik”, ka thënë Bugaqku.
Kolshi: LVV-ja ka vetëm një faqe program për drejtësinë, edhe aty ka kontradikta
Duke komentuar programet e partive politike, Melos Kolshi nga IKD-ja ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm një faqe program për drejtësinë por edhe në atë faqe, ka kontradikta. Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” në KTV, Kolshi tha se një nga to është premtimi për ta bërë një Prokurori Speciale për luftimin e korrupsionit kur Kosova veçse e ka Prokurorinë e saj Speciale.
Kolshi tutje ka thënë se kjo qeveri në vazhdimësi ka mbrojtur të akuzuarit.
“Ne e dimë sa seriozisht e ka pasur kjo qeveri luftën kundër korrupsionit. Vetë akterë qeveritarë dhe me deklarata publike kanë mbrojtur të akuzuarit siç ishte rasti i Krasniqit (Nagip Krasniqi) në KEK e po ashtu edhe raste të tjera të shumta të cilat janë duke u gjykuar. Kemi pasë edhe deklarata të kryeministrit ku janë mbrojtur ata. Është vendimi i Gjykatës Supreme ku ka vërtetuar që mbajtja e dy pozitave është e jashtëligjshme ndërsa këta kanë vazhduar i kanë mbajtur këto pozita e madje kanë marrë edhe vendime. Duke analizuar programet politike drejtuar qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, është mungesa e një strategjie se si do të arrihen ato premtime. Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm një faqe program për drejtësinë ku aty ka edhe gjëra kontradiktore. Është rasti ku thuhet do ta bëjmë edhe një Prokurori Speciale e ne e kemi Prokurorinë Speciale. Nuk është logjike ta kemi edhe një tjetër Prokurori Speciale. Kjo është jashtëzakonisht kontradiktore”, ka thënë Kolshi.
