XXXV nuk janë puthje dhe përqafime të messengerit e as viberit. Nuk janë as paralajmërime se ky tekst ka përmbajtje eksplicite dhe se është i përshtatshëm vetëm për moshat +18. Është numri 35 romak, aq sa është numri i përgjithshëm i këshilltarëve të Ramush Haradinajt. Merrni frymë thellë! Lirojeni atë! Merrni frymë thellë përsëri, lirojeni atë ...
10 janar, 2019
Jo. XXXV nuk janë puthje dhe përqafime të messengerit e as të viberit. Nuk janë as paralajmërime se ky tekst ka përmbajtje eksplicite dhe se është i përshtatshëm vetëm për moshat +18. Është numri 35 romak, aq sa është numri i përgjithshëm i këshilltarëve të Ramush Haradinajt. Merrni frymë thellë! Lirojeni atë! Merrni frymë thellë përsëri, lirojeni atë ...!
Për një moment po e heq Ramush Haradinajn nga ekuacioni dhe ashtu, për hir të korrektësisë, po e vendos veten në vend të tij dhe po e paramendoj pse do t’më nevojiteshin 35 këshilltarë.
Do të mundohem që t’i gjej së paku 10 arsye të qëndrueshme.
Projekti i ngecur i Administrimit të Gjithësisë dhe Aeronautikës Nacionale – AGJAN, ku në mandatin qeveritar pritej që përveç shpalljes së shtetit të parë në Hënë, ShiptarHanës, të tejkaloheshin aspiratat e konkurrentëve si NASA, Administrimi Nacional Kinez i Gjithësisë, Agjencia Evropiane e Gjithësisë etj., dhe të arrihej edhe zbarkimi në planetin Mars, dhe të bëheshin selfiet e para qeveritare mundësisht me shqiponjë.
Ngecjen e delegimit të fizikanëve kuantikë dhe atyre teorikë në Organizatën Evropiane të Hulumtimit Nuklear - CERN në Gjenevë, ku gjatë mandatit qeveritar është pritur që përveç grimcës Higgs Boson apo të ashtuquajturës “Grimca e Zotit”, e cila veçse është zbuluar, fizikanët tanë të jepnin kontributin e tyre në zbulimin e gjërave, të cilat njerëzimi ende as nuk mundet t’i paramendojë dhe konceptojë.
Organizata e Ndërrimit të Klimës Kosovare gjatë mandatit qeveritar pritet që të dalë me të gjitha faktet shkencore, shkaktarët e saj, si dhe programin e detajuar qeveritar për 50 vjetët e ardhshëm se si popullata e Kosovës do ta tejkalonte dhe përballonte këtë sfidë të këtij mijëvjeçari, e nga ky studim do të përfitonte e gjithë popullata globale, si do t’i qaseshim kësaj krize dhe si do ta tejkalonim atë.
Komisioni Ndërshtetëror i Vatrave të Luftës – KNVL, komisioni i respektuar ndërshtetëror gjatë mandatit qeveritar të sjellë zgjidhjet e të gjitha problemeve në vatrat e luftës në skenën globale gjeopolitike dhe të shfrytëzojë autoritetin e tij në sjelljen e zgjidhjeve paqësore në tavolinë ndërmjet palëve të implikuara.
Komisioni i Bollëqeve Isotopike dhe Peshave Atomike - në mandatin qeveritar priten zbulime të elementeve të reja radioaktive, të cilat do të pasurojnë më tutje Sistemin Periodik të Elementeve (emrat janë rezervuar, vetëm pritet zbulimi formal i elementeve. (Hashimiumi HTH, Ramushiumi RSH, Kadriumi KV, Isamiumi ISM, Shpendumiumi SHP, Albinumiumi ALB, Begjiumi BGJ dhe Fatmiriumi FTU. Edhe pse ende të pazbuluar si elemente, ajo që dihet është se do të jenë elemente shumë jostabile, të paqëndrueshme dhe me kohë të ndryshme jetëgjatësie të zbërthimit atomik.
Asociacioni Nacional i Kuotimeve të Automatizuara të Tregtarëve me Aksione – ANKATA, në planin qeveritar gjatë mandatit qeveritar do të ishte në top - 5 bursat botërore si: London Stock Exchange, NYSE New York Stock Exchange, SEHK Hong Kong Stock Exchange me indekset e stoqeve si FTSE 100, NASDAQ, Dow Jones, DAX e të tjerat. Tregtarët e stoqeve kosovare do të bënin namin, sepse tregtinë e kemi ashtu disi në gjen “tak lekun, tak byrekun”.
Fondacioni i Oqeaneve - gjatë këtij mandati qeveritar Fondacioni i Oqeaneve do të shënonte rezultate konkrete duke i vënë në lëvizje të gjitha organizatat e tjera simotra anembanë globit për mbrojtjen e oqeaneve dhe të gjitha gjallesave në të. Ne jemi promotorë të ndalimit të peshkimit të balenave, peshkaqenëve dhe specieve të tjera detare në zhdukje. Impaktin të cilin ne e presim si qeveri që do të arrijmë në skenën botërore do të jetë më se i dukshëm dhe i matshëm. Për këto arritje ne gjatë mandatit qeveritar presim edhe një çmim “Nobel”.
Greenpeace Kosova - pas rezultateve të cilat merren si yrnek se si mbrohen ambienti, natyra dhe kafshët, tani në mandatin tim qeveritar ne do të zgjerojmë globusin e veprimit tonë dhe yrnekun tonë do ta zbatojmë fillimisht në Gadishullin Ilirik pastaj në Evropë e në përfundim të mandatit do të shtrijmë Greenpeace Kosova në mbarë rruzullin tokësor. Nuk do të ishte larg mendsh që si Qeveri për herë të parë në histori të shpërbleheshim me çmim “Nobel”.
Organizata Kosovare e Emetimit të Karbonit OKEK - në mandatin tonë qeveritar do të ballafaqohet me problematikën e këtij 10-vjeçari në planet. Strategjitë mbi luftimin dhe zvogëlimin e emetimit të karbonit në planet për 70% gjatë mandatit tim qeveritar. Zbutja dhe përmirësimi i mbështjellësit të ozonit rreth planetit për 60%, si dhe stabilizimi i tij.
Organizata Kosovare e Shëndetësisë - OKSH gjatë mandatit tim qeveritar do ta fuste nën ombrellën e vet Organizatën e Shëndetësisë Botërore, sepse edhe në këtë segment ne kemi yrnek për të dhënë se si organizohet dhe udhëhiqet shëndetësia në nivel shtetëror e që më pas ta zbatojmë atë në nivel global. Ta kuptojë bota se si duhet trajtuar pacientin. Se si shëndeti i popullatës është parësori në prioritetet e strategjisë qeveritare për mirëqenien e popullatës. Në trupin e shëndoshë, mendja e shëndoshë, proverb i lashtë pellazg ky.
Ramush, nëse në listën tënde të prioriteteve nuk i ke këto 10 që i ceka më lart, atëherë XXXV këshilltarët e tu s’kanë çka hamamin të duhen, vetëm nëse don me dal me ta aty në sheshin “Ibrahim Rugova” edhe me luajt me ta “Cim-Cimone, Bim-Bizone e kujt është ushtria”?
Po në Kosovë gjithçka është e mundshme, populli është i butë, duron.
*****
Pjesën tjetër të ditarit do ta mbaj premtimin tim dhe do ta ngre si çështje atë që një qytetar i brengosur e kishte ngritur. Në inboxin e Ambasadës sime në Facebook isha bombarduar një ditë me një sërë dokumentesh, të cilat dokumentonin për të gjitha parregullsitë të cilat po ndodhin në MASHT. E këto parregullsi sidomos kanë marrë hov dhe kanë dalë jashtë kontrollit gjatë kësaj qeverisje e sidomos nga ana e NISMAS, e cila do të bënte më mirë po t’i emëronte macet dhe mijtë që i kanë në tavan, e jo siç e ka thënë deputeti i NISMAS, Milaim Zeka, që vetëm ato kanë mbetur pa i punësuar. Unë ndjehem i privilegjuar që një qytetar i Kosovës, me të cilin as që njihemi personalisht, e ka krijuar atë lloj besimi thjesht vetëm duke u bazuar në shkrimet e ditarit tim, të cilat i përcjell rregullisht dhe të më përcjellë dokumentacion sensitiv ku shihen dhe vërehen keqveprimet në kuadër të MASHT-it. Emërtime puro politike në pozita udhëheqëse në MASHT pa përgatitje dhe përvojën e nevojshme, hakmarrje të ndryshme përbrenda MASHT-it puro me prapavijë politike dhe keqpërdorje nga më të ndryshmet. Humbje të fondeve milionëshe nga Bashkimi Evropian për shkak të keqmenaxhimit të projekteve dhe abuzimit me fondet.
Çka kanë këta njerëz? Është bërë bajate më pyetja se a kanë fytyrë, a kanë karakter, për kë punojnë këta njerëz? O njerëz, a jeni në dijeni se me kësi njerëz prodhimi i diletantëve serik nga shkollat dhe universitetet tona do të bëhet pandemi, edhe PISA do të heqë dorë nga matja e kualitetit dhe rezultateve mësimore, sepse s’do të kenë çfarë të masin. Ramush, nga armata e këshilltarëve, ministrave e zëvendësministrave që i ke mos më thuaj që askush nuk ta ka ngritur këtë problematikë,ajo gjithmonë ka qenë aty, por tashmë ky tren ka dalë nga binarët, lokomotiva sigurisht se do ta pësojë, e se a do të shpëtojë ndonjë nga vagonët që ajo tërheq, mbetet të shihet.
Ky shtet është bërë për kripë e kepë! I kanë hyrë deri në kockë hajnat, po e gërryejnë përbrenda, se mishi edhe dhjami ka kohë që i janë ngrënë. Tash ka mbetur palca përbrenda eshtrave. S’e di a i keni parë ndonjëherë qentë se sa me ëndje i hanë eshtrat dhe si i thyejnë e copëtojnë ata me nofullat e tyre të fuqishme dhe me dhëmbët e tyre për të depërtuar në palcën e ashtit.
E edhe këta langonjtë politikë sillen njëjtë, jargosen për një asht, për një asht lëpihen, nënshtrohen, sulmojnë. Kafshët të cilat e bëjnë këtë gjë e kanë të programuar në kuadër të ADN-së së tyre, si pjesë e dietës së tyre për mbijetesë të llojit, por këta langonjtë homo-cleptokratus këtë e bëjnë nga lakmia, pasurim i lehtë, i shpejtë, pa pasoja për ta, por truri i tyre, i cili ka pësuar kurzschluss, kaq kap dhe aq ka ambicie. Populli si gjithë. Rri dhe bën sehir. Thuajse janë pajtuar se këtu më shpëtim nuk mund të ketë. Unë edhe një herë do të dëshiroja që lexuesit t’i falënderohem për besimin dhe Ambasada ime do të vazhdojë që të jetë e hapur për të gjitha brengat e juaja, të cilat janë në interes publik. Temën e arsimit në Kosovë unë do ta vazhdoj që ta trajtoj edhe në të ardhmen në ditarin tim. Material kam me bollëk.