OpEd

Turqia në paqe me kurdët e saj

Kongresi i Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), që përfundoi më 12 maj 2025 në Kurdistanin irakian, duke miratuar kërkesën e liderit të saj Ocalan, nga një qeli e burgut në një ishull të Stambollit, vendosi ta zhbëjë partinë dhe forcat e saja të armatosura dhe t’i kthehet rrugës demokratike për të drejtat e kurdëve. Presidenti Erdogan e përshëndeti këtë hap, por dyshimet ende mbretërojnë gjerë në finalizimin e këtij vendimi “historik”, siç e quan pakica kurde

Nehat Islami 

Paralajmërimi se Turqia do të shpëtojë nga shqetësimet e sulmeve të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) kundër forcave të saja ushtarake e policore, qytetarëve të pafajshëm dhe pushtetarëve të ndryshëm, që erdhi nga një qeli e burgut  të një ishulli të vogël të Stambollit, ku që nga viti 1999 gjendet lideri i PKK-së, Abdullah Ocalan, së pari i dënuar me vdekje, e pastaj me burgim të përjetshëm, në fillim u prit me habi, por doli se ishte i vërtetë. 

Ocalan (ose daja) si e quajnë kurdët, në mars të këtij viti kërkoi nga Kongresi i PKK-së që të shpallë zhbërjen e partisë PKK, të cilën ai dhe disa intelektualë e studentë kurdë e formuan më 1978 në një tubim  të mbajtur në brigjet e Liqenit të Ankarasë, si dhe të ndalojnë çdo veprim ushtarak në Turqi dhe në vendet fqinje. Ai gjithashtu kërkoi që tani e tutje  çdo  kërkesë për të drejtat e kurdëve të zhvillohet në rrugë demokratike.

Kongresi i PKK-së, i mbajtur në fillim të këtij maji në malet e Kurdistanit irakian, i miratoi këto kërkesa dhe ato i shpalli si vendime të veta. Presidenti turk, Erdogan, i përshëndeti këto vendime,  si “hap të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe vëllazërisë”, por lexuesit, me të drejtë interesohen se çfarë ka ndodhur me kurdët në të kaluarën dhe pse PKK-ja e filloi luftën e armatosur kundër forcave turke më 1984 që mori mbi 40 mijë jetë të popullsisë kurde, mijëra ushtarëve dhe policëve turq, që shkatërroi disa qindra fshatra të banuara me kurdë, zhvendosi mbi gjysmë milioni kurdë nga vendbanimet e tyre, etj. 

Filli zihet në rënien e Perandorisë Osmani, e cila pas largimit nga Ballkani (1912), pas më shumë se gjashtë shekujve, u fal edhe me Lindjen e Mesme (1918). Atëbotë shumë popuj të Lindjes së Mesme dhe të Kaukazit shpallën pavarësinë, sikundër edhe kurdët, që nga një territor kompakt gjatë Perandorisë Osmane, tani me Planin anglo-francez Sykes/Picot (Sajks /Pko) që më 1916, dy vjet para rënies së Perandorisë Osmane, kishin parashikuar ndarjen e Lindjes së Mesme në disa shtete (Turqi, Irak, Siri dhe Iran) dhe vënien e mandatit mbi to. 

Sa u përket Turqisë dhe kurdëve të saj duhet përmendur se disa popujve, si kurdëve, nuk ua deshi fati që në fillim. Në Konferencën e  Sevrit (10 gusht 1920), fuqitë e Antantës dhe Perandoria Osmane që po jepte shpirt, u morën vesh për themelimin e shteteve të pavarura edhe në Lindjen e Mesme. Aty përfshihej edhe Kurdistani i pavarur në territoret e veta jetike. Mirëpo, në Konferencën e Lozanës (1923) Turqia e  Ataturkut arriti ta zhbënte vendimin e  Sevrit, kështu që kurdët që sot jetojnë në Turqi, mbetën të jetojnë aty, kurse pjesët e tjera të banuara me kurdë (në Irak, Siri dhe Iran) u bënë shtetas të tyre. 

Historia e popullit kurd në këto shtete është e shkruar me gjak e lot, duke filluar nga Iraku, ku jetojnë katër milionë. Duke kërkuar autonomi, të cilën e fituan më 1985, ata u kacafytën me të gjithë liderët e Irakut, por më së gjati me Sadam Hysenin. Ai përdori edhe gaze helmuese kundër kurdëve të vet (në Halabia), vrau me mijëra, i zhvendosi nga veriu në jug të vendit, por më në fund, pas luftës me SHBA-në dhe aleatët (1991) kurdët  fituan autonominë e tyre, e cila ende gjallon si një gjysmështet. 
Fati i kurdëve në Iran, ku jetojnë mbi tre milionë, është shumëngjyrësh. Në përgjithësi, në Iran kurdët janë ndier më mirë se gjetiu. Gëzojnë  të drejta të barabarta, u lejohet përdorimi i gjuhës dhe kulturës së tyre, madje gjatë Luftës irako-iraniane (1981) kurdët e Irakut dhe të Iranit ishin në anën e Iranit. Kurdët e Irakut gjatë këtij gjysmëshekulli e kanë shfrytëzuar Iranin si vendstrehim nga përndjekjet e pushtetarëve të Irakut.

Kurdët e Sirisë numërojnë mbi dy milionë banorë. Jetojnë në pjesët veriore të vendit, në kufi me Turqinë. Ata gjatë luftës së fundit në Siri e ruajtën  territorin e vet, ku shpallën autonominë dhe organet e veta të pushtetit duke mos u konfrontuar me forcat e Bashar el Asadit. Ata u angazhuan në luftën e SHBA-së dhe aleatëve kundër ISIS-it, por Turqia ndërmori disa fushata ushtarake kundër tyre, me pretekst se janë dorë e djathtë e PKK-së. Lideri i tyre bëri një marrëveshje me shefin e ri sirian, Al Sharaa, për bashkëpunimin e forcave të tyre ushtarake me armatën e re siriane, por për autonomi ende nuk janë marrë vesh. 

Por t’iu kthehemi Turqisë dhe kurdëve të saj, të cilët llogariten se përbëjnë rreth 15% të popullsisë së përgjithshme, pra rreth 15 milionë. Kjo shifër kontestohet nga  pushteti turk, i cili pranon të jenë rreth 10 milionë. Natyrisht, as gjysma e tyre nuk kanë qenë ithtarë të PKK-së. Një pjesë e madhe e popullsisë kurde dhe liderëve të tyre politikë veprojnë në kuadër të Partive Politike të Turqisë. Disa parti që kanë shfaqur ndonjë afërsi me PKK-në e kanë pësuar vazhdimisht, sikundër edhe intelektualët dhe mësuesit në veçanti.  

Por duhet theksuar se raportet e Ankarasë zyrtare dhe kurdëve të vet gjatë dyzet vjetëve të fundit kanë pësuar shumë batica e zbatica, me shumë gjakderdhje nga të dyja palët, me disa armëpushime, e madje edhe me një klimë më tolerante gjatë pushtetit të Turgut Ozalit, kur ai, edhe vetë me prejardhje kurde, iu premtoi kurdëve shkolla në gjuhën e tyre, radio dhe TV në gjuhën e tyre etj., por me vdekjen e tij, vdiqën edhe shpresat për një qetësi të përhershme. 

PKK-ja në vitet e para të luftës së saj të armatosur kërkonte pavarësi, por më vonë, duke e parë këmbëngulësinë e Ankarasë që të kundërshtojë me çdo kusht këtë kërkesë, ndryshoi qëndrimet dhe kërkoi autonomi. Kur as kjo nuk u përfill, zbriti vetëm në rrafshin e të drejtave për gjuhë dhe kulturë. 
Në planin politik nuk pati shumë ndryshime. Bazament i tyre që nga fillimi ishte marksizëm leninizmi. Flamurin e ndryshuan disa herë, por yllin e kuq pesëcepësh nuk e hoqën. 

Kështu përafërsisht ka ndodhur deri tani, por si do të jetë e ardhmja, mbetet të pritet dhe të shpresohet. 

PKK-ja u zotua publikisht se pas 12 majit 2025 më nuk ekziston as si parti e as si forcë e armatosur. Kjo, nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë, por edhe me Kurdistanin irakian, ku gjendej selia e shtabit ushtarak të PKK-së dhe shumë luftëtarë. Për këtë ngjarje u gëzuan edhe kurdët e Irakut, sepse edhe goditeshin nga sulmet e aeroplanëve ushtarakë turq, sa herë që goditnin atje forcat e PKK-së.

Ndonëse kurdët e Sirisë ende nuk janë deklaruar botërisht për këtë ngjarje “historike” si e vlerësuan udhëheqësit e ish-PKK-së, ata gjithashtu do të pajtohen, sepse në këtë mënyrë do të zbusin presionin e Turqisë ndaj  tyre si  ”dorë” e PKK-së. Gjithashtu, ata do ta kenë më lehtë të bashkëpunojnë me pushtetin e ri të Sirisë, i cili është shumë i varur nga Ankaraja. 

Edhe SHBA-ja dhe aleatët e tjerë do të jenë më të relaksuar, ngase aleatët e tyre, kurdët e Sirisë që luftuan së bashku me ta ISIS-in, do të jenë më të qetë ndaj sulmeve të armatës turke, si dhe do të bashkëpunojnë në atmosferë më relaksuese me Damaskun zyrtar. 

Analistët e brendshëm dhe të jashtëm presin se një pjesë e ish-luftëtarëve të PKK-së do të shpëtojnë nga amnistia, e cila pritet të ndodhë nëse çdo gjë do të shkojë sipas planeve që ende nuk janë shpallur, një pjesë do të futen në partitë e vendit, kurse liderët e PKK-së pritet të largohen nga vendi. Por tani këto janë vetëm parashikime. Disa vëzhgues parashikojnë se nëse gjërat do të shkojnë mbarë pas zhbërjes së PKK-së, shumë kurdë do t’i bashkohen partisë në pushtet, duke ia kthyer shpinën opozitës, ndaj së cilës kishin më shumë honepsje. 

Me kurdët jam njohur në Bejrut, në vitet ‘70-të, kur isha korrespondent, ku shitësit ambulantë të perimeve, hamajtë dhe taksistët, me shumicë ishin kurdë. Ishin të përvuajtur dhe shumë të sjellshëm. Disa i njihja, pasi blija tek ata. Shpesh bisedonim për tema të rëndomta, por ndonjëherë edhe për politikë. 

Atëherë kuptoja se disa ishin intelektualë të ikur nga Turqia ose Siria. Madje njeri prej tyre, më shpjegoi se nacionalizmi kurd kishte lindur në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Stamboll dhe në Kajro, ku vepronin shoqatat kulturore kurde. Njësoj si ato tonat. 

Madje, ato vite pata rastin të takohem në Damask edhe me liderin kurd Xhelal Talabanin, kur ai ishte refugjat në Damask, pasi kishte ikur nga Iraku, pas Marrëveshjes së Sadam Hysenit me Iranin (Marrëveshja e Algjerit, 1975) kur Irani hoqi dorë nga ndihmat që ua jepte kurdëve të Irakut për të fituar disa kilometra territor kontestues në Shat el Arab të Irakut. Atëherë shumë liderë kurdë u detyruan të lëshojnë Irakun, sepse Sadam Hyseni e trashi zullumin mbi kurdët edhe më shumë. 
Pastaj kur ai u bë kryetar i Irakut jemi takuar sërish dhe kemi evokuar kujtime nga takimi ynë në Damask, ku janë mbajtur edhe kongreset e para të PKK-së. Një kongres i tillë është mbajtur edhe në Bejrut më 1983, por për të nuk ka pasur asnjë informatë publike. 

Por sot, kur nuk ka fshehtësi lidhur me PKK-në, pas shpalljes së zhbërjes së saj, Turqia do të gëzojë edhe një favor të rëndësishëm. Kjo ka të bëjë me heqjen e një barre që e bartte nga bashkësia ndërkombëtare lidhur me pozitën e kurdëve. Kjo do të jetë një ndihmesë për Ankaranë në raport me BE-në lidhur me shumë benefite politike dhe ekonomike.