Mosnjohja nga Serbia e përbën rrezikun më të madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe e udhëheq atë në synimet agresore ndaj Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë, Kosova mund të llogarisë në ndihmën e miqve të saj, duke e përfshirë SHBA-në. Washingtoni zyrtar e hodhi topin në fushë me rregulla të reja të lojës. Lojtarët që nuk i kuptojnë këto rregulla dhe janë të prirë të shënojnë autogola, duhen nxjerrë jashtë fushe për ta fituar këtë lojë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, para pak ditësh paralajmëroi se do të angazhohet personalisht rreth konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai, në platformën “Truth Social”, tha se në mandatin e tij të parë e ka evituar një konflikt të hapur mes Kosovës e Serbisë, porse situata kërkonte që ai të merret edhe një herë me këtë problem, i cili jo që nuk është tejkaluar, por është përkeqësuar gjatë katër vjetëve të kaluar.
Ky paralajmërim i presidentit Trump, tregon se administrata e tij i konsideron marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë si kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ai, madje, foli në postimin e tij për evitimin e një lufte të hapur. Për këtë arsye, duket se gjatë këtij katërvjeçari duhen pritur zhvillime që mund t’u japin fund tensioneve politike në mes të Kosovës e Serbisë, me një marrëveshje përfundimtare të negociuar nga administrata e Trumpit, por që do ta mbante vulën personale të tij.
Ç’do të thotë për Kosovën angazhimi amerikan nën presidencën e Trumpit dhe cili është dallimi mes tij dhe ish-presidentit, Joe Biden?
Në mandatin e kaluar, Trumpi e emëroi aleatin e tij të afërt, Richard Grenell, të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe në zyrën ovale u nënshkrua një marrëveshje për stabilizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Serbisë. I pranishëm gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka qenë edhe vetë presidenti Trump. Mirëpo, duke qenë se marrëveshja u arrit në fund të mandatit të tij të parë, gjatë presidencës së Joe Bidenit, kjo ujdi nuk u implementua. Politika e Bidenit ka qenë që lidershipin në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi t’ia linte Bashkimit Evropian. Angazhimi i Washingtonit zyrtar, përmes të dërguarit të posaçëm, Gabriel Ecobar, ka qenë që të mbështetet dialogu për normalizim mes Kosovës e Serbisë, të udhëhequr nga Brukseli zyrtar. Tashmë, është e qartë se me gjithë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër gjatë shkurtit e marsit të 2023-tës, nuk është arritur asnjë përparim në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit dhe për aneksin e Ohrit. Përderisa Serbia, jo vetëm që nuk e pranoi nënshkrimin e marrëveshjeve, porse me një letër dërguar institucioneve evropiane, i kontestoi post-festum pjesët më vitale të marrëveshjeve, Kosova ende nuk e ka dërguar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesën që para se të bëhet kjo, Serbia ta pranojë nënshkrimin e marrëveshjeve dhe ta tërheqë letrën e sipërpërmendur të ish-kryeministres, Ana Bërnabiq.
Mirëpo, në postimin e tij të fundit, e ku thotë se do ta rregullojë çështjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, presidenti Trump nuk la pa e kritikuar politikën e ish-presidentit Biden, për sa i takon qasjes amerikane gjatë presidencës së këtij të fundit. Nga kjo mund të konkludohet se në presidencën e Trumpit, SHBA-ja nuk do ta luajë rolin e hijes së Brukselit, siç ka qenë rasti gjatë presidencës së Bidenit, por do të marrë lidership për ta negociuar një zgjidhje përfundimtare në mes të Kosovës e Serbisë, në bashkëpunim apo pa, me Bashkimin Evropian, ngase qëllimi i proklamuar i Trumpit është që “ta shmangë një luftë në mes të dy vendeve”.
Që nga viti 2008, SHBA-ja i ka adresuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi në thelbin e tyre dhe ka kërkuar proces paqësor, që do të finalizohej me njohje të ndërsjellë. Kësaj politike amerikane i kanë bërë mimikë edhe liderët evropianë, kur më 2023 presidenti francez, Emmanuel Macron, ish-kancelari gjerman, Olaf Scholtz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i bënë thirrje Kosovës që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe sipas draft-statutit evropian, kurse Serbisë, që ta bëjë njohjen de facto të Kosovës. Qëndrimin për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pro themelimit të Asociacionit e ka edhe Mbretëria e Bashkuar. Pra, qëndrimi i shteteve kryesore perëndimore, duke e përfshirë SHBA-në është që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të kulmojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Se a do t’i mbetet presidenti Trump besnik këtij parimi thelbësor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, mbetet të shihet. Marrëveshja e Washingtonit, e vitit 2020, ka prekur vetëm një aspekt të raporteve Kosovë-Serbi. Ajo çka i nevojitet Ballkanit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do ta adresojë edhe thelbin e problemit: Njohjen e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë. Kjo është e mundur të arrihet nëse SHBA-ja e investon tërë ndikimin dhe fuqinë e saj politike e ekonomike, që kombinuar me prezencën e saj ushtarake në rajon, ofron garanci të forta për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
Por, përveç këtyre, nga Trumpi duhet pritur stil tjetër të politikëbërjes. Trumpi nuk ka durim me miniliderë, siç janë Vuçiqi e Kurti (nëse ai mbetet kryeministër) dhe me kartat nacionaliste, me të cilat luajnë që të dy. Prandaj, përgjigjja e Kurtit, kundruall paralajmërimit të Trumpit ishte, thënë së buti, fatkeqe dhe e paarsyeshme. Ai tregoi shpërfillje karshi dëshirës së Trumpit, që të merret me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke thënë se Kosova dhe Serbia tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në këtë kontekst, ai nuk tregoi gatishmëri që të përfshihet në një proces paqësor të udhëhequr nga SHBA-ja, por përmendi disa kushte që nuk kanë të bëjnë fare me atë për çka po fliste Trumpi në postimin e tij. Nga deklarata e Kurtit shihet se ai ende nuk e ka mësuar se stili i politikëbërjes i Trumpit dallon rrënjësisht nga ai i paraardhësit të tij, Biden, dhe se Trumpit mund t’i humbë durimi me Kosovën, po qe se liderët e saj nuk tregojnë gatishmëri të plotë për të arritur marrëveshje. U pa se çka ndodhi me Iranin pas refuzimeve që të angazhohet sinqerisht në bisedimet për denuklearizim. E njëjta mund të na ndodhë edhe neve.
Mirëpo, Albin Kurti, me gjithë që e përfaqëson forcën më të madhe politike, tani për tani në Kosovë, nuk është Kosova. Kosova nuk bën të vuajë nga teket e personalitetit të tij refuzues. Me përgjigjen e tij, ai jo vetëm që nuk e tregoi lidershipin që i nevojitet Kosovës në këto kohë të turbullta, por shpërfaqi mungesë të theksuar të sensit politik e diplomatik, që mund ta çojë Kosovën në udhë pa krye. Prandaj, është e çuditshme që ish-partitë opozitare nuk reaguan ndaj deklaratës së tij fatkeqe.
Kosova duhet të navigojë me kujdes e me sens të shtuar për rrethanat ndërkombëtare, të cilat në mënyrë të papritur mund të zhvillohen në disfavor të saj, po qe se nuk ka lider që u përgjigjet në mënyrë të duhur paralajmërimeve të miqve më të afërt të saj. Prandaj, qëndrimi i Kosovës duhet të jetë që ta tumirë angazhimin e SHBA-së në Kosovë e më gjerë, dhe të insistojë te njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, si një “sine qua non” për paqen e stabilitetin në Ballkan.
Mosnjohja nga Serbia e përbën rrezikun më të madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe e udhëheq atë në synimet agresore ndaj Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të llogarisë në ndihmën e miqve të saj, duke e përfshirë SHBA-në. Washingtoni zyrtar e hodhi topin në fushë me rregulla të reja të lojës. Lojtarët që nuk i kuptojnë këto rregulla dhe janë të prirë të shënojnë autogola, duhen nxjerrë jashtë fushe për ta fituar këtë lojë.