Shtojca për Kulturë

Mesha e Rossinit harmonizohet në madhështi tingujsh hyjnorë

“Mesha e vogël solemne” e Gioachino Rossinit konsiderohet si një nga shprehjet më intime dhe origjinale të muzikës liturgjike të shekullit XIX. E tillë ka ardhur edhe në Prishtinë, për herë të parë  (Foto: Arben Llapashtica)

“Mesha e vogël solemne” e Gioachino Rossinit konsiderohet si një nga shprehjet më intime dhe origjinale të muzikës liturgjike të shekullit XIX. E tillë ka ardhur edhe në Prishtinë, për herë të parë (Foto: Arben Llapashtica)

“Petite messe solennelle” ka jehuar për herë të parë në Kosovë në koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe atij të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë bashkë me solistët në vokal si dhe dy piano e një harmonium. Ka harmonizuar zërat në “solemnitetin dhe bukurinë lirike, e duke reflektuar mendimin e pjekur të Rossinit mbi besimin dhe muzikën”. “Mesha e vogël solemne” ka ardhur me madhështinë e saj si një ringjallje tingujsh të shekullit XIX

Edhe pse në frymë sakrale, shkrimi vokal i veprës vokalo-instrumentale “Petite messe solennelle” (Mesha e vogël solemne) padyshim tingëllon operistike. E veçanërisht që ajo nuk është as e vogël e as aq solemne. Performanca premierë prej rreth 90 minutash nga shkrirja e dy formacioneve korale – Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe atij të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë – bashkë me solistët në vokal si dhe në dy piano e një harmonium, pas kryeqytetit shqiptar është sjellë në Prishtinë duke zbërthyer një prej kryeveprave të Gioachino Rossinit si dhe një prej veprave më të shquara korale të shekullit XIX.

Konsiderohet si një nga shprehjet më intime dhe origjinale të muzikës liturgjike të atij shekulli.

Më 25 janar në Tiranë, vepra u luajt me orkestër të plotë, nën drejtimin e dirigjentit zvicerano-argjentinas Facundo Agudin në kushte shumëfish më të mira. Në Prishtinë, edhe për shkak të hapësirës, pjesa instrumentale erdhi origjinale, siç e kishte shkruar kompozitori i shquar italian. Konsiderohet se versioni origjinal – ai për kor, këngëtarë, dy piano dhe harmonium –  njihet për ndërveprimin e nuancuar midis zërave dhe instrumenteve me taste.

Në Prishtinë është luajtur për të parën herë. Sipas Filharmonisë së Kosovës, që nga aria e parë deri tek e fundit, secila pjesë e veprës “kombinon solemnitetin dhe bukurinë lirike, duke reflektuar mendimin e pjekur të Rossinit mbi besimin dhe muzikën”.

Kasti i solistëve me sopranon ruse Svetlana Aksenova, mexosopranon Enkeleida Shkoza, tenorin Klodjan Kaçani dhe basin Rubén Amoretti nga Spanja ka zbërthyer vokalet solo të veprës. Ka nisur me arien “Kyrie” ku krejt segmentet që ndërtojnë veprën shpërfaqin rolet e tyre. Zërat marrin një vijë që ngrihet ngadalë me fjalën “kyrie”. Kontrastet janë dinamike ku në pjesën e fundit zinxhiri i këtyre harmonive ngjan i habitshëm për një vepër të një natyre të tillë.

“Gloria” prezantohet me motive të akorduara në mënyrë absolute nga pianot, interpretuar nga Andi Duraku dhe Lekë Salihu e nga harmoniumi  interpretuar nga Pranvera Hoxha. Vijon interpretimi i mexosopranos, tenorit e më pas basit.

“Domine Deus” është arie dedikuar për zë tenor, shoqëruar me piano. Tenori Klodjan Kaçani ka bërë me dije se kjo ka qenë vepra e parë e Rossinit që ka interpretuar në karrierën e tij.

“Është vepra e parë e Rossinit që e bëj në gjithë karrierën time sepse zëri im është për kompozitorë të tjerë. Është një vepër shumë e bukur, goxha komplekse, por pjesën më të vështirë mendoj se e ka kori që ka një punë shumë më të madhe se ne solistët”, ka thënë ai.

Është shprehur se do të donte që koncerte të tilla të ndodhnin në një teatër të vërtetë.

“Për mua është eksperiencë e bukur që vij sërish në Kosovë. Gjithmonë do të dëshiroja që të vijmë në një teatër, uroj që shteti të mendojë për artistët sepse Kosova ka pafund talentë të cilët duan një dorë sepse është e pamundur të zhvillosh art në kushte të tilla me gjithë potencialin që ka. Por energjia e publikut është shumë e mirë dhe ndihet që e do artin”, ka thënë tenori Kaçani.

Kasti i solistëve me sopranon ruse Svetlana Aksenova, mexosopranon Enkeleida Shkoza, tenorin Klodjan Kaçani dhe basin Rubén Amoretti nga Spanja ka zbërthyer vokalet solo të veprës (Foto: Arben Llapashtica)

Në koncertet ku ka interpretuar janë mbajtur kryesisht në salla private, por me koncertin e së premtes ka qenë hera e parë që ka interpretuar në Sallën e Kuqe. Ka thënë se është edhe më keq se aty ku ka interpretuar paraprakisht në Prishtinë.

“Është akoma më keq, por në rregull, e morëm përsipër ta bëjmë për publikun. Ka nevojë t’i jepet art. Në këto kushte që jemi, secili nga ne sakrifikon nga pak për të mirën e artit”, ka thënë Kaçani.

Më pas vjen aria “Qui tollis” e pastaj “Quoniam” e cila pas zërit të basit çon në lojë të zgjeruar në piano me kontraste në dinamikë. “Cum sancto spiritu” veçohet me interpretim a capella duke u përsëritur me fjalët e titullit.

Vepra vijon me ariet “Credo”, “Sanctus”  e “O salutaris hostia”.

“Prelude religieux” sjell duetin midis harmoniumit dhe pianos. Filharmonia nuk ka një harmonium prandaj ky instrument është zëvendësuar me piano elektrike duke i dhënë atij ngjyrat e këtij instrumenti, e edhe ato të organos. Kjo ka sjellë shumë sfida për pianisten Pranvera Hoxha.

“Kjo natyrisht se ka qenë sfiduese për vajzën që ishte afër meje për t’i kthyer fletat dhe për të lëvizur në dinamikën e partiturës që kërkohej. Natyrisht që nuk është e lehtë dhe kuptohet sepse harmoniumi ka një volum shumë të gjerë dhe i cili kur nuk reagon me kohë mundet edhe ta mbulojë solistin e korin. Në këtë rast, kjo pjesë ka qenë më sfiduese sepse po të ishte tamam instrumenti i duhur do të kisha rastin të studioja tamam në të dhe ta punoja këtë vepër”, ka thënë Hoxha.

E ka veçuar arien ku dialogojnë pianoja e harmoniumi.

“Për mua ka qenë shumë kënaqësi të jem pjesë e këtij projekti ngase këtë vepër nuk është se e kam njohur në detaje. Kam pasur rast që këto dy javë ta studioj numër për numër dhe të mishërohem me veprën. Kjo më ka dhënë kënaqësi të veçantë, posaçërisht pjesa ku harmoniumi ishte solo e që ka qenë goxha sfidues sepse ka qenë temë e fugës dhe është dashur të kem kujdes. Shpresoj shumë që edhe pse sonte e kemi realizuar në këtë formë, ka mbërritur të depërtojë tingulli tek audienca e gjerë në sallë”, është shprehur Hoxha.

Pianot e harmoniumi kanë shfaqur edhe virtuozitet në interpretim. E në shumë raste të tri instrumentet është dashur të jenë në sinkron absolut.

“Kanë qenë disa numra që është dashur të luhen absolutisht të njëjtat nota. Edhe ajo është sfiduese duke pasur parasysh se tingulli i harmoniumit edhe ngel një çikë në ajër dhe është dashur shumë përqendrim për të qenë sa më shumë në sinkron”, ka thënë Hoxha.

Aria e fundit është “Agnus dei” ku pas një kadence të zgjatur, kori këndon a capella me fjalë që përsëriten. Interpretimi i mexosopranos Enkeleida Shkoza ka qenë tejet emocionues. Ajo ka thënë se përfundimi i veprës me këtë pjesë është mbyllje perfekte e saj.

“Aria e fundit është shumë e prekshme sepse ne i themi Zotit: Ti që heq të gjithë mëkatet e kësaj bote, të lutem ki mëshirë për mëkatarët; ti që je ai i miri, i drejti, të lutem hidh sytë te ne dhe na fal mëkatet që bëjmë. Është shumë e bukur, shumë e ndjeshme. Më duket shumë personale, e ndiej shumë fort. Ky është fundi i kësaj vepre, është përfundim perfekt”, është shprehur ajo.

E ka konsideruar koncertin si përvojë fantastike.

“Eksperiencë fantastike! Ishte një shkrirje shumë e natyrshme tingullore. Ndihem vërtet mirë. Me disiplinë dhe me entuziazëm shikoja që edhe dy koret ishin shkrirë në mënyrë perfekte midis tyre. Ishte ambient i përsosur për të kënduar mirë, publiku ishte shumë i ngrohtë, ishte emocionuese si këtu edhe në Tiranë”, ka thënë Shkoza.

Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë e ka përgatitur Dritan Lumshi, ndërsa atë të Filharmonisë së Kosovës, Hajrullah Syla. Ai ka qenë edhe dirigjent i koncertit të së premtes mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.

Ka thënë se ndryshe nga titulli, vepra është madhështore.

“Vepra është e shkruar për një kor shumë më të vogël, për 12 koristë dhe katër solistë, dy piano dhe harmonium. Edhe pse quhet ‘Mesha e vogël solemne’, kjo me të vërtetë është një vepër shumë e madhe dhe sigurisht se me këtë numër të koristëve është arritur ajo balanca që të sillet atmosfera që Rossini ka dashur ta shprehë në vepër”, është shprehur Syla.

Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë e ka përgatitur Dritan Lumshi, ndërsa atë të Filharmonisë së Kosovës, Hajrullah Syla. Ai ka qenë edhe dirigjent i koncertit të së premtes mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet (Foto: Arben Llapashtica)

Ka theksuar se bashkëpunimi ka qenë rrjedhë e bashkëpunimeve të përvitshme midis dy institucioneve.

“Po besoj që me një numër kaq të madh të koristëve dhe të pianistëve solistë të shkëlqyeshëm, patëm një rezultat mjaft të mirë dhe jemi të lumtur për këtë”, ka thënë ai.

Regjisori operistik Nikolin Gurakuqi e ka konsideruar koncertin të mrekullueshëm në çdo aspekt.

“Solistët janë secili më i mirë se tjetri, vokale të shkëlqyera e shumë të bukura. Sigurisht edhe kori ka sepse bashkimi i dy koreve nuk është i lehtë të funksionojë, të jenë vokalet në harmoni, por këtu janë harmonizuar në mënyrë perfekte. Duartrokitjet e mia dhe vlerësimet janë më se të merituara. Sonte këta artistë na dhanë një shfaqje të shkëlqyer”, është shprehur ai.

Sipas Gurakuqit, kushtet nuk ndikojnë në lojën e artistëve profesionistë.

“Artistët profesionistë janë profesionistë. Që do të thotë: seriozitet dhe njëtrajtshmëri në vendin ku zhvillon veprimtarinë e tij. Nuk ka rëndësi se këtu me piano apo në Tiranë me një orkestër në një sallë të madhe opere, impenjimi ishte njësoj, ndoshta këtu edhe më i madh”, ka konsideruar ai.

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës mbahet më 6 shkurt me program tërësisht dedikuar muzikës së Johannes Brahmsit, nën dirigjimin e rumunit Artun Hoinic, me solistë Visar Kuçin në violinë dhe violonçelisten turke Nil Kocamangil.