OpEd

Të tjerët po hyjnë në epokën e trenave modernë…

…ndërsa politikanët e Kosovës po qëndrojnë stoikë në tunelin e errët të thashethemeve, të mungesës së planeve për qeverisje dhe të dembelisë epokale

Më 29 shtator 2025 - domethënë: para pak javësh - në Kroaci u vu në qarkullim treni i parë me bateri, i cili mund të lëvizë deri në 200 kilometra me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë. Me 113 ulëse dhe 114 vende për të qëndruar në këmbë, treni u ofron udhëtarëve edhe Wi-Fi falas. Ai u prodhua nga fabrika kroate “Konçar - Elektroindustrija” në kuadër të projektit “Zbatimi i teknologjive të gjelbra në transportin hekurudhor të udhëtarëve”, i cili financohet nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë 2021–2026. Treni do të qarkullojë në rrjetin hekurudhor të paelektrifikuar në Kroaci.
Në maj ishte vënë në qarkullim treni elektrik dhe me bateri në linjën Zagreb-Bjellovar-Zagreb. Projekti, sipas mediave kroate, përfshin edhe ndërtimin e gjashtë stacioneve për ngarkim të baterive në stacionet hekurudhore të Bjellovarit, Viroviticës, Osijekut, Varazhdinit, Pulës dhe Splitit. Një lajm tjetër: deri në vitin 2030 stacioni i trenit në Zagreb do të meremetohet dhe modernizohet për 70 milionë euro.

Edhe në Serbi ka ndryshime në infrastrukturë: nga Beogradi deri në Novi-Sad udhëtimi me trenin modern zviceran zgjat 32 minuta. Me veturë udhëtimi zgjat një orë e gjysmë.

Të tjerët po hyjnë në epokën e trenave modernë, ndërsa politikanët e Kosovës po qëndrojnë stoikë në tunelin e errët të thashethemeve, të mungesës së planeve për qeverisje dhe të dembelisë epokale. Ndonëse flitet shumë për investime në infrastrukturë, e nga pak punohet aty-këtu në rrjet hekurudhor, mentalisht klasa politike e Kosovës ende është aty diku ku kanë qenë banorët e kasabasë së Prishtinës më 1874, kur u hap linja Selanik-Shkup-Mitrovicë. Siç shkruan historiania austriake Eva Anne Frantz, popullsia lokale në fillim e kundërshtoi me këmbëngulje ndërtimin e hekurudhës, duke e quajtur “vepër të dreqit”, andaj stacioni hekurudhor i Prishtinës u ndërtua 7 kilometra larg qytetit.
200 vjet më parë, më 27 shtator 1825, një tren me avull kaloi 41 kilometra në verilindje të Anglisë. Gjatë rrugës ai u prish dhe një pasagjer u rrëzua dhe ndrydhi këmbën, por kjo ditë hyri në histori si dita e lindjes së epokës së hekurudhës. Së fundi gazeta britanike “Financial Times” shkroi se epoka e hekurudhës po kthehet, sepse “trenat, sidomos ata të furnizuar me energji të gjelbër, lëshojnë shumë më pak ndotje për kilometër sesa veturat ose avionët. Një rrjet hekurudhor i besueshëm dhe me qasje të lehtë sjell gjithashtu përfitime shoqërore e ekonomike, nga ulja e vetmisë individuale dhe izolimit komunitar te rritja e mobilitetit ekonomik”.

Përkthyer në rrafshin kosovar, treni elektrik kroat do të mund të lëvizte gjithandej Kosovës dhe kështu do të mbrohej ambienti dhe shkarkohej komunikacioni në rrugët rajonale. Rrjeti hekurudhor i Kosovës është i paelektrifikuar dhe funksionon me lokomotiva me naftë; është i vjetruar dhe nga 330 kilometra vetëm një pjesë mund të përdoret. Një mendim futurist: me një vijë hekurudhore moderne treni kroat me bateri do të kalonte distancën nga Prishtina në Pejë për 53 minuta (me 100 kilometra në orë, ndërsa me 80 kilometra në orë do të futej në Pejë për 66 minuta; me 120 kilometra në orë shkuarja nga Prishtinë në Pejë do të bëhej për 42 minuta, por ky mendim është pothuaj sakrilegj). Fatkeqësisht, Kosova është larg, shumë larg nga ky vizion ardhmërie. Ngjashëm edhe Shqipëria.

Me ironinë e tij të hollë gazetari Lutfi Dervishi para disa muajsh kështu e përshkroi dramën e modernizimit të hekurudhës Durrës-Tiranë: “Në vitin 1948, me një kapelë të rëndë, një pallto të gjatë dhe një fjalim edhe me të gjatë, Enver Hoxha nisi ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë, pas të parës linjë Durrës -Kavajë. Brenda 10 muajsh, pa aplikacione, pa tender, pa konsultime me komunitetin, pa inspektime dhe pa ‘projekt të përditësuar’, Shqipëria kishte një linjë funksionale treni. Me kazmë, lopatë dhe shumë tam-tame ideologjike, por me rezultat konkret.

Sot, më shumë se 75 vjet më vonë, Shqipëria demokratike dhe e digjitalizuar, me drone, hartografi satelitore, me satelitët Albania 1 dhe Albania 2, ‘smart city’ në gojë, dhe me Inteligjencën Artificiale në mendje, nuk ka një stacion treni në kryeqytet, siç kanë kryeqytetet e botës kudo dhe ende nuk ka arritur të përfundojë të njëjtën linjë hekurudhore Tiranë-Durrës. Projekti i planifikuar të mbaronte në 2023 u shty për në 2024, dhe së fundmi në 2025”.

Edhe disa javë përfundon viti 2025. Deri atëherë “ministre Diella” mund të bëjë ndonjë mrekulli.
Të tjerët mrekullitë i bëjnë me punë. Spanja e ka tejkaluar Francën me zgjerimin e rrjetit hekurudhor të shpejtësisë së lartë. Nga Milano shumica e metropoleve italiane më shpejt arrihen me tren se me avion. Për epërsinë e trenave zviceranë nuk duhet humbur shumë kohë. Kina, në anën tjetër, është e pakalueshme. Vetëm në vitin 2023 ka investuar 110 miliardë dollarë amerikanë në rrjetin hekurudhor. Rreth dy të tretat e rrjetit hekurudhor të shpejtësisë së lartë gjenden në Kinë (48 mijë kilometra; deri në vitin 2030 synimi është të arrihet në 60 mijë kilometra).

Sipas “Financial Times” edhe në një vend si SHBA-ja, ku vetura përveçse mjet transporti është edhe simbol i statusit shoqëror, operatori hekurudhor publik “Amtrak” transportoi vitin që shkoi 32,8 milionë pasagjerë (15 për qind më shumë se në 2023) - “ndërsa amerikanët treguan shenja të një rilidhjeje me udhëtimin me tren. Me saktësi në orare dhe çmime të përballueshme, sondazhet tregojnë se shumica e udhëtarëve do të preferonin trenin ndaj avionit ose makinës për distanca të shkurtra ose mesatare”.
Qytetarëve të Kosovës u mbetet të tregojnë vetëm atë anekdotën mbi ata dy burrat që në fund të shekullit të 19-të morën trenin në Ferizaj për të shkuar në pazar të Shkupit. Kur treni hyri në Grykën e Kaçanikut dhe në largësi shihej një tunel, dy burrat trima shqiptarë i zuri paniku nëse lokomotivën me vagonë e zë tuneli. Kur treni iu afrua tunelit, ata kërcyen nga vagoni - duke shprehur kështu mosbesimin e thellë ndaj teknikës.