Dezinformatat kanë siguruar aleatë. Pas analizës së mijëra postimeve në rrjetet sociale, rezulton se përmbajtjet polarizuese dhe akuzuese marrin më shumë shtrirje sesa informacioni i verifikuar. Ekspertë tregojnë arsyet pse përmbajtjet e këtilla që gjenerojnë komente të shumta, reaksione të forta dhe shumë shpërndarje, kanë gjasa të rriten më shpejt në sistem sesa përmbajtjet neutrale
Videoja më e shikuar në rrjete sociale që përmend emrin e Fatmir Shehollit dhe që u postua ditën kur u arrestua nën dyshimin për spiunazh në favor të Serbisë, nuk e ka atë protagonist. As e dyta. Të dyja videot përmbajnë një fragment të vjetër nga polemikat për tradhti, mes politikanësh.
Në video shihet kryeministri Albin Kurti në foltoren e Kuvendit tek i drejtohet deputetit opozitar, Hisen Berisha, duke i thënë: “Unë mund t’u përgjigjem me vetëm një gjë këtyre akuzave tuaja: Ju mund ta ndihmoni shtetin e Kosovës, dhe unë kam një kërkesë për juve – mos e tako Fatmir Shehollin. Veç mos rri me Fatmir Shehollin, bashkëpunëtorin e Serbisë. Po, te na s’ka prokurori...”.
Në momentin kur u dha deklarata, funksionoi si akuzë morale ndaj ligjvënësit që në luftën me Serbinë të rreth tri dekadave më parë, ishte një prej komandantëve të UÇK-së. Por, rishfaqja e saj në ditën e arrestimit të Shehollit e zhvendosi kuptimin duke u ricikluar si “provë” simbolike e bashkëpunimit me Serbinë dhe si konfirmim i asaj që e kishte thënë Kurti.
Kjo u reflektua në rreth 500 komente që u bënë në të dyja videot në TikTok, të cilat u shpërndanë më 9 tetor dhe kanë më shumë se 400 mijë shikime.
“Së shpejti edhe ky tjetri mas Shehollit në fllad”, shkroi njëri nga komentuesit, duke e përdorur shprehjen “fllad” si simbolikë për burgun.
“Këtu nuk është vetëm Sheholli, atë e kanë ndihmuar edhe televizionet dhe gazetarët e Kosovës”, shkroi një tjetër.
Por, pati edhe të atillë, që shkruan: “Ti Albin je ma shpiun se ky”.
Në komente të tjera u përmendën emra politikanësh dhe figurash publike, që u etiketuan si bashkëpunëtorë të Serbisë ose si spiunë të rekrutuar nga shërbimi sekret serb, BIA. Shumë nga këto akuza u shoqëruan me fotografi reale ose të rreme, të gjeneruara me inteligjencë artificiale, në të cilat figura politike shfaqen pranë Shehollit ose zyrtarëve të Serbisë.
Ndryshe nga këto, raportimet neutrale për arrestimin kaluan pa vëmendje.
Artan Krasniqi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës (UP) që ligjëron edhe mediat, thotë se kjo nuk është rastësi.
“Informacioni neutral e i zakonshëm nuk ngjall kërshërinë e publikut”, thotë Krasniqi. “Vetëm ajo që është sensacionale, e jashtëzakonshme, jo e natyrshme merr vëmendje”.
Tek flet mbi rastin e postimeve të fotografive me Shehollin, ai tregon se sa shpejt mund të krijohet një perceptim i gabuar publik vetëm nga dezinformatat e gjuha polarizuese në rrjete sociale.
“Në shumicën e rasteve sharjet, fyerjet e akuzat e tilla nuk janë gabime të rastësishme, por një strategji diskursive për të goditur kundërshtarin”, thotë Krasniqi. “Kjo strategji është polarizuese, përçarëse e me potencial të madh për të degraduar në konflikt shoqëror”.
Dezinformata para lajmit
Të dhënat empirike e përforcojnë këtë vlerësim.
Sheholli u arrestua më 9 tetor.
Pas analizës së 172 përmbajtjeve në të cilat shkruante edhe mbiemri “Sheholli” dhe që u postuan atë ditë në Facebook, TikTok, Instagram dhe rrjete të tjera sociale, rezulton se 142 janë lajme që sollën informacione bazë nga Prokuroria dhe Policia. Ato gjeneruan rreth 8 mijë angazhime totale – mesatarisht rreth 56 angazhime për lajm.


Rezultatet janë krejtësisht të tjera për përmbajtjet dezinformuese dhe akuzuese. Vetëm 18 postime të kësaj natyre gjeneruan gati 20 mijë angazhime totale, përkatësisht mbi 1 mijë e 100 angazhime për një përmbajtje.
Kësisoj, një postim me përmbajtje akuzuese gjeneroi mesatarisht rreth 19 herë më shumë angazhim sesa një lajm informues.
Bazuar në kërkimet e bëra nëpërmjet platformës “Pikasa”, në 142 lajme pati 6,302 pëlqime e reagime të tjera, 323 shpërndarje, 1,628 komente e mbi 250 mijë shikime. Ndërkaq, në vetëm 18 përmbajtje akuzuese, pati mbi 16 mijë pëlqime e reagime të tjera, 217 shpërndarje e mbi 550 shikime.
Pas përmbajtjes që njerëzit shohin çdo ditë në Facebook, TikTok, X, Instagram e të tjera rrjetet sociale, qëndrojnë algoritme që përcaktojnë se çfarë informacioni shfaqet më shumë dhe çfarë fshihet.
Blerim Rexha është profesor i teknologjisë informative në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike që funksionon në kuadër të UP-së. Ai shpjegon arsyet teknike pse përmbajtjet politike polarizuese performojnë më mirë në rrjetet sociale.
“Algoritmet janë ndërtuar të maksimizojnë angazhimin me klikime, komente, shpërndarje, kohë shikimi, e jo cilësinë apo neutralitetin e informacionit. Përmbajtjet që nxisin emocion të fortë si zemërim, frikë, indinjatë, bëjnë që shfrytëzuesi të ndalet më gjatë, të komentojë më shumë dhe ta shpërndajë më shpesh, prandaj algoritmi i lexon si ‘të suksesshme’ dhe ua rrit shtrirjen. Komentet konfliktuale duken thjesht si ‘diskutim i gjallë’, pa dalluar nëse janë fyerje ose debat konstruktiv, ndërsa shpërndarjet janë sinjali më i fortë se përmbajtja ‘ia vlen’ të qarkullojë më gjerë”, shpjegon Rexha. “Me kalimin e kohës krijohet një loop: postimet polarizuese sjellin angazhim të lartë, modeli mëson t’i favorizojë, dhe metrikat numerike si numri i komenteve, sharës, sekondat e shikimit, i japin përparësi ndaj informacionit neutral, i cili natyrshëm gjeneron reagim më të butë”.
Ai tregon se komentet janë sinjal shumë i fortë, sepse tregojnë angazhim të thellë dhe debat, pasi thotë se algoritmi nuk dallon gjithmonë mes komenteve pozitive dhe atyre konfliktuale, por sheh intensitetin e tyre. Reaksionet emocionale, për shembull si zemërim e trishtim, sipas Rexhës, janë po ashtu sinjale të vlefshme se përmbajtja ka prekur diçka te shfrytëzuesi, prandaj thotë se postimet që nxisin frikë apo zemërim shpesh favorizohen. E, për shpërndarjet thotë se konsiderohen edhe më të forta, meqë tregojnë se shfrytëzuesi e rekomandon aktivisht përmbajtjen te rrjeti i vet, ndaj algoritmi i amplifikon këto postime në audienca të reja.
“Si rezultat, përmbajtjet polarizuese dhe dezinformuese, që gjenerojnë komente të shumta, reaksione të forta dhe shumë shpërndarje, kanë gjasa të rriten më shpejt në sistem sesa përmbajtjet neutrale”, thotë Rexha.
Informimi ndryshe
Rrjetet sociale janë bërë burimi kryesor i informimit për shumicën e qytetarëve në Kosovë. Bazuar në “DataReportal”, në fund të vitit 2025 ka pasur 844 mijë identitete përdoruesish të moshës 18 vjeç e lart që përdornin rrjete sociale në Kosovë, e që përbën 67.5 për qind të popullsisë së kësaj grupmoshe.
Në kontekstin e Kosovës, ku popullsia e re përbën përqindjen më të lartë në Evropë dhe ku cilësia e arsimit është pas atij të vendeve të BE-së, ndikimi i algoritmeve të rrjeteve sociale është edhe më i ndjeshëm. Përmes përmbajtjeve të targetuara, qytetarët ekspozohen ndaj informacionit që përforcon bindje të caktuara dhe zvogëlon hapësirën për debat racional.
Dren Gërguri, profesor i gazetarisë në UP, shpjegon se mënyra e informimit të audiencës ka ndryshuar shumë si rezultat i përdorimit në shkallë të lartë të mediave sociale dhe ndikimit të algoritmeve.
“Në kohën kur media tradicionale ishte burimi kryesor i informacionit për qytetarët, çdo informacion filtrohej nga gazetarët dhe redaktorët para se të mbërrinte te publiku. Sot, njerëzit më shpesh marrin informacione nëpërmjet mediave sociale ku qarkullojnë shumë edhe informacione të pavërteta dhe algoritmi përcakton çfarë përmbajtje do t’iu shfaqet përdoruesve”, thotë Gërguri. “Algoritmet favorizojnë përmbajtje që rritin angazhimin dhe kjo nënkupton se në shumë raste, përmbajtjet emocionale apo sensacionale amplifikohen nga algoritmi për të mbajtur përdoruesin më gjatë në platformë”.
Në komunikimin politik në Kosovë, pak tema prodhojnë aq vëmendje dhe reagim sa ato që lidhen me serbët ose me Serbinë. Ato shërbejnë si terren i përshtatshëm për ndërtimin e akuzave më të rënda politike, përfshirë ato për tradhti, si mjete të fuqishme mobilizimi dhe delegjitimimi të kundërshtarit.
Pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të shkurtit të 2025-tës, kjo logjikë u reflektua qartë gjatë krizës së gjatë institucionale. Shteti mbeti në bllokadë politike, pasi kandidati i parë i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar nuk arriti të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Vetëvendosje refuzoi ta ndërrojë kandidatin, deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese nxori përfundimin se një deputet nuk mund të propozohet për këtë pozitë më shumë se tri herë.
Narrativat që “dhezin”
Edhe pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, përplasjet politike nuk u zbutën. Ato u zhvendosën te Lista Serbe, subjekt politik që e konteston shtetësinë e Kosovës, por që në dy palë zgjedhjet e fundit ka siguruar 9 nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend. Vetëvendosja refuzoi që kandidati i Listës Serbe të mbështetej me votë për një nga katër nënkryetarët e Kuvendit, që i takon komunitetit serb. Në anën tjetër, partitë e tjera të mëdha në fazën fillestare nuk e mbështetën Nenad Rashiqin, deputetin e vetëm serb që nuk i përket Listës Serbe.
Kjo përplasje institucionale u reflektua menjëherë edhe në rrjete sociale. Më 26 gusht, ditën kur opozita nuk e mbështeti me votë kandidaturën e Rashiqit për nënkryetar Kuvendi, pati 341 përmbajtje në rrjete sociale, në të cilat u përmend Lista Serbe. Nga to, tri përmbajtjet me numrin më të madh të angazhimeve totale nuk janë raportime mediatike.
E dyta dhe e treta për nga angazhimi i përkisnin llogarisë në Facebook të deputetit të Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci. Postimi me më së shumti reagime përmbante këtë deklaratë: “Opozita në Kuvend sot, s’po ndahet dot nga partnerja e vjetër – Lista Serbe. Një listë që e luftoi Kosovën me armë dhe ende e mohon shtetin tonë. Abstenimi i PDK-së për Listën Serbe dhe mosvotimi për Nenad Rashiqin – një deputet nga komuniteti serb që e njeh shtetin e Kosovës, tregon se opozita e ka më të lehtë të mbajë gjallë koalicionin me Vuçiqin sesa të votojë për ata që e pranojnë Republikën e Kosovës”.
Postimi mori mbi 1.200 pëlqime e reagime të tjera, 110 komente dhe u shpërnda 26 herë.
Profesori i Sociologjisë, Artan Krasniqi, shpjegon arsyen pse kanë efekt kaq të madh emocional në Kosovë narrativat për Serbinë, përkatësisht ato me akuza për bashkëpunim me Listën Serbe.
Fillimisht ai rikujton faktin se relacioni me Serbinë nuk është i hidhur vetëm në raport me të kaluarën, por që shqiptarët në Kosovë janë të vetëdijshëm që Serbia nuk ka hequr dorë nga ëndrra se një ditë do të kthehet me ushtri e administratë, ide që mbahet gjallë në diskursin publik në Serbi, jo vetëm në media, por edhe në sfera të tjera të jetës shoqërore e politike. Krahas faktit se në Kushtetutën e Serbisë, Kosova figuron si pjesë e këtij shteti, Krasniqi argumenton se edhe grupet më të mëdha të tifozëve të futbollit vazhdojnë të bartin parulla me pretendime mbi Kosovën, e po ashtu edhe në protestat studentore antipushtet janë shprehur mesazhe të këtilla.
“Pra duke qenë evidente edhe si frikë, edhe si mundësi, në diskursin publik në Kosovë informacioni që lidhet me Serbinë është edhe real, por edhe i ekzagjeruar e i përdorur për interesa shpeshherë të ngushta. Disa media, duke parë potencialin sensacionalist e nxitës klikimesh fryjnë këtë narrativë për të fituar vëmendje e klikime”, thotë Krasniqi. “Në anën tjetër, duke qenë damkë e rëndë shoqërore për shqiptarin, bashkëpunimi eventual me këdo që shtyn agjendën serbe në Kosovë, në diskursin politik e publik vazhdon të jetë një mjet i fortë për të sulmuar ulët kundërshtarin politik”.
Vëmendja te përplasjet
Nga 26 gushti, kur u zgjodhën kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit, përjashtuar atë nga radhët e komunitetit serb që u zgjodh më vonë, e deri më 19 nëntor, kur u mbajtën dy seanca plenare të Kuvendit – njëra për formimin e disa komisioneve funksionale dhe për votimin e disa ligjeve, e tjetra për formimin e qeverisë së propozuar nga Glauk Konjufca – Lista Serbe u shndërrua në një nga temat më dominuese të diskursit politik në rrjete sociale. Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave të mbledhura përmes platformës “Pikasa”, kjo parti u përmend në gjithsej 9,639 përmbajtje të postuara.
Ato gjeneruan 320,426 angazhime, mbi 3.6 milionë shikime, 221,663 pëlqime dhe reagime të tjera, 30,395 shpërndarje dhe 68,368 komente.
Postimi me angazhimin më të lartë total, mbi 8 mijë, u publikua në llogarinë në Facebook të deputetes opozitare Hykmete Bajrami. Ishte reagim pas akuzave se ajo, në një emision televiziv, kishte deklaruar se nuk e ka problem Listën Serbe, por Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ju mashtrues dhe shpifës, që kurrë nuk e patët kurajën ta lexoni drejt marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, ku Albin Kurti ka vulosur tradhtinë kombëtare, mendoni se unë brengosem për shpifjet e juaja?”, ka shkruar ndër të tjera ajo në postimin e gjatë, në të cilin akuzon për tradhti Kurtin, për marrëveshjet me Serbinë. “Gjithashtu e vërtetë është se Albin Kurti e LVV-ja janë koordinuar me Radoiçiqin për pagën e veteranëve, kanë kërkuar vota prej tyre për me zgjedhë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Me një fjalë kanë tradhtuar, kanë mashtruar dhe kanë dështuar”.
Përmbajtja gjeneroi 5.6 mijë pëlqime dhe reagime të tjera, mbi 2 mijë komente dhe u shpërnda 510 herë.
Postimi i dytë për nga angazhimi i përket Adnan Rrustemit, njëri prej eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Videoja e publikuar në Facebook më 27 nëntor 2025 arriti mbi 225 mijë shikime.
Përmbajtja e tretë më e angazhuar është një video e shpërndarë në llogarinë zyrtare në Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila përmban një replikë të nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Në këto rrethana është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita, LDK, PDK, AAK, NISMA e Lista Serbe, sepse jeni bërë bashkë gjatë gjithë kësaj kohe, dhe jeni bashkë edhe sot për të bojkotuar vendime tepër të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës”, është cituar Haxhiu. “Me pasë Prokurori të përgjegjshme të gjithë ata që tentojnë ta fusin vendin në krizë sociale do të duhej të përgjigjeshin penalisht”.
Kjo përmbajtje mori 5.5 mijë pëlqime, 638 komente, 406 shpërndarje dhe mbi 152 mijë shikime.
Vetëm në vendin e 15-të për nga numri i angazhimeve totale u rendit një përmbajtje e publikuar në llogarinë e një medie në rrjete sociale, tregues ky se gjatë kësaj periudhe diskursi politik në platformat digjitale u dominua nga deklaratat dhe përplasjet e drejtpërdrejta të aktorëve politikë, më shumë sesa nga raportimet mediatike.
Në fund të vitit të shkuar, Instituti KIPRED ka realizuar një hulumtim, pjesë e të cilit ka qenë edhe analiza që u është bërë postimeve në rrjete sociale që eksponentë politikë kanë bërë lidhur me raportet ndëretnike në Kosovë.
Lulzim Peci është drejtor ekzekutiv i këtij instituti dhe tregon se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe, me postimet e tyre në Facebook, janë ato që kanë dominuar narrativat e ndërlidhura me çështjet ndëretnike, krahasuar me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, të cilat kanë pasur dukshëm më pak postime për këto çështje. Ai thotë se kjo është e kuptueshme, duke pasur parasysh se LVV-ja e ka udhëhequr Qeverinë, ndërsa veprimet e saj në veriun e banuar kryesisht me serbë, kanë qenë drejtpërdrejt të ndërlidhura me reagimin e LS-së.
“Narrativat e LVV-së kanë qenë më tepër të lidhura me incidentet e sigurisë dhe veprimet e organeve të rendit dhe ligjit në veri, të cilat janë shoqëruar kryesisht me gjuhë akuzuese, ndërsa ato të LS-së me gjuhë si akuzuese ashtu edhe viktimizuese. Narrativat stigmatizuese janë përdorur më shumë nga Lista Serbe sesa nga Vetëvendosje, por në një masë dukshëm më të vogël sesa ato akuzuese apo viktimizuese”, ka thënë Peci.
Ai konfirmon se gjatë hulumtimit janë vërejtur ndryshime në tonin dhe frekuencën e postimeve në periudha të caktuara politike.
“Zakonisht, ashpërsimet në ton dhe rritja e frekuencës së postimeve të LVV-së dhe LS-së janë më të theksuara në rastet e incidenteve të sigurisë dhe veprimeve specifike të institucioneve të rendit dhe ligjit në veri, kryesisht atyre që lidhen me luftimin e krimit, mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë, si dhe me çështje të tjera, si hapja e urës së Ibrit, vizitat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, dhe aludimet për ngacmime seksuale apo shkelje të të drejtave të njeriut dhe atyre kolektive”, ka thënë Peci.
Nga perspektiva e tij profesionale, ai thotë se këto modele të komunikimit janë potencialisht të dizajnuara që të gjenerojnë reagime.
“Këto modele të komunikimit politik pa dyshim se janë të dizajnuara të gjenerojnë reagime në rrjetet sociale për efekte elektorale”, thotë Peci.
Algoritmet si redaksi
Gjatë vitit 2025, Kosova kaloi nëpër cikël të pazakontë elektoral. U organizuan tri palë zgjedhje brenda një viti: zgjedhjet e rregullta parlamentare në shkurt, zgjedhjet e rregullta lokale në tetor dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në fund të dhjetorit. Ky ritëm krijoi klimë fushate politike të vazhdueshme, në të cilën u sforcua polarizimi i diskursit publik.
Pak ditë para nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme, në rrjete sociale filluan të qarkullojnë fotografi dhe video të rrejshme, të gjeneruara me inteligjencë artificiale ose të krijuara përmes platformave të montazhit, në të cilat Albin Kurti paraqitet së bashku me figura politike nga Serbia. Përmbajtjet u shpërndanë nga një numër faqesh dhe u paraqitën pa shenja të qarta dalluese se ishin të rreme apo të manipuluara.
Në një nga këto përmbajtje virale, Kurti shfaqet bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe të dënuarin për krime lufte, Voislav Sheshel. Imazhi u shoqërua me përshkrimin: “Del fotoja e A.Kurtit me Vuçiqin dhe Sheshelin”. Ajo u shpërnda mbi 300 herë, dhe nxiti rreth 1 mijë komente. E njëjta përmbajtje u ripërdor nga faqe të tjera, ku prodhoi mijëra komente dhe shpërndarje shtesë.
Një tjetër përmbajtje e shpërndarë përdori një fotografi të njohur të Kurtit nga koha kur ishte i burgosur në Serbi, e realizuar gjatë një vizite në burg që bëri ministri serb i Punëve të Brendshme dhe që u shoqërua nga dhjetëra gazetarë. Në versionin e rremë të shpërndarë në rrjete sociale, nga imazhi origjinal janë hequr të gjithë personat e tjerë dhe është paraqitur vetëm Kurti krah Voislav Koshtunicës, atëkohë president i ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, por i cili nuk kishte qenë fare i pranishëm, duke përforcuar narrativën se Kurti ishte liruar me dekret të tij. Përmbajtja, ndonëse e rreme, gjeneroi mbi 1,100 komente dhe rreth 40 shpërndarje.
Organizata “Hibrid” merret me verifikimin e fakteve.
Fatbardh Dema është Fact-checker në këtë organizatë, dhe tregon se janë identifikuar keqinformata të cilat janë shpërndarë në rrjete sociale si Facebook dhe TikTok me përmbajtje polarizuese ku janë etiketuar individë, kryesisht politikanë.
Ai thotë se përmbajtjet e këtilla shpërndahen më shpejt sesa ato me informacione të vërteta.
“Përmbajtje të tilla vërehen që kanë shumë angazhim dhe duke u bazuar në shpërndarjet dhe komentet, vërehet se ato merren si të mirëqena dhe ka mungesë të edukimit medial. Shembull i fundit janë videot dhe imazhet e gjeneruara me AI, të cilat marrin qindra e mijëra shikime dhe që njerëzit, bazuar në komente, i marrin si të vërteta”, thotë Dema. “Pra, përmes këtyre përmbajtjeve joreale manipulohet opinioni publik. Të gjitha këto video kanë fokus politikën dhe lidhen me zgjedhjet”.
Ai tregon se në përmbajtje të këtilla janë vënë edhe deklarata të pathëna që u janë mveshur zyrtarëve politikë, me pretendimin se janë bërë nga ta. Në disa raste postimi i njëjtë është gjetur në grupe, të cilat mbajnë emra të subjekteve politike.
“Këto përmbajtje nxisin emocion dhe angazhim të përdoruesve”, thotë Dema.
Nga arrestimi i Fatmir Shehollit dhe akuzat për bashkëpunim me të, përplasjet rreth aleancave me Listën Serbe e Serbinë dhe deri te përmbajtjet e gjeneruara me inteligjencë artificiale në prag të zgjedhjeve, rrjetet sociale kanë shërbyer si hapësira kryesore ku këto zhvillime janë reflektuar dhe riprodhuar. Analiza e mijëra përmbajtjeve të postuara në Facebook, TikTok, X, Instagram e të tjera, ka treguar se përmbajtjet me gjuhë akuzuese dhe emocionale kanë marrë dukshëm më shumë shtrirje sesa raportimet informuese.
Ato u përhapën në një mjedis që nuk e rregullojnë redaksitë, por algoritmet, të cilat matin klikime, komente dhe shpërndarje. Kësisoj, angazhimin numerik e kthejnë në kriterin kryesor për dukshmërinë e përmbajtjes, pavarësisht nëse ajo është informatë a dezinformatë.
(Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.)