Kjo tema e subvjedhcioneve ka qenë gjithmonë aktuale në këtë ministri qysh nga formimi i saj si Ministri e Bujqësisë në Kosovën e pasluftës. Kur Naimi shkruante për "Bagëti e Bujqësi", ai kishte harruar ta plotësonte titullin e veprës së tij në "Bagëti, Bujqësi dhe Sallamadi". Aty ndër vitesh u keqpërdorën subvjedhcionet për traktorë, për lopë e për gjedhe, për farë e për pleh, për qumësht e për hektarë të tokës së mbjellë. Ky buxhet i subvjedhcioneve çdo vit ka shënuar rritje. Në vitin e fundit ai ka arritur shumën prej 50 milionë eurove
Nuk e di a është duke ndodhur vetëm me mua, por me gjithë ditët thuajse identike në këtë kohë pandemie dhe karantine, këta dy muajt e parë të vitit 2021 fluturuan para syve.
Kabllogramet diplomatike nuk pushuan së arrituri me përmbajtje diplomatike nga më të ndryshmet.
Pavarësisht numërimit shumë të shpejtë (për kushtet kosovare) të votave të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 14 shkurt, tani jemi në fazën e rinumërimit të tyre, pastaj numërimit dhe verifikimit të votave me postë, si dhe atyre me kusht. E tani këto e marrin gjithë kohën e botës dhe e vonojnë certifikimin final të këtyre zgjedhjeve. Fituesi mbetet i pakontestueshëm, njëjtë sikur edhe humbësit e këtyre zgjedhjeve. Me votat e mërgatës, ashtu siç edhe është pritur, bëhet një masakër e vërtetë ndaj tyre, ku tashmë ⅓ e tyre shpallen si të pavlefshme për "këtë" apo "atë" arsye. Rezultati i zgjedhjeve është i qartë, ajo e cila nuk dihet është numri total i deputetëve për fituesin e zgjedhjeve, Vetëvendosje, e cila për momentin me votat e rregullta numëron 56 deputetë. Sipas projeksionit tim, më rezulton se pas përfundimit të numërimit të votave me postë dhe atyre me kusht, ky numër do të arrijë në 59 deputetë. Do të jenë dy deputetë më pak për krijimin e një grupi qeveritar të përbërë vetëm nga deputetët e një partie. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në zgjedhjet e lira në Kosovë. Thënë të drejtën ndodhë rrallëherë edhe gjetiu në botë ku ekziston sistemi proporcional i votimit me një shoqëri pluraliste demokratike.
Një kabllogram tjetër diplomatik, i cili dje përveçse tronditi "botën diplomatike", ai tronditi edhe opinionin publik. Bëhet fjalë për bastisjen që forcat speciale policore nën urdhrin e Prokurorisë Speciale e kryen në Ministrinë e Bujqësisë. As 24 orë pas publikimit të letrës publike të shkruar nga ministri Besian Mustafa, ku ai kritikon LDK-në, kreun e saj dhe komplet strukturën për fiaskon e shënuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ditë e dashurisë kjo e shndërruar në ditë hidhërimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nuk e di se a janë të ndërlidhura ndërmjet vete këto dy ngjarje, por sidoqoftë tajmingu i tyre ishte diçka interesante dhe që binte në sy.
Në bastisjen spektakolare të njësive speciale të policisë së Kosovës në disa lokacione u vënë nën pranga 10 zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe dy persona të tjerë civilë, të cilët kishin qenë bashkëpjesëmarrës në krimet e bëra. Gjithashtu në çantat dhe valixhet e sekuestruara nga ana e policisë u gjendën 400,000 euro para të gatshme.
Sipas Prokurorisë Speciale, e cila para formimit të Qeverisë së re u zgjua nga gjumi, del se këto hetime janë duke u bërë qysh nga muaji janar dhe se ndërlidhen me keqpërdorimet e subvjedhcioneve për bujqit kosovarë nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë.
Kjo tema e subvjedhcioneve ka qenë gjithmonë aktuale në këtë ministri qysh nga formimi i saj si Ministri e Bujqësisë në Kosovën e pasluftës. Kur Naimi shkruante për "Bagëti e Bujqësi", ai kishte harruar ta plotësonte titullin e veprës së tij në "Bagëti, Bujqësi dhe Sallamadi". Aty ndër vitesh u keqpërdorën subvjedhcionet për traktorë, për lopë e për gjedhe, për farë e për pleh, për qumësht e për hektarë të tokës së mbjellë. Ky buxhet i subvjedhcioneve çdo vit ka shënuar rritje. Në vitin e fundit ai ka arritur shumën prej 50 milionë eurove. Gazetarët hulumtues të cilët e kanë mbuluar këtë sektor të ekonomisë e kanë vënë në pah dukurinë se abuzimet me subvjedhcionet shkojnë deri në 50% të shumës së gjithëmbarshme të tyre. Pra 25 milionë nga 50 ndahen nën duart e zyrtarëve të korruptuar të kësaj ministrie.
Dukuria tjetër, e cila ra në sy nga arrestimi i djeshëm i këtyre 10 zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë ishte fakti se aty po bashkëpunonin për mrekulli të gjithë ideologët e së majtës dhe ata të së djathtës. Njëra dorë po e fërkonte dorën tjetër për mrekulli. Bashkimi i partive politike nuk bëhet nën siglën e koalicioneve politike partiake, por nën subvjedhcionet e Ministrisë së Bujqësisë. Ndër të burgosurit pamë simpatizantë të VV-së, anëtarë të NISMA-s e edhe anëtarë të Kryesisë së LDK-së në Lipjan, si dhe simpatizantë të PDK-së. Rreth hajnisë të përbashkuar …
Nga kureshtja hyra edhe në murin e Facebookut të Agim Nuhës, kryeshef i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, njëri nga të arrestuarit e djeshëm. Ajo e cila binte në sy ishte se muri i tij ishte përplot me thënie dhe fjalë të urta sikur të ishte muri i RUMIT vetë. Si mundet një "engjëll" i këtillë të abuzojë me subvjedhcionet e dedikuara për bujqit dhe blegtorët kosovarë? "Qengji i butë i thithë dy nana", fjali e urtë pellazge, e cila asnjëherë nuk u plotësua në atë "se qengji i egër i thithë të gjitha nanat e tjera".
Pritjet e mia të mbështetura nga praktikat e deritanishme të sistemit tonë ligjor janë se ky grup i të korruptuarve dhe abuzuesish të parasë publike do të dënohen rëndë nga gjykatat tona. Pres që të gjithë pas procedurave të rregullta, bashkërisht në total, të dënohen me 160 muaj burgim me kusht, për veprat e tyre kriminale me subvjedhcionet e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Kjo është ajo shoqëria të cilën ne e ndërtuam gjatë dy dekadash dhe për të cilën unë nuk ndaloj së kritikuari asnjëherë. Këta ishin zyrtarë të rangut më të ulët të një ministrie. A mund ta imagjinoni se çfarë keqpërdorimesh dhe abuzimesh janë bërë nga zyrtarët më të lartë qeveritarë gjatë vitesh? Ajo e cila më rëndonte në shpirt ishte se si ne lejuam që të njëjtët hajna dhe keqpërdorues t’i lartësonim në shoqërinë tonë dhe po ata ta përbënin shoqërinë elitare në komunitetin tonë. Ky është gabimi ynë i pafalshëm, çmimin e të cilit do ta paguajmë edhe një kohë shumë të gjatë si shoqëri.
Një ngjarje tjetër alarmuese ka të bëjë me rrahjen, e cila iu bë djalit të dikur ish-ministrit Nenad Rashiq. Kjo rrahje ishte me karakter dhe urdhër politik nga qarqet serbe për ta frikësuar, intimiduar dhe dekurajuar Nenad Rashiqin për qasjen e tij bashkëpunuese me shtetin e Kosovës dhe me shqiptarët e Kosovës. Ky sulm sipas, deklaratave të Nenad Rashiqit, ka qenë i paralajmëruar dhe i planifikuar. Pas përfundimit të mësimit në shkollën e tij në Llapnasellë të Graçanicës, 30 huliganë serbë e sulmojnë fizikisht të riun Nikolla Rashiq, dhe me mjete të forta e armë të ftohta i shkaktojnë atij lëndime trupore dhe ia thyejnë dhëmbët. Këtu mendoj se shteti duhet t’i tregojë dhëmbët e vet dhe t’u vihet në mbrojtje qytetarëve të vet. Huliganët dhe rrënuesit e rendit, qetësisë dhe kushtetueshmërisë së këtij vendi kanë qenë mjaft gjatë të ledhatuar dhe të përkëdhelur nga sistemi. Tashmë ka ardhur koha që ligji dhe drejtësia të sillen me ta pamëshirshëm, konform veprimeve të tyre kriminale.
Nikolla Rashiqit i dëshiroj rikuperim të shpejtë, ndërsa kryerësve të veprës apo edhe tentimvrasjes ndaj tij, dënim të gjatë dhe të merituar.
Sot gjithashtu u zgjova nga një kabllogram i tmerrshëm. Ishte lajmi se gazetari Visar Duriqi i emisionit "Infodoks" ishte sulmuar fizikisht në orët e mbrëmjes nga tre persona të maskuar pranë banesës ku ai jeton. Atij i ishin thyer hunda, si dhe dhëmbët nga ky sulm fizik. Është shumë situatë brengosëse se në çfarë pike kemi arritur si shoqëri, dhe se këto sulme ndaj gazetarëve dhe njerëzve të cilët në mënyrë të hapur kritikojnë dukuritë negative në shoqërinë tonë duhet të alarmojnë secilin nga ne. Kriminelët përveç krimeve ditore të cilat i bëjnë dhe të cilët pasurohen joligjërisht mbi shpinën tonë, tashmë edhe intimidojnë dhe linçojnë me kërcënime dhe sulme fizike.
Kjo nuk është Kosova të cilën e deshëm dhe për të cilën është vuajtur shumë. Kjo mund të jetë vetëm Kosova e dashakëqijve të cilët me dekada na kanë portretizuar si njerëz të egër, që nuk u binden as ligjit e as shtetit, kriminelë, dilerë droge dhe hajna të pamëshirshëm. Ky është portretizimi i cili na është bërë përgjatë dekadash nga njerëz që na dëshiruan zhdukjen edhe si komb. Ne nuk duhet të lejojmë që këtyre dashakëqijve t'ua japim argumentet dhe provat se ne qenkemi me të vërtetë të tillë.
Unë ende besoj se gjaku i derdhur ndër shekuj nuk është derdhur kot dhe se në ne do të triumfojnë e drejta dhe atdhedashuria e sinqertë, të bazuara në punën dhe sakrificën tonë.