OpEd

Situata globale e ka fajin për rritjen e çmimeve, por kjo nuk i ngushëllon qytetarët e Kosovës

Vendet e vogla si Kosova nuk mund të ndikojnë në rrjedhat e tregut botëror të energjisë. Por mund të kenë pasoja të mëdha. Sepse edhe tregu rajonal ndikohet nga çmimet globale. Problemi është se Kosova në këta 20 vjet nuk ka krijuar asnjë alternativë. Të vetëdijshëm se qymyri, si resursi kryesor i Kosovës nuk ka të ardhme, sepse është ndotësi më i madh, nuk mund të llogarisim në të për të ardhmen. Por derisa Kosova të gjejë rrugë alternative, qytetarët dhe bizneset do të pësojnë. Kosova nuk ka kontroll as të çmimeve, as të sigurisë së furnizimit, që e bën shumë të lëndueshme ekonominë e saj. Në afat të shkurtër nuk na ndihmojnë shumë as ajri, era apo drita. Për të kaluar në furnizim domethënës nga burimet e pastra të energjisë edhe shteteve të pasura u duhet kohë, e Kosovës do t’i duhet edhe më shumë

Në verën e vitit 2020 ishte regjistruar një fenomen në tregun e energjisë elektrike në Belgjikë dhe në disa shtete të tjera evropiane. Rryma kishte arritur çmimin negativ. Po vërtet negativ, “merre mallin pa para e merr edhe para!”. Pra, ata që donin të merrnin sasi të energjisë elektrike, e merrnin jo vetëm falas nga prodhuesit, por edhe merrnin një pagesë shtesë. Belgjika ka një sistem mjaft të larmishëm të burimeve të energjisë elektrike, por akoma sasia më e madhe prodhohet nga termocentralet bërthamore. Për shkaqe të sigurisë ato nuk mund të ndalin prodhimin. Në anën tjetër, për shkak të ditëve të gjata të verës, me diell, kishte prodhim masiv të rrymës nga panelet solare.

E frynte edhe erë, kështu që edhe në këtë mënyrë kishte prodhim masiv të rrymës. Për shkak se ishte kohë e verës, ishte kohë e mbylljes totale për shkak të pandemisë, kërkesa për energji elektrike ishte shumë e vogël. Dhe ajo rrymë nuk mund të gjenerohej në sasi të mëdha për t’u ruajtur për më vonë. Prandaj edhe rrjetin duhej zbrazur dhe për këtë duhej gjetur shfrytëzues që do të merrnin sasi të energjisë elektrike, qoftë edhe me çmim negativ, pra edhe para, edhe rrymë në të njëjtën kohë.

Ngjashëm ishte situata për disa ditë edhe me naftë. Nëpër oqeane dhe dete prisnin tankerët e mbushur plot që dikush t’i thërriste në ndonjë rafineri përpunuese që të derdhnin ato sasi, qoftë edhe falas e madje edhe duke u dhënë “blerësve” para. Pra, ishte më lirë ta falin naftën dhe të paguajnë madje për zbrazje, sasa të mbajnë tankerët nëpër dete dhe të bëjnë shpenzime shtesë.

Këto raste dëshmojnë se çmimet e naftës, gazit dhe energjisë elektrike varen nga shumë faktorë. Pos nga formula më bazike e raportit të kërkesës dhe ofertës, ajo varet edhe nga faktorët natyrorë si moti, sasia e shiut, shpejtësia e erës, forca e diellit. Varet edhe nga rrethanat epidemiologjike, nga vendimet politike dhe nga interesat gjeostrategjike.

Dy vjet më vonë kemi një ekstrem të kundërt. Çmimet si asnjëherë të larta. Kërkesa shumë të mëdha, prodhimi në rënie. Koha e dimrit dhe për shkak të ringjalljes së shpejtë të ekonomisë, shpenzimi ishte rekord.

Kësaj radhe edhe situata gjeopolitike ka ndikuar në rritjen e madhe të çmimit. E kjo mund të përshkallëzojë edhe më shumë nëse Rusia bën invazion të ri në Ukrainë. Në atë rast Perëndimi, BE-ja, NATO-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe do të duhet të mbajnë fjalën dhe t’i vendosin Rusisë sanksione të papara deri më tash. E Rusia është eksportuesi më i madh i gazit, naftës dhe qymyrit për vendet e Bashkimit Evropian. Është naive të pritet që BE-ja t’i shpallë sanksione Rusisë, e Rusia të vazhdojë pa pengesa furnizimin e vendeve të BE-së me derivate të saj.

Ajo që zakonisht është forca më e madhe e BE-së, Gjermania, në këtë rast është edhe pika më e dobët. Ky shtet që është ekonomia më e madhe evropiane varet më së shumti nga Rusia për furnizim me gaz. Gjermania ka habitur para disa vjetësh aleatët kur kishte nisur me Rusinë një gazsjellës të ri, “Northstreem 2”, edhe pse strategjia politike e Perëndimit ishte që të zvogëlohej varësia nga Rusia. E në të njëjtën kohë, Gjermania është në procesin e mbylljes së plotë të termocentraleve me qymyr dhe atyre nukleare.

Duke e ditur se Rusia mund të ndalë, ose të zvogëlojë furnizimin në çdo moment, Perëndimi është në kërkesë të alternativave të shpejta, së paku për të kaluar këtë dimër. Dhe përsëri në ndihmë Evropës i vije Amerika. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja kanë bërë një marrëveshje për të gjetur burime alternative, dhe në këtë drejtim llogarisnin në Katarin, Australinë, Algjerinë dhe Norvegjinë, që krahas Rusisë janë prodhuesit më të mëdhenj të gazit në botë. Por edhe këto shtete tashmë kanë arritur maksimumin e prodhimit dhe nuk kanë shumë rezerva, pasi blerësit e tyre janë më shumë në Azi. Pikërisht kjo situatë e vështirë me furnizimin me energji, e baza të saj janë nafta, gazi dhe qymyri, i konvenojnë Rusisë dhe presidentit të saj Putin, prandaj edhe ai e ka një moment në të cilin mund të bëjë presion ndaj Perëndimit.

Asnjëherë energjia dhe derivatet nga e cila ajo prodhohet nuk kanë qenë element me ndikim më të madh në politikën ndërkombëtare sesa që janë sot.

Në kushte të tilla, vendet e vogla si Kosova nuk mund të ndikojnë në rrjedhat në tregun botëror të energjisë. Por mund të kenë pasoja të mëdha. Sepse edhe tregu rajonal ndikohet nga çmimet globale. Problemi është se Kosova në këta 20 vjet nuk ka krijuar asnjë alternativë. Të vetëdijshëm se qymyri, si resursi kryesor i Kosovës nuk ka të ardhme, sepse është ndotësi më i madh, nuk mund të llogarisim në të për të ardhmen. Por derisa Kosova të gjejë rrugë alternative, qytetarët dhe bizneset do të pësojnë. Kosova nuk ka kontroll as të çmimeve e as të sigurisë së furnizimit, që e bën shumë të lëndueshme ekonominë e saj. Në afat të shkurtër nuk na ndihmojnë shumë as ajri, era apo drita. Për të kaluar në furnizim domethënës nga burimet e pastra të energjisë, edhe shteteve të pasura u duhet kohë, e Kosovës do t’i duhet edhe më shumë.

E sa për qytetarët, në rastet e tilla shteti duhet të gjejë mjete që t’u ndihmojë kategorive më të rrezikuara. Sepse për ta nuk është kurrfarë ngushëllimi se edhe pjesët e tjera të botës kanë problem me furnizimin me energji dhe tregu global i ka fajet.