OpEd

Si do ta mirëpriste Amerika një “Lidhje të re të Prizrenit” me dimensione panshqiptare?

Fadil Maloku

Fadil Maloku

Kohëve të fundit, duke marrë parasysh dinamikat e zhvillimeve dhe proceseve globale, por edhe ato rajonale e lokale, e sidomos duke dëgjuar për iniciativa të reja politike, për parti e lëvizje të reja, më mbushet mendja se në shoqërinë tonë ka filluar një lloj “ngopjeje” apo, si të themi, një lloj atrofie e pakënaqësie me partitë e vjetra që u krijuan në ca momente të caktuara historike; LDK-ja me rastin e suprimimit të edhe asaj pak autonomie që na e mori dhunshëm Serbia në vitin 1989 dhe PDK-ja, bashkë me AAK-në, kur nisën krismat e para për çlirimin e Kosovës nga zgjedha e robërisë shekullore serbe. Këto parti, si formën ashtu edhe përmbajtjen e tyre e ndërtuan dhe e licencuan si pasojë e momenteve të caktuara historike. Që në fakt i bie se ato u afirmuan dhe u legjitimuan në publik vetëm falë vlerësimit tejet preciz të individëve e grupeve që me iniciativat u tyre më vonë u shndërruan edhe në protagonistë kryesorë të atyre rrethanave. Rugova, p.sh. me lëvizjen (interesante!) pacifiste, kurse Thaçi e Haradinaj me luftën e tyre çlirimtare! Tani, në kohën tonë, pyetja që mendoj se duhet të shtrohet është: A është në horizont ajo “rrethana” apo ai “momenti” i duhur historik për t’i “riparuar” e ridimensionuar mundësitë, ambiciet dhe shpresat e shqiptarëve për t’i rritur kërkesat dhe ëndrrat kombëtare për një “botë të re gjithëshqiptare”? 

Unë them se PO! Por, dilema fondamentale për mua është dhe mbetet; Cili bazament, cili ideal apo cila platformë ideologjike ose politike, duhet të na shërbejë si çelës për dy kauza; njëra që ka të bëjë me një shtetësi të përbashkët dhe tjetra që ka të bëjë me një komb të fuqishëm e monolit në Ballkan? 
Dilema tjetër (që për mua po ashtu mbetet pezull!), si të realizohet ky synim e ambicie e kamotshme e shumë patriotëve dhe lëvizjeve historike në të kaluarën? Pra, ta thjeshtësoj, a mundet Platforma e dy Lëvizjeve të mëhershme të Prizrenit të na shërbejë si një udhërrëfyes i denjë apo si një “road map” i suksesshëm për ta finalizuar një herë e përgjithmonë ëndrrën e bashkimit kombëtar? 
Mendoj se po! Por, meqë rrethanat (që po gjykojmë si momente kyç) sociopolitike janë pak a shumë identike, si duhet konsumuar nevojat dhe strategjitë e reja në këtë “kaosin” e kontrolluar që po ndodh në të gjithë botën e sotme…

Pse Lidhja e Prizrenit duhet të mbetet edhe më tej “Piemont” i ambicieve tona gjithëkombëtare?
    Sepse, në krejt historinë e qenësimit të kombit shqiptar, ideja dhe koncepti i “Lidhjes së Prizrenit” ishin, janë dhe mendoj se do të mbeten ai kulmi më sublim dhe më i sinqerti i organizimit tonë kombëtar, ai i rezistencës dhe idealit të bashkimit kombëtar, për t’u faktorizuar e fuqizuar një herë e gjithmonë shqiptarët në arealin e Ballkanit Perëndimor. Pa dyshim që për këtë projekt madhor, shumë emra e patriotë të shquar të kombit andej e këndej kufirit punuan dhe u sakrifikuan (jetë e pasuri) me vetëdije e me bindje se do të realizohet herët ose vonë kjo ëndërr. Pa dashur të futem në historicizma, për të cilët mendoj se duhet të rishkruhen edhe shkaku i fakteve të “fjetura” dhe mosdija e mosangazhimi ynë që u dëshmuan në dy tentativat (Lëvizjen e parë dhe atë të dytën) e mëhershme, një Lëvizje e Re panshqiptare do të mund, përveç tjerash, të ngrejë jo vetëm entuziazmin e harruar kombëtar për një shtet të vetëm, por edhe pikëpyetje të reja mbi koniunkturat e arkitekturës gjeopolitike e gjeostrategjike që po merr formë e përmbajtje, për çdo ditë. Në këtë kontekst, një pyetje delikate dhe provokative do të mund të ngrihet: Si do të mund të mirëpritej nga administrata (qoftë kjo me Trumpin apo ndonjë tjetër) amerikane një iniciativë e tillë paqësore gjithëshqiptare?

“Pulsi” i  transaksionalizmit politik dhe pragmatizmi diplomatik i Donald Trumpit

Fillimisht, nëse dëshirojmë të jemi realistë, duhet të kuptojmë se Donald Trumpi, ndryshe nga të gjithë presidentët e deritanishëm amerikanë, përveç sjelljeve atipike (jo)diplomatike, shquhet edhe si lider që nuk “vuan” fort për parime ideologjike, por shumë më shumë për ato të përfitimit strategjik e transaksional: “What do we get out of it?” Sepse, të gjithë tashmë e kanë kuptuar se vendimet që ai i merr dhe marrëveshjet që ai i nënshkruan (si në planin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm) bëhen ad hoc me shpejtësi drite! Kjo cilësi e re, ku në vend të marrëveshjeve politike avancohen ato biznesore, në diplomacinë dhe politikën botërore u kuptua e u dëshmua më së miri në rastin e Marrëveshjes së Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë, asaj të armëpushimit midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit e Iranit. Po e potencoj këtë fakt si risi në kuptimin që shqiptarët që e duan vërtet bashkimin kombëtar, do të duhej ta shfrytëzonin e maksimalizonin deri në ekstrem “frymën” e re të transaksioneve ekonomike (që asnjëherë s’e kanë futur në funksion), në mënyrë që të kuptohen shanset për një mbështetje të heshtur apo të tërthortë të projektit të bashkimit shqiptar. Natyrisht, gjithnjë duke e bindur Amerikën, se ky projekt përveç leverdisë ekonomike (investimeve grandioze, psh. në Trepçë) do të sjellë siguri e stabilitet rajonal. E ajo çka është më e rëndësishme do të sjellë dobësim, margjinalizim e anemi afatgjatë për interesat ruse.

Kushtet që kushtimisht do t’i pranonte Trumpi, në këmbim të bashkimit shqiptar?

Të gjithë e dimë që interesat amerikane nuk kanë shanse të deklinohen shpejt dhe me ndërrim administratash. Së dyti, asnjë administratë amerikane – përfshirë edhe këtë të Trumpit – nuk do ta mbështeste zyrtarisht ndryshimin e kufijve në Ballkan nëse kjo nënkupton dhunë, tension ndëretnik apo sfidim të NATO-s. Mirëpo, jam i bindur që nëse kësaj apo cilësdo administrate amerikane ideja e bashkimit të trojeve nga ana e Lëvizjes së Re të Prizrenit i ofrohet me kujdes dhe me një mal faktesh (ekonomike, politike, gjeopolitike e gjeostrategjike) e argumentesh për ta realizuar në marrëveshje dhe koordinim të plotë, do të mund të pranohej apo të paktën të tolerohej në mënyrë joformale dhe të heshtur. Ndërkaq, gjetja e rrugës së realizimit të të gjithë kësaj ambicieje, synimi e aspirate gjithëkombëtare, do të varet të paktën nga këta tre faktorë fondamentalë:
Nga shkalla e (mos)kërcënimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal, ku ambicia dhe synimi i shqiptarëve në rajon (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni) për bashkim arrin ta garantojë fundin e konflikteve të ngrira dhe merr përsipër se nuk do të shkaktojë ndonjë konflikt të ri.
Nga influenca e re gjeopolitike, ku Lëvizja e Re e Prizrenit (si projekt i bashkimit) do të marrë përsipër minimin, dobësimin dhe kontestimin afatgjatë të interesave dhe të pranisë; ruse, kineze e deri diku edhe turke;
Nga avantazhi i theksuar ekonomik, ku kompanitë transnacionale, me afsh ende kërkojnë tregje të virgjëra dhe me një marrëveshje afatgjate (p.sh. 99 vjet) do t’u mundësohej qasja ekskluzive në sferën e infrastrukturës, në energji dhe në investime strategjike ekonomike.
Përfundimi: Pra, krejt ideja dhe koncepti i përshtatjes së interesave shqiptare me ato amerikane do të duhej të “shiteshin” si një pako zgjidhjeje për sigurinë dhe stabilitetin e interesave afatgjata amerikane për Ballkanin e assesi si një ambicie e aq më pak si një projekt e kërkesë ekskluzive paqësore (jo e dhunshme) e interesave shqiptare.

Rrethanat në të cilat Trump nuk do ta përkrahte kurrë bashkimin shqiptar

Në këtë pikë, një Lëvizje e Re e Prizrenit do të duhej me “skalpelin” e kirurgut të identifikojë ca linja të kuqe të qarta që, nëse kalohen, do ta bënin Trumpin (dhe çdo president tjetër amerikan) kundërshtar të drejtpërdrejtë të bashkimit kombëtar shqiptar. Në “korpusin” e këtyre linjave alarmuese duhet theksuar;
Aktet e dhunshme e terroriste dhe kujdesin ndaj segregacionit eventual etnik dhe ndonjë përplasjeje eventuale të NATO-s, që do të mund të inicioheshin nga grupet ekstremiste e radikale nga Rusia, Kina apo Lindja.
Kujdesin maksimal ndaj infiltrimit apo përfshirjes së interesave ruse e kineze që mund të vijnë nga Serbia dhe (“Kali i Trojës”) Lista Sërpska.
Qëndrimet politike të ndonjë subjekti shqiptar që mund ta s’postojnë “korin” diplomatik amerikan në një anashkalim eventual në negociata eventuale politike.
Garancitë juridike për minoritete serbe apo atyre maqedonase si pjesë e zgjidhjes një herë e përgjithmonë të lëmshit për të drejtat e pakicave. Që natyrisht do të “mbuloheshin” me një arkitekturë të re standarde, ashtu sikurse i ka gjithë bota demokratike.
Përfundimi; I gjithë ky projeksion hipotetik që përputhet me idetë konceptet, synimet dhe ambiciet e dy Lëvizjeve të mëhershme të Prizrenit për bashkim përkon dhe tingëllon si “zgjidhje e njëanshme” apo “shtytje për përplasje e konfrontime të reja etnike në rajonin e Ballkanit, jo vetëm administrata e tanishme e Donald Trumpit, por asnjë administratë tjetër në të ardhmen lëre që fare nuk do ta përkrahte, por ekzistojnë gjasat shumë reale që në fillimet e saj ajo do të refuzohej e madje edhe sanksionohej e ndëshkohej ashpër përmes kanaleve diplomatike, presioneve politike e madje edhe sanksioneve ekonomike.

A ka precedent të kësaj logjike në politikën e Trumpit?

Po, sigurisht që ka. P.sh. marrëveshjet e Abraham Accords midis Izraelit dhe disa shteteve arabe, jo vetëm në publikun e brendshëm, por edhe atë mbarëkombëtar (përmes mediave dhe trysnisë mediatike) u “promovuan” dhe u përkrahën nga qendrat e rëndësishme të atëhershme vendimmarrëse globale. Ani se ato në thelb ishin transaksione gjeopolitike, por të “mbuluara” mjeshtërisht me çmimin e interesave të kompanive transnacionale (KTN-ve) ekonomike e ushtarake. Madje, edhe ideja e shkëmbimit të territoreve Kosovë–Serbi, e promovuar në mënyrë të tërthortë nga Grenell gjatë presidencës Trump, ishte rasti më eklatant dhe më i rrezikshëm ku administrata Trump ishte skajshmërish e gatshme ta pranonte “ridefinimin” (“redesign”) e kufirit me Serbinë, me pretekstin e garancive të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. 

Përfundimi; Që një “Lidhje e Re e Prizrenit”, që arrin të ofrojë zgjidhje përfundimtare dhe të arrijë ta bindë cilëndo administratë amerikane, pa i kërcënuar interesat amerikane, pra, pa i vënë në pikëpyetje këto interesa mbi të gjitha trojet shqiptare dhe që jep garanci dhe njëkohësisht mundëson standarde maksimale mbrojtëse për minoritetet, sigurt se nuk do të refuzohej automatikisht nga një administratë, si ajo e Trumpit.

Sa janë shqiptarët gati ta adresojnë një projekt të tillë?

Problemin kryesor unë nuk e shoh tek administrata Trump, sepse kjo çështje, me një mobilizim të fuqishëm të lobit shqiptaro-amerikan, mund të kthehet në favor tonin, por e shoh më shumë tek iniciativat, organizimi dhe adresimi i ideve dhe projekteve shqiptare. E them troç, ngase;
Mungon një platformë apo strategji e përbashkët gjithëkombëtare mes Prishtinës, Tiranës, Tetovës e Preshevës.
Klasat aktuale politike ende janë të përçara, të korruptuara dhe të varura ndjeshëm nga interesat klanore e grupore të grupeve të caktuara.
Mungon një bashkërenditje profesionale lobimi në Uashington, në kohën kur Serbia ka rritur ndjeshëm lobin e saj. Këtu, për mendimin tim, lobi shqiptaro-amerikan nga agjenda duhet të heqë mbrojtjen vetëm të Kosovës apo vetëm të Shqipërisë. Lobi tani duhet të fillojë të avokojë ekskluzivisht vetëm për interesat gjithëkombëtare të rajonit. Andaj, nëse shqiptarët e duan një bashkim real dhe të qëndrueshëm duhet ta ndërtojnë një projekt që fillon në Washington dhe jo vetëm në Prizren.

Duhet theksuar se administrata e Trumpit, për nga stili dhe pragmatizmi i saj, aq sa mund të konstatohet nga distanca (këtë do të duhej ta vlerësonte lobi shqiptaro-amerikan) dhe vlerësimi ynë sociopolitik, nuk besoj se do ta përjashtonte ad hoc dhe kategorikisht një “Lëvizje të re të Prizrenit”, për aq kohë sa ajo arrin të imponohet dhe të arsyetohet në Zyrën Ovale, si; një zgjidhje e mençur politike; si një projekt paqësor që nuk i kërcënon as minimalisht vlerat e demokracisë, të lirisë dhe ato të integrimit euroatlantik, por që është në përputhje të plotë me interesat amerikane në rajon. Mirëpo, nëse ajo perceptohet gabimisht si projekt i nxitur nga ndjenja shoviniste, ato ultraekstremiste, është e paorganizuar dhe e ndërlidhur me djallëzi të fshehta ndaj Amerikës dhe rivalëve të saj, atëherë do të refuzohej me vendosmëri dhe pa hamendje të theksuar.

Natyrisht, shansi ekziston – por ai nuk varet vetëm tek administrata aktuale Trump, por te vetë shqiptarët, sidomos te Liga Shqiptaro-Amerikane, të cilët duhet të gjejnë mënyra e metoda se si e lobojnë, konceptojnë dhe e artikulojnë ëndrrën e kamotshme historike për bashkim kombëtar. 

1. Do ta realizojnë  atë me metoda paqësore të stilit “rugovian” apo me metoda të dhunshme alla “UÇK”, kjo nuk është dilema “hamletiane”, ngase ekipi i “Lidhjes së re të Prizrenit”, si një Lëvizje panshqiptare e me orientime properëndimore e gjithëkombëtare, bashkë me lobin shqiptaro- amerikan, por edhe të gjithë akterët politikë dhe agjencitë e tjera civile e mediatike që e përkrahin këtë ide, do të jenë garantuesit kryesorë për arritjen e këtij qëllimi me mjete politike diplomatike, arsimore, kulturore dhe kohezionin shoqëror. 

2. SHBA-ja nuk besoj se është kundër një projekti gjithëshqiptar, që do të përputhej me interesat e saj gjeopolitike e gjeostrategjike afatgjata, por është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen vetëm kundër kërcënimeve të sigurisë dhe stabilitetit, kundër përdorimit të dhunshëm e sidomos kundër akteve terroriste dhe ambicieve ekstremiste që gjatë kalvarit të realizimit të projektit edhe mund të infiltrohen.

3. Gjithashtu, një “Lidhje e Re Shqiptare” e kohës postmoderne, nuk është e thënë të ndodhë ekskluzivisht me rrahagjoksi, me himne e me dronë të sofistikuar, por me një marrëveshje paraprake dypalëshe dhe me një besnikëri e lojalitet të verifikuar ndaj interesave të përbashkëta shqiptaro-amerikane në këtë pjesë të botës. Dhe jam shumë i bindur që cilado administratë amerikane, nëse dimë ta bëjmë një “ofertë” pragmatike, praktike dhe me garanci të efektivitetit maksimal, mund të jetë më pak rezistente dhe më shumë luajale ndaj iniciativave që mund të “bashkëjetojnë” gjatë me interesat strategjike amerikane në Ballkan.