Jemi në lindjen e një rendi të ri në procesin e zgjerimit. Deri në vitin 2030 harta e procesit të zgjerimit mund të duket radikalisht ndryshe me vendet e reja anëtare të BE-së, siç janë: Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia. Pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është: ku dëshirojmë të jemi ne në vitin 2030?
Këtë javë u publikuan vlerësimet më të fundit të Komisionit Evropian për dhjetë vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Raportet e publikuara ofrojnë një rëntgen të bukur të gjendjes politike brenda këtyre dhjetë vendeve.
Mali i Zi po bën përparim të shkëlqyer drejt anëtarësimit në BE. Podgorica ka hapur gjithë 33 kapitujt negociatorë dhe ka mbyllur përkohësisht shtatë prej tyre. Tani, pas dy konferencave të fundit ndërqeveritare, ku Mali i Zi përmbushi kërkesat e nevojshme për mbylljen e negociatave, katër kapituj të rinj u mbyllën përkohësisht. Kjo e bën Malin e Zi vendin më të përparuar në procesin e anëtarësimit.
Shpejtësia e procesit anëtarësues të Shqipërisë është e paprecedent. Brenda një viti Tirana ka hapur pothuaj gjithë kapitujt negociatorë. Gjatë këtij viti është bërë progres i ndjeshëm në fushat themelore si drejtësi, veting, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për të ruajtur këtë ritëm, Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat në fushat kyç, siç janë: liria e medias, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore.
Me gjithë pushtimin rus, Ukraina vazhdon të demonstrojë një angazhim të jashtëzakonshëm në zbatimin e reformave të brendshme. Intensifikimi i luftës kundër korrupsionit, si dhe reformave në fushën e administratës publike është duke adresuar drejtpërdrejt themelet e procesit anëtarësues. Po qe se mirëmbahet ky ritëm i reformave, Ukraina së bashku me Moldavinë do të jenë kandidatet më serioze për anëtarësim të përshpejtuar në BE.
Pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme hibride ruse dhe përpjekjeve për destabilizim, Moldavia ka përshpejtuar në mënyrë dramatike rrugën e saj anëtarësuese në BE. Vullneti i qytetarëve të Moldavisë për anëtarësim në BE u konfirmua para dy muajve me fitoren mbresëlënëse të krahut properëndimor. Gjatë këtij viti Moldavia ka bërë progres më të madh në zbatimin e reformave evropiane nga të gjitha dhjetë vende aspiruese.
Raporti i këtij viti konfirmoi se rruga integruese e Serbisë vazhdon të perëndojë. Si asnjëherë më parë, BE-ja konkludoi se procesi anëtarësues i Serbisë ka ngecur, si pasojë e hendekut të madh në mes asaj që lidershipi në Beograd premton në konferencat për mediat dhe asaj që ai bën në praktikë. Sikur të gjithë të tjerët, edhe BE-ja tani është duke pritur se cili do të jetë epilogu i ballafaqimit në mes Vuçiqit dhe protestave studentore.
Rruga integruese e Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës ngelet në vendnumërim për shkak të zhvillimeve të brendshme politike. Turqia dhe Gjeorgjia, në anën tjetër, vazhdojnë të sillen sikur integrimi në BE nuk është më opsion real për Ankaranë dhe Tbilisin.
Sa na përket neve, Kosova ka marrë raport më të mirë ndoshta se që ka merituar. Përkundër që gjatë tërë këtij viti kemi penalizuar veten me paralizë politike dhe institucionale, Raporti ka njohur progres thelbësor në disa fusha të rëndësishme. Në katër kapituj Komisioni Evropian ka avancuar gatishmërinë e Kosovës për anëtarësim në BE: Kapitulli 12 – siguria e ushqimit dhe politikat e veterinarisë dhe fitosanitarisë, kapitulli 14: politikat e transportit, kapitulli 19 – politikat sociale dhe punësimi, si dhe kapitulli 30 – marrëdhëniet me jashtë. Kjo e bën Kosovën vendin e tretë me më së shumti progres në rajon, pas Malit të Zi dhe Shqipërisë. Po ashtu, lajmi i mirë ishte që duke filluar nga viti i ardhshëm Komisioni Evropian do të fillojë të përfshijë në vlerësimet e rregullta për Kosovën kapitullin 31: Politikat e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes. Ky akt nga ana e Komisionit Evropian vjen si njohje e linjëzimit të vazhdueshëm të politikes së jashtme dhe të mbrojtjes së Kosovës me BE-në.
Por e gjithë kjo nuk duhet të na japë arsye të gëzohemi. Pakoja e fundit e zgjerimit e BE-së ofron një pikturë jo shumë inkurajuese për Kosovën. Ne jemi duke gjetur veten në një situatë ku vende të tjera janë duke na ikur me shpejtësi drejt BE-së duke na lënë ne mbrapa në grupin e “vendeve problematike”. Kësisoj mund themi se pakoja e fundit e zgjerimit i ndan dhjetë vendet që aspirojnë anëtarësim në BE në tri grupe. Në grup të parë janë Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia. Ky grup ka gjasa reale të anëtarësohet në BE deri në fund të kësaj dekade. Në grupin e dytë jemi ne së bashku me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën. Me kalimin e çdo viti ky grup ngelet mbrapa dhe izolohet edhe më shumë nga grupi i parë. Në grupin e tretë janë vendet, të cilat praktikisht kanë hequr dorë nga anëtarësimi në BE, siç është rasti me Turqinë dhe Gjeorgjinë.
Thënë ndryshe, jemi në lindjen e një rendi të ri në procesin e zgjerimit. Deri në vitin 2030 harta e procesit të zgjerimit mund të duket radikalisht ndryshe me vendet e reja anëtare të BE-së, siç janë: Mali Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia. Dhe pyetja që duhet t’ia bëjmë vetës është: ku dëshirojmë të jemi ne në vitin 2030?