OpEd

Politizimi i kushtetutshmërisë dhe rrëshqitja nga parimet

Në një republikë demokratike, asnjë individ – përfshirë presidentin/presidenten e Republikës – nuk qëndron mbi ligjin, e as mbi institucionet që ky i fundit i rregullon dhe i legjitimon. Ruajtja e këtij parimi duhet të konsiderohet si një vijë e kuqe për të gjithë ata që e mbështesin dhe e mbrojnë sistemin demokratik, drejtësinë dhe rendin kushtetues

Bejtush Gashi

Bejtush Gashi

Vendimi i presidentes së Republikës së Kosovës për të tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të caktimit të gjyqtarit Radomir Llaban si gjyqtar raportues, paraqet një çështje komplekse që kërkon trajtim të argumentuar në planin juridik, institucional dhe të sigurisë.
Në një shtet juridiko-kushtetues, ku institucionet ndërtohen mbi procedura dhe jo mbi preferenca personale, një akt i tillë ngre pyetje serioze lidhur me respektimin e parimit të pavarësisë institucionale, funksionalitetin e balancës së pushteteve, si dhe legjitimitetin e ndërhyrjeve joformale në proceset gjyqësore.

A kishte presidentja bazë për të tërhequr kërkesën?

Argumenti publik i dhënë ishte se gjyqtari i caktuar raportues, Radomir Llaban, përbënte rrezik për sigurinë kombëtare, bazuar në të dhëna të shërbimeve inteligjente. Por, në vështrim kushtetues dhe juridik, ky arsyetim është i diskutueshëm dhe nuk përbën bazë të mjaftueshme për të justifikuar një tërheqje formale nga kërkesa për interpretim kushtetues.

Së pari, sipas praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (si dhe të gjykatave kushtetuese në vende të tjera demokratike), përcaktimi i gjyqtarit raportues është një fazë e brendshme, përgatitore dhe e karakterit administrativ, që nuk ka ndikim vendimmarrës në rezultatin përfundimtar të çështjes. Vendimi përfundimtar nuk varet nga raportuesi, por nga shumica e trupit gjykues, që merr vendimin me votë të pavarur dhe kolegjiale. Pra, nuk mund të ngrihet vlerësim juridik mbi cilësinë e drejtësisë kushtetuese bazuar vetëm në emrin e gjyqtarit raportues.

Së dyti, edhe nëse ekzistojnë informacione të klasifikuara nga shërbimet inteligjente, këto nuk mund të zëvendësojnë apo anashkalojnë mekanizmat ligjorë për përjashtimin apo hetimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese. Kompetenca për të vlerësuar integritetin dhe pavarësinë e një gjyqtari i takon vetë Gjykatës Kushtetuese dhe, eventualisht, Kuvendit ose institucioneve të tjera përgjegjëse për llogaridhënie institucionale. Në asnjë sistem kushtetues të njohur, ekzekutivi – përfshirë Presidentin – nuk ka të drejtë të ndërhyjë drejtpërdrejt në përbërjen gjyqësore mbi bazën e perceptimeve politike ose informative, pa kaluar përmes një procesi të rregullt ligjor.

Së treti, si garantuese e Kushtetutës (neni 84 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës), presidentja ka për detyrë jo vetëm të ruajë funksionalitetin e institucioneve kushtetuese, por edhe të përmbushë detyrimet institucionale në mënyrë të paanshme dhe ligjore. Tërheqja e kërkesës, për shkak të pakënaqësisë me përbërjen e trupit gjykues, përbën një formë presioni të paprecedent institucional, që minon besimin në paanshmërinë dhe integritetin e Gjykatës si organ i pavarur.

Ka pasur raportime publike dhe shqetësime të ngritura nga aktorë të ndryshëm institucionalë dhe mediatikë, që hedhin dyshime mbi të kaluarën e gjyqtarit Radomir Llaban, përfshirë pretendime për përfshirje në veprime të mëhershme të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Megjithatë, në një rend kushtetues dhe shtet të së drejtës, trajtimi i këtyre dyshimeve nuk mund të bëhet përmes ndërhyrjes politike apo tërheqjes së një rasti nga shqyrtimi kushtetues, por përmes mekanizmave ligjorë dhe procedurave të rregullta disiplinore apo hetimore.

Çfarë precedent krijon ky akt?

Tërheqja e kërkesës, për shkak të pakënaqësisë me gjyqtarin raportues, krijon një precedent të rrezikshëm institucional dhe kushtetues. Ajo nënkupton se në të ardhmen, kushdo që ka qasje selektive ndaj përbërjes së një gjykate mund të legjitimojë refuzimin për të ndjekur rrugët formale të drejtësisë, nëse nuk i përshtatet përbërja e gjyqtarëve. 

Ky precedent delegjitimon Gjykatën Kushtetuese si një instancë neutrale dhe profesionale, dhe i hap rrugë instrumentalizimit politik të drejtësisë kushtetuese. Kur një aktor i nivelit më të lartë institucional, si presidentja e Republikës, lejon që informacionet joformale (sado të ndjeshme) të mbizotërojnë mbi parimin e paanshmërisë dhe funksionalitetit gjyqësor, atëherë sistemi ka hyrë në rrëshqitje.

Rasti në fjalë nuk përfaqëson një çështje thjesht teknike, por është thellësisht politik dhe kushtetues në natyrë. Ai nuk përbën vetëm një episod të tensionuar ndërinstitucional, por ngre shqetësime serioze lidhur me rrezikun që sjell personalizimi i institucioneve, në vend të funksionimit të tyre mbi parime objektive dhe procedurale.

Në këtë kontekst, shtrohet një pyetje thelbësore për diskursin akademik dhe juridik në Kosovë: A është ligji duke u shndërruar në një instrument selektiv që vihet në shërbim të vullnetit të individëve – përfshirë edhe atyre që ushtrojnë funksione të larta kushtetuese?

Nëse kjo është përgjigjja implicite, atëherë nuk mund të flasim më për sundim të ligjit (rule of law), por për një formë të sundimit të bazuar në perceptime subjektive.

Në një republikë demokratike, asnjë individ – përfshirë presidentin/presidenten e Republikës – nuk qëndron mbi ligjin, e as mbi institucionet që ky i fundit i rregullon dhe i legjitimon. Ruajtja e këtij parimi duhet të konsiderohet si një vijë e kuqe për të gjithë ata që e mbështesin dhe e mbrojnë sistemin demokratik, drejtësinë dhe rendin kushtetues.

(Autori është profesor universitar dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme)