Polarizimi i shoqërisë në emër të luftës në mes “të së mirës me të keqen” vetëm sa i rrit antagonizmat socio-politikë dhe e bën bashkëpunimin e përgjegjshëm për të mirën e qytetarëve të pamundur. Prandaj, politika antagoniste mund të ketë dy rezultate: fitoren absolute ndaj humbësve absolutë, apo bllokadën politike. Rezultati i parë ka ndodhur më 2021, kurse i dyti më 2025. Politika antagoniste, rrugë të ndërmjetme nuk ofron. Le të jetë ky mësimi për të gjitha forcat politike, mësim të cilin shpresoj ta kenë kuptuar të gjithë, pa përjashtim
Vokacioni i politikës është bërë ndër më mosmirënjohëset në Kosovë. Nuk e di a e ndiejnë kështu veten edhe ata që merren aktivisht me politikë, por unë që shkruaj për politikë po e ndiej gjithnjë e më shumë se sa mosmirënjohëse dhe e kotë është bërë politika në Kosovë. Prandaj, sado që tema të politikës ka mjaft, po më duket gjithnjë e më vështirë të shkruaj për politikë. Kjo ngase politika në Kosovë është bërë sinonim i dështimit, i gënjeshtrës, i propagandës së zbrazët dhe i përpjekjeve për trushpëlarje e polarizim të shoqërisë.
Çfarë ka për të analizuar e për të komentuar dikush lidhur me rrjedhat politike, kur komentimi i këtyre rrjedhave të vë në pozicionin e njëjtë sikur ata që e kanë sjellë politikën kosovare në një rrugë qorre, ku ajo nuk shihet më si mjet i avancimit e zhvillimit socio-ekonomik, por i marrjes dhe, mundësisht, i moslëshimit të pushtetit.
Politika, si vokacion, në qendër të praktikimit të saj i ka bisedimet, kompromiset dhe bashkëpunimin. Gara për vota është vetëm njëri prej segmenteve të veprimtarisë politike. Përtej garës për pushtet, ekzistojnë një sërë metodash për të bërë politikën forcë lëvizëse të shoqërisë. Për ta arritur këtë, ata që merren me politikë duhet të jenë të përgjegjshëm, realistë dhe, ndërmjet garës për vota, t’i shikojnë gjërat dhe proceset në mënyrë reale, e jo siç dëshirojnë t’i shohin. Ekziston një dallim i madh ndërmjet realitetit dhe asaj se si dëshirojmë të jenë gjërat. Këto të dyja, shpeshherë nuk përkojnë njëra me tjetrën. Prandaj, aftësia për ta parë realitetin dhe për të vepruar në kuadër të mundësive reale është shkathtësi, të cilën duhet ta ketë çdo politikan. Dikush mund të kundërargumentojë, duke thënë se politika mund të ketë për qëllim edhe të ndryshojë realitete. E vërtetë kjo, por ndryshimet janë procese. Ato nuk mund të ndodhin përnjëherë, sikur me Deux-ex-machina. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar një realitet përnjëherë është nëpërmjet revolucionit. E shoqëritë demokratike nuk kanë nevojë për revolucion. Ato kanë nevojë për procese, nëpërmjet të cilave nga një realitet, vijmë te një realitet tjetër me anë të qeverisjes së mirë, bashkëpunimit si dhe gjithëpërfshirjes e jo përjashtimit.
Në Kosovë, siç e kam thënë edhe në kolumnen e kaluar, sistemi zgjedhor e ka si rregull që asnjëra parti nuk mund të krijojë shumicën parlamentare, e vetme. Ky sistem, në vend të garës për gjithçka ose asgjë, krijon insentiva për bisedime, kompromise e bashkëpunim deri në bashkëqeverisje.
Mungesa e të kuptuarit të kësaj formule të politikëbërjes në kontekstin e proporcionalitetit, nga ana e liderit të LVV-së, Albin Kurti, është shkaktari kryesor edhe i ngërçit tetëmujor institucional, edhe i dështimit të tij për ta formuar qeverinë të dielën që e lamë pas.
Në garën e tij zgjedhore për gjithçka ose asgjë, ai e përdori një gjuhë polarizuese nëpërmjet të cilës i antagonizoi dhe i tëhuajësoi të gjitha opsionet e tjera politike të përfaqësuara nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja. Është krejt në rregull të luftosh për secilën votë, por në kontekstin kosovar duhet të mendosh çka pas zgjedhjeve. Si duket, këtë Kurti dhe këshilltarët e tij nuk e kanë menduar. Në vend se të mendojnë se çfarë ndodh pas zgjedhjeve, ata e kanë antagonizuar skenën politike kosovare dhe, me këtë, edhe shoqërinë deri në skajshmëri dhe nuk i kanë lënë vend bashkëpunimit paszgjedhor.
Politika e antagonizmit është një zero-sum game (fitorja e njërit është humbja e tjetrit), në të cilën secila palë përpiqet ta shkatërrojë palën tjetër deri në asgjësim. Madje është krijuar përshtypja se edhe ofertat e LVV-së për koalicion që i janë drejtuar LDK-së nuk kanë pasur qëllim bashkëpunimin e bazuar në respekt të ndërsjellë, por në asgjësimin e partnerit potencial. Kjo qasje e liderit të LVV-së dhe e zëdhënësve kryesorë të kësaj partie ka krijuar një ambient antagonizues në një masë aq të madhe saqë mirëkuptimi politik e ka humbur arsyen.
Për shumëkë, fajtori për moskrijimin e qeverisë ka qenë mosvotimi i saj nga ish-opozita. Por, mos ta harrojmë propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që në rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri teknike e krijuar nga të gjitha forcat politike, deri në zgjedhjet e ardhshme. Ky me gjasë, në rrethanat dhe antagonizmat e krijuara gjatë e pas fushatës zgjedhore, ka qenë kompromisi më i arsyeshëm që i ka respektuar interesat e të gjitha palëve.
Po të ekzistonte një vështrim real i rrethanave të krijuara pas zgjedhjeve të fundit, me gjasë, kjo do të ishte zgjidhja më optimale, e cila do t’i jepte vendit stabilitet deri në zgjedhjet e radhës dhe do ta shmangte vakumin e mundshëm institucional, pas përfundimit të mandatit presidencial në fillim të vitit të ardhshëm, duke i përfshirë të gjitha palët me përgjegjësi të njëjta.
Gara politike duhet të jetë në mes të opsioneve dhe jo mes akterëve politikë. Ajo nuk duhet të jetë garë për asgjësimin e të tjerëve, ngase politika shkon përtej garës.
Polarizimi i shoqërisë në emër të luftës në mes “të së mirës me të keqen” vetëm sa i rrit antagonizmat socio-politikë dhe e bën bashkëpunimin e përgjegjshëm për të mirën e qytetarëve të pamundur. Prandaj, politika antagoniste mund të ketë dy rezultate: fitoren absolute ndaj humbësve absolutë, apo bllokadën politike. Rezultati i parë ka ndodhur më 2021, kurse i dyti më 2025. Politika antagoniste, rrugë të ndërmjetme nuk ofron. Le të jetë ky mësimi për të gjitha forcat politike, mësim të cilin shpresoj ta kenë kuptuar të gjithë, pa përjashtim.
