OpEd

Për qejf

Kushtetuesja e shmangu një konfrontim në mes atyre që kur do ta merrnin pushtetin do ta merrnin edhe fuqinë policore në dorë dhe atyre që nuk do të pajtoheshin me marrje të këtillë, pa e pasur mendimin e Kushtetueses. Do të ishte konfrontim që me automatizëm do të sillte gjendjen e jashtëzakonshme, përcjellë nga dhuna që do të mund të sillte më shumë viktima sesa korona

"Për qejf". Kështu tha Thaçi kur gazetarët e pyetën se përse kishte shkuar në Shqipëri para disa ditësh. Fjalët e përcjella me një buzëqeshje ironike, në fakt, e pasqyrojnë më së miri jetën tonë në dy javët e fundit. Për qejfin e Thaçit u hallakat LDK-ja, e me të edhe të gjitha partitë tjera që duan të bëhen pjesë e një qeverie të futur kontrabandë nga deriçka e vogël.

Sa herë që kalon një javë e përsëris me vete se gjërat nuk mund të bëhen më keq sesa janë dhe përherë javën që vjen e konstatoj se sa gabim e paskam pasur me vlerësimin, përkatësisht dëshirën që gjërat të mos na komplikohen edhe më.

E megjithatë, kjo javë vlen të veçohet për dy lajme të mira: një, që numri i të infektuarve po bie, sado që mostra e të testuarve është e vogël në krahasim me popullatën. Dy, se një paciente që ishte shtruar në spital me COVID-19, menjëherë pasi u shërua, të nesërmen e lindi një fëmijë të shëndoshë.

Orkestrimi

E lindjen e një qeverie të re për qejf të Thaçit nisën ta orkestrojnë që para dy javësh kryetari i shtetit me partinë që e bëri atë kryetar shteti. Do të thoshte dikush shpagim borxhesh. Apo mbase unifikim interesash që duket të jenë vënë në rrezik me një qeveri që për dy muaj ka treguar një stil tjetër pune, me gjithë mangësitë e telashet që do t'i ketë pasur.

Sidoqoftë, u dëgjua të ketë pasur disa letra që janë këmbyer mes Thaçit e Mustafës për mandatarin e një qeverie të re, në bazë të gjykimit të Thaçit se VV-ja nuk kishte dashur ta shfrytëzonte të drejtën për caktimin e mandatarit.

LDK-ja u vu në lëvizje menjëherë dhe i thirri AAK-në, e NISMËN, e Listën Serbe, e minoritetet joserbe për t'u marrë vesh se si do të mund ta krijonin qeverinë e re. U ulën me një tavolinë ata që ende e mbrojnë taksën 100% dhe ata, proamerikanët, që e kanë në mend me e heq taksën dhe reciprocitetin menjëherë. U morën vesh që AAK-së t'ia japin katër ministri dhe një zëvendëskryeministër.

Më pas u ulën me NISMËN dhe me të u morën vesh për 2 ministri dhe një zëvendëskryeministër.

U takuan edhe me Lista Srpskan dhe u morën vesh që ta bëjnë këtë parti anëtare të koalicionit dhe ta fusin direkt në vendimmarrje Vuçiqin, tash jo sipas obligimit kushtetues, por për qejf.

Që në të tri rastet i shkelën premtimet e dhëna gjatë fushatës, ku votuesve u kërkonin që t'u BESOnin - se nuk do të bashkëpunonin me partitë e së keqes (P)AN-in dhe se nuk do të lejonin që zgjedhja e qeverisë së tyre të varej nga Lista Srpska. Po fushatë ka qenë ajo, rrenat janë të lejuara, përfshirë edhe rrenën se Vjosa Osmani e paraqet rilindjen e një LDK-je që po shkon në vyshkje e sipër. Ngase Vjosa Osmani ua solli votat e paradoksalisht edhe fuqinë që tash, me ekipin e vjetër dhe të pareformuar, të krijojnë një qeveri të re që mëton ta shtyjë mandatin deri në fund. Natyrisht, nëse i lënë fillimisht Kushtetuesja e më pas edhe Thaçi.

Letra për mandatimin e Hotit erdhi të enjten në orën 16:04. Pra, llogaritej se në atë kohë Gjykata Kushtetuese do t'i mbyllte dyert dhe do të shkonte në pushimin e zgjatur, falë faktit se dje ka qenë festë zyrtare, 1 Maji. Pra, për pasojë, çfarëdo kërkese a ankese nuk do të merrej në shqyrtim para së hënës.

Thuajse simultanisht, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, do ta depononte kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën (sot) - ku deputetët sërish do të mblidheshin, kësaj radhe për ta votuar qeverinë e re.

"Sulmi terroristik"

Për t'u siguruar se votat janë aty, u organizua cirku i radhës. Në rolin kryesor, Behgjet Pacolli.

Të martën kërkoi të vinte në Prishtinë. Autoritetet i thanë eja, porse duhet të shkosh dy javë në karantinë. E anuloi lejen dhe doli e tha "nuk ma dhanë". Të nesërmen e kërkoi prapë dhe përgjigjja vazhdoi të ishte e njëjta. E akuzoi qeverinë se ishte "primitive", dhe shkoi në Tiranë.

Edhe në Tiranë vlejnë rregullat e karantinës. Por, një zot e di se si u lirua nga to. Fakti se thoshte se kishte qëndruar në karantinë në Zvicër nuk kishte asnjë domethënie. Një, për shkak se nuk kishim pasur si ta vërtetonim dhe dy, nuk do të ishte hera e parë që do të gënjente.

Nejse. U bë dramë puna e ardhjes së tij. U dyshua në mos Thaçi, i cili për qejf i ka shkelur rregullat e karantinës, e ka kaluar kufirin pa u kontrolluar në të hyrë dhe madje pa e lajmëruar protokollin, e kishte kontrabanduar në veturën zyrtare. Sveçla lypi që t'i lajmërohen. Thaçi iu lajmërua dhe i tha se VV-ja është "ndërmarrje kriminale". Është deklaratë shumë e hollë nga njeriu që në teori përfaqëson unitetin e popullit të RKS-së. Të nesërmen u lajmërua edhe Pacolli dhe tregoi që po kthehej në Prishtinë.

Erdhi. U bë njëfarë lëmshi aty para: policia, familja dhe KFOR-i. Doli, pas kontrollit në aeroport, dhe u foli gazetarëve. I tha një grumbull budallallëqesh dhe u bëri shërbim mediave serbe që ta citonin tek fliste "për shtetin terrorist të shqiptarëve". Për kulm, tha se për herë të parë i frikësohej një shteti. Mbase edhe nuk ka faj - se kur ne ia kishim frikën shtetit serb, ai rrinte herë në Moskë e herë në Beograd.

Sidoqoftë, telenovela e tij përfundoi me një cirk të përgjithshëm ku u përfshinë edhe qeveria, edhe kryetari, edhe opozita në trajtën e Pacollit. Mbaroi asisoj që ky shkoi në shtëpi të veten në karantinë e ne mbetëm në pritje për të parë se çfarë do të ndodhte ditën e nesërme.

Kushtetuesja shembull

Nëse do të duhej shpallur personalitetin e javës, në trajtë institucioni, atëherë ajo do të ishte Gjykata Kushtetuese. Në ditë feste zyrtare gjykatësit u mblodhën dhe i respektuan procedurat deri në marrjen e vendimit me të cilin e pezulluan deri më datën 29 maj dekretin e Thaçit për emërimin e Hotit mandatar për krijimin e qeverisë.

Kushtetuesja nuk veproi për qejf të Thaçit dhe marionetave të veta të LDK-së. Veproi me përgjegjësi të jashtëzakonshme në kohë pandemie dhe në pikun e rrezikimit të stabilitetit edhe ashtu të brishtë të Kosovës, sidomos në aspektin politik.

Në shtetin më të varfër të Evropës, që ia doli ta menaxhonte mirë krizën me koronavirusin me mundësitë e kufizuara që i ka, me probleme aq të thella ekonomike të trashëguara nga 20 vjet qeverisjeje të keqe e me thellim krize për shkak të virusit - gjëja e fundit që na nevojitej ishte një konfrontim edhe fizik. Konfrontim në mes atyre që kur do ta merrnin pushtetin do ta merrnin edhe fuqinë policore në dorë dhe atyre që nuk do të pajtoheshin me marrje të këtillë pa e pasur mendimin e Kushtetueses.

Do të ishte konfrontim që do të sillte me automatizëm gjendjen e jashtëzakonshme, por jo edhe ndërprerjen eventuale të protestave të paralajmëruara me gjithë thirrjet për distancim social në kohë pandemie. Dhe jo vetëm që kështu do të rrezikohej e gjithë puna e bërë këta dy muaj; do të rrezikoheshim nga virusi, porse edhe më keq, do të rrezikoheshim nga dhuna që do të mund të sillte më shumë viktima sesa korona.

Kjo përbërje e Kushtetueses nuk është e njëjta me atë të 2014-s që në fakt e krijoi këtë situatë. Atëherë u kritikua shumë nga një pjesë e madhe e njerëzve dhe njohësve të lëndës kushtetuese si vendim më parë politik sesa kushtetues, që ia mundësonte PDK-së formimin e Qeverisë.

Ai rregull u zbatua më 2014-n, e më pas edhe me 2017-n, dhe pas dorëheqjes së Haradinajt, po ky kryetar nuk shikoi ta zgjidhte një qeveri të re, por i shpalli zgjedhjet. Po këto nene kanë ekzistuar edhe atëherë e po ky interpretim ka mundur të bëhej atëherë. Por nuk u bë.

Absolutisht nuk mund të paragjykoj se çfarë do të vendosin gjyqtarët e Kushtetueses. Me gjasë kanë më shumë se një opsion në dispozicion. Më shkojnë nëpër mendje tri:

një, që ta vërtetojnë dhe precizojnë Aktgjykimin e 2014-s dhe të konstatojnë se ai është interpretuar keq nga kryetari, për pasojë ky e ka shkelur Kushtetutën;

dy, që ta ndryshojnë Aktgjykimin e 2014-s dhe t'ia japin interpretimin që është dashur ta kishte qysh atëherë, pra që të mos favorizohej PDK-ja me bindjen se kurrë nuk do t'i humbte zgjedhjet në Kosovë. Për pasojë, do të kishim qeveri të re deri në fund të mandatit sipas ligjit zgjedhor, apo mandatit për qejf të Thaçit dhe

tre, që ta ndryshojnë Aktgjykimin e 2014-s dhe t'ia japin interpretimin që është dashur ta kishte qysh atëherë, por që vendimi të ketë efekt që nga zgjedhjet e reja. Kjo për shkak se edhe formimi i institucioneve më 2019-n është mbështetur mbi Aktgjykimin e 2014-s. Pra, nëse gjykata vendos se atëherë ka gabuar, në këtë situatë duhet vendosur se kryetari duhet t'i shpallë zgjedhjet e reja dhe që në krijimin e ardhshëm të institucioneve të hyhet me një interpretim pa dyshime, pa hapësirë interpretimi për qejf të dikujt. Nuk do të ishte hera e parë që hyrja në fuqi nuk është dita kur shpallet aktgjykimi, dhe edhe ky vendim do të ishte i mbështetur në ligj.

* * *

Po i gëzohem faktit se sot nuk do të duhet të merrem me seanca të jashtëzakonshme e as me zgjedhje qeverish.

Vazhdoj të mos i gëzohem faktit se qe 20 vjet nuk mund të dalim nga kriza e përhershme politike që e krijojnë fytyrat e njëjta, me tek-tuk ndonjë risi. Veç pse po kanë qejf.

[email protected]