Bisedimet në Bruksel u ndërprenë, tani për tani. Kur të vazhdohen – e Ivanoviqi, kjo është e qartë, është shfrytëzuar si viktimë për nevojën e dikujt që ky proces të ngadalësohet, rrezikohet apo madje ndërpritet – do të mbetet mister se si dhe çfarë mund të prodhojnë, nëse në shtabet dhe qendrat e politikave të Beogradit dhe Prishtinës nuk ka gatishmëri, vullnet dhe guxim që të bëhen lëvizje, ndryshime dhe koncesione të njëmendta.
Lucern, Zvicër, viti 2005. Në drekë, pas diskutimeve në njërin prej tubimeve ndërkombëtare të PER – Projekt për Marrëdhëniet Etnike – e temë ishte Kosova dhe fqinjët e saj (më kujtohet, Ferhat Dinosha dhe unë ishim aty në emër të Malit të Zi), rrimë së bashku të gjithë “kosovarët”, flasim pa detyrime, tallemi, që të paktën për një çast të çlodhemi nga temat e rënda dhe hallet nëpër të cilat po kalojmë.... dhe e pyes Hashim Thaçin: “Hashim, më thuaj, si e flet ky nuni im shqipen?”.
“Më mirë se unë”, përgjigjet Thaçi – dhe të gjithë qeshim, edhe Oliveri qesh...
U talla tutje se si nuk është çudi që shumica shqiptare “ka problem” me serbët... Është gjithnjë problem, thash, kur serbët udhëhiqen nga malazezët... (Oliveri është Ivanoviq nga Kuçi, natyrisht. Babai i tij, Bogdani, ishte kumbarë i babait tim, në Gjakovë, 1961). Edhe me këtë qeshim, sepse të gjithë e dimë se cilët “malazezë” mund t’i përmendim si shembull të këtij “rregulli” historik....
Më pas i thash Oliverit, derisa shëtitëm përskaj liqenit – nuk ishim parë aq shumë vite – në mënyrë (shumë) naive, mbase, se si duhet t’i shmanget Beogradit dhe se duhet të jetë, po e deshi fati, ministër i Punëve të Jashtme apo, për shembull, nënpresident i Kosovës së ardhshme, sepse Beogradi kurrë nuk e ka kuptuar Kosovën as nuk e ka ndihmuar, as nuk do ta ndihmojë... Nuk beson, natyrisht, se ajo që i them është serioze dhe reale dhe unë nuk ia zë për të madhe: ai këtë po e jeton, e unë po e shikoj nga distanca – dallimet janë të pashmangshme.
Do t’u bëhej qejfi baballarëve tanë, sikur të mund ta dinin se jemi bashkë dhe bisedojmë, se pajtohemi, të paktën kaq. Vetëm këtë e mbaj mend, dhe ndiej keqardhje, derisa mendoj se si të birin e Bata Bojovit dhe vëllanë e Mirosllavit dhe Natalias e vranë mizorisht në Mitrovicë.
Isha në Beograd, natyrisht, në fund të tetorit të vitit të shkuar, për një rast të trishtuar. Eci, më pas, përgjatë qytetit që gjithnjë e më pak i ngjason vendit, ku për të parën herë nisa “të merrem me politikë”, në ato kohë të turbullta që i paraprinë shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe e shoh në një kioskë “NIN”-in me fytyrën e Oliverit në ballinë. I shkruaj, menjëherë, se e lexova dhe se i kishte tezat e mira. I shkruaj në celular që të shihemi, këtu jam, dhe më mbërrin përgjigjja, menjëherë: “Ika deri në Shabac... kthehem sonte vonë, mund të pimë diçka në mëngjes”. Eh, unë sonte duhet të kthehem në Romë, i përgjigjem, mbetemi në kontakt....
Prej të gjitha atyre komenteve të shumta që u dëgjuan apo lexuan rreth vrasjes së Oliverit dhe pasojave, më bindësi e njëkohësisht më i trishtuari më tingëlloi komenti se vdekja e tij nuk do ta pikëllojë shumicën as në Serbi, as në Kosovë.
Kjo është diagnoza më e mirë për gjendjen, për relacionin e trazuar Beograd-Prishtinë, në të cilin njerëzit e matur dhe të arsyeshëm ose heshtin, ose margjinalizohen, ose, nëse politika e frikësimit dhe përjashtimit shoqëror dhe politik nuk ka sukses, likuidohen, si tani Oliver Ivanoviqi.
Vdekja e Oliverit do të ndryshojë pak gjë, druaj. Ekstremistët dhe nacionalistët e rëndë, të lig, janë të ngulitur në të dyja anët, me operuesit “në terren” (lexo: me mafi apo me vrasës, të mëdhenj dhe të imët), me mbështetje nga të gjitha anët, të lidhur me interesa prej më të ulëtave, të cilat shiten si mbrojtje e interesave të shenjta kombëtare.
Marrëveshje nuk ka, e – marrëveshje të sinqertë dhe të njëmendtë - as që do të ketë, sepse një matrice të tillë politike dhe ideologjike, marrëveshjet dhe zgjidhjet mund vetëm t’u imponohen. E për më tepër një marrëveshje e tillë edhe nuk është marrëveshje, por një gjendje e pakëndshme e imponuar, detyrim i domosdoshëm, pra, që e pret rastin e parë për t’u rrezikuar, zmbrapsur dhe eliminuar. Të gjitha forcat tokësore dhe ato që thirren në lidhjet hyjnore janë shfrytëzuar që të mos lejohet “tradhtia”, dhe liderët aktualë, e kemi parë këtë edhe kohë më parë (edhe në mesin e priftërinjve është rrezik kur malazezët ngrihen në mbrojtje të “serbizmave” dhe sporteve të tjera ekstreme), më shumë ia kanë frikën këtij mallkimi dhe etiketimi, sesa gjykimit dhe fatit të atyre që “i mbrojnë” në Kosovë, e më gjerë.
Bisedimet në Bruksel u ndërprenë, tani për tani. Kur të vazhdohen – e Ivanoviqi, kjo është e qartë, është shfrytëzuar si viktimë për nevojën e dikujt që ky proces të ngadalësohet, rrezikohet apo madje ndërpritet – do të mbetet mister se si dhe çfarë mund të prodhojnë, nëse në shtabet dhe qendrat e politikave të Beogradit dhe Prishtinës nuk ka gatishmëri, vullnet dhe guxim që të bëhen lëvizje, ndryshime dhe koncesione të njëmendta.
Logjika aktuale, por e trashëguar politike dhe forma (jo)kulturore është e qartë: njëra palë do të pëlqente ndarjen e territoreve apo këmbimin e tyre, duke llogaritur se pala tjetër mund ta pranonte një gjë të tillë, nëse kërcënohet dhe i tregohet grushti, e që për këmbim të fitojë ndryshim të kufijve apo “bashkim të territoreve historike”. Dhe anasjelltas. Para kësaj duhet treguar se të gjitha modelet, opsionet dhe zgjidhjet janë joefikase, të lodhura dhe të gabuara dhe se logjika e dhunës dhe e shtrëngimit paraqet ligjin e këtyre hapësirave – si mënyrë e vetme, e pamohueshme dhe e pandryshueshme.
Për këtë Oliveri fajësohej në mënyrë të rrezikshme dhe të pandreqshme: merreni me mend, tha, përveç shumë gjërave të tjera të guximshme, se për serbët e Kosovës kryeqyteti është Prishtina, e jo Beogradi!
E po nuk bën kështu, dhe nuk bëhet, sepse kështu rrënohet rezoni i ekzistimit të njëfarë nacionalizmi që është i gatshëm t’i harrojë, asgjësojë dhe t’i hedhë poshtë interesat e njerëzve që gjoja se i mbron dhe ruan. Për këtë arsye edhe vdekja e Oliver Ivanoviqit, fatkeqësisht, është e logjikshme sipas kësaj renditjeje të gjërave dhe njerëzve, në historinë e harruar dhe të shlyer, në të cilën ishin të paktë ata që lexuan “Këngë të Ali Binakut”, të Radovan Zogoviqit tonë (të lindur në Pejë, mu ashtu si edhe Oliveri) dhe mendime e dëshmi të ngjashme armiqësore.
Sikur të takoheshim atë 30 tetor, tani mund “të shes mend”, mendoja t’i thosha Oliverit se si mënyra e vetme e qëndrueshme që Serbia “ta mbajë” Kosovën dhe t’i ruajë njëmend njerëzit dhe popullin, për të cilët shqetësohet aq fort – zyrtarisht dhe pa sukses – është që të formohet bashkësia e dy shteteve të pavarura, të cilat më pas, me kufij dhe sistem reciprok të mbrojtjes së të drejtave dhe kulturave të bashkësive kombëtare/etnike (serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në jug të Serbisë), do të punonin bashkërisht në agjendën evropiane – sepse, sot, të paktën në këtë, dhe të paktën në mënyrë retorike, pajtohen elitat politike në Prishtinë dhe Beograd. Kësisoj, përveç të tjerash, do të ndikohej në stabilitetin dhe tërësinë e gjithë rajonit, e pikë së pari Bosnjës dhe Maqedonisë, e të mos e përmendi skenarin e qartë dhe definitiv “ad act”, të cilin shumica nuk duan as ta përmendin – “bashkimi i territoreve etnike” – sepse kjo do të shpinte drejt një konflikti të ri luftarak ballkanas me pasoja të pallogaritshme. Ai do ta lavdëronte, sipas të gjitha gjasave, përsëri, naivitetin tim këmbëngulës kur bëhet fjalë për çështjet shtetërore dhe ndërshtetërore, e unë do të tentoja t’ia përsëris se si ky realitet yni ballkanas kërkon pikërisht këso zgjidhje “naive”. Ose zgjidhje nuk ka – krahas të shtënave dhe vajtimit, krimeve dhe vajit.
Por, nuk mund më t’i them gjë Oliverit të Bogdanit, sepse edhe ai e pagoi me jetë këtë histori të trishtuar dhe të shëmtuar.
Romë, mëngjesi i 20 janarit të vitit 2018
(Autor ishte ministër i Punëve të Jashtme i Malit të Zi dhe ambasador në SHBA, ndërsa aktualisht është ambasador në Selinë e Shenjtë. Mendimet dhe qëndrimet e tij jo domosdoshmërish i përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të Malit të Zi. Shkrimi është botuar në gazetën malaziase “Pobjeda”. Botohet me lejen e autorit).