OpEd

Një shtet palestinez në horizontin e turbullt

Foto: Alban Bujari / KD

Katrahura palestineze filloi më 1948, kur arabët nuk u pajtuan me Rezolutën e OKB-së 1947, për dy shtete në dy pjesë përafërsisht të barabarta të Palestinës. TË TJERAT, GJER MË SOT, JANË RRJEDHOJË E ATIJ GABIMI historik, kur arabët deshën ta “hidhnin Izraelin në det”, por i hodhën territoret e veta legjitime

Shkruan: Nehat Islami

Duke i dëgjuar deklaratat e Presidentit Trump dhe kryeministrit izraelit, Netanyahu, për shanset që po i hapen armëpushimit në Rripin e Gazës dhe themelimit të shtetit palestinez, pas tërë asaj gjakderdhjeje në Gazë me Hamasin dhe popullsinë e pafajshme palestineze në Jugun e Libanit  kundër Hezbollahut, Hutuve në Jemen dhe  grupeve proiraniane në Irak, për të përfunduar me luftën 12-ditore me “babain” e të gjithë këtyre, pra Iranin, analistët e shumë vendeve, që merren me këtë regjion përherë të zjarrtë, nuk mbesin  shumë të hutuar, sepse përpjekje për paqe  midis Izraelit dhe  arabëve ka pasur gjithnjë, por përherë  pa depërtime të mëdha kah e mira e përgjithshme.

Sa i përket  luftimeve  të Izraelit dhe përkrahjes së SHBA-ve kundër Iranit, më në fund u kuptua strategjia izraelite që e filloi luftën para dy vjetëve kundër Hezbollahut në Gazë e pastaj kundër Hamasit, Hutuve e të tjerëve me aq pamëshirësi. Izraeli kishte përgatitur parakushtet që, kur në fund ta sulmojë Iranin, aleatët e tij të lartpërmendur të mos kenë fuqi as guxim ta bëjnë as rezistencën më të vogël, siç edhe u pa. Edhe pas armëpushimit me  Iranin, “boshti i rezistencës” do të qëndrojë i amortizuar nga sulmet e mundshme ajrore të Izraelit. Sa i përket një prej ish-hallkave të atij “zinxhiri të rezistencës”, pra Sirisë së re pa Asadin, Presidenti i ri Al J Julani, jo vetëm që as nuk e lau gojën si shumica e arabëve të tjerë që formalisht i dënuan sulmet mbi Iranin, por  dha shenja se do t’i  bashkohet “Planit të Abrahamit”, pra mund ta njohë Izraelin kur të fillojë stabilizimi relativ i regjionit, sikundër që kanë bërë gjer më tani disa shtete arabe, duke filluar nga Egjipti më 1977.

Superfuqitë botërore tanimë janë parimisht dakord se ka ardhur koha e fundit për themelimin e Shtetit palestinez, por si do të dukej ai shtet, ende askush nuk e di, e as  nuk e thotë, sepse mbi këtë territor “të nëmur” siç e quajnë arabët,  u zhvilluan pesë luftëra arabo-izraelite që nga 15 maji 1948, pastaj 1967, 1973, lufta libaneze 74/2005, disa kryengritje “intifada palestineze” dhe dy depërtime kryesore të armatës izraelite në Liban, që pos shkatërrimeve dhe vdekjeve, nuk ndryshoi gati asgjë.

Gabimet me pasoja katastrofike

Në biseda të shumta me liderët palestinezë në Bejrut, filluar nga Arafati, kryetar i Organizatës kryesore palestineze “Al Fatah” e gjer te Muin Psiso, poet dhe luftëtar i rrethit më të ngushtë të Lëvizjes Çlirimtare Palestineze, kam kuptuar një të vërtetë që palestinezët nuk e përmendnin shpesh publikisht. Ajo ishte  thënia  metaforike “na duhet një shtet sado i vogël, sa për varret tona”. Këtë ma thoshin pasi edhe prindërit e tyre u dëbuan nga Izraeli, kurse shumica e luftëtarëve palestinezë lindën dhe vdiqën në kampe të shteteve arabe.

Shpesh e përmendnin  gabimin e të parëve të tyre dhe të Egjiptit, Jordanisë, Sirisë dhe Irakut, që në vitin 1948 nuk u pajtuan me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për ndarjen e territorit të Palestinës për shtetin Palestinez me 43 për qind të Palestinës, ose 11.592 kilometra katrorë, dhe shtetit  izraelit me  56.47 për qind ose 15.246 kilometra katrorë.

Sikur të mos sulmohej shteti i porsashpallur izraelit, pas çka Izraeli aneksoi gati 60 për qind nga territori që i përkiste shtetit palestinez sipas Rezolutës së OKB-së, kjo botë do të dukej ndryshe. Nuk do të shpërngulej mbi gjysma e palestinezëve nëpër Lindje të Mesme, nuk do të bëheshin aq shumë luftëra dhe vrasje, por këto dy shtete do të jetonin pranë njëra-tjetrës.

Por faktet flasin ndryshe. Gjatë luftërave izraelito-arabe, territori i shtetit palestinez, sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1947, u tkurr edhe gjatë Luftës së vitit 1967, kur Cisjordania ose Bregu Perëndimor  prej 5000 kilometrash katrorë, të cilën e kishte  marrë nën përkujdesje Jordania, gjatë vitit 1948 dhe Gaza, të cilën e vuri nën mandat Egjipti, më 1967 u pushtuan nga Izraeli. Kështu ngelën gjer më sot. Mbreti shqiptar, Zogu i Parë, i cili së bashku me suitën e tij, pasi  kishte ikur nga Shqipëria me të ardhur të italianëve më 1939, kishte gjetur strehim  te Mbreti i Egjiptit, Faruku, me prejardhje shqiptare nga Dinastia e Mehmet Ali Pashës. Ai   e luti Mbretin Faruk dhe liderët e tjerë  arabë të asaj kohe që të mos e sulmonin shtetin e porsashpallur izraelit, por ta themelonin  shtetin e Palestinës në territorin e caktuar nga Rezoluta 181 e OKB-së, por ata nuk e dëgjuan. Fjalët e tij i mori era e Saharës, ndërsa arabëve nuk iu nda lufta  deri në ditët e sotme.

Por, historia e Gazës që plot dy vjet po derdh gjak, ka edhe  ngjyra shumë më pikëlluese, pasi kur në vitin 1993 në Oslo u arrit marrëveshja izraelito-palestineze për një  autonomi të gjerë të Gazës dhe Cisjordanisë, e që pastaj u kurorëzua me Marrëveshjen e Paqes Arafat-Jicak Rabin në Uashington me Klintonin ndërmjetësues, lindën shpresat reale se do të ndërpriteshin gjakderdhjet. Madje, kryeministri i asaj kohe, Ariel Sharoni, “krimineli me trëndafila në xhep” si e quanin në Liban, pasi ai e udhëhoqi masakrën palestineze në kampet palestineze në Sabra dhe në Shatila më 1982, njëmbëdhjetë vjet më vonë, si kryeministër që erdhi pas vrasjes së Jicak Rabinit, e urdhëroi largimin e të gjithë kolonëve izraelitë nga Rripi i Gazës. Ata bënë shumë demonstrata që të mos largoheshin prej aty, por a e dini kush i përkrahte  ata  si  një opozitar që ishte? Pikërisht kryeministri i tanishëm, Netanyahu.

Por doli  se Sharoni e pati me “bisht” tërë atë punë të zhvendosjes së  kolonëve izraelitë, sepse për ta neutralizuar Jaser Arafatin dhe tërë Lëvizjen Palestineze, u lidh me Hamasin, i cili sapo kishte filluar të formohej. Natyrisht, me ndihmën e tërthortë të Ariel Sharonit, Hamasi e dëboi nga  Gaza Lëvizjen Palestinze, e cila u tërhoq në Cisjordani, kurse Hamasi u forcua dhe u lidh me Iranin. Të tjerat dihen, por një gjë duhet të sqarohet. Kush e organizoi apo kujt i konvenoi sulmi i kamikazëve të Hamasit ndaj  kampit e të rinjve në Izrael, çka pastaj shërbeu si fitil për ndezjen e zjarrit që përfundoi në depot nëntokësore të uraniumit të pasuruar në nëntokën iraniane.

Ku do të themelohej shteti Palestinez

Kjo përgjigje meriton  miliona dollarë, siç do të thoshte Jaser Arafati, para se të vdiste nga helmi izraelit.

Përgjigjen e ka dhënë Rezoluta e OKB-së me numrin 242, nga maji i vitit 1967, kur bashkësia botërore pas shumë pazarllëqeve e vendosi parimin ”tokë për paqe” për shtetin e ardhshëm palestinez, që do të formohej në Cisjordani dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Kështu u vendos, por nuk u bë, sepse Izraeli që nga ajo kohë për çdo vit aneksoi pjesë palestineze për kolonitë izraelite, duke e dëmtuar tërësinë territoriale të Cisjordanisë, ndërsa fati i Gazës po dihet. Është shkatërruar pjesa më e madhe, kurse Izraeli si duket ka hequr dorë nga dëbimi i mëtejmë i popullsisë palestineze nga Gaza, por po e rrah telin që ai rrip t’i kthehet Egjiptit, i cili sipas të gjitha gjasave nuk do ta pranojë.

Në mandatin e parë të Presidentit Trump pat lindur një ide që Gaza dhe Cisjordania të lidhen me një rrugë nëpër shkretëtirë, por edhe ajo ide u harrua.

Tani priten ide të reja, si do të dukej shteti i mundshëm palestinez. Dikur përmendej ideja e kompensimit të territorit të marrë nga Cisjordania për koloni izraelite dhe dhënia e kompensimit territorial me tokë të shkretëtirës. Ide  plot, por realizimi ende askund.

Nuk është çudi që Trump dhe Netanyahu bisedojmë për këto tema me ekspertë izraelitë dhe arabë, por ende askush nuk po flet. Të presim.