OpEd

Një pension për anëtarët e LDK-së

Tri sugjerime për mbulimin e veteranëve të historisë me skema pensionale

1.

Kryeministri i Kosovës, R. Haradinaj, u angazhua këto ditë që për hir të buxhetit të Kosovës të mos injorohen faktet historike të pjesëmarrjes së qytetarëve të Dukagjinit në luftë, që, sipas tij, gjeti të përfshirë diku mes pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë mijë njerëz në vijat e para të frontit.

Nuk kam arsye për të dyshuar se pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë mijë fëmijë, gra dhe burra të kenë qenë të përfshirë në formë aktive në luftë, çdoherë që shtëpia apo fshati i tyre të jetë sulmuar, çdoherë që është dashur të bëhet rojë, çdoherë që duhej çuar municion, çdoherë që duhej çuar të plagosurin prej një vendi në tjetrin.

Nuk kam arsye, gjithashtu, të dyshoj se gjatë rivlerësimit që bëhet se kush sa ka luftuar, edhe komandantëve të tjerë të UÇK-së do t’u bjerë në mend se, në fakt, ka pasur më shumë njerëz që kanë luftuar sesa janë paraqitur në listën e deritanishme prej 60 mijë veteranëve. Dhe, nëse në përpjesëtim me z.Haradinaj, që ka deklaruar menjëherë pas luftës në librin e tij, intervistë me të ndjerin Bardh Hamzaj, se ka pasur gjashtë mijë ushtarë, por tash konstaton se kanë qenë gjashtëdhjetë mijë, atëherë nuk do të duhej të befasonte nëse, sipas vlerësimit të tanishëm të kujtesës së komandantëve, Kosova ka pasur dhjetëfish më shumë luftëtarë sesa ka të paraqitur deri më sot, pra i ka 600 mijë.

Argumenti të cilin e bën kryeministri është valid: nëse Kosova nuk ka para për t’i paguar gjashtëdhjetë mijë veteranët e Zonës së Dukagjinit, këtë duhet ta thotë, e jo të zhvlerësojë numrin dhe t’ua humbë vlerën të gjithë atyre gjashtëdhjetë mijë njerëzve që luftuan.

Pra argumenti, tutje, është ky: nëse aplikohet ligji si duhet, vetëm për veteranët e Dukagjinit duhet të ndahen diku 130 milionë euro në vit. Por nëse Kosova nuk ka para në buxhet për këtë destinim (e këtë duhej ta dinte pikësëpari kryeministri), atëherë veteranët të mos dëmtohen në histori; pra që numri i veteranëve të mos sajohet në bazë të mundësive buxhetore.

2.

Meqë në përvojën e deritanishme nuk ndodh që numri i veteranëve (me gjithë ligjet e biologjisë) të zvogëlohet, por mundet vetëm të rritet me faktorë të mundshëm dhjetëfishimi, atëherë gara mes historisë dhe buxhetit të Kosovës duhet të humbet nga buxheti i Kosovës.

Kështu më duket se është logjika e kësaj dhe qeverive të udhëhequra nga PDK-ja, që buxhetin e shohin si një thes të madh të parave nga i cili nxirret gjithnjë, si të ishte i pashtershëm. Kur duhet mbushur, dikush prej komandantëve në krye të Qeverisë i adresohet ndonjërit prej ministrave që ta gjejë çarenë dhe thesi mbushet sërish, duke përdorur një mekanizëm që nuk vërehet në popullatë-vendi hyn në borxh të brendshëm. Kështu shteti i Kosovës ka arritur që heshtazi të kalojë prej zeros në një miliard euro borxh.

Por gara mes historisë dhe buxhetit nuk mund të ndalet me kaq. Siç qe vendosur më herët, buxheti i Kosovës u ndan pensione shtesë arsimtarëve që punuan në vitet 1990-1999, pra ka njohur meritën e tyre historike, tej faktit se atëbotë janë paguar për punën e bërë, kategoria e vetme e shqiptarëve që ka marrë në formë konsistente rrogë në Kosovë. Rrjedhimisht, së bashku me veteranët e UÇK-së dhe arsimtarët e viteve nëntëdhjetë, ndoshta do të ishte mirë që historia nuk mund të injorojë kategori të tjera të kontribuuesve për çlirimin e Kosovës, për shembull anëtarët e LDK-së (Alternativës) dhe pjesëmarrësit në demonstrata paqësore.

Në pranverë të vitit 1990 Kosova kishte, ndoshta, mbi gjysmë milioni anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Më shumë se parti, ishte një lloj fronti i gjerë i rezistencës së padhunshme. Mbi efektshmërinë a jo të organizatës, me nuancat e nevojshme, tashmë mund të merret historia serioze dhe kritike, por ajo që është e pashmangshme, qe se njëra prej formave më masive dhe të efektshme për ravijëzimin e rrugës së Kosovës për në pavarësi qe anëtarësimi masiv në organizatën më të madhe të “Alternativës”, që thoshte se do Liri dhe Demokraci në momentin e zhbërjes së Jugosllavisë dhe mbajtjes së Kosovës nën okupimin serb.

Gjatë viteve nëntëdhjetë, anëtarët e LDK-së në shumicë vullnetarë mbanin gjallë atë aktivitet politik që mbanin, si vijë e qartë dallimi e përfaqësimit të interesave të qytetarëve shumicë të Kosovës përballë atyre që mbante pushteti okupator i Serbisë. Kjo organizatë qe strumbullari rreth së cilës mblidheshin aktivistët e partive të tjera politike (“Alternativa”) dhe në masë të madhe edhe ato të shoqërisë civile, sikur KMDLNJ-ja.

Përcaktimi për rrugë të rezistencës paqësore krijoi përkrahje të paprecedencë për Kosovën, përfshirë edhe kërcënimin ushtarak të SHBA-së ndaj Serbisë, që filloi me presidentin Bush e përfundoi me ndërhyrjen ushtarake me presidentin Clinton.

Pjesë e kësaj politike të rezistencës paqësore ishin edhe demonstratat paqësore, prej ndezjes së qirinjve, tringëllimës së çelësave dhe varrimit të dhunës. Këtë të fundit e kam udhëhequr së bashku me Adem Demaçin dhe llogaria më modeste e pjesëmarrjes ka qenë prej 100 mijë vetash. Më 1997, pastaj u organizuan demonstrata të studentëve e më 1998 ato në përkrahje të familjes Jashari dhe viseve në luftë në përgjithësi. Nëse, në formë modeste, përcaktohet se në demonstrata në ato vite kanë marrë pjesë 100 mijë njerëz (të cilët ne që kemi marrë pjesë lehtë i identifikojmë), atëherë kjo i bie një implikim buxhetor prej rreth 200 milionësh në vit.

Natyrisht, implikimi buxhetor është shumëfish më i madh nëse përfshihen, siç do t’i përfshinte historia, anëtarët e LDK-së.

Dhe, nëse nuk del boll për të mbuluar histori, mund të bëhemi edhe më inventivë dhe të krijojmë skema pensionale për të gjitha nënat që lindën fëmijë gjatë viteve nëntëdhjetë, duke e ruajtur kështu substancën demografike, si pjesë e rezistencës kombëtare.

3.

Mund të ndodhë, natyrisht, që ish-pjesëtarët e UÇK-së, qoftë ata në pushtet , qoftë ata që e kanë zënë shtetin, të protestojnë kundër një kundrimi të këtillë të historisë. Kjo protestë mund të zërë fill në ndarjen që u bën kryeministri Haradinaj atyre që nuk kanë marrë pjesë në luftë e që kategorizohen, sipas tij, në qyqana. Rrjedhimisht, buxheti do të mundë të shpëtonte prej implikimeve për të bërë pagesa për qyqana, por kjo nuk do të ishte konsistente me historinë.

Historia thotë se në luftën e kaluar janë vrarë 13.535 njerëz, prej të cilëve 10 mijë ishin civilë, tre mijë ishin të formacioneve të armatosura. Prej atyre të formacioneve të armatosura mbi dy mijë ishin të UÇK-së dhe FARK-ut, ndërsa një mijë ishin të forcave serbe. Kjo i bie që 70 për qind të të vrarëve të jenë civilë të paarmatosur, dhe kjo i bie që lufta ka qenë e drejtuar kundër civilëve. Me ligjet e thjeshta matematikore të probabilitetit i bie që shqiptari i armatosur ka pasur shumë më pak gjasa të vritet sesa shqiptari i paarmatosur. Dhe, kjo do të thotë se të veprosh i paarmatosur, si Fehmi Agani, nuk të ka sjellë jetë pa rreziqe, krahasuar me pjesëtarin e UÇK-së. Përkundrazi.

Për më tepër, as ata që kanë vepruar në formë të paarmatosur, kushtimisht “qyqarët”, e as ata që kanë vepruar në formë të armatosur, nuk kanë arritur ta çlirojnë as veten e as vendin; është dashur një ndërhyrje ndërkombëtare për ta bërë këtë.

Dhe, këtu lind edhe një telash për buxhetin: çfarë do të ishte implikimi buxhetor për çlirimtarët e Kosovës, NATO-n?

4.

Kështu siç është nisur, pajtimi i historisë dhe i buxhetit është i mundur teknikisht.

Një grup ekspertësh i financave mund t’ia sugjerojë Qeverisë tre hapa. Një, që Kosova ta dyfishojë borxhin e vet të brendshëm, dhe kështu të sigurojë edhe një miliard euro për skema të ndryshme pensionale të mbulimit të meritave historike në katër-pesë vjetët e ardhshëm. Foshnjat që lindin sot, apo ende nuk kanë lindur, obligohen që ta mbulojnë këtë borxh.

Dy, që të bëjë ribalancimin e buxhetit, duke hequr mjetet nga arsimi dhe shëndetësia - kategori të panevojshme për njohjen e meritave në histori-dhe duke kaluar në kategoritë e veteranëve të segmenteve të ndryshme historike.

Dhe tre, që të eksportojë në formë urgjente-me mjete legale dhe ilegale-200 mijë njerëz në vit drejt shteteve të Perëndimit në mënyrë që të dërgojnë mbrapa mjete për qarkullim brenda sistemit financiar të Kosovës, në mënyrë që derisa të sigurohen mjetet për pensione të meritave historike, atyre që mbesin të jetojnë në Kosovë, atyre dhe vetëm atyre që arritën ta shkruajnë me veprimet e veta historinë.