Botë

Irani thotë se i konsideron ushtritë e BE-së si organizata terroriste

Mohammad Bagher Qalibaf

Kryetari i Kuvendit të Iranit deklaroi të dielën se Republika Islamike tashmë i konsideron të gjitha ushtritë e Bashkimit Evropian si organizata terroriste. Deklarata erdhi si reagim pasi BE-ja e shpalli Gardën Revolucionare paramilitare të Iranit organizatë terroriste, pas shtypjes së përgjakshme të protestave mbarëkombëtare.

Njoftimi u bë nga Mohammad Bagher Qalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare, ndërsa vlerësohet se ky vendim do të ketë kryesisht karakter simbolik. Irani ka përdorur edhe më herët një ligj të miratuar më 2019 për të shpallur në mënyrë reciproke ushtritë e vendeve të tjera si terroriste, pasi Shtetet e Bashkuara e kishin shpallur Gardën Revolucionare organizatë terroriste po atë vit.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë të larta, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Iranit. Po ashtu, Republika Islamike ka planifikuar për të dielën dhe të hënën ushtrime ushtarake me municion të vërtetë në Ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës.

Qalibaf e bëri deklaratën në Kuvend, ku ai dhe deputetë të tjerë ishin veshur me uniforma të Gardës Revolucionare, në shenjë mbështetjeje për këtë forcë. Garda Revolucionare, e cila kontrollon edhe arsenalin balistik të Iranit dhe ka interesa të gjera ekonomike në vend, i raporton drejtpërdrejt vetëm Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç.