Po kaloja përskaj shtegut i cili kalon pranë kopshtit zoologjik. Janë edhe disa kafshë të cilat mund t’i shohësh aty nga ai shteg, pa hyrë fare në kopshtin zoologjik. Teksa po ecja në atë pjesë të shtegut, pak më larg atje në distancë, mund ta shihja një ekip televiziv me pajisjet e tyre përcjellëse mobile teksa po intervistonin dikë. Me të arritur pranë tyre e dëgjova një zë femre të më drejtohej. Zotëri, unë jam nga BBC Breakfast dhe quhem Louise Minchin
Dje ishte një nga ato ditët kur përkundër faktit se ne këtu në Mbretërinë e Bashkuar ende jemi në karantinë, njeriu ende e shijon ditën e bukur pranverore. Ashtu veprova edhe unë. Dola në parkun tim të preferuar këtu afër shtëpisë, në “Regents Park”.
Meqë nuk ishte ditë vikendi, edhe numri i njerëzve që kishin dalë në park ishte dukshëm më i vogël.
Ecjet preferoj t’i bëj ashtu me ato kufjet e vogla pa tela në veshët e mi dhe zakonisht dëgjoj ndonjë "Talk Show" radio-emision ose ndonjëherë thjesht vetëm muzikë, e cila do ta kompletonte atë ditë të bukur.
Dje vendosa që xhiron nëpër park ta bëja andej nga shtigjet të cilat përshkojnë pjesët më të skajshme të parkut dhe të cilat gjithashtu në fund përshkojnë totalin më të madh të distancës së përshkuar.
Me blerimin pranveror të natyrës, ky park në veçanti merr një pamje të mrekullueshme dhe magjepsëse. Ai bën pjesë në njërin nga parqet mbretërore të qytetit dhe përkujdesja ndaj tij është 24/7. Kanë filluar të çelin lulet, qershitë japoneze të mbuluara nga lulet ngjyrë rozë në pemë.
I tërë parku mban aromë bliri e aromë shelgjesh dhe shqisa e të nuhaturit shënon festë. Sigurisht se ende qenkam negativ me COVID-19 përderisa mund t’i dalloj këto aroma nëpër park.
Po kaloja përskaj shtegut i cili kalon pranë kopshtit zoologjik. Janë edhe disa kafshë të cilat mund t’i shohësh aty nga ai shteg, pa hyrë fare në kopshtin zoologjik. Teksa po ecja në atë pjesë të shtegut, pak më larg atje në distancë, mund ta shihja një ekip televiziv me pajisjet e tyre përcjellëse mobile teksa po intervistonin dikë.
Me të arritur pranë tyre e dëgjova një zë femre të më drejtohej. Zotëri, unë jam nga BBC Breakfast dhe quhem Louise Minchin.
Si quheni dhe sa po e shijoni këtë ditë të bukur, – më pyeti ajo – duke ma afruar mikrofonin pranë fytyrës.
- Quhem Asdren Rrahmani dhe kam fatin që jetoj pranë këtij parku të bukur, kështu që ditët e bukura si kjo rrallëherë më ikin pa i soditur.
- Edhe ne, për dallim nga natyra rutinore e emisioneve tona të mëngjesit, së bashku me producentin tonë sot vendosëm që intervistat tona t’i zhvillonim në ambiente jashtë studiove.
Cili është profesioni juaj, zotëri Rrahmani?
Unë jam ambasador i Republikës së Kosovës pranë Facebook-ut, – iu përgjigja.
Qenkemi shumë me fat të rastisim në një profil aq të lartë sikur tuajin, ekselenca juaj. A mund të na tregoni neve dhe shikuesve tanë të shumtë se si qëndron puna me Kosovën këto ditë?
Paj, shikoni, përkundër kësaj kohe kur po mbizotëron pandemia, ne si shtet i ri evropian ishim shumë me fat të udhëhiqeshim nga një pushtet shumë i përgjegjshëm (si çdo të tillë të cilën e patëm fatin ta kishim që nga paslufta e tutje). Pushteti dhe shkenca bashkërisht funksionuan si një trup i vetëm dhe asgjë nuk iu la rastësisë.
- Si u menaxhua me pandeminë, ekselenca juaj?
- Për mrekulli! Që në fillet e saj, si qeveri e re dhe e ardhur "rastësisht" në kohë pandemie, thesari i saj ndau 2.1 milionë euro për avancimet në studime dhe prodhimet e vaksinës kundër COVID-19. Krahas këtij investimi të menjëhershëm në shkencën preventive dhe mbrojtëse kundër COVID-19, e tërë kasaforta e subvencioneve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë u sakrifikua për avancimin e luftës kundër virusit.
- Si po administrohet dhënia e vaksinave për popullatën e Kosovës?
- Edhe këtu, në këtë pikë, administrimi i vaksinimit të popullatës nga ana e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës është për çdo lëvdatë. Ajo e parandaloi dhënien e vaksinave të “AstraZeneca-s” ende pa u zbuluar ato, qysh atëherë kur ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, zotëri Labinot Tahiri, deklaroi se "nuk ka virus, rrenë është." Kështu që, popullata e Republikës së Kosovës u mbrojt nga efektet e supozuara anësore të kësaj vaksine ende pa u zbuluar ajo. Edhe frigoriferët specialë për ruajtjen e këtyre vaksinave të porositura shumë kohë më parë tashmë do t’i jepen dikujt donacion për shitjen mobile të akulloreve muajve përcëllues në Prishtinë.
- Në rrafshin politik, çfarë shënoi Republika e Kosovës në 22 vjetët e fundit qysh nga përfundimi i luftës dhe ato pamjet e tmerrshme të cilat ende i kujtojmë nga ajo kohë, ekselenca juaj?
- Është paksa e vështirë të numërohen të gjitha sukseset e arritura qeveri pas qeverie në 22 vjetët qysh nga përfundimi i luftës. Shikoni, tash sapo u shënuan edhe Epopeja e UÇK-së si dhe 23-vjetori i sakrificës së familjes Jashari. Qysh nga qeveria e parë e përkohshme, e instaluar pas përfundimit të luftës 22 vjet më parë, filluan investimet enorme për ruajtjen dhe restaurimin e kullave të familjes e cila sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës. Qeveri pas qeverie investuan aq shumë, saqë tashmë ai vend është edhe i mbrojtur nga UNESCO, për vendet me rëndësi të veçantë të trashëgimisë kulturore. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO në afat rekord qysh nga pranimi ndërkombëtar i pavarësisë së saj bëri që shumë vende, monumente dhe pjesë të natyrës së bukur dhe të mbrojtur me aq kujdes nga qeveritë kosovare të jenë pjesë e UNESCO-s. Ndërsa, sa i përket UÇK-së, eprorët e saj tashmë gjenden në Hagë për krimet e supozuara të luftës, të kryera nga ana e tyre. Edhe këtë gjë e mundësuan qeveritë tona, të udhëhequra po nga po ata eprorë të UÇK-së.
- Botërisht dihet ekselenca juaj se ajo pjesë e Evropës Juglindore është e plangosur nga krimi dhe korrupsioni. Si qëndron republika juaj në atë aspekt?
Punët e mbara të qeverive dhe pranimi i hershëm i Kosovës në kuadër të Interpolit kanë bërë që Republika e Kosovës të shndërrohet në një ferr për të korruptuarit dhe të bëhet edhe një urë e ndalesës së ndërlidhjes së krimit të organizuar regjional. Në vendet e rajonit kanë lulëzuar agjencitë turistike, ndërsa në Kosovë kemi pasur lulëzim të agjencive anti-korrupsion, task-forca anti-korrupsion, e kështu me radhë. "Bira e minit 300 grosh" për të korruptuarit në Republikën e Kosovës, do të thoshin të lashtët tanë.
Po me ekonominë si qëndron puna në republikën tuaj?
Përderisa qeveritë e tjera të botës demokratike merren me plane emergjente të rimëkëmbjeve të ekonomive të tyre të rrënuara nga COVID-19, Republika e Kosovës sapo doli nga një palë zgjedhje të parakohshme, pasi që qeveria paraprake u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo pasi ajo i kishte shkelur lulet në oborrin e Qeverisë dhe kjo gjë kishte shkaktuar aq indinjatë të madhe te votuesit saqë ata dolën në numrin e tyre rekord qysh nga zgjedhjet e para të pasluftës. Gjithashtu, fituesi shënoi një fitore sikur të kishte qenë një referendum gjithëpopullor, duke marrë 50,28% të votave. Ne këtu në Mbretërinë e Bashkuar e kuptojmë fare mirë peshën dhe rëndësinë e fjalës “referendum”, ku me 52% të votave në favor të BREXIT-it tashmë Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e Bashkësisë Evropiane. E kështu, edhe popullata e Kosovës u prononcua dhe distancua përfundimisht ndaj shkelësve të luleve. Sa i përket ekonomisë, ajo që në fakt ishte edhe pyetja juaj, Republika e Kosovës nuk e ka hetuar fare pandeminë COVID-19 dhe nuk është afektuar nga ajo në asnjë aspekt. Bizneset kanë shënuar rritje të dukshme në profitet e tyre dhe sidomos shquhen për këtë sukses bizneset e vogla në sektorin e gastronomisë si dhe motelerisë aq të përhapur në Republikën e Kosovës.
Ekselenca juaj, çfarë ndjenje është të jesh ambasador në Facebook i shtetit më të ri evropian?
Duke i pasur edhe ambasadorët e tjerë të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – si Rita Ora dhe Dua Lipa – kjo e fundit mund vetëm të na kishte zili. Kështu që, mua – thënë të drejtën – puna më lehtësohet nga ambasadorët tanë të cilët i kemi të shpërndarë në mbarë globin. Nuk jemi ne vetëm një shtet i ri në Evropë, por jemi edhe një popull shumë vital, i cili sapo i është bërë i njohur botës dhe këto assesi nuk do të mbesin të vetmet suksese. Nuk keni parë asgjë akoma!
Për fund, ekselenca juaj, cili do të ishte mesazhi juaj për njerëzit të cilët po na ndjekin LIVE në këto çaste?
Nuk e di se cili do të ishte mesazhi im për shikuesit tuaj, por e di se dëshirat e mia për ta do të ishin që t’u shërbejë shëndeti në jetë, ta duan shumë njëri-tjetrin dhe në jetën e tyre të shijojnë sa më shumë ditë të bukura si kjo!