Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Një Deja Muuuu Pranveror

Nga Presidenca e Republikës së Kosovës njoftohemi se presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij Enver Hoxhaj, është ftuar të marrë pjesë në samitin e radhës së vendeve të NATO-s, i cili do të mbahet në zyrat qendrore të kësaj organizate veri-atlantike në Bruksel, më 14 qershor 2021. Kosova si vend anëtar në këtë samit do ta prezantojë shtrirjen e sistemeve më të reja raketore me rreze të mesme veprimi – të përuruara me rastin e ditëlindjes së mbretit historik dhe të papërsëritshëm arbëror "Scanderbeg" – si dhe sistemin e raketave balistike "Liria ka Emër", me rreze të gjata veprimi. Shkëlqesia e Tij, z. Enver Hoxhaj, me këtë rast deklaroi se është nder i veçantë për të si president, por edhe për Kosovën si shtet, që të jenë pararojë e mbrojtjes së vlerave euro-atlantike

Nuk e di a ju ka ndodhur të koteni ashtu pasdite, ndoshta as për një orë të plotë, por ta bëni njëfarë gjumi aq të lezetshëm dhe përmbushës saqë kur të zgjoheni e ke atë ndjesinë e "panikut" se keni fjetur shumë gjatë dhe se ju ka ikur komplet mbrëmja e edhe mëngjesi i ditës që pason... Eh, këtë lloj deja-vu-je e përjetova unë dje pasdite.

Pas disa minutash, kur realiteti filloi të ma kaplonte logjikën, pata një ndjenjë të radhës: disi një çlirim shpirtëror. Nuk i kisha humbur as mbrëmjen e as mëngjesin e ditës së nesërme: koha për të cilën kujtesa më kishte tradhtuar kishte qenë diku rreth 45 minuta.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zbrita poshtë në kuzhinë, e hapa frigoriferin dhe u freskova me një gotë ujë të ftohtë. Tashmë i isha kthyer realitetit dhe ajo ndjenja se më ishte vjedhur koha nga gjumi i "thellë" kishte kaluar.

U ngjita lart në dhomën time dhe – ashtu siç veproj prore – e hapa telefonin tim. Në linkun e Facebookut sapo kishin filluar lajmet në televizionin KTV.

"Shikues të nderuar, mirëmbrëma! Po e japim edicionin e lajmeve kryesore të ditës. Sot, në një takim pune në Bruksel, kryeministri i Republikës së Kosovës, zotëri Dardan Molliqaj, takoi komisionerin e BE-së për Zgjerim, Nigel Farage. Kryeministri Molliqaj theksoi se vendi ka arritur stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e pakicave, ekzistencën e një ekonomie tregu funksionues si dhe aftësinë për ta përballuar presionin e konkurrencës si dhe forcat e tregut brenda BE-së. Me plotësimin e obligimeve të fundit, Kosova është e gatshme t’i bashkohet Unionit të shteteve evropiane dhe kontributi i saj në vazhdimësinë e ngritjes së vlerave të BE-së do të jetë i paçmueshëm.

Me rastin e pranimit dhe aderimit të Republikës së Kosovës në gjirin e shteteve të Bashkimit Evropian, për nder të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Dardan Molliqaj, u shtrua edhe një darkë solemne e rastit.

Sot, po ashtu, ministri i Punëve të Jashtme, z. Nol Nushi, në një paraqitje spektakolare në Kombet e Bashkuara në New York, pas fitores së Kosovës në padinë ndaj Serbisë dhe pagesës së kësaj të fundit për reparacionet e luftës, prezantoi Konventën e Ndryshimit të Klimës Globale dhe Migrimin e Pinguinëve Perandorë. Konventa pritet të nënshkruhet nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, unanimisht.

Nga lajmet vendore veçojmë:

Ministrja e Ekonomisë dhe Tregtisë, znj. Natyra Kuçi, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Teutë Rrusta, sot solemnisht përuruan mega-fabrikën për prodhimin e vaksinave COVID-21. Pas zbulimit dhe patentimit të vaksinës së zbuluar nga laboratorët e kompanisë farmaceutike “Kamishizer” kundër COVID-21, Kosova tashmë është e gatshme që fillimisht tregun evropian e më pas edhe atë botëror ta furnizojë dhe ta saturojë me vaksinat aq të kërkuara.

Me këtë rast, në një prononcim të rastit, ministri i Financave, z. Qendron Kastrati, theksoi se në vazhdën e transparencës ndaj të gjitha palëve dhe shteteve të cilat kontraktuan për blerjen e vaksinave kundër COVID-21 nga “Kamishizer”, kjo kompani prestigjioze farmaceutike nga Republika e Kosovës do të gjenerojë një profit prej 1.7 miliardë eurosh në gjashtëmujorin e parë.

Shkencëtari, njëherësh edhe aksionari kryesor i fabrikës “Kamishizer”, z. Bekim Haxhiu, pritet që javën tjetër të dekorohet me çmimin “Nobel” për të arriturat në shkencë dhe teknologji. Ai me këtë rast deklaroi se shumën e parave të fituara të çmimit do t’ua dhurojë vendeve të treta, për blerjen e vaksinës kundër COVID-21.

Nga Presidenca e Republikës së Kosovës njoftohemi se presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij Enver Hoxhaj, është ftuar të marrë pjesë në samitin e radhës së vendeve të NATO-s, i cili do të mbahet në zyrat qendrore të kësaj organizate veri-atlantike në Bruksel, më 14 qershor 2021.

Kosova si vend anëtar në këtë samit do ta prezantojë shtrirjen e sistemeve më të reja raketore me rreze të mesme veprimi – të përuruara me rastin e ditëlindjes së mbretit historik dhe të papërsëritshëm arbëror "Scanderbeg" – si dhe sistemin e raketave balistike "Liria ka Emër", me rreze të gjata veprimi. Shkëlqesia e Tij, z. Enver Hoxhaj, me këtë rast deklaroi se është nder i veçantë për të si president, por edhe për Kosovën si shtet, që të jenë pararojë e mbrojtjes së vlerave euro-atlantike. Po qe se ndonjëherë ndonjë armiku të jashtëm potencial do t’i shkonte mendja t’i nëpërkëmbte ato vlera, "veprimi i Republikës së Kosovës dhe i imi si komandant suprem i forcave mbrojtëse të Kosovës do të ishte një përgjigje e menjëhershme dhe ndëshkuese ndaj cilitdo armik", theksoi Hoxhaj.

Nga lajmet të cilat kanë arritur prej Administratës së Kuvendit të Kosovës njoftohemi se kryetari i Kuvendit, z. Dukagjin Gorani, do ta ftojë seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, ku në bazë të ngritjes së mocionit nga anëtarët e opozitës së bashkuar të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo, do të ftohet në interpelancë ministrja e Shëndetësisë, znj. Teuta Rrusta, për shkak të, siç u tha, dështimit dhe ngecjes me furnizim të vaksinave kundër COVID-21 për vendet e treta të botës. Mbajtja e seancës parlamentare do të thirret për datën 17 maj 2021.

Vazhdojnë protestat e punëtorëve të pakënaqur me pagat dhe kushtet e punës në kompaninë publike "Kosovodrvo". Kryetari i SPPK-së (Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Kosovës), z. Frashër Krasniqi, deklaroi se nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk u përgjigjet pozitivisht kërkesave legjitime të punëtorëve të kompanisë publike "Kosovodrvo" për rritjen e pagave të tyre si dhe përmirësimin e kushteve të tyre të punës, atëherë ajo do të përballet me grevat e përgjithshme të të gjithë punëtorëve të Kosovës, si dhe do të arrihet një bllokadë totale e veprimit të ekonomisë kosovare. Pritet që shumë shpejt të iniciohen bisedimet midis SPPK-së dhe Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen dhe tejkalimin e kësaj krize dhe pakënaqësie të shfaqur.

Në lidhje me ketë situatë dhe këtë krizë, ne e kontaktuam edhe Avokatin e Popullit, z. Dastid Pallaska, i cili deklaroi se shkelja e të drejtave të punëtorëve të kompanisë "Kosovodrvo" paraqet një shkelje flagrante të të drejtave të punëtorit dhe si e tillë ligjërisht është kollaj e dëshmueshme. Presim veprim të menjëhershëm të Qeverisë për sanimin dhe tejkalimin e këtij problemi, si dhe rimbursimin e punëtorëve në mënyrë retroaktive, e po ashtu edhe përmirësimin e menjëhershëm dhe adekuat të kushteve të punës për punonjësit e kompanisë "Kosovodrvo".

Aktivistët e Partisë së Gjelbër kanë në krye z. Vehbi Kajtazin, i cili u deklarua nga vila e tij e drunjtë në Prevallë me akuza ndaj kompanisë "Kosovodrvo" se po shkatërron pyjet e Kosovës, duke i prerë ato në mënyrë të pakontrollueshme. Shpyllëzimi i pyjeve të Kosovës ka arritur pikën kritike, sipas Kajtazit, dhe do të duhet marrë të gjitha masat ndëshkuese dhe preventive për ruajtjen e pyjeve të Kosovës.

Jua sjellim edhe një lajm nga zhvillimet në botën e teknologjisë të “Kosova Silicone Valley”. Revista e shquar botërore “FORBES”, në njërin nga kryetitujt e vet të radhës, shkruan se magnati i procesorëve të kompjuterëve kuantikë "Zaffa Computers" do t’i prijë listës së më të pasurve të botës, pas ndarjes së Bill Gatesit nga gruaja e tij Linda, si dhe pas pagesave të shkurorëzimit me këtë rast. "Zaffa Computers" do t’i prijë listës së më të pasurve të botës, pasuar nga Jeff Bezos i “Amazonit” dhe Elon Musk i “Space X”.

Ministri i Arsimit, Teknologjisë dhe Shkencës, Abelardë Tahiri, sotë priti homologunë e tij nga Mbretëria e Bashkuarë, Rowan Atkisnonë, dhe bashkarishtë vendosënë se do të punojnë për përafriminë e planprogrameve shkollore dhe ngritjen e cilësisë së arsimitë në Kosovë, që do të pasqyrohetë edhe në suksesinë e testimitë të radhës së PISA-s.

Prej lajmeve nga kultura veçojmë:

Pasi vitin e kaluar u anulua Eurovisioni për shkak të pandemisë, sivjet ai do të mbahet në Rotterdam të Holandës, aty ku do të duhej të mbahej Eurovisioni i vitit 2020 para se të anulohej. Gjysmëfinalet do të mbahen më 18 dhe 20 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 22 maj 2021.

Siç e dimë, sivjet, Republikën e Kosovës në edicionin e Eurovisionit 2021 do ta përfaqësojë Ramush Haradinaj, me këngën "Kah po shkon moj Zanë."

Në pyetjen e opozitës së tanishme joformale dhe asaj formale se pse ekselenca juaj – ambasador i Republikës së Kosovës në Facebook – po bon hajgare, unë përgjigjem: Ju keni filluar të parët!