OpEd

Në dimension tjetër

Deri kah gjysma e shkurtit uroj të kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të votuar. Uroj të mos e luajnë sërish lojën e patriotizmit fake para kamerave - me rastin e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. As ky, as cilido patriotizëm i këtij lloji nuk i jep këtij vendi as buxhet për të operuar, e as nuk ia përmirëson jetën. E nëse nuk e kanë kuptuar ende, ky sikurse edhe suksesi në veri nuk hahen, nuk e ngopin atë që nuk e merr rrogën nga buxheti i shtetit

M’u plotësua dëshira, dhe të gjitha votat u rinumëruan mbrëmë. Rezultati? Mbi 80 mijë vota të vjedhura, të shtuara, të manipuluara – quaje si të duash. Gati 9% e numrit të votave të përgjithshme u përdorën për një pingpong shumë sui generis, si Kosova më, merr këndej e qit andej, e mundësisht bëje axhën deputet.

Rezultati tjetër? Një mandat deputeti i humbur në Kuvend, 157 persona të intervistuar, 35 në paraburgim, e pesë të ndaluar për 48 orë (me gjasat që disa syresh të mbarojnë në paraburgim). Dhe kjo hala pa u marr prokuroria me kandidatët emrat e të cilëve më së shpeshti janë numëruar si vota të vjedhura. Nuk e pata shkruar rastësisht para disa javësh – që edhe fëmijët lakmojnë të bëhen deputetë – superpunën e Kosovës, me shumë prerogativa e beneficione, e me përgjegjësi thuajse minimale.

Çka na tregoi ky proces? Që nuk ka asnjë parti politike që mund të thotë se është e pastër. Nuk pati parti në të cilën vjedhja mes sojit nuk ndodhi. Edhe fare nuk është me rëndësi a janë 7 a 7 mijë vota – fakti është se dikush e ka marrë të drejtën (apo edhe urdhrin, apo edhe është paguar për këtë punë) që ta ndryshojë vullnetin e votuesit.

* * *

Ishte një dhjetor tjetër kur ndodhi vjedhja industriale e votave në të njëjtën kohë kur dilte raporti Marty.

“Gati një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Komisioni Qendror Zgjedhor ka shpallur të hënën rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, në të cilat ka përfshirë rivotimin në tri komunat, Skenderaj, Drenas dhe Deçan, si dhe në dy vendvotime në Malishevë e Lipjan. Gjithashtu në rezultatet preliminare të 12 dhjetorit është përfshirë edhe rinumërimi i dyzet për qind të votave, por nuk janë përfshirë votat e banorëve të Komunës së Mitrovicës, ku do të rivotohet më 23 janar.

Rezultatet preliminare sërish e kanë nxjerrë fitues PDK-në e kryeministrit në largim Hashim Thaçi. Por ndryshe nga 12 dhjetori, kur kishte fituar 33.5 për qind të votave, të hënën KQZ ja ka bërë të ditur se PDK-ja në bazë të rezultateve preliminare ka fituar 32.0 për qind” – thuhej në raportin e “Kohës Ditore” më 11 janar 2011.

Duhet shtuar se atëbotë u rinumëruan vetëm 40% e vendvotimeve – mbase rezultatet do të ishin të tjera po qe se do të urdhërohej anulimi i votave dhe votimi i ri. Mbase. Porse ajo tashmë është e kaluara. Apo do të duhej të ishte, deri në çastin kur e dëgjon një deputet të shumë legjislaturave tek e thotë pa i bërë syri “vër”: “Të gjithë e dinë se votat vidhen nga pak, të gjithë e dinë, nuk është ajo sekret”.

E hetimet po tregojnë se ka të tillë që zanatin nuk e ndërrojnë. Me gjithë përpjekjet për reforma e ripërtëritje, si dhe sjellje fytyrash të reja, PDK-ja mbaron me epitetin e partisë brenda së cilës janë vjedhur më së shumti vota. Pushteti i ëmbël.

* * *

Dhe mendova që e premtja do të sillte lajme më të lehta, që do të shërbenin si hyrje për një fundjavë, e cila duket se do të na sjellë borë. Dhe gabim mendova.

Renditja e pesë lajmeve të para qenë: hajnia e votave; marrja në pyetje e ish-ministrit të Bujqësisë në cilësinë e të pandehurit për rastin e granteve, përfitues i të cilëve ishin edhe të afërmit e ish-deputetes Fitore Pacolli; marrja në pyetje e ministrit në detyrë të Shëndetësisë për Spitalin e Ferizajt; arrestimi i shefit të “Ekoregjionit” për dyshime të keqpërdorimit për blerjen e kamionëve për bartje të mbeturinave, e të cilit i është konfiskuar edhe një kallashnikov (!); zënia në flagrancë (!!!) një 54-vjeçar duke e dhunuar një të mitur 13-vjeçare...

Shto kësaj galerie të kronikës së zezë edhe kërkesën e KESCO-s pardje për ngritjen e çmimit të rrymës për 21%, edhe ndalesh e thua çfarë shoqërie jemi, ku jemi duke jetuar? Do të më thonë se këto janë gjëra që ndodhin në të gjithë botën, porse krahasimi me këdo nuk ndihmon për ta ndier veten të palumtur pse jeton në një vend ku nuk ndodh që të dalë ndonjë lajm, sikurse doli para disa ditësh në Spanjë, se një shkencëtar kishte bërë hapat e parë drejt zbulimit të ilaçit që e shëron kancerin në pankreas.

Natyrisht se nuk ndodh – sistemi ynë arsimor është bazik e shkenca e mirëfilltë (jo ajo e hajnisë që është shkencë më vete) është nocion, shumë, shumë i largët.

* * *

Mbi një vit jemi në një bllokadë të plotë politike.

Tashmë e kemi përsëritur shumë herë: fatkeqësisht, që nga çlirimi, e gjithë politika në Kosovë është ndërtuar rreth ndonjë lideri që synon ta mbajë pushtetin sa më gjatë që të ketë mundësi, duke i shpërfillur edhe Kushtetutën, edhe ligjet – duke u dhënë interpretime ashtu siç u konvenon.

Ajo tirada e vjetme me kandidimin e pafund të Haxhiut për kryeparlamentare e ka pasur për qëllim arritjen e rezultatit të dhjetorit të shkuar, duke i dobësuar rrugës partitë opozitare, që janë gjithçka, veç opozitë nuk janë.

Opozitarizmi i tyre në vitin 2024 u kufizua në bojkotimin e seancave të Kuvendit, ku duhej pasur shumicë të kualifikuar për t’i kaluar marrëveshjet ndërkombëtare. Rezultati? Flakareshat e mëdha që ua krisën votuesit, që duket se e kanë vlerësuar se në këtë treg politik, VV-ja është e keqe më e vogël se PDK-ja e LDK-ja.

Në pesë vjetët që ka mbajtur pushtet, VV-ja nuk ka dëshmuar se ka kapacitete udhëheqëse e as që është në gjendje të ndërmarrë reforma. Gjatë gjithë pesë vjetëve, dikasteret janë barrikaduar dhe janë sjellë në formë krejt jotransparente dhe në jo pak vende në formë të papërgjegjshme. Fakti se një zyrtar shtetëror që merr përgjegjësinë për të vendosur për qytetarin, nuk del t’ia thotë po atij qytetari se çka nuk është në rregull kur shtrohet një pyetje e thjeshtë, flet për arrogancën e pushtetit me shumicë absolute.

Gjatë këtyre pesë vjetëve, qeveria Kurti 2 ka komunikuar nëpërmjet FB-së dhe kryesisht është sjellë thuajse jeton në një dimension tjetër prej atij ku jetojnë qytetarët e Kosovës. Kur i dëgjoje tek lavdëroheshin për përmirësimin e kushteve të jetës, të gjithçkaje në fakt, ndaleshe të mendoje se nëse lajmet që flasin për rritjen e pakontrolluar të çmimeve, pasigurinë e punësimit, krizën ekonomike, mungesën kronike të barnave dhe keqpërdorimet masive me tenderë, sidomos në institucionet shëndetësore... janë prodhim i ndonjë halucinacioni që po e përjetojmë ne, që nuk e jetojmë në lëkurën tonë atë që po na ndodh njësoj si ata që na thonë që kurrë më mirë nuk kemi jetuar.

* * *

Deri kah gjysma e shkurtit uroj të kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të votuar. Uroj të mos e luajnë sërish lojën e patriotizmit fake para kamerave - me rastin e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. As ky, as cilido patriotizëm i këtij lloji nuk i jep këtij vendi as buxhet për të operuar, e as nuk ia përmirëson jetën. E nëse nuk e kanë kuptuar ende, ky sikurse edhe suksesi në veri nuk hahen, nuk e ngopin atë që nuk e merr rrogën nga buxheti i shtetit.

E besoj se tashmë Kurti do të ketë vendosur se kë do ta ketë në kabinet dhe nëse do të na e krijojë një qeveri harmonikë, me 20 a sa ministri, që dikur i kritikonte me shumë vrull. Dështakë në qeverinë e shkuar ka pasur me bollëk dhe gabimin më të madhin bëri që nuk i shkarkoi në mes të mandatit. Është më mirë ta pranojë dështimin e vet kur ka bërë përzgjedhjen e gabuar (apo të imponuar), sesa të dështojmë të gjithë ne si shoqëri për shkak se shkarkimi eventual do t’ia prishte reputacionin asaj qeverie.

Pesë vjet pushtet është dashur të shërbenin si një shkollë e mirë për të dhe për njerëzit që i ka afër. Por, përgjigjet e tij me dozë të rëndë ironie e ritheksojnë shkëputjen e tij nga realiteti. I pyetur për kërkesën për shtrenjtimin e rrymës, tha: “Duhet me e menaxhu faktin se po ngrohemi me rrymë tepër shumë. Përveç asaj që ne ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat në dhoma i kemi dukshëm më të larta se ç’është normale. Kena qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen”.

Mbase edhe e kemi qejf të nxehtin, se nuk e kemi qejf të ftohtin, apo anasjelltas kur të vijë vera – por duhet kujtuar Kurtit që qeveria e tij ka dhënë me mijëra euro subvencione për blerjen e pajisjeve që punojnë me rrymë, për ta siguruar ngrohjen dhe për ta shmangur përdorimin e qymyrit dhe drunjve.

E tash – qysh mbeti puna?

A kemi faj ne që e paguajmë trefish më shtrenjtë rrymën se vjet, apo ata që atë rrymë na e prodhojnë, shpërndajnë e shesin? Dikush milioner, e dikush borxhli... zor se mund të flasësh për prosperitet dhe lulëzimin e shtetit që edhe pas çerekshekulli ka ende problem me rrymë e me ujë.

[email protected]