OpEd

“Ne” dhe palestinezët

Përgjigje Ben Blushit rreth dehumamizimit të palestinezëve, hebrenjve, boshnjakëve, ruandasve e shqiptarëve

1.

E lexova artikullin e Ben Blushit lidhur me mosnjohjen e shtetit të Palestinës, gjegjësisht gabimit të cilin sipas tij e kanë bërë Britania e Madhe dhe Franca (dhe shumë shtete të tjera evropiane apo joevropiane si Australia). Mbase që në fillim do bërë dy sqarime që bëjnë dallimin në analizë mes aktit të njohjes si politikë e shteteve dhe dimensionit të vlerave morale të cilat në shkrimin e Blushit arrijnë shkallë brengosëse dehumanizimi. Pra, është e drejta e shteteve që të njohin apo jo Palestinën dhe nëse Kosova si shtet  evropian nuk e njeh Palestinën ka një raison d’etat (arsye të natyrës shtetërore), siç kanë shtetet e mëdha evropiane si B.e Madhe apo Franca që e kanë njohur. Kosova ka shprehur distancën e vet me Palestinën me faktin se autoritetet e Palestinës i përsërisin autoriteteve të Serbisë se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shqipëria, e cila e ka njohur Palestinën më 1988 por abstenon në rezolutën e OKB-së për njohjen e shtetit palestinez, mund të ketë më shumë interes mbajtjen e marrëdhënieve me këtë Izrael çfarë është sot dhe këtë e ka manifestuar duke pritur me përqafim në Tiranë presidentin e Izraelit Isaac Herzog, të shtetit i cili në të njëjtën ditë (12 shtator 2024)  bombardoi një shkollë në Gaza që shërbente si strehimore refugjatësh , duke vrarë 18 vetë në mesin e të cilëve gra, fëmijë dhe 6 punëtorë të OKB-së.

Në që të dy shtetet përllogaritja e interesit shtetëror i ka vendosur në kampin e shteteve që mbajnë distancë ndaj Palestinës.

Për më tepër, dhe kjo është vërrejtja e dytë, njohja e shtetit të Palestinës ka pak efekt praktik. Palestina do të duhej të ishte shtet që në vitin 1947 dhe OKB-ja këtë e përsëritë deri në ditën e sotme. Palestina njihet nga 157 shtete, në OKB ka ambasador që ia garanton statusi i shtetit vëzhgues të përhershëm, por ky dimension i legjitimitetit nuk e ka mbrojtur nga gjenocidi të cilin e ushtron Izraeli ndaj popullit palestinez.

2.

Këtu, te gjenocidi, besoj ia vlenë të ndalem për të shprehur dallimet thelbësore me z.Blushi i cili përshkruan palestinezët si një popull që nuk arrin të krijojë demokraci, ekonomi dhe shtet dhe pasi që u sugjeron që “duhet të kalojnë një proces ekzorcizmi, duhet të nxjerrin djallin nga shpirti”, shprehet se “Palestina nuk është gati për të bashkëjetuar me pjesën tjetër të botës së qytetëruar”, “nuk është gati për të bashkëjetuar me ne”,  “nuk është gati për të jetuar si ne”. 

Meqë supozoj se me “ne” z.Blushi ka nënkuptuar bashkërisht civilizimin perëndimor dhe shqiptarët brenda tij, besoj se mund të shprehë vijën e thellë ndarëse në intepretim që kam me të. 

Ekziston një arsye themelore pse palestinezët janë në gjendjen në të cilën janë, e ky është okupimi dhe gjenocidi. Populli palestinez, autokton në tokën e vet, ka pësuar spastrimin etnik që nga viti 1947 (Naqba) e deri më sot , me kolonizimin e përditshëm të Bregut Perëndimor (siç quhet shqip West Bank, territor i apostrofuar në shkrimin e z. Blushi). Që nga viti 2023, Izraeli pos gjenocidit të heshtur me spastrim etnik të palestinezëve është duke zhvilluar gjenocidin në Gaza. E, Gaza paralelisht me themelimin e  shtetit të Izraelit u themelua si kampi më i madh i refugjatëve në botë. 

Palestinezëve iu është mohuar toka, prona e sot në veçanti u është mohuar e drejta për jetë. Në atë gjendje popujt nuk arrijnë të krijojnë ekonomi, nuk kalojnë nëpër zgjedhje demokratike. Rrjedhimisht nuk janë si ne.

3.

Pra jo, ne që gëzojmë demokraci, ekonomi në zhvillim dhe perspektivë në komoditetin e kontinentit evropian nuk jemi si ata, palestinezët. Por-do përsëritur-sepse i janë nënshtruar gjenocidit dhe jo për shkak të djallit që mbajnë brenda e që “duhet ta nxjerrin me proces ekzorcizmi”. E kam të vështirë të paramendoj lehtësinë me të cilën i sugjerohet një nëne në Gaza që ka humbur fëmijët e vet në bombardim, nga uria apo mungesa e kujdesit mjekësor, që të kalojë nëpër eksorcizëm në mënyrë që të jetë si ne. E kam të vështirë të paramendoj lehtësinë me të cilën i sugjerohet 2.7 milionë banorëve të përndjekur të Gazës që të ushtrojnë eksorcizëm kolektiv, po atyre banorëve që mesatarisht kanë pasur një fëmijë të vrarë çdo orë prej shatorit të vitit 2023 deri më sot- mbi 20 mijë sosh.

Dhe, e kam të vështirë të paramendoj lehtësinë e predikimit të eksorcizmit sot, kur një gjuhë e këtillë është treguar si dehumanizuese. Nëse palestinezët kanë një djall brenda vetes, atëherë qenka legjitime të vriten, madje të ushtrohet gjenocidi mbi ta. Më 7 shtator të vitit 2025 ministri izraelit i mbrojtjes ,duke shpallur operacionin e gjenocidit në formë “rrethimi” deklaroi se “ne po luftojmë kundër shtazëve njerëzore”.  Gjahu kundër “shtazëve” , atëherë bëhet legjitim.

Dehumanizimi është gjuha që shpien drejt një rruge të sigurt vrasje të tjetrit. Në Srebrenicë, gjenocidit i parapriu përshkrimi i boshnjakëve si të pafe apo “turq”, pra vrasjen e tyre si çlirim (i vonuar) prej osmanllinjve apo si mbrojtje e krishtërimit.  Në Ruanda, nat pas nate populli Tutsi u përshkrua në radion shtetërore si “kacabu”; bëhej krejtësisht pastaj legjitime vrasja në masë e këtyre “insekteve”. Në fund të shekullit XIX, arsyetimi në Serbi për dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre (pra edhe për vrasjen në masë) ishte se ky popull ende ishte i egër, ende nuk ishin njerëz, ishin njerëz me bisht. 

Dhe, themeluesit e Izraelit ishin mbase viktimat më të mëdha të dehumanizimit në shekullin XX. Në Gjermaninë naziste, ditë pas dite ,vit pas viti u bë përshkrimi metodik i hebrenjve si minj, si sëmundje që e rrezikon shëndetin e kombit dhe kështu me radhë. Si rezultat i kësaj fushate dehumanizuese gjenocidi kundër hebrenjve në Gjermani e Poloni dhe vende të tjera të Evropës për ushtarin nazist (dhe përkrahësit e tij që përbënin shumicën e popullatës) nuk ishte vrasje njerëzish, ishte një veprim i mbrojtjes së shëndetit publik. 

Sot, nga trashëgimtarët e të përndjekurve të nazizmit është formuar një klasë politike e cila ndjek në formë sistematike gjenocidin si mjet për t’u spastruar nga pengesat e formimit të një shteti hebre nga lumi në det, nga Jordani në Mesdhe. Pengesat janë fëmijët, gratë e burrat palestinezë, vrasja apo dëbimi i tyre është thjeshtë eliminim i pengesës që pamundëson “pastërtinë hebraike” të Izraelit.

4.

“Ne”, me të cilët sipas B.Blushit palestinezët nuk mund të bashkëjetojnë kemi pak në dorë për të penguar gjenocidin ndaj atij populli. Por disa prej “nesh”  shpëtuam prej gjenocidit që ishte duke u zhvilluar falë ndërhyrjes së NATO-s. Dhe ,disa prej “nesh” që shpëtuam falë ndihmës së tjerëve kemi dy obligime thelbësore. Një, që të përkujtojmë se në kohën kur jetët tona ishin të rrezikuara në Evropë, SHBA dhe shumë vende të tjera të botës  lajmëroheshin njerëz që të vetmen armë kishin zërin e penën e tyre dhe që kërkonin që jetët tona të mbroheshin. Edhe falë tyre,forcës së opinionit publik, demokracitë perëndimore u ngritën për të na e garantuar të drejtën e jetës.

Dhe dy, që me fjalët tona të mos i lëndojmë edhe më palestinezët, posaçërisht nënat e fëmijët-të gjallët, të sakatosurit a të vdekurit- duke i akuzuar se është faji i tyre pse nuk e gëzojnë të drejtën themelore, atë të jetës.

(Ky version i artikullit ka përmirësuar gabimin në versionin e parë të  konstatimit se Shqipëria nuk dëshiron ta njohë Palestinën. Në fakt Shqipëria e ka njohur shtetin e Palestinës më 1988. Palestina ka ambasadë në Tiranë)