Danimarka ka qenë nikoqire e Samitit të Kopenhagës në vitin 1993 ku u miratuan kriteret e Kopenhagës, të cilat ende vazhdojnë të jenë “bibla” e procesit të zgjerimit. Rrjedhimisht, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm të presidencës daneze të Këshillit të BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor do ta kenë një aleat të shkëlqyer në krye të Këshillit të BE-së. Pyetja ngelet, sa do të arrijmë ta shfrytëzojmë këtë mundësi
Nga java e kaluar presidencën e Këshillit të BE-së e mori Danimarka. Ndonëse është presidenca e re, prioritetet ngelin të vjetra. Sot në BE fjala “siguri” e monopolizon çdo diskutim politik dhe publik. Dhe kësisoj sikur presidenca paraprake e BE-së - ajo polake - ashtu edhe presidenca daneze e ka vendosur sigurinë në krye të prioriteteve të saj. Në fjalën e saj, kryeministrja e Danimarkës, znj. Mette Frederiksen, deklaron se Evropa gjendet në momentin kyç të ekzistimit të saj. “Bota që e siguroi lirinë dhe zhvillimin tonë nuk mund të merret më si e mirëqenë. Tani më shumë se kurrë Evropa duhet të ngrihet dhe të qëndrojë e bashkuar. Ne duhet ta ndërtojmë një Evropë edhe më të fortë, një Evropë më të sigurt. Ne duhet ta riarmatosim Evropën dhe ta fuqizojmë mbështetjen tonë për Ukrainën”, thotë Frederiksen.
Kur populli paqësor i LEGO-s flet për “riarmatim”, atëherë ky është treguesi më i mirë për fragjilitetin e sigurisë evropiane. Sot BE-ja po përballet me një rend të ri ndërkombëtar, të karakterizuar nga pasiguria, konkurrenca globale strategjike dhe ekonomike, si dhe intensifikim të konflikteve të armatosura. Në një sfond të tillë BE-ja duhet të jetë e gatshme t’i mbrojë interesat e saj. Fuqia e BE-së qëndron në unitetin evropian, demokraci vibrante, themelet e forta ekonomike dhe barazi sociale. Kjo fuqi duhet të zhvillohet më tej dhe të përdoret për t’i promovuar dhe mbrojtur interesat evropiane dhe rendin ndërkombëtar.
Zhvillimet ndërkombëtare kërkojnë që BE-ja ta çimentoj veten si akter gjeopolitik. Deri në vitin 2030, BE-ja synon të jetë në gjendje ta mbrojë veten, pa ndihmën amerikane. Kjo do të thotë të marrë përgjegjësi për teatrin evropian, duke punuar ngushtë me NATO-n. Në këtë drejtim, pushtimi rus i Ukrainës e ka nënvizuar urgjencën e përshpejtimit të zhvillimit të industrisë evropiane të mbrojtjes. Për presidencën daneze pushtimi rus i Ukrainës është sulm mbi gjithë Evropën. Kjo është edhe arsyeja përse mbështetja politike, ekonomike dhe ushtarake e Ukrainës do të jetë prioritet i presidencës së saj.
Dhe në këtë sfond presidenca daneze e ka njohur qartazi rëndësinë e zgjerimit, duke ia dedikuar një kapitull të tërë në kuadër të programit të saj politik. Dhe jo vetëm se i është dedikuar një kapitull i tërë, por tani zgjerimi renditet si prioriteti numër një në kuadër të punës së Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së. Në këtë kuadër programi e njeh zgjerimin e mëtutjeshëm si prioritet gjeopolitik dhe mënyrë më të mirë që BE-ja të kontribuojë në stabilizimin e kontinentit evropian dhe ta kufizojë ndikimin e akterëve malinj në fqinjësinë e saj. Në gjashtë muajt e ardhshëm Danimarka do ta vazhdojë punën e bërë deri më sot, për t’ua ofruar një rrugë të qartë dhe të besueshme vendeve aspiruese drejt anëtarësimit në BE. Në këtë drejtim presidenca synon të punojë në dy drejtime. Me një anë ajo do t’i ndihmojë vendet e rajonit që të avancojnë tutje në procesin e zgjerimit bazuar në meritat, dhe këtu pitet që Shqipëria dhe Mali i Zi të bëjnë progres të ndjeshëm deri në fund të këtij viti. Gjasat janë tani të mëdha që Shqipëria ta arrijë të pamundurën dhe t’i hapë të gjithë kapitujt e negocimit deri në fund të vitit, ndërsa Mali i Zi të mbyllë kapituj të tjerë negociatorë. Në anën tjetër, Danimarka synon që ta avancojë diskutimin për reformat e brendshme të BE-së për t’u bërë gati për anëtarësimin e vendeve të reja. Në këtë drejtim, deri në fund të këtij viti pritet që Komisioni Evropian t’i publikojë analizat për ndikimin e anëtarësimeve të reja në politikat, buxhetin dhe procesin e vendimmarrjes së BE-së. Presidenca Daneze do të luajë rol të rëndësishëm në jetësimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian brenda Këshillit.
Që nga zanafilla e procesit të zgjerimit Danimarka ka luajtur rol kyç në mbështetjen e anëtarësimit të vendeve aspiruese në BE. Danimarka ka qenë nikoqire e Samitit të Kopenhagës në vitin 1993 ku u miratuan kriteret e Kopenhagës, të cilat ende vazhdojnë të jenë “bibla” e procesit të zgjerimit. Gjashtë muajt e ardhshëm vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë aleat të shkëlqyer në krye te Këshillit të BE-së. Pyetja ngelet, sa do të arrijmë ta shfrytëzojmë këtë mundësi.