Gjatë këtij viti Ukraina vazhdoi reformat evropiane duke qenë në luftë, ndërsa Moldavia duke u mbrojtur nga një grusht shteti. Gjatë këtij viti përderisa Ukraina është marrë me përmbushjen e reformave evropiane në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, ajo u bombardua 70,000 herë nga Rusia. Kjo është 300 bombardime në ditë. Ironia është që ne prapë kemi arsyetim përse nuk i përmbushëm reformat tona
Që nga zanafilla e procesit të zgjerimit gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë trajtuar si kandidatë të vetëm për anëtarësim në BE. Kjo ndryshoi me pushtimin rus të Ukrainës, me ç’rast tri vende të tjera iu bashkuan klubit të anëtarësimit: Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Ky bashkim i ri krijoi dinamika të reja pasi që ofroi mundësi që këto vende tani të krahasohen në mes vete. Dhe në këtë drejtim krahasimi i këtij viti i vendeve tona me Ukrainën dhe Moldavinë ofron një mësim të rëndësishëm. Gjatë vitit 2025 këto dy vende – njëri në luftë kinetike, e tjetri në luftë hibride – shënuan më shumë progres se vendet tona në paqe dhe rahati. Një lexim i shpejtë i konkluzioneve kyçe të Komisionit Evropian për këto dy vende jep pasqyrën e bukur të reformave të ndërmarra nga këto vende përkundër agresionit rus ndaj të cilit është dashur të mbrohen.
Në Ukrainë gjatë gjithë vitit 2025 parlamenti mori pjesë aktive në procesin legjislativ dhe mbikëqyrje efektive të agjendës reformuese. Gjatë një viti, parlamenti miratoi 208 ligje. Parlamenti ktheu "Orën e Pyetjeve për Qeverinë" me qëllim të mbikëqyrjes së ekzekutivit, si dhe miratoi ndryshimet ligjore për të forcuar institucionin suprem të auditimit të Ukrainës. Efikasiteti operativ dhe pavarësia e organeve kryesore kundër korrupsionit - Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO), Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Agjencia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit (NACP) - u përforcuan dhe u vlerësuan pozitivisht. U bë përparim në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të mëdha të korrupsionit, me fokus në rastet e profilit të lartë dhe sigurimin e sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Gjyqësori ka rifilluar zbatimin e funksioneve kryesore, duke përfshirë “vettingun” e gjyqtarëve dhe zbatimin e masave kundër korrupsionit. Në maj të këtij viti, Qeveria miratoi planin e reformës së administratës publike. Strategjia për reformimin e menaxhimit të financave publike është kredibile dhe në zbatim e sipër. Janë ngritur mekanizmat për koordinim të zbatimit të strategjive për reformën e administratës publike dhe financat publike. Plani i ri i punës së Qeverisë 2025-2026 vazhdon të prioritizojë digjitalizimin dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike me qëllim të rritjes së transparencës dhe qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet publike. Në fushën e lëvizjes së lirë të punëtorëve Ukraina mori një vlerësim të lartë për përgatitjen e saj, veçanërisht në harmonizimin e legjislacionit të lidhur me njohjen e kualifikimeve profesionale dhe koordinimin e sigurimeve shoqërore. Në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit u miratua strategjia kombëtare për zhvillimin e sistemit të kujdesit shëndetësor dhe u avancua sistemi i e-Shëndetit. Në fushën e arsimit institucionet ukrainase kanë vazhduar të ndërmarrin hapa për të përmirësuar cilësinë e arsimit. Këtë vit ka hyrë në fuqi ligji i ri për arsimin parashkollor cili synon të arrijë mbulim universal dhe të përmirësojë rezultatet arsimore. Shpenzimet publike për arsimin si pjesë e BPV-së kanë mbetur të qëndrueshme dhe të ngjashme me ato në BE. Lidhur me politikën e ndërmarrjeve dhe industrisë, Ukraina ka ndërmarrë iniciativa strategjike për të përmirësuar konkurrueshmërinë industriale dhe mbështetjen e NVM-ve, siç parashikohet në Strategjinë e NVM-ve 2024-2027. Strategjia bazohet në gjetjet dhe rekomandimet e OECD-së dhe shoqërohet nga një plan veprimi me 86 masa.
Në Moldavi të dy raundet e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 20 tetor dhe 3 nëntor 2024, referendumi kushtetues për anëtarësimin në BE i mbajtur më 20 tetor dhe zgjedhjet parlamentare më 28 shtator 2025 u menaxhuan mirë pavarësisht ndërhyrjes së paprecedentë nga jashtë, sipas OSBE/ODIHR-it. Gjatë vitit 2024, parlamenti miratoi 323 ligje. Qeveria miratoi disa masa për të rritur kapacitetin institucional për ndërmarrjen e reformave dhe përmirësimin e cilësisë së hartimit të politikave lidhur me anëtarësimin në BE. Bashkëpunimi me shoqërinë civile në nivel qeveritar është përmirësuar gjatë periudhës së raportimit. Platformat e përhershme konsultative janë ngritur në të gjitha 14 ministritë. Gjatë vitit 2025, Qeveria ka vazhduar të zbatojë strategjinë për reformën e administratës publike. Strukturat e zbatimit dhe monitorimit të strategjisë janë plotësisht funksionale. Vendi bëri përparim të mirë në reformimin e sektorit të drejtësisë. Vettingu dhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të lartë vazhdoi. Organet e specializuara të Këshillit të Lartë të Prokurorëve janë në përbërje të plotë me anëtarë të verifikuar, ndërsa emërimet në organet e specializuara të Këshillit të Lartë Gjyqësor janë duke vazhduar. Zbatimi i Strategjisë së Reformës së Sektorit të Drejtësisë dhe planit të saj të veprimit ishte i kënaqshëm. Plani i parë Strategjik i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Programi i Zhvillimit Strategjik të Këshillit të Lartë të Prokurorëve u miratuan, duke përfshirë burime financiare për zbatimin e tyre. Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve u ngritën gjatë këtij viti. Rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë përmirësuar. Sa i përket fushës së lirisë së shprehjes Moldavia ka bërë progres të mirë duke miratuar legjislacion të ri për qasjen në informata, zbatimin e ligjit për Fondin e Subvencionimit të Mediave dhe plotësim-ndryshimin e Kodit të Shërbimeve Mediatike Audiovizuale. Moldavia vazhdoi zbatimin e Programit Kombëtar për Promovimin e Sipërmarrjes dhe Rritjen e Konkurrueshmërisë, Programit Kombëtar të Industrializimit dhe Programit Kombëtar të Specializimit të Zgjuar. Gjatë vitit 2025 sistemi i arsimit dhe trajnimit i Moldavisë avancoi reformat e modernizimit të filluara në vitet e mëparshme. Përpjekjet e Qeverisë janë përqendruar në ndërmarrjen e ndryshimeve sistemike në sistemin arsimor, duke theksuar përfshirjen, barazinë dhe cilësinë, dhe duke forcuar koordinimin me partnerët dhe mobilizimin e burimeve vendore dhe të jashtme. Shpenzimet publike për arsimin si përqindje e BPV-së në vitin 2024 ishin 5.4%, që është mbi mesataren e BE-së prej 4.6% të BPV-së. Po ashtu, qeveria avancoi zbatimin e Programit Kombëtar për Hulumtim dhe Inovacion dhe filloi zbatimin e Programit Kombëtar për Specializim të Mençur “Moldavia e Mençur”.
Arsyeja përse vendosa që ta bëj këtë pranëvënie në mes reformave të ndërmarra nga Ukraina dhe Moldavia është sepse këtu në rajonin tonë ne shpesh arsyetohemi se reformat evropiane nuk u përmbushën sepse ato janë shumë të vështira, sepse dikush është duke na bllokuar, sepse nuk ka pasur vullnet politik, kapacitet teknik apo fonde të mjaftueshme. Nga ana tjetër Ukraina i përmbushi pjesën e madhe të reformave evropiane duke qenë në luftë, ndërsa Moldavia duke u mbrojtur nga një grusht shteti. Gjatë këtij viti përderisa Ukraina është marrë me përmbushjen e reformave evropiane në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, ajo u bombardua 70,000 herë nga Rusia. Kjo është 300 bombardime në ditë. Ironia është që ne prapë kemi arsyetim përse nuk i përmbushëm reformat tona.