Me situatën ekzistuese në BE, marrëveshja juridikisht e obligueshme mes Serbisë dhe Kosovës as nuk do të dakordohet, e as nënshkruhet. Madje, edhe nëse ajo marrëveshje edhe nënshkruhet, do të jetë sikur të mos ishte nënshkruar: e nënshkruar në akull dhe pastaj e afruar zjarrit.
Bashkimi Evropian sot nuk mund ta obligojë askë për asgjë. Çdo vendim për çkado duhet të votohet me pajtimin e të gjitha anëtareve të Unionit. Vetëm një shtet, qoftë edhe më i vogli, me veton e vet mund të bllokojë gjithçka. Rekomandimet, rezolutat, deklaratat po edhe vetë vendimet e marra me konsensus, nuk është e nevojshme të respektohen. Nuk ka sanksione të duhura për anëtaret e padëgjueshme, për regjimet dhe firerët që i shkelin edhe vlerat themelore të Unionit, nuk ka sanksione për ata që janë, gjoja, për anëtarësim në BE, ndërsa trenat e tyre “të Brukselit” nisen drejt Moskës, Pekinit, Minskut, Teheranit…
Mbaj sytë mbyllë edhe mos trazo! Kjo është strategjia e administratës në Bruksel. Thua se një fantazmë e Neville Chamberlain-it nga vitet ’30 të shekullit të kaluar po e drejton Bashkimin Evropian. Appeasement! T’u lëshosh pe diktatorëve, madje edhe t’i ndihmosh, për ruajtjen e paqes. Stabilokracia është emri i tanishëm i Chamberlain-ëve të tanishëm. T’i shmangen gjithçkaje që mund të shkaktojë shtrëngatë.
Negociatat e Brukselit mes Serbisë dhe Kosovës edhe më iluzore i bën edhe bllokada në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Po edhe nëse me ndonjë mrekulli, negociatorët nga Beogradi dhe Prishtina edhe nënshkruajnë marrëveshjen e kërkuar, atë do të duhet ta konfirmojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe këtë me veton e vet mund ta pengojë secila nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit.
Është e pritshme që normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës nuk duan ta pengojnë as SHBA-ja, as Franca, as Britania, e ndoshta as Kina. Rusia, fatkeqësisht vetëm Rusia. Konflikti i ngrirë kosovar është një lak rreth fytit të Serbisë, por për atë konop janë të lidhura të gjitha planet e tashme të Moskës së Putinit, në depërtimin e saj tek e ashtuquajtura “botë serbe” në Ballkan.
Kanë kaluar 26 vjet nga marrëveshja paqësore e Daytonit, me të cilën u ndal lufta në BeH, dhe 21 vjet nga kapitullimi në Kumanovë i regjimit të Milosheviqit dhe Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën mori fund lufta në Kosovë. Mos të harrojmë. Paqja nuk është negociuar në bisedime, në çfarëdo negociatash të palëve në luftë. Paqja është imponuar. E kanë imponuar Amerika dhe aleanca e NATO-s.
Fati i paqes së imponuar me dhunë i është lënë në dorë Bashkimit Evropian, qëllimeve të saj më të mira, donacioneve, fondeve. Pa shkop, me shumë karota, me lëvdata të inskenuara dhe me kritika të buta prej turpërimit, Brukseli për dy dekada është përpjekur që t’i evropianizojë dhe civilizojë fiset që ende vështrojnë nga lufta dhe urrejtja, në zemër të Ballkanit.
Rezultati është dëshpërues. Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova, mentalisht, janë në të nëntëdhjetat e luftës. Në të 90-tat është edhe Kroacia, pa marrë parasysh anëtarësimin e saj edhe në BE edhe në NATO. Agjentura ruse, popat e kishës serbe dhe ideologët gjithnjë e më të zëshëm të “botës serbe” e kanë shtyrë në të 90-tat edhe Malin e Zi.
Edhe në Washington, edhe në Berlin, edhe në Paris, edhe në Londër, dominojnë edhe zhgënjimi edhe lodhja me Ballkanin. Durimi është nga fundi. Imponohen, si të domosdoshme, zgjidhjet e imponuara. Me ligjin për dënueshmërinë e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe lartësimit të kriminelëve të luftës, Valnetin ICo paralajmëron një kurs radikal ballkanik të Perëndimit, pa konsiderata për ankesat nga Pekini dhe Moska, kërcënimet e Dodikut me shkëputje të Republikës Serbe, dhe dalldinë politike antiperëndimore dhe mediale në Serbi. Kush nuk do, do të duhet me zor.
Bota është sërish para thyerjeve, edhe rajonale edhe globale, të ngjashme me ato nga koha e rënies së Murit të Berlinit. Është i pashmangshëm konflikti i aleancës trepalëshe SHBA-NATO-BE me ambiciet imperialiste të regjimit komunist në Pekin dhe ndikimit malinj antiperëndimor të nostalgjikëve dhe skifterëve stalinistë në Kremlin.
Ajo Rusi është kundërshtar, por jo edhe armik strategjik. Tërheqja e presidentit Biden nga bllokada e gazsjellësit rus “Nord Stream”, është paralajmërim i marrëveshjeve të ndryshme. Koncesion për koncesion. Krimenë për Kosovën. Vladimir Putini e ka kërkuar këtë që moti.
“Bota serbe” është zheton moskovit për tregti. Ideologët beogradas të këtij projekti të Serbisë së Madhe që në fillim janë pengje të sakrifikuara të një iluzioni të rrezikshëm. Të rrezikshëm për Serbinë dhe për të gjithë popullin serb në shtetet mbi rrënojat e Jugosllavisë.
Bota perëndimore, bota evropiane, dhe jo topat dhe popat.
(Marrë nga cdm.me)