OpEd

Le të mbarojë më!

Është vështirë e besueshme që deri nesër do të binden ose “peshkohen” edhe pesë deputetë që i nevojiten për ta krijuar qeverinë. Në fakt, nuk e besoj madje që ka seriozitet në këtë “peshkim” – qëmoti e morëm vesh se që të gjithë i synonin zgjedhjet e reja. Dikush më herët, e dikush pas zgjedhjeve komunale, që mund ta sjellin një ndryshim qasjeje për zgjedhjet e reja parlamentare, në kuptimin e bashkëpunimit eventual mes partish që, hë për hë, “nuk duan t’ia shohin sytë njëra-tjetrës”

Ka mbi dy vjet që Kosova u vu nën sanksionet e BE-së, për shkak se guxoi t’i niste policët në veri për të vënë rend në katër komuna nën kontrollin e bandave të armatosura të financuara nga Beogradi.

Për më tepër, masat u vendosën në fund të qershorit të 2023-s, ani që në maj pësuan madje 90 ushtarë të KFOR-it – disa syresh me lëndime shumë serioze. U rrahën gazetarët dhe u shkatërruan veturat e disa mediumeve. Po ajo pak kandar çonte. Qëllimi i BE-së qe disiplinimi i Kosovës për shkak se e kërkonte vazhdimin e pafund të një procesi negociator që nuk kishte as këmbë as kokë. Si dhe mbajtjen e status quo-s në veri dhe zgjatjen e jetës së institucioneve paralele dhe institucioneve paralele.

Tre muaj më vonë, Kosova do ta pësonte një sulm terrorist, për të cilin, çuditërisht, madje edhe ish-shefi i diplomacisë evropiane kishte thënë se ishte i tillë. Sulm, i cili pa asnjë dyshim, e dëshmonte se shtrirja e njësive policore në veri kishte pasur arsye shumë të fuqishme. Dhe gjithashtu e dëshmonte se sanksionet e BE-së ishin të pakuptimta dhe se duheshin hequr me urgjencë.

Ka dy vjet flitet për heqjen e sanksioneve. Dy vjet bëhen kërkesa zyrtare nga ana e Kosovës që ato të hiqen, për shkak se përfundimisht janë të padrejta dhe më së shumti u bëjnë dëm qytetarëve. Sanksionet vazhdojnë, sepse ka qenë shumë më lehtë të vendoseshin pa konsensus sesa tash të hiqen pa unanimitet. Hala shihen si shtagë disiplinimi.

* * *

“Ne në Komision jemi në proces të heqjes së masave pas një diskutimi tejet të vështirë në Këshillin e BE-së vitin e kaluar”, e tha Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerim, Jan Kopman.

Pra, në proces, “pas diskutimit që ka ndodhur vitin e shkuar”. Për të shkuar përpara një a dy hapa, mbase duhet pritur edhe një, e më pas edhe një vit. Për Kosovën asgjë e re. Për shkak tashmë jemi mësuar të presim me muaj e me vite që gjërat të zhvillohen e të lëvizin.

Njësoj si me Kuvendin dhe me qeverinë e re, që me gjasë nuk do të bëhet.

Po u afrohemi dy muajve të fundit të vitit, dhe Kosova ende ka qeveri në detyrë, e ka një Kuvend që bëri shtatë muaj deri sa u konstituua dhe i kemi krejt zyrtarët shtetërorë të përfshirë në një formë apo tjetrën, në fushatën zgjedhore për kryetarë komunash. Dhe, kemi ngecje të thellë ekonomike – që vetëm qeveria dhe partia në pushtet nuk duan ta shohin.

Nesër do të mbahet seanca ku pritet të mos votohet qeveria e re. Siç edhe është thënë gjatë gjithë muajve kur me kokëfortësi të qëllimshme insistohej në zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit: VV-ja nuk i kishte numrat atëherë, pra nuk i ka as tash.

Është vështirë e besueshme që deri nesër do të binden ose “peshkohen” edhe pesë deputetë që i nevojiten për ta krijuar qeverinë. Në fakt, nuk e besoj madje që ka seriozitet në këtë “peshkim” – qëmoti e morëm vesh se që të gjithë i synonin zgjedhjet e reja. Dikush më herët, e dikush pas zgjedhjeve komunale, që mund ta sjellin një ndryshim qasjeje për zgjedhjet e reja parlamentare, në kuptimin e bashkëpunimit eventual mes partish që, hë për hë, “nuk duan t’ia shohin sytë njëra-tjetrës”.

Tash, situata krahasuar me 2021-n është më ndryshe. Atëbotë, VV-ja e pati shumicën absolute në zgjedhjet qendrore dhe mbase do të ketë menduar se po ajo inerci do t’i shtynte votuesit t’ia jepnin fitoren edhe në komunale. Nuk doli ashtu: humbi në Prishtinë e në Prizren, shkoi në balotazh në disa komuna dhe në fund mbeti me katër, relativisht të vogla. Në fakt, humbi.

Pas zgjedhjeve qendrore të shkurtit ku nuk arriti ta përsëriste rezultatin zgjedhor paraprak, dhe me gjithë bllokadën që e shkaktoi me muaj të tërë në Kuvend, VV-ja megjithatë ia doli të rritej në numra. Në rundin e parë, ia doli t’i fitonte tri komuna dhe të hyjë në balotazh në madje 12 sish. Por, mbase e ka kuptuar kësaj radhe, se pa i bashkuar forcat me ndonjërën nga partitë kategorikisht të refuzuara për bashkëpunim në nivelin qendror, do ta ketë fort zor që të bëhet me numër rekord kryetarë komunash.

* * *

Deri te rundi i dytë i zgjedhjeve kanë mbetur edhe dy javë, tamam të mjaftueshme për marrëveshje publike ose jo. Tashmë një ndodhi në Vushtrri, ku kandidati i LDK-së i dha përkrahje kandidatit të VV-së, veprim që u kritikua nga qendra e LDK-së në Prishtinë dhe u tha se ishte veprim kokë më vete i kryetarit të degës së partisë atje.

Kombinime marrëveshjesh me siguri se do të ketë shumë, ngase në garë kanë mbetur katër parti (VV në 12 komuna; LDK në 9; PDK në 6 dhe AAK në 5) dhe përfundimisht gara më e madhe do të zhvillohet mes VV-së dhe LDK-së që garojnë kundër njëra-tjetrës në madje 6 komuna, edhe pse komunat më të mëdha, VV-ja do t’i garojë me PDK-në.

Gjithçka mund të ndodhë në ditët në vijim – madje edhe këmbimi i komunave (“unë ta lëshoj këtu, e ti më ndihmon aty”) dhe fuqia e këtyre marrëveshjeve në nivel lokal lehtë do të mund të transponohet në zgjedhjet qendrore që, sipas asaj që e shohim, mund të mbahen më së voni brenda dy muajsh.

Kjo, për shkak se në lojë do të jetë edhe posti i kryetarit të shtetit, plus edhe mundësia jo e vogël, e moskalimit të pragut nga ana e AAK-së dhe NISMA-s, që i ndan rrugët thuajse menjëherë pas zgjedhjeve të shkurtit. Por, meqë interesi për të qenë në Kuvend shkon përtej inateve dhe hidhërimeve të çastit, mund të ndodhë që të bashkohen prapë.

* * *

Ka 38 jave që kanë kaluar nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ne ende flasim për një seancë, për votime të dështuara, për inate, fushata e zgjedhje, ndërkohë që kjo situatë, pra fakti se s’kemi qeveri me kompetenca të plota, merret si arsyetim se përse agjenda jonë evropiane ngec. Ani pse ky është vetëm arsyetim i cili po shfrytëzohet mirë nga Evropa, për t’ia lënë kilen Kosovës. Se fakt i pamohueshëm është se nuk kemi qeveri. E së shpejti nuk do të kemi as buxhet.

Dhe në margjina të këtij rrëfimi, në dukje, të pafund, ndodh edhe një skandal enorm në SHSKUK me blerjen e pajisjeve për personat e paralizuar apo që kanë ndonjë aftësi të kufizuar. Qysh vitin e shkuar janë blerë pajisje në vlerë prej 6.5 milionë eurosh – pra gjashtë milionë eurosh e gjysmë – dhe ato rrinë në depo qysh atëherë.

Po problemi nuk është vetëm te qëndrimi në depo, por te fakti se malli që është blerë ka kushtuar shumë, shumë më shtrenjtë sesa po të ishin blerë online. Edhe po të ishin porositur online me shumicë, do të kushtonin edhe më lirë.

Pra, SHSKUK nuk e pati aspak zor t’i shpenzonte madje 100 euro për një bastun që online blihet për 8 deri në 10 euro. Pse ta kishte zor: janë paratë e buxhetit, dhe prokurimin e realizon kush qysh t’i teket. Dhe po të mos ishte zbulimi i skandalit që e bëri KOHA, nuk e besoj se do të ishte folur për temën.

Dhe në vend se kjo çështje ta marrë vëmendjen e plotë të MSH-së dhe veprimin eventual që do të çonte madje te shkarkimi i menaxhmentit të SHSKUK-së – MSH-ja nuk u bë e gjallë deri dje. Dhe u bë e gjallë vetëm pse “spitali” e akuzonte ministrinë se prokurimi kishte qenë përgjegjësi e saj, ngase ajo e kishte emëruar komisionin vlerësues.

Derisa të përcaktohet fajësia, duhet rikujtuar se ka kaluar një vit dhe personat për të cilët janë porositur këto pajisje nuk janë bërë me to. Ndërkohë, kushedi në çfarë kushtesh ruhen ato pajisje, ngase ekipit të KOHËS ka muaj që nuk i jepet qasje në objekt për ta xhiruar gjendjen brenda. Dhe e fundit në këtë varg: a është e sigurt që të gjitha pajisjet e porositura kanë ardhur? Kjo temë flitet e përflitet që prej qershorit. Nuk kemi dëgjuar që prokuroria të ketë marrë vesh për këtë skandal. Apo mbase 6.5 milionë nuk ia mbushin syrin.

* * *

Politikanët na i kanë dërrmuar nervat sivjet. Nuk do të kishte gjë më të mirë se të merrte fund kjo saga e zgjedhjeve, e që ata që kanë marrë përgjegjësi politike t’u kthehen problemeve reale të cilat po na duhet t’i luftojmë vetë.

Dhe, sa më shpejtë që e kuptojnë se as nuk e kemi rritjen më të madhe; e as nuk jemi vendi me mundësitë më të mira për investime të huaja, por jemi vendi me shumë analfabetë funksionalë; vend me sektorin privat të rrezikuar për shkak të politikave joekzistuese për stimulimin e zhvillimit; me dyshime serioze për korrupsion në thuajse secilin tender të “spitalit”, sa për ta marrë një shembull – aq më mirë për ne.

Sa herë duhet përsëritur: asnjëri nuk jeni më të rëndësishëm se Kosova. Hiç asnjëri.

[email protected]