Besnik Vasolli
Kosova sot përballet me një realitet të thjeshtë por të rrezikshëm, sa më gjatë të zgjasë kriza politike dhe mungesa e një qeverie funksionale, aq më të mëdha janë humbjet ekonomike.
Vetëm vitin e kaluar, mbi 200 milionë euro investime kapitale mbetën të parealizuara për shkak të vonesave dhe procedurave të bllokuara. Çdo ditë pa qeveri është një ditë e humbur për zhvillimin.
Investimet publike janë motori i zhvillimit ekonomik të një shteti
Investimet publike gjenerojnë vende pune, nxisin sektorin privat dhe rrisin produktivitetin. Çdo euro e shpenzuar në infrastrukturë, energji apo arsim shumëfishohet në ekonomi. Por ky proces nuk mund të ecë përpara pa qeveri që miraton buxhetin, hap tenderët dhe nënshkruan marrëveshjet me partnerët ndërkombëtarë.
Çfarë ndodh kur krijimi i qeverisë vonohet?
- Projektet kapitale bllokohen dhe shteti humb nga inflacioni.
- Donatorët pezullojnë disbursimet, pasi kërkojnë vendime formale nga një kuvend ose qeveri funksionale.
- Bizneset dhe bankat përballen me pasiguri, duke vonuar investimet dhe duke kufizuar kreditimin.
Rezultati është i qartë, më pak rritje, më pak vende pune dhe më pak besim.
Goditja e dyfishtë po vjen nga donatorët dhe diaspora, pa dashjen e tyre
Ekonomia jonë mbështetet në remitanca, në fondet e donatorëve dhe investimet e huaja. Kur këto burime dobësohen, pasojat janë të menjëhershme, konsum më i ulët, depozita më pak në banka, deficit tregtar më i madh dhe humbje të fondeve për reforma. E nëse diaspora fillon të dërgojë më pak, goditja bëhet dyfish më e rëndë.
Hapat urgjentë pas formimit të qeverisë
Formimi i qeverisë është hapi i parë dhe më urgjenti. Por pas tij duhen masa konkrete:
1. Rishikim dhe zbatim i buxhetit të projekteve kapitale, duke mbajtur gjallë projektet kryesore të bashkëfinancuara me BE dhe donatorë të tjerë.
2. Krijimi i mekanizmave të posaçëm për të mos humbur fonde donatorësh dhe për të përshpejtuar marrëveshjet ndërkombëtare.
3. Mbështetje për bizneset me garanci kredie dhe lehtësira fiskale për eksportuesit.
4. Ndihmë e targetuar për familjet më të prekura nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimit.
5. Strategji për remitancat, t’i riorientojme ato nga konsumi në investime, përmes fondeve të përbashkëta zhvillimore ose skemave të bashkëfinancimit.
E sa për fund, Kosova ka potencial për rritje dhe zhvillim, por ky potencial nuk aktivizohet pa stabilitet politik dhe vendimmarrje të shpejtë.
Qeveria e re duhet të vendosë orientimin e qartë drejt investimeve publike, partneriteteve ndërkombëtare dhe fuqizimit të diasporës.
Kosova nuk ka luksin e kohës. Çdo ditë pa qeveri është një ditë më pak shpresë për qytetarët dhe bizneset tona. Ju lutem gjeni konsensusin e duhur dhe krijoni qeverinë sa më shpejtë.
(Autori është drejtor i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare)