OpEd

Kosova dhe Palestina

Në praktikë Kosova është shtet funksional, me kufijtë e saj dhe ushtrim të pushtetit. Madje e përmendin si shembull të shtetformimit që në të ardhmen duhet ta ndjekë Palestina. Në aspektin formal Palestinën e kanë njohur më shumë shtete sesa që e kanë njohur Kosovën. Një shikim në listën e shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që e kanë njohur Palestinën dëshmon hipokrizinë e disave prej tyre. Dëshmon se njohja është thjesht një veprim politik. Prandaj Palestinën e kanë njohur disa shtete, përfshirë edhe evropiane, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Hipokrite është edhe deklarata e një ambasadori palestinez, i cili tha se Kosovën nuk e ka njohur pasi ajo e ka hapur Ambasadën në Jerusalem. Nëse kjo ka qenë vërtet arsyeja, atëherë kanë pasur plot 13 vjet për ta bërë këtë para se Kosova ta hapte këtë ambasadë

Ditëve të fundit është përmendur shumë rasti i Kosovës kur është folur për bërjen e Palestinës shtet funksional. Madje përflitet se instituti “Toni Blair”, një organizatë e themeluar nga ish-kryeministri britanik, ka përpiluar një plan që territori i Gazës të vendoset nën një administrim ndërkombëtar gjatë së cilit do të krijoheshin strukturat e shtetit për të marrë një ditë pushtetin e plotë në një Palestinë si shtet sovran.

Kosova prej çlirimit të saj ishte e vendosur nën një administrim ndërkombëtar. Gjatë asaj periudhe paralelisht, me ndihmën ndërkombëtare, krijoi institucionet e vetadministrimit. Pastaj, përmes një procesi ndërkombëtar, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, doli propozimi për statusin e Kosovës dhe në bazë të këtij propozimi të zgjedhurit politikë të popullit të Kosovës shpallën Pavarësinë. Kjo pavarësi u njoh nga shumë shtete, por për shkak të keqpërdorimit të së drejtës së vetos nuk u njoh edhe nga Kombet e Bashkuara. E ndarë ishte edhe BE-ja, pasi pesë nga 27 vende të saja anëtare nuk e njohën Kosovën. Nuk e njohu as Serbia. Dhe mosnjohja nga Serbia u mor si arsyetim nga disa shtete për të pohuar se shpallja e pavarësisë ishte e njëanshme. Mospajtimet për Pavarësinë e Kosovës vazhdojnë, Serbia nuk e njeh dhe thotë se “nuk do ta njohë kurrë”. BE-ja nuk mund ta njohë si shtet, pasi kjo çështje, e cila i takon edhe politikës së jashtme, është në fushën ku vendoset njëzëshëm nga të gjitha vendet anëtare.

Në anën tjetër, më shumë se 150 shtete të botës tashmë e kanë njohur pavarësinë e Palestinës. Ani pse Palestina nuk i ka strukturat kryesore të shtetit të saj në të gjithë territorin që konsiderohet se do të duhej t’i takonte atij shteti.      

Në praktikë Kosova është shtet funksional, me kufijtë e saj dhe ushtrim të pushtetit. Madje e përmendin si shembull të shtetformimit që në të ardhmen duhet ta ndjekë Palestina. Në aspektin formal Palestinën e kanë njohur më shumë shtete sesa që e kanë njohur Kosovën. Një shikim në listën e shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që e kanë njohur Palestinën dëshmon hipokrizinë e disave prej tyre. Dëshmon se njohja është thjesht një veprim politik. Prandaj Palestinën e kanë njohur disa shtete, përfshirë edhe evropiane, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Hipokrite është edhe deklarata e një ambasadori palestinez, i cili tha se Kosovën nuk e ka njohur pasi kjo ka hapur Ambasadën në Jerusalem. Nëse kjo ka qenë vërtet arsyeja, atëherë kanë pasur plot 13 vjet për ta bërë këtë para se Kosova ta hapte këtë ambasadë.

Mbështetja për krijimin e shtetit të Palestinës është një qëndrim i drejtë. Dhe është mirë që për këtë nuk ka dallim as në mesin e shteteve të BE-së. As ato që nuk e kanë njohur Palestinën nuk e mohojnë se ajo duhet të jetë shtet. Vetëm duan që kjo të bëhet përmes realizimit të qëllimit të “dy shteteve”, pra Palestinës dhe Izraelit, si shtete të ndara që do të jetonin në paqe në fqinjësi të mirë mes vete.

Është interesante se asnjëherë në BE nuk është thënë në emër të gjithë BE-së se Kosova duhet të jetë shtet. Pra, duket se ka më shumë pajtim që Palestina duhet të jetë shtet sesa për atë që Kosova tashmë është shtet.  Vendet si Gjermania, Kroacia, Austria, Italia dhe disa tjera që nuk e kanë njohur Palestinën thonë se do ta njohin në disa rrethana të tjera. Vendet si Spanja, Qipro apo Sllovakia nuk thonë se do ta njohin Kosovën. As BE-ja nuk thotë për shembull se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me formulën e dy shteteve.

Interesante është se Spanja ishte vendi më aktiv në BE në favor të njohjes së Palestinës ndërsa, në anën tjetër, është shteti më aktiv për ta kundërshtuar çfarëdo trajtimi të Kosovës si shtet. Argumenti i Spanjës ishte se Kosova është bërë e pavarur në mënyrë unilaterale dhe këtë nuk e ka pranuar Serbia. Ky argument u rrëzua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe nuk  e ka shkelur as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë, në të cilën shpesh bazohet Serbia për ta kundërshtuar Pavarësinë e Kosovës, nuk e kishte vendosur statusin e Kosovës, por e kishte lënë të hapur që kjo të ndodhë përmes një procesi politik, gjë që ndodhi dhe rezultoi me pavarësi të shpallur sipas një propozimi ndërkombëtar. Spanja, sipas të njëjtit argument, do të mund të mos e njihte Palestinën pasi me një njohje të tillë nuk pajtohet Izraeli.

Ajo që në rastin e BE-së, si me Kosovën ashtu edhe me Palestinën, është e pakëndshme, është se në të dyja rastet tregon sa të thella janë ndasitë. E këto ndasi e bëjnë kredibilitetin e BE-së në skenën ndërkombëtare shumë të brishtë.        

Këto ndasi do t’i shfaqin edhe para syve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Njohja e Palestinës nga Britania, Kanadaja, Australia e Franca, në kohën kur Amerika fuqishëm kundërshton një gjë të tillë, dëshmoi po ashtu se sa është larguar SHBA-ja nga aleatët e deritashëm tradicionalë të saj.

Në anën tjetër, njohjet nga vendet si Franca, Spanja, Belgjika, Portugalia dhe disa vende tjera nuk do të ndryshojë asgjë në terren. Sepse Izraeli do të vazhdojë me operacionet e veta në Gazë, derisa ta ketë mbështetjen e pakusht të Shteteve të  Bashkuara të Amerikës. Njohja e shtetit të Palestinës nga disa vende evropiane nuk do ta ndryshojë këtë. Mund ta ndryshojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E SHBA-ja, në mandatin e dytë të Trumpit, thjesht nuk çan kokën për askënd.
Edhe pse numri i shteteve që e kanë njohur Palestinën është më i madh sesa i atyre që e kanë njohur Kosovën, nuk ka dyshim se Kosova është në një pozitë shumë më të mirë. Pra, Kosova është edhe shembulli më i mirë i ndërtimit të shtetit demokratik.