OpEd

Koncerti i ri Global i Trumpit

Koncerti i fundit evropian arriti me sukses të ruajë paqen evropiane për një shekull. Në fund, ai kolapsoi me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Tani është koha të shohim se çfarë fati do të ketë Koncerti i ri Global i Trumpit

Janë shumë mënyra për të parë historinë moderne të rendit ndërkombëtar, por mënyra më pedante është e të parit atë në katër faza të ndara.

Faza e parë ishte ajo e bashkëpunimit të fuqive të mëdha në fillim të shekullit XIX. Pra, pas luftërave revolucionare franceze dhe luftërave napoleonike, fuqitë evropiane kuptuan se duhet të ngrenë një lloj arkitekture, e cila do ta ruante rendin evropian dhe global. Kjo bëri që fuqitë kryesore të kohës (Austria, Anglia, Prusia, Rusia dhe Franca) ta ngrenë Koncertin Evropian. Synimi ishte që të kontrollohen lëvizjet revolucionare që e kërcënonin rendin monarkik dhe territorial, si dhe të ofrohet një kornizë e bashkëpunimit politik për t’i menaxhuar interesat e fuqive të mëdha. Termi “sferat e influencës” nuk ishte shpikur ende, por ky ishte një nga mjetet kryesore të operimit të koncertit.

Ndonëse sferat e influencës do të jenë mjet kryesor i funksionimit të Koncertit të Evropës, ai do të jetë edhe arsyeja e fundit të tij. Një zinxhir i mosmarrëveshjeve dhe i interesave të kundërta do të dërgojë fuqitë evropiane drejt dy luftërave botërore. Nga ky vullkan konflikti do të lindë një sistem shumë më i thjeshtë i rendit global, me vetëm dy fuqi të mëdha: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik.

Vija ndarëse e këtyre dy fuqive ishte ideologjike. Sovjetikët e urrenin kapitalizmin, amerikanët i frikësoheshin komunizmit. Kësisoj lindi faza e dytë e rendit modern ndërkombëtar: Lufta e Ftohtë. Ndonëse dy kundërshtarët nuk e duronin njëri-tjetrin, ata nuk e duronin më shumë kaosin. Rrjedhimisht, nga frika e luftës bërthamore dhe e kaosit ata zgjodhën ta ndajnë globin në dy pjesë, duke i respektuar sferat kyç të influencës së njërit-tjetrit, ndonëse pranuan një dozë të konfliktit të kontrolluar në margjinat e perandorive.

Me kolapsin e Bashkimit Sovjetik, kolapsoi edhe faza e dytë e rendit modern ndërkombëtar, duke hapur rrugë kështu për fazën e tretë – atë të momentit unipolar amerikan. “Momenti unipolar amerikan” ishte term i shpikur nga Charles Krauthammeri, i cili duke e vështruar botën më 1990 konkludoi se SHBA-ja tani ishte fuqi e vetme globale dhe pa rivalë të vërtetë. Asnjë konkurrent global nuk e kishte aftësinë t’i konkurronte fuqisë politike, ushtarake dhe ekonomike amerikane. Por ishte po ashtu vetë Krauthammeri, i cili parashikoi se ky moment amerikan është përjashtim nga rregulli historik dhe shumë shpejt do të sfidohet nga shtete të tjera në rritje. Ky parashikim u jetësua relativisht shpejt.

Në fillimet e këtij shekulli që e jetojmë ka nisur një tranzicion nga unipolariteti amerikan drejt multi-polaritetit, i cili po shprehet në veçanti nëpërmjet dëshirës së fuqive të mëdha që t’i kontrollojnë hapësirat e caktuara gjeografike në fqinjësinë e tyre. Kësisoj, dalëngadalë historia po e përsërit veten, duke na kthyer në zonat e vjetra të influencës. Konkretisht flasim për tri fuqi të mëdha: SHBA-në, Kinën dhe Rusinë. Kina dhe Rusia po e përdorin një paletë mjetesh ushtarake, ekonomike, teknologjike dhe diplomatike për ta sfiduar pushtetin amerikan dhe për të krijuar një model alternativ të rendit global. Askund sot kjo nuk është më e dukshme sesa në Ukrainë dhe në ishullin e Tajvanit.

Arsyeja përse vendosa ta bëja këtë panoramë të evoluimit të rendit ndërkombëtar është për ta vendosur kontekstin apo pikturën e madhe të zhvillimeve të fundit në Ukrainë. Pra, këtë javë kuptuam se SHBA-ja dhe Rusia janë duke punuar intenzivisht për të arritur te një lloj marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë. Ukraina, Evropa apo Kanadaja mund të kenë komente të caktuara, por korniza e madhe e marrëveshjes është duke u vendosur nga Washingtoni dhe Moska. Thënë ndryshe, Trumpi e sheh botën nga optika e shekullit XIX, ku fuqitë e mëdha e ruajnë ekuilibrin e interesave të tyre, duke evituar përplasje të drejtpërdrejta dhe duke zgjidhur konflikte lokale që e kërcënojnë stabilitetin e përgjithshëm.

Në vend që të përpiqet t’i mposhtë Kinën dhe Rusinë, Trumpi dëshiron t’i bindë ato që të punojnë me të për ta menaxhuar rendin ndërkombëtar, duke u garantuar një nivel të zonës së influencës.

Ai kërkon nga ata bashkëpunim, jo konkurrencë. Kësisoj, ai e synon një Koncert të ri Global. Koncerti i fundit Evropian arriti me sukses ta ruajë paqen evropiane për një shekull. Në fund, ai kolapsoi me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Tani është koha të shohim çfarë fati do të ketë Koncerti i ri Global i Trumpit.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK)