OpEd

Koha për energjinë: A do qymyr, zotni?

Kujtim Dobruna

Kujtim Dobruna

“A do qymyr, zotni?” Kujt nuk i kujtohet ky tregim i Migjenit, që portretizon thjeshtësinë e ndershme, por naive të malësores përballë qytetarisë cinike. Sa herë që mendoj për qymyrin e Kosovës dhe projektet tona energjetike, s’ka si të mos më shkojë mendja te malësorja e bukur dhe e pasherr, që përpiqet të shesë qymyr për bukën e gojës, por përballet vetëm me përbuzje, ironi dhe manipulim nga kalimtarët. Në fund, ajo ruan dinjitetin, por qymyrin nuk e shet.

Njëjtë edhe ne, që sivjet shënojmë 20-vjetorin e nisjes së planifikimeve, tenderimeve dhe premtimeve të dështuara. Kështu mund të përmblidhet përpjekja e Kosovës për të ndërtuar kapacitete të reja energjetike, që nga ideja e termocentralit “Kosova C” deri tek ajo për hidrocentralin e Zhurit. Dy dekada më vonë, vendi mbetet i varur nga termocentralet e vjetra dhe ndotëse, pa asnjë burim serioz të ri prodhues në horizont. Liberalizimi i tregut të energjisë për konsumatorët e mëdhenj, i nisur më 1 qershor, e riktheu çështjen në vëmendje, por si gjithnjë, debati publik mbeti sipërfaqësor, i cunguar dhe jetëshkurtër.

Në mungesë të vizionit strategjik, diskursi publik vijon të ngufatet nga akuza të ndërsjella dhe një kulturë politike, që reagon vetëm ndaj krizës. Por, për dallim nga rastet e tjera, dështimi institucional për energjinë shkon përtej politikës vendore: është edhe dështim i reformuesve ndërkombëtarë, i konsulentëve me nam dhe i institucioneve multilaterale, që herë përkrahën e herë penguan projektet tona strategjike energjetike.

Një histori dështimesh

Të shkojmë me radhë. Më 2005 u publikua plani për “Kosovën C”, që parashihte një termocentral me kapacitet prej 2,100 MW. I trashëguar nga planet industriale jugosllave, projekti mori mbështetje të fuqishme nga BE-ja, ShBA-ja dhe Banka Botërore. Investitorë të mëdhenj nga Gjermania, Çekia, Greqia, SHBA-ja e gjetiu shfaqën interesim konkret. Por më 2009, gjithçka ndryshoi papritmas: përkrahja ndërkombëtare u tërhoq, kapaciteti i rekomanduar u zvogëlua në 600 MW, dhe u kërkua që në tender të përfshihej rehabilitimi i Kosovës B, ndërsa Kosova A të dekomisionohej. Kjo çoi në largimin e investitorëve të huaj, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare humbën gatishmërinë për ta financuar projektin për shkak të ndryshimit të strategjisë drejt burimeve të ripërtëritshme.

Madje, më 2013 Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për procesin e integrimit të Kosovës në BE, ku theksohej se ndihma financiare duhej të fokusohej vetëm në projektet e energjisë së ripërtëritshme, dhe kërkohej mbyllja e termocentraleve ekzistuese, sepse binin ndesh me objektivat klimatike të BE-së. Krahas kësaj, që nga 2005, i gjithë projekti u shoqërua me fushata intensive mediatike nga grupe të ndryshme interesi, që në asnjë rast nuk dëshmuan se përfaqësonin interesat energjetike të Kosovës, por ato të grupeve jashtë saj, pa ofruar alternativa realiste për një vend që ende varet nga thëngjilli për më shumë se 90 për qind të energjisë së tij.

Shpresa e fundit për Kosovën e Re u shua me tërheqjen nga gara të kompanisë amerikane “ContourGlobal”, që Kosovës i kushtoi edhe 20 milionë euro në arbitrazh. Kundërshtarët e projektit të ri-reduktuar në 500 MW, argumentonin se çmimi i garantuar prej 80 euro për MWh dhe garancitë e tjera përcjellëse që Kosova do të detyrohej t’i jepte për projektin, mund të rrezikonin qëndrueshmërinë buxhetore, madje ta çonin vendin në falimentim. Tërheqja e “ContourGlobal” ishte pasojë e këtyre kundërshtimeve, si dhe e tërheqjes së mëvonshme të Bankës Botërore dhe BERZH-it nga projekti.

Në anën tjetër, hidrocentrali i Zhurit, për të cilin ishin përfunduar të gjitha studimet e nevojshme dhe që rezultonte lehtësisht i realizueshëm me kapacitet prej 305 MW dhe funksion si rezervë sekondare dhe terciare për sistemin energjetik, u zhduk pa zhurmë nga planet dhe strategjitë e reja.

Një taksonomi e re në BE

Agresioni rus në Ukrainë ekspozoi shkurtpamësinë dhe varësinë e rrezikshme energjetike të Evropës nga Rusia. E ndodhur përballë krizës më të madhe energjetike që ka përjetuar në dekada, BE-ja për vete ndryshoi qasje. Me planin REPowerEU, gazi dhe energjia bërthamore u kategorizuan si “të gjelbra” në taksonominë financiare. Njëkohësisht, në mungesë të alternativave të gatshme, qymyri u pa si një burim që ofron energji të menjëhershme dhe të kontrollueshme, e jo si regres, por si domosdoshmëri strategjike.

Sipas “Financial Times”, të paktën katër vende, Gjermania, Holanda, Greqia dhe Çekia lejuan nga 2022 rritjen e prodhimit nga termocentralet me qymyr. Vetëm gjatë vitit 2023, më shumë se çereku i energjisë elektrike të gjeneruar në Gjermani vinte nga thëngjilli, përderisa në Poloni kjo kalonte vlerën prej 50 për qind. Në rajon, varshmëria nga ky resurs është edhe më e lartë: Serbia dhe Bosnja gjenerojnë mbi 60 për qind të energjisë nga qymyri, ndërsa Maqedonia e Veriut mbi 50 për qind. Të tria këto vende janë të lidhura me rrjetet ndërkombëtare të gazit, kurse Serbia vazhdon të përfitojë nga furnizimet e lira ruse. Kosova nuk është. Ajo vazhdon të prodhojë energji nga termocentrale të stërvjetruara, që ndotin vazhdimisht ajrin, ujin dhe tokën, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e mbi gjysmë milioni qytetarëve.

Duke qenë se nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe integrimi në BE mbetet një ëndërr e largët, ndërtimi i një termocentrali të ri me qymyr, por me teknologji moderne, mbetet e vetmja rrugë për të garantuar siguri energjetike, reduktim të ndotjes dhe qëndrueshmëri ekonomike. Djegia e qymyrit nuk është zgjidhja e së ardhmes, por në këtë moment, është ura që na çon drejt saj.

Çka duhet bërë?

Megjithëse gjasat për të siguruar investime ndërkombëtare për realizimin e një termocentrali të ri me qymyr janë të ulëta, një zgjidhje e qëndrueshme mund të vijë nga bashkëpunimi me Shqipërinë. Si hap i parë, duhet të unifikohet gjenerimi. Të dyja vendet tashmë funksionojnë si një bllok energjetik i integruar, të lidhura përmes linjës 400 kV dhe bursës së përbashkët ALPEX. Ky integrim mundëson rritjen e fuqisë financiare për investime të mëdha, balancim në kohë reale, stabilitet të rrjetit, një miks të pranueshëm gjenerues dhe kursime të konsiderueshme.

Në këtë kuadër, Kosova dhe Shqipëria mund të investojnë së bashku në një varg projektesh energjetike. Fillimisht, në një termocentral modern me qymyr me kapacitet 500 MW, për të zëvendësuar kapacitetet e vjetra ndotëse të Kosovës A dhe për të siguruar furnizim bazë me emetime më të ulëta. Pastaj në një termocentral tjetër, me gaz natyror, që do të shtonte fleksibilitetin për të përballuar mungesat sezonale të energjisë së ripërtëritshme. Tutje, investimet në sisteme të përbashkëta të ruajtjes me bateri, do të rrisnin qëndrueshmërinë dhe reagimin e rrjetit, kurse ndërtimi i hidrocentralit të Zhurit me kapacitet 305 MW dhe i projekteve të reja solare do ta përforconin ndjeshëm portofolin e energjisë së ripërtëritshme.

Më vonë, të dyja vendet duhet të shqyrtojnë seriozisht ndërtimin e një termocentrali të përbashkët bërthamor, një hap ambicioz, por i domosdoshëm për siguri afatgjatë dhe furnizim të qëndrueshëm me karbon të ulët, si dhe në linjë me taksoniminë e re të BE-së. Me zhvillimin e shpejtë të ekonomisë digjitale dhe Inteligjencës Artificiale, që shkaktojnë konsum të lartë të energjisë, këto kapacitete do të ishin parakusht për industrinë e së ardhmes.

Duke vepruar si një bllok energjetik i vetëm dhe i koordinuar, Kosova dhe Shqipëria mund të rrisin qëndrueshmërinë, të ulin varësinë nga importet, të tërheqin investime dhe të marrin një rol udhëheqës në tranzicionin energjetik të rajonit drejt një të ardhmeje të pastër, të sigurt dhe të integruar.

Deri atëherë, “qymyri i malësores” nuk është mall për t’u përbuzur. Është simbol i asaj që kemi sot, jo i asaj që synojmë nesër. Por pa e përdorur me mençuri këtë që kemi, rruga drejt së nesërmes mbetet vetëm dëshirë. Malësorja e Migjenit nuk kishte luksin e ideologjive, ajo kishte nevoja konkrete. Ashtu edhe Kosova: me dinjitet dhe vizion, duhet të "shesë" qymyrin e vet, jo për të mbetur në vend, por për të ecur përpara.