OpEd

Këndellu LDK!

LDK-ja mbase ende nuk e ka kuptuar, e do të duhej, se mban një pjesë të madhe faji për gjendjen në të cilën gjendet Kosova. Gjithashtu duhet të kuptojë se falë rrethanave politike, po i jepet shansi që të dëshmojë se ka ndryshuar në esencë dhe se do t’i përqendrojë përpjekjet për ta përmirësuar gjendjen e përgjithshme; e jo për ta ushqyer egon e atyre që tashmë janë dëshmuar dështakë në kohën kur kanë qenë ministra të një qeverie që e kanë bërë bashkë me PDK-në.

Britania e Madhe i mbajti zgjedhjet parlamentare të enjten, prej mëngjesit e deri në orën 22:00, kur u mbyllën vendvotimet. Rreth 32 milionë votues dolën për të përcaktuar fatin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian. Brenda natës u kuptua se kryeministri në dalje, Boris Johnson, i kishte fituar zgjedhjet dhe se me gjasë janari do ta shënojë periudhën kur Britania do të dalë përfundimisht nga BE-ja.

Pra, që të premten, Britania e Madhe, që ka 47 milionë votues, ishte në gjendje të dinte se kush i ka fituar zgjedhjet dhe të nisej drejt konstituimit të Parlamentit të ri brenda ditësh. Sepse nuk ka kohë për të pritur. Kosova, dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve më në fund e kuptoi se më 26 dhjetor do ta konstituojë kuvendin e ri, porse ende nuk e di nëse do të ketë Qeveri dhe, nëse do të ketë, si do të duket kjo Qeveri.

Qëmoti është folur për domosdonë e reformës zgjedhore, dhe në secilën legjislaturë kjo çështje është lënë për legjislaturën në ardhje, duke mos e rrumbullakuar këtë proces asnjëherë. Dhe, duke na lënë që të përballemi përherë me situatën e njëjtë: që as një milion vota të mos mund të numërohen për më pak se dy muaj.

Humbje kohe kot

Po të kishte pasur marrëveshje qeverisëse që në ditën e parë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, mbase deri tash do ta kishim të konstituuar Kuvendin dhe do ta kishim edhe një Qeveri që do t’i merrte detyrat në një situatë kur Kosova ka nevojë urgjente për futje të rendit dhe disiplinës në punë gjithandej.

Bisedat ndërmjet Kurtit dhe Mustafës po vazhdojnë në formë të kohëpaskohshme, ani që tashmë Kurti shpesh përsërit se është arritur marrëveshja programore, dhe se janë gati të shkojnë tutje me këtë koalicion. Aty ku duket se tashmë e kanë arritur marrëveshjen është ndarja e posteve ministrore, ku MPB-ja, e jo MPJ-ja, do t’i takojë LDK-së. Përflitet, dhe kjo punë ka mbetur për t’u vërtetuar, se Ministria e Kulturës do t’u takojë përfaqësuesve të minoriteteve joserbe dhe ajo e Komuniteteve do t’i shkojë përfaqësuesit të komunitetit serb.

Nëse vërtet Ministria e Brendshme mbetet me LDK-në, ky nuk është fort lajm i mirë. Të kujtomë se ky dikaster ka qenë edhe nën kontrollin e LDK-së në të shkuarën, dhe nuk është se është veçuar për ndonjë sukses të madh të luftimin e krimit. Shumë do të varet nga njeriu i cili do të caktohet që ta udhëheqë këtë dikaster, nëse tashmë i takon një strukture ekzistuese që nuk është dëshmuar për efikasitet. Po qe se është njeri i ri, i papërlyer nga më parë, mbase edhe do të mund të bëjë ndryshime brenda. Pa paragjykuar, duhet pritur zgjedhjen e Qeverisë dhe emërimin e ministrit përkatës. Më pas duhet dhënë shansin në 100 ditët e para për të kuptuar nëse qasja e këtij personi do të jetë profesionale apo partiake.

Kush kryetar?

Natyrisht, kjo që u tha më lart është e kushtëzuar me marrëveshjen përfundimtare rreth temës që e ka lidhur nyjën e paplanifikuar: posti i kryetarit të shtetit. Insistimi i fuqishëm dhe, në këtë situatë, absurd, i LDK-së për t’u bërë me postin i cili nuk lirohet para viti 2021, tregon për një problem serioz përbrenda LDK-së.

Përpjekjet e përfaqësuesve të LDK-së për t’u arsyetuar duke “kundërargumentuar” se “po të kishte fituar LDK-ja posti i kryetarit do të ishte i VV-së”, është një rrenë e kulluar. Paramendojeni situatën tash, kur si humbës insiston të ketë edhe kryeparlamentarin/en, edhe zëvendëskryeministrin/en e parë dhe kryetarin/en e shtetit, çfarë do të kishte bërë nga pozita e arrogancës së fituesit: i kishte kërkuar që të tri postet për vete, duke thënë se është fituese e zgjedhjeve, dhe se për shkak se është partia më e vjetër, nënkuptohet se i takojnë të gjitha.

Po thuhet se postin e kryetarit me kryeneçësi po e kërkon për vete Isa Mustafa. Mbase. Porse jam e prirë të besoj se këtë post po e kërkon për ta qetësuar pakënaqësinë dhe ndasinë brenda partisë, në të cilën shumë qartë dallohen krahu i të rinjve në krye me Osmanin, nga krahu i të vjetërve në krye me Hazirin dhe Veliun. Nuk duhet shumë imagjinatë për ta vërejtur animozitetin që e shprehin ndaj Vjosa Osmanit. Nuk kanë qenë të rastësishme muhabetet që bëheshin para zgjedhjeve kur ende nuk dihej nëse Osmani do të caktohej kandidate për kryeministre dhe bartëse e listës. Atëherë thuhej se Haziri do të bëhej kryeministër e Veliu kryetar i shtetit – kjo në kohën kur mendohej se mund t’i fitonin zgjedhjet dhe t’i vendosnin krejt kushtet që do t’ua kishte marrë mendja.

Kushtet vazhdojnë t’i qesin në tavolinën e bisedimeve, për shkak se e dinë se VV-ja vetëm nuk mund ta krijojë Qeverinë, dhe më parë do të shkonte në zgjedhje sesa të lidhte marrëveshje me ndonjë parti tjetër. Porse insistimi për përkrahje bllanko për këtë post nuk ka ndonjë logjikë, me gjithë koncesionet që janë bërë deri tash. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të premtimit elektoral të Osmanit se kryetari i shtetit duhet të jetë një zgjedhje konsensuale dhe jo domosdo partiake.

Sido që të jetë, zvarritja e mëtejme e bisedimeve mbi këtë temë është jo pak irrituese për votuesit dhe për njerëzit që presin që një qeverisje e re të instalohet në këtë vend, pas 20 vjetësh keqpërdorimesh dhe abuzimesh me pushtetin.

Nuk duhet harruar se institucioni i kryetarit të shtetit ka qenë njëra nga arsyet se përse kemi pasur qeverisje të këqija për shkak se ka qenë rezultat pazaresh. Ta kujtojmë zgjedhjen e parë të Haradinajt për kryeministër, që ishte çmimi i cili u pagua që Rugova të zgjidhej kryetar. Më pas zgjedhjen e Thaçit për kryeministër për ta mbajtur Sejdiun kryetar; më pas zgjedhjen e Jahjagës, në një marrëveshje absolutisht kundërkushtetuese ndërmjet LDK-së e PDK-së dhe përfundimisht votat e LDK-së që ishin vendimtare për zgjedhjen e Thaçit kryetar. Mbas gjithë këtyre vjetëve dhe kikseve politike, LDK-ja është dashur të nxirrte mësim nga kjo punë.

Ndërkohë

Pra, takimet çdo të dytën ditë po vazhdojnë, dhe po vazhdojnë në Kuvend, që është lajm i mirë. Pra, janë bartur në institucione, aty ku e kanë vendin. Porse ndërkohë ndodhin gjërat që janë pasojë e drejtpërdrejtë e vonesës në konstituimin e institucioneve, ngase forca të caktuara politike po e shfrytëzojnë këtë vakuum, as në tokë, as në qiell, për të krijuar situata problematike.

I tillë qe veprimi i Avokatit të Popullit që e ngriti çështjen e diskriminimit të Ligjit të ri për Pagat para Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit mori masën e përkohshme deri në vendimmarrje, ngase vlerësoi se ligji mund të jetë diskriminues.

Pyetja është se përse priti kaq gjatë avokati për t’u marrë me këtë temë, kur ligji është miratuar madje në shkurt të 2019-s, me efekt veprimi në vjeshtë. Pra, u desh të kalonin dhjetë muaj që dikujt t’i kujtohej se ky ligj mund të jetë i padrejtë dhe se mund të shkaktonte probleme në zbatim. Atëbotë askush nuk u mor me faktin se ky ligj do të mund ta bankrotonte shtetin për shkak të implikimeve buxhetore. Krejt u morën me faktin se më në fund e kishim një ligj që i unifikonte pozitat dhe ku arsimtarët e mjekët po kalonin me rritje substanciale të rrogave.

Dhe çka ndodhi? Sindikatat u bënë bashkë dhe kërcënuan me grevë të përgjithshme për shkak të një vendimi të një instance gjyqësore, që është plotësisht legal dhe në kushte normale do të duhej të zbatohej pa asnjë diskutim.

Kështu, SBASHK-u vendosi për një grevë paralajmëruese dyorëshe të premten, që nuk u zbatua bash gjithkund nëpër Kosovë, e njësoj vepruan edhe pjesëtarët e personelit shëndetësor, që vendosën që të mos ofronin shërbimet e tyre, pos te rastet emergjente.

Skandali i ditës së djeshme i lidhur për këtë grevë të paarsyeshme përderisa të ekzistojë një vendim gjyqësor, qe mosofrimi i shërbimeve të domosdoshme pacientëve me kancer në Klinikën e Onkologjisë. Lëre që kjo është absolutisht çnjerëzore, porse është edhe shkelje e Betimit të Hipokratit. Këta njerëz nuk kanë shkuar aty për ndërhyrje estetike, dreqi e marrtë, por kanë shkuar për dozat që edhe mund t’ua shpëtojnë jetën. Turp që skajin nuk e ka.

Skandali tjetër është se kjo grevë ndodh as një javë pas rezultatit katastrofal të PISA-s, në të cilën Kosova doli e treta prej fundit. Pra, doli sërish prodhuese e analfabetëve funksionalë, ngase fëmijët 15 vjeç nuk kuptojnë atë që e lexojnë, e as nuk e dinë matematikën që do të duhej t’ua zhvillonte logjikën. E kjo, pos që është rezultat i edukimit familjar dhe të kapacitetit individual të nxënies së secilit fëmijë, mbi të gjitha është rezultat i mësimdhënies jocilësore dhe të papërgjegjshme. Jo më kot me vite kërkohet që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi kualifikues, kërkesë që SBASHK-u e refuzon me këmbëngulje. Jo për kot do të duhej zbatuar një provim të këtillë, i cili mbase edhe do të ishte hapi i parë drejt pastrimit të sistemit të arsimit nga njerëzit e papërgatitur dhe të paaftë për t’i mësuar gjeneratat e reja. Për shkak se, me gjithë mungesat e avancimeve teknologjike, shkolla nëpër të cilën kemi kaluar brezi im dhe shumë të tjerë para disa dekadash ka qenë shumë më e mirë dhe më cilësore seç është tash. Nuk jemi gjeni shkencash, por bile kemi mësuar të shkruajmë si duhet dhe ta kuptojmë atë që e lexojmë.

* * *

Është e kotë të përsëritet se sa urgjent është formimi i institucioneve, bile me një numër njerëzish të rinj e të pasprovuar në udhëheqje politike. Për VV-në do të jetë futje në një botë të re, ku mund t’i presin shumë befasi dhe ku do të duhej të dinin t’i gjenin zgjidhjet që të mos futen në grackat që qysh tash ua kanë përgatitur rrjetet e militantëve të partive të tashme opozitare. Sepse ata që janë akomoduar të funksionojnë në këtë mënyre qe sa vjet, e kanë vështirë të pranueshëm faktin se mund t’i humbin benefitet që i kanë fituar për meritën e vetme se kanë qenë anëtarë të ndonjë partie.

LDK-ja mbase ende nuk e ka kuptuar, e do të duhej, se mban një pjesë të madhe faji për gjendjen në të cilën gjendet Kosova. Gjithashtu duhet të kuptojë se falë rrethanave politike po i jepet shansi që të dëshmojë se ka ndryshuar në esencë dhe se do t’i përqendrojë përpjekjet për ta përmirësuar gjendjen e përgjithshme; e jo për ta ushqyer egon e atyre që tashmë janë dëshmuar dështakë në kohën kur kanë qenë ministra të një qeverie që e kanë bërë bashkë me PDK-në.

[email protected]