Nëse Çmimi Nobel i Obamës ishte i parakohshëm, ai i Trumpit do të ishte parodik. Nëse do të arrijë disi ta frikësojë Komitetin e Nobelit që t’ia japë, Çmimi për Paqe do të shndërrohej në një anekdotë
Shkruan: Nina L. Khrushcheva
New York – Nuk është asgjë e re që figura të njohura – në veçanti burra ambiciozë –bëjnë fushatë për çmimin Nobel. Shkencëtarë, ekonomistë, madje edhe poetë e kanë bërë këtë. Por bota nuk ka parë kurrë një fushatë kaq të zhveshur dhe të pashpresë si kjo që ka ndërmarrë Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe.
Çmimi Nobel për Paqe është vlerësimi më prestigjioz në botë për rikthimin ose konsolidimin e paqes. Fituesit përzgjidhen nga një komitet norvegjezësh të shquar, të emëruar nga Parlamenti i Norvegjisë. Vështirë të imagjinohet që ata do t’i bëjnë jehonë bindjes së Trumpit se është i denjë të përzgjidhet.
Një arsye është se Trumpi e nënçmon dhe e tradhton Evropën, pjesë e së cilës është edhe Norvegjia, sa herë që i jepet mundësia. Ai ka kërcënuar disa herë se do ta marrë Grenlandën, territor autonom i fqinjit të Norvegjisë, Danimarkës, dhe duket i etur të minojë aleancën e NATO-s (pjesë e së cilës është edhe Norvegjia). Ndërkohë, Trump i nënshtrohet autokratit përgjegjës për luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke e trajtuar me përbuzje presidentin e vendit që po mbron veten.
Trumpi duket se ngrihet në mbrojtje të autokratëve në përgjithësi. Së fundmi ai vendosi tarifa të ashpra ndaj Brazilit si ndëshkim për përpjekjet e këtij vendi për ta mbajtur përgjegjës ish-presidentin Jair Bolsonaro për përpjekjen e një grushtshteti të frymëzuar nga vetë Trump në vitin 2022. Po ashtu, ai ka mbështetur fuqishëm kryeministrin izraelit Binyamin Netanyahu, edhe pse ky i fundit ka intensifikuar sulmin brutal mbi Gazën dhe ka vënë gurin e fundit mbi varrin e marrëveshjeve të Oslos – arritja diplomatike më e madhe e Norvegjisë në gjysmëshekullin e fundit.
Edhe pse Marrëveshjet e Oslos nuk e përmendnin shprehimisht themelimin e ardhshëm të një shteti palestinez pranë Izraelit, ato hodhën themelet për një zgjidhje me dy shtete, duke krijuar institucione vetëqeverisëse palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gazë. Sot, përveç shkatërrimit të Gazës dhe urisë së popullsisë së saj, Izraeli ka miratuar një projekt të ri vendbanimesh në Bregun Perëndimor, që praktikisht bllokon krijimin e një shteti palestinez aty. Por Trumpi jo vetëm që mbron veprimet e Netanyahut; ai ndëshkon edhe kritikët e tij – grup ku përfshihet edhe Norvegjia.
Sjellja e Trumpit në shtëpi tregon një përbuzje të ngjashme për dialogun dhe pajtimin. Gjatë presidencës së parë, ai raportohet se e kishte pyetur shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Mark Milley, nëse trupat që i kishte dërguar në Uashington mund të qëllonin në këmbë protestuesit. Sot ai po dërgon trupa të Gardës Kombëtare në qytete ku as nuk janë të nevojshme e as të mirëpritura, ndërkohë që ndalon dhe deporton azilkërkues, emigrantë të ligjshëm dhe madje edhe qytetarë amerikanë, përfshirë fëmijë, pa asnjë proces të rregullt ligjor.
Sigurisht, në botën e Trumpit – ku llogaridhënia quhet “gjueti shtrigash”, faktet shpallen trillime dhe gënjeshtrat janë të përhershme – gjithçka mund të ndodhë. Ne tashmë kemi parë liderë botërorë njëri pas tjetrit duke iu nënshtruar Trumpit dhe shantazhit të tij. Dhe, në fakt, ai ka marrë tashmë nominime për Nobelin e dëshiruar. Një prej tyre vjen nga Pakistani, që nuk është pikë referimi për paqen, dhe një tjetër nga Kamboxhia, e udhëhequr nga një autoritar i tipit që Trump admiron.
Por Komiteti Nobel ka kaluar nëpër pretendime edhe më groteske të “paqebërjes” sesa ato të Trumpit. Në vitin 1939, një duzinë anëtarësh të parlamentit suedez nominuan kryeministrin britanik, Neville Chamberlain për Çmimin Nobel për Paqe për rolin e tij në negociimin e Marrëveshjes së Mynihut me Adolf Hitlerin një vit më parë. Përfundimisht, Komiteti Nobel vendosi të mos ia jepte çmimin askujt atë vit.
Ky doli të ishte një vendim largpamës: marrëveshja e Chamberlainit, që i dha regjimit nazist dritën jeshile për të aneksuar rajonin Sudet të Çekosllovakisë, vetëm sa e inkurajoi Hitlerin të niste blitzkrieg-un (luftën rrufe) ndaj demokracive të tjera evropiane. Ironikisht, Trump mendon se shansi i tij më i mirë për të siguruar një Nobel për Paqe qëndron në një marrëveshje “paqësore” të tipit Mynih, e cila e detyron Ukrainën të dorëzojë pjesë të sovranitetit të saj Rusisë – e cila gjasat janë të mos ndalet derisa vendi të jetë plotësisht i nënshtruar.
Ndryshe nga Trump, Komiteti Nobel ka më shumë gjasa të qëndrojë përkrah kundërshtarëve të autoritarizmit sesa mbështetësve të tij. Në vitin 2010, ai ia dha Çmimin për Paqe disidentit të burgosur kinez, Liu Xiaobo, për “luftën e tij të gjatë dhe jo të dhunshme për të drejtat themelore të njeriut në Kinë” . Zyrtarët kinezë e dënuan vendimin, që hapi një përçarje të qëndrueshme mes Kinës dhe Norvegjisë, por Komiteti Nobel mbeti besnik ndaj vlerave të tij. Dhënia e Nobelit Trumpit, për inkurajimin e copëtimit të Ukrainës, do të përcillte mesazhin e kundërt, duke inkurajuar potencialisht madje edhe presidentin kinez Xi Jinping të pushtojë Tajvanin.
Atëherë, pse e dëshiron Trump Çmimin Nobel për Paqe, duke pasur parasysh përçmimin e tij të dukshëm për parimet (dhe punën e vështirë) të paqebërjes? Përgjigjja më e mundshme është se Barack Obama e ka një të tillë. Nga shpifja se Obama kishte lindur jashtë Shteteve të Bashkuara e deri tek akuzat për tradhti, vogëlsia e Trumpit nuk ka kufi kur bëhet fjalë për presidentin e parë afro-amerikan të Amerikës. E megjithatë, Obama është laureat i Çmimit Nobel, ndërsa Trumpi në mënyrë të padurueshme për të, nuk është.
Sigurisht, nuk është krejtësisht e qartë pse Obama e mori çmimin, i cili iu dha vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën në vitin 2009, kur arritja e tij e vetme reale ishte frymëzimi i shpresës përmes retorikës së lartë. Ndoshta ai u shpërblye kryesisht për faktin se nuk kishte asgjë të përbashkët me paraardhësin e tij, George W. Bush, i cili e pushtoi Irakun në vitin 2003 mbi bazën e pretendimit të fabrikuar se Saddam Hussein posedonte armë të shkatërrimit në masë.
Nëse Çmimi Nobel i Obamës ishte i parakohshëm, ai i Trumpit do të ishte parodik. Nëse do të arrin disi ta frikësojë Komitetin e Nobelit që t’ia japë, Çmimi për Paqe do të shndërrohej në një anekdotë.
(Nina L. Khrushcheva, profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në The New School, është bashkautore (me Jeffrey Tayler) e librit: “Në gjurmët e Putinit: Kërkimi për shpirtin e një perandorie nëpër njëmbëdhjetë zonat kohore të Rusisë” (St. Martin’s Press, 2019). Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)