OpEd

Hipoteka e marrëzisë njerëzore

“Asnjë jetë fëmije nuk meriton të shuhet për hipotekën e marrëzive njerëzore, të cilat të rriturit i bartin ndër shekuj. Ky është një çmim shumë i lartë i mbarë njerëzimit, i cili vetëm na tregon se në brendësinë tonë ende mbesim kafshët më të egra dhe primitive që ecin mbi këtë planet. Këtë e kemi dëshmuar vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli. Mjetet ndoshta mund të kenë ndryshuar, por përfundimi është gjithmonë i njëjti: vrasje e fëmijëve të pafajshëm vetëm për arsyen e thjeshtë se mund të jenë të "ndryshëm" për nga përkatësia fetare, kombëtare a racore”

Që në fillim të Ditarit tim do të dëshiroja që lexuesve të besimit islam t'ua uroj festën e Bajramit, duke u dëshiruar shëndet, sukses dhe harmoni në jetë. Paqja, mëshira, shëndeti e begatia mbizotërofshin në familjet e juaja për shumë mote. Do të dëshiroja që këto dëshirat e mia të arrinin të realizoheshin në secilin cep të botës, e sot posaçërisht më shkon mendja te fëmijët palestinezë, izraelitë e kurdë.

Përsëri jemi dëshmitarë të një bote të trazuar, ku njeriu zgjedh mjetet e luftës për zgjidhjen e probleme të tij të trashëguara ndër shekuj.

Me të vërtetë është e dhimbshme ta kuptosh si koncept kur njeriu na shpërfaqet si shkatërrues dhe infliktues i dhembjes së një tjetër njeriu. Nuk dëshiroj të hyj në atë se cila nga palët është fajtore apo e filloi e para provokimin. Në fund të fundit, kah aspekti politik, Kosova si shtet, me hapjen e ambasadës së saj në Izrael dhe Marrëveshjen e Washingtonit, veç ka marrë anë në këtë konflikt, mirëpo si njerëz të cilët gjithashtu vijmë nga përvoja e një gjenocidi prej një historie jo fort të largët, asnjëherë nuk do të duhej të pajtoheshim me humbje jetësh të fëmijëve, të njerëzve të pafajshëm si dhe shkelje të të drejtave të tyre elementare në jetë.

“Asnjë jetë fëmije nuk meriton të shuhet për hipotekën e marrëzive njerëzore, të cilat të rriturit i bartin ndër shekuj. Ky është një çmim shumë i lartë i mbarë njerëzimit, i cili vetëm na tregon se në brendësinë tonë ende mbesim kafshët më të egra dhe primitive që ecin mbi këtë planet. Këtë e kemi dëshmuar vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli. Mjetet ndoshta mund të kenë ndryshuar, por përfundimi është gjithmonë i njëjti: vrasje e fëmijëve të pafajshëm vetëm për arsyen e thjeshtë se mund të jenë të "ndryshëm" për nga përkatësia fetare, kombëtare a racore.”

Pandemia COVID-19 mund të jetë zbutur në një pjesë të zhvilluar të botës edhe si pasojë e vaksinimeve të shumta të popullatës, mirëpo në pjesën tjetër të botës – në vendet më të varfra dhe me popullsi më të dendur, siç është rasti me Indinë – ajo është duke e bërë hatanë.

"Ekspertë" të ndryshëm ekonomikë mundohen ta pasqyrojnë se si do të jetë dhe se si zhvillohet jeta në këtë botën post-pandemike.

Konsumatorizmi i pakufizuar dhe përkushtimi ndaj parave është kriza ekzistuese e njerëzimit. Forca të ndryshme politike anembanë botës janë shndërruar në forca politike shtypëse. Sjellin vendime të këqija në kaq shumë nivele, sepse bazohen në interesin individual e jo në mirëqenien gjithëpërfshirëse.

"Ekspertët" ekonomikë parashikojnë një “boom” në një botë post-pandemike.

Nëse bëhet fjalë vetëm për para (GDP, të ardhura, barazi të fuqisë blerëse, etj.), ata mund të kenë të drejtë. Por, kur shikoj gjendjen e botës sot, me rritjen e pabarazisë, degradimin e mjedisit, numrin e të varfërve që punojnë, rishfaqjen e nacionalizmit ekonomik etj., besoj se na duhet një paradigmë e re ekonomike me të cilën duhet të matet mirëqenia njerëzore.

Në anën tjetër, ata cinikët më ‘hardcore’ do të thoshin: "A nuk i doni thjesht këta ekonomistë? Përballë një kolapsi global (ndryshimi i klimës, zhdukja e specieve dhe shterimi i burimeve natyrore) dhe një kolapsi shoqëror (përhapja e epidemisë, rritja e varfërisë/pabarazisë dhe kolapsi i shoqërisë), ata po paraqesin pamjen rozë të një boom-i tjetër financiar. Mit apo gënjeshtër? Krim kundër njerëzimit për t’i ndjekur pasuritë për një pakicë, duke shtuar rritjen dhe konsumin përballë kolapsit. Injorancë e lumtur e atyre shkurtpamësve dhe injorancë kokëforte për trendët afatgjatë. E gjithë disiplina dhe shumica e praktikuesve të saj janë me besueshmëri të falimentuar të integritetit, krijimtarisë dhe vizionit".

Pse vazhdojmë të lidhemi për të vazhduar një koncept të vjetruar të quajtur "paraja funksionon"? Është elefanti në dhomë të cilin askush nuk dëshiron të pranojë se po e shkatërron mundësinë që speciet tona të lulëzojnë me të vërtetë. Epshi ynë për përfitim, rritje dhe më shumë “gjëra” – që na thuhet çdo ditë se "kemi nevojë për to" – po vret gjithnjë e më shumë specie kafshësh dhe aftësinë e planetit tonë për të na mbajtur gjallë. Çdo hendek në sistemin tonë monetar arkaik e shpërfaq atë për atë që është. Një koncept i sajuar që përherë shkon drejt një gremine dhe shpesh bie prej saj. Kur shkon keq kjo i bën qindra-miliona jetë të mjerueshme dhe i mban ato në skllavëri. Edhe kur duket se po shkon mirë, ka ende qindra-miliona njerëz në të gjithë botën që mezi mbijetojnë me 2 dollarë në ditë, ndërsa disa multi-miliarderë dhe trilionerë, literalisht nuk mund t’i digjnin paratë e tyre të tepërta më shpejt sesa i fitojnë ato. Ne po jetojmë në epokat e errëta moderne.

Nuk mund t'i hidhni para shoqërisë dhe në të njëjtën kohë të ndaloni nga funksionimi pjesë të mëdha të ekonomisë. Nuk ka drekë falas: fatura është rrugës.

Së paku gjumin mund ta bëjmë pak më rehatshëm tash pasi raketa kineze – e cila e kishte humbur kontrollin në orbitën e Tokës dhe po e bënte rihyrjen e saj të pakontrolluar në atmosferën e Tokës – nuk shkaktoi ndonjë tragjedi të përmasave të paparashikuara duke rënë në ndonjë lokacion urban. Ajo në fakt ra diku në Oqeanin Indian, në afërsi të ishujve Maldive. Mirëpo unë nuk do t’i heqja sytë nga Kina aq kollaj. Fillimisht, ikja e virusit COVID-19 në mënyrë të mistershme nga laboratorët hulumtues, humbja e kontrollit të raketës dhe kthimi i pakontrolluar në atmosferën e Tokës, e pastaj edhe ikja e tre leopardëve nga Hangzhou Safari Park.

Në botën e mbrapshtë në të cilën jetojmë, një fitues i Çmimit Nobel për letërsi, austriaku Peter Handke, i njohur për mohimin e gjenocidit dhe krimeve serbe në Bosnjë dhe mbrojtjen e vetë Slobodan Milosheviqit dhe aparatit të tij vrastar, javën që e lamë pas u dekorua edhe me çmimin më të lartë shtetëror nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me fjalët se Serbia gjithmonë do të jetë mirënjohëse për gjithçka që z.Handke ka bërë për të. Vetëm edhe një indikator shtesë se sa larg është Serbia prej të kaluarës gjenocidiale që ka shkaktuar ndaj fqinjëve të saj anembanë ish-trojeve të një shteti i cili dikur quhej Jugosllavi.

Më e keqja e gjithë kësaj është se Kosova duhet të negociojë me një Serbi e cila jo që vetëm nuk është e liruar nga e kaluara e saj e errët, por me një Serbi akterët e së cilës, përveç në rolet kryesore të udhëheqjes së shtetit, janë gjithashtu disa nga protagonistët e asaj të kaluare të errët. Qasja e Evropës dhe Amerikës pas bombardimit të Serbisë nga ana e NATO ka qenë shumë përkëdhelëse dhe ato vetë kanë lejuar dhe toleruar një Serbi për të cilën po shkruaj tani. E në këto negociatat e dhjetëvjeçarit të fundit Kosova ishte pozicionuar në një mënyrë defansive kundrejt Serbisë dhe nga çdo bisedim i radhës ajo po bënte kompromise të shumta e të ndryshme. Nga të gjitha ato marrëveshje Serbia ende vazhdon që të mos e përmbushë pjesën më të madhe të tyre. Akterët kosovarë në krye të bisedimeve si duket ishin në kërkim të faktorizimit të tyre personal për ndonjë përfitim personal më shumë sesa për interesin e gjithmbarshëm të shtetit të Kosovës, i cili në këtë proces ngeli dytësor.

Përndryshe, analizat gjeopolitike botërore nëpër studiot televizive me debatet me "analistë" politikë tashmë kanë kaluar në analiza krahasuese anatomike të pjesëve gjenitale mashkullore.

Preferohet që studentët e mjekësisë t’i ndjekin këto debate, pasi aty mund të mësojnë shumë për anatominë e njeriut, dualitetin e organeve të shumta, ndarjen e tyre në të majta dhe të djathta, mu si politika vendore në Kosovë. Të vetmen gjë të cilën nuk do ta mësojnë nga këto debate janë hemisferat e trurit dhe funksionimi i trurit në përgjithësi. Ai organ shënon mungesë të dukshme nëpër këto debate politike televizive.