OpEd

Hajnat në burg

Pa dyshim se është ky një vendim i paprecedent i kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu. Dhe njëkohësisht është thikë me dy tehe – po qe se nuk ia del ta dëshmojë përfshirjen e të gjithëve në këto vepra penale, arrestimi i 109 vetave do të dalë të jetë një performancë. Por, nëse ka bazë për t’i akuzuar që të gjithë për vjedhje atëherë do të zbulojmë se kemi diçka që prej kohësh i ka munguar këtij vendi: njerëz të guximshëm që punojnë në drejtësi

Hajnia qe aq e shprehur në komunat ku u urdhërua rinumërimi, saqë KQZ-ja bëri punën e vetme korrekte që kishte në duar: ta urdhëronte rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve në të gjitha vendvotimet në Kosovë, gjithsej 2557 sish.

Nga numërimi i deritanishëm i rreth 53% të votave të përgjithshme, del se vetëm 4 kandidatë të AAK-së dhe nga 2 të VV-së dhe LDK-së nuk janë prekur nga hajnia e votës. Në PDK, absolutisht të gjithë janë të përfshirë – kush me vota më shumë, kush me vota më pak, të “huazuara” nga përfituesit e këtij mashtrimi.

Po t’i kishim pasur punët ndryshe, po të mos ishim duke e përjetuar ende krizën afatgjatë politike dhe thellimin e asaj ekonomike, këto zgjedhje është dashur të anuloheshin krejt, për shkak se komplet procesi demokratik është komprometuar me veprimin e komisionarëve dhe numëruesve në nivelin komunal, të cilët, po del, kanë vjedhur për hesap të dikujt.

Shumë do të doja që rinumërimi të përfundonte kur t’i vijë radha zgafelles së radhës, e të kuptonim po qe se ka ndonjë komunë në Kosovë ku nuk ka pasur manipulime me vota, apo ku kanë mundur të kalojnë si gabime njerëzore, si përshkrime të gabuara të një apo dy votash. Nëse për asgjë, atëherë për një satisfaksion të vogël – që jo të gjithë njerëzit në këtë shtet janë hajna.

* * *

Reagimi i parë ndaj asaj që po dilte në sipërfaqe erdhi nga Prokuroria Themelore në Prizren. Sipas detyrës zyrtare, dhe pas publikimit të rezultateve, ajo nisi procedurat për hetimin e rastit dhe pas pak ditësh, prokurori vendosi që t’i çonte në ndalim 48-orësh madje 109 persona që besohet se janë të përfshirë në tri vepra penale.

Veprim i jashtëzakonshëm, sepse nuk e di që ndonjëherë të ketë ndodhur ndalimi i kaq shumë personave përnjëherë. Për më tepër, kapacitetet korrektuese në Prizren janë të kufizuara, dhe në kushte emergjente mbase edhe do të mund të mbaheshin edhe në palestrën e sporteve të qytetit... sidoqoftë, zgjidhja u gjet ashtu që të arrestuarit u shpërndanë anekënd Kosovës, deri në vendimin e radhës.

Pa dyshim se është ky një vendim i paprecedent i kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu. Dhe njëkohësisht është thikë me dy tehe – po qe se nuk ia del ta dëshmojë përfshirjen e të gjithëve në këto vepra penale, arrestimi i 109 vetave do të dalë të jetë një performancë. Por, nëse ka bazë për t’i akuzuar që të gjithë për vjedhje; po qe se gjen njerëz të gatshëm për të bashkëpunuar e për të treguar se kush ishin urdhërdhënësit, po qe se ka pasur të tillë, dhe për sa para bëhet fjalë kur flitet për blerjen e një vote – atëherë do të zbulojmë se kemi diçka që prej kohësh i ka munguar këtij vendi: njerëz të guximshëm që punojnë në drejtësi.

Dhe kur flitet për prokurorin Kryeziu, do të përmendet babai i tij, aktivist i ilegales, i vrarë në pritë nga policia serbe më 1992, në kohën më të ashpër të represionit të cilën e kishim përjetuar. Prokurori kishte qenë 6 vjeç.

Nuk kam dyshime që ky fakt tragjik të ketë ndikuar në rritën dhe zhvillimin e Kryeziut, porse ky nuk do të duhej të ishte argument për t’ia dëshmuar dikujt integritetin personal e profesional – fundja ky prokuror e ka identitetin e vet dhe do të duhej vlerësuar atë nga ky prizëm. Puna e tij do të duhej të tregonte për të.

* * *

Ashtu siç edhe votat e vjedhura do të duhej të tregonin diçka eventualisht për Fetah Paçarizin, kandidatin e PDK-së për deputet, i cili që nga fillimi i rinumërimit mban rekordin absolut sa u përket votave të mashtrimit: 6754.

Më 10 janar, Paçarizi kishte shkruar në faqen e tij në FB se ndihej “jashtëzakonisht i vlerësuar dhe i respektuar me 14,606 vota”, të cilat megjithatë nuk ia siguruan ulësen në Kuvend. Pavarësisht vjedhjes.

Dhe e keqja në gjithë këtë katrahurë, është se Paçarizi, spotin e tij promovues e nis duke e thënë që në fillim se është veteran i UÇK-së, aktor dhe drejtori shumëvjeçar i teatrit të Prizrenit. Promon e përfundon me këto fjalë: “Po garoj me përkushtimin për të mbrojtur vlerat e shenjta të luftës sonë çlirimtare dhe për të forcuar artin e kulturën shqiptare, si themel i identitetit tonë”.

Po qe se del se Paçarizi ka qenë i përfshirë në çfarëdo forme në falsifikimin e rezultateve zgjedhore, atëherë atë që më së paku do të ketë bërë është që t’i mbrojë vlerat e shenjta të luftës çlirimtare.

Në rast se del se ka pasur gisht në shtimin e thuajse 7 mijë votave në llogari të tijën, do ta ketë lënduar jo pak atë pjesë të personalitetit të tij që bart titullin e veteranit. Nëse Paçarizi ka qenë në front dhe ka luftuar për çlirim (nuk di më shumë për të sesa këtë që e thotë në spot), nuk e besoj të ketë luftuar për ditën kur me mashtrime e falsifikime do të siguroheshin votat që ky të shndërrohej në përfaqësues të popullit.

Së paku kështu ma thotë logjika kur duhet përshkruar një veteran të vërtetë: të gatshëm për të gjitha sakrificat. E vjedhja (eventuale) e votave, është gjithçka, veç sakrificë nuk është.

* * *

Dje, në mesin e 109 të ndaluarve u gjend edhe i biri i ish-deputetit Nait Hasani (kandidat i PDK-së edhe në këto zgjedhje), i cili ka qenë i angazhuar nga PDK-ja në cilësinë e kryesuesit në tavolinën ku është bërë numërimi, bashkë me anëtarët e partive të tjera. Nait Hasani është i dyti në listë për nga votat e vjedhura brenda PDK-së me 3.334 vota.

Nga ana tjetër, mes të të ndaluarve u gjet edhe dali i vëllait të kandidatit Paçarizi (nuk e di në çfarë cilësie), ndërkohë që, sipas burimeve, djali tjetër i vëllait i po këtij kandidati ishte në arrati (as për këtë nuk di se për çka dyshohet).

Kryeprokurori tha se manipulime kishte pasur në të gjithë rajonin e Prizrenit, dhe se gjithsesi do të merreshin me të gjithë, përfshirë edhe kandidatët, të cilët fill pas daljes së rezultateve të para të rinumërimit, dolën me porosi distancuese, përfshirë edhe Paçarizin (“Dua të sqaroj qartë se jam i kyçur rishtas në politikë dhe nuk kam mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike. Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë”).

Pa paragjykuar, kryeprokurori tha se këta do të merreshin në pyetje edhe në cilësinë e të dëmtuarve.

* * *

Cilido që të jetë përfundimi i kësaj që u nis dje me arrestime masive, nga të cilat shpëtuan vetëm gjashtë komisionarë (në klasën e tyre dhe në kutinë e tyre, nuk ka pasur diskrepancë në numra), kjo do të na lërë një shije shumë të keqe.

Do të na e rikujtojë për të satën herë se o reformohet sistemi zgjedhor e shkojmë me më shumë zona zgjedhore (punë që nuk bëhet që nga 2012-a) o digjitalizohet sistemi i votimit ose edhe i numërimit.

Asnjë pajisje nuk mund të kushtojë më shtrenjtë sesa rinumërimi i pafund i votave dhe angazhimi i numëruesve në punë prej orës 8:00 të mëngjesit deri në mesnatë.

Asnjë softuer nuk mund të kushtojë më shumë sesa turpi dhe tallja që e përjetojmë me matematika kushërinjsh e dostash.

Përditë e më shumë po tregojmë sa pak dashuri kemi për këtë vend.

[email protected]