Botë

SHBA-ja do t'u japë aleatëve mbështetje "më të kufizuar", sipas Strategjisë së Mbrojtjes

Donald Trump

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t'i japin mbështetje "më të kufizuar" aleatëve të tyre, sipas Strategjisë së re të Mbrojtjes Kombëtare të Pentagonit.

Në një ndryshim të theksuar në prioritetet e saj të sigurisë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tani e konsideron sigurinë e vetë SHBA-së - jo Kinën - si shqetësimin e tij kryesor.

Në dokumentin e ri thuhet se aleatët, veçanërisht Evropa, "do të marrin drejtimin kundër kërcënimeve që janë më pak të rënda për ne, por më shumë për ta".

Kina nuk është më prioritet kryesor i sigurisë për SHBA-në, thuhet në Strategjinë e re Kombëtare të Mbrojtjes të Pentagonit.

Dokumenti, i publikuar një herë në katër vjet, thotë se siguria e vetë SHBA-së është shqetësimi kryesor i departamentit, duke shtuar se Washingtoni ka neglizhuar prej kohësh "interesat konkrete" të amerikanëve.

Pentagoni gjithashtu thotë se do të ofrojë mbështetje "më të kufizuar" për aleatët e SHBA-së, raportoi BBC. 

Kjo vjen pas publikimit vitin e kaluar të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së, e cila tha se Evropa përballej me "zhdukje civilizimi" dhe nuk e paraqiti Rusinë si një kërcënim për SHBA-në. Në atë kohë, Moska tha se dokumenti ishte "kryesisht në përputhje" me vizionin e saj.

Në krahasim me dokumentin tash, Strategjia e vitit 2022 e vlerësonte kërcënim të lartë Kinën dhe e vinte si top prioritet. 

Në dokumentin aktual thuhet se marrëdhëniet me Kinën do të zhvillohen jo përmes konfrontimit. Qëllimi “nuk është të dominohet Kina; as të shtrëngohet apo poshtërohet ajo”, thuhet në dokument.