OpEd

Gjumi rrezikshëm i gjatë i politikës kosovare

Mund të ketë parti që nuk duan të qeverisin me një parti tjetër (kjo është normale), por të mos gjenden në krejt spektrin politik dy parti për të krijuar një koalicion, kjo tregon për një deformim të thellë të raporteve jo vetëm politike, por edhe njerëzore. Ky mosbesim e ka burimin te defekti kryesor i politikës kosovare: bashkëpunimi shihet si dobësi dhe shpesh vetëm si rast për të mashtruar tjetrin dhe për t’ia bërë gropën. Në këtë gropë, fatkeqësisht, s’po bien politikanët, por Kosova.

Ndërsa klasa politike e Kosovës është futur në një tunel të gjatë të polarizimeve ekstreme, shoqëruar nga një propagandë e pandërprerë akuzash e kundërakuzash, me retorikë boshe e mallkime se kush çka ka thënë kundër tjetrit në Ditën e Shën Mitrit të vitit 2007 dhe si është përgjigjur rivali politik në Ditën e Shën Gjergjit më 2013, me relativizim të çdo gjëje, me përdorim nocionesh totalitare që dëshmojnë mungesë të dijes elementare historike, me përralla të mendësisë provinciale nga snajperistët digjitalë dhe komisarët biçim-stalinistë, me duf të frustruarish e cinikësh për protagonizëm të zbrazët publik, me gjueti shtrigash dhe paralajmërime të rrejshme apokaliptike, me mungesë elementare të gatishmërisë për kompromis nga të gjitha partitë, me mendjemadhësi numrash, krekosje dhe qeverisje të dobët (nga partia me më shumë vota në 4 vitet e fundit), me (keq)përdorim të së kaluarës për kusuritje të ulëta të politikës së tanishme ditore (në këtë vend patriotizmi shpesh është përdorur dhe përdoret si maskë për të mbuluar politikën shumëvjeçare korruptive dhe krimogjene), pra në gjithë këtë tollovi dhe paaftësi për të parë përtej hundës pinokiane, në mediat ndërkombëtare qarkullon lajmi se kancelari gjerman Merz, presidenti francez Macron dhe kryeministri polak Tusk kanë vizituar demonstrativisht Moldavinë për ta përkrahur presidenten e atjeshme proeuropiane një muaj para zgjedhjeve parlamentare. Për shkak të afërsisë me Rusinë dhe kontrollit rus mbi shtetin fantom të Transnistrisë, por edhe ndarjes në dy taborre të shoqërisë modalve (njëri proeuropian, tjetri prorus), Moldavia në kuptimin gjeostrategjik gjithsesi ka një rëndësi më të madhe se çdo shtet ballkanik, përfshirë edhe Kosovën. 

Megjithatë, ky lajm - nëse lexon ndokush në klasën politike të Kosovës - do të duhej të shihej si sinjal se dalëngadalë vendi mund të largohet edhe më shumë nga radari i politikës perëndimore nëse nuk ekziston një seriozitet për t’u marrë me punët e shtetit. Mund të ketë parti që nuk duan të qeverisin me një parti tjetër (kjo është normale), por të mos gjenden në krejt spektrin politik dy parti për të krijuar një koalicion, kjo tregon për një deformim të thellë të raporteve jo vetëm politike, por edhe njerëzore. Ky mosbesim e ka burimin te defekti kryesor i politikës kosovare: bashkëpunimi shihet si dobësi dhe shpesh vetëm si rast për të mashtruar tjetrin dhe për t’ia bërë gropën.

Ndërsa Kosova mbetet e kurthuar në këtë teatër absurd, bota nuk pret. Ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul gjatë vizitës në Zagreb këto ditë dha disa mesazhe të rëndësishme, por a ka kush i kupton ato në Prishtinë? Ai tha se pranimi në BE nuk është një proces thjesht teknik, por edhe gjeopolitik. “Fqinjësinë tonë nuk duhet t’ua lëmë autokratëve, të cilët përpiqen të ushtrojnë ndikim me dezinformim dhe korrupsion ose duan të na fusin në varësi të reja”, tha Wadephul (citat nga një raport i Deutsche Welle). “Duhet tani një vrull i ri për zgjerim - për Ukrainën, për Moldavinë dhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha kryediplomati gjerman. Momentalisht edhe Zagrebi duket larg Prishtinës. Bllokada mund të vazhdojë, lojërat politike mund të vazhdojnë, shtyrjet me bërryla po ashtu, sepse së shpejti mbahen zgjedhjet lokale, kjo është prioritare për partitë, pastaj fillon kriza tjetër: zgjedhje të parakohshme para apo pas dështimit të pritshëm të zgjedhjes së presidentit apo presidentes? Deri atëherë argëtohuni keqas me retorikë boshe e mallkime se kush çka ka thënë kundër tjetrit në Ditën e Shën Mitrit të vitit 2007 dhe si është përgjigjur rivali politik në Ditën e Shën Gjergjit më 2013.