Dhe për shkak se nuk kemi Kuvend, mbesim pa i marrë paratë e Evropës, të cilat tashmë ka nisë t’i marrë Serbia “e cila u dëshmua konstruktive në normalizimin e raporteve me Kosovën” – që sinqerisht nuk e di se çfarë do të thotë, e as ku qëndron ai konstruktivitet. Po fundja, nuk ka lidhje çfarë mendoj unë, por çfarë mendojnë ata që i japin paratë. E ata që i japin paratë, veç mund ta na shikojnë seri – dhe të konkludojnë se sa të marrë jemi dhe se më mirë nuk meritojmë
Dje përfundoi viti shkollor.
Edhe për fëmijët parashkollorë dje ishte, zyrtarisht, dita kur përfundonte një etapë, nëse jo më e bukura, gjithsesi më e pafajshmja dhe më e pastra.
Dje ishin mbledhur njëzet – për të na treguar se çfarë kishin mësuar. Formonin treshe që na demonstronin me duart e tyre të vogla e të buta, se si zbatoheshin në praktikë ligjet e kimisë e fizikës, me pak ndihmë njeriu.
Thuajse edhe vetë edukatoret e tyre donin të na e vërtetonim, po qe se ende nuk e kemi kuptuar, se ardhmëria e cilitdo vend varet nga shkenca dhe arritjet e saj. Thuajse donin të na tregonin se ky do të duhej të ishte drejtimi i nxënies së vogëlushëve që tashmë nga gjysma e këtij shekulli do të duheshin qenë ata që do ta udhëheqin këtë vend.
Një brez i ri, i rritur në liri që fatmirësisht, në këtë çast, përtej lojës së tyre të pasherr, është krejtësisht i pavetëdijshëm dhe absolutisht i pangarkuar me jetën që e jetojmë në Kosovë.
* * *
Me të përfunduar programi, komentova me vete, shyqyr që bile këta nuk duhet të bien në gjumë çdo natë duke menduar se çfarë budallallëku të ri do të na kenë përgatitur politikanët e papjekur të Kosovës.
Bile këta të mos ia përtojnë edhe një cirku të së shtunës në Kuvendin zhvatës të Kosovës, dhe deklaratave bajate të deputetëve të papërgjegjshëm që mundohen t’i arsyetojnë gafat e tyre politike duke kthyer gishtin nga tjetri. Njësoj si kur e qortoj Herën, e i them, “shumë keq ke ba, dhe më ke idhnu”, e ajo me automatizëm më përgjigjet “Edhe Leka”, sepse nuk do të donte që e gjithë barra e përgjegjësisë t’i bjerë vetëm asaj, por që atë ta ndajë, me apo pa vend, edhe me vëllanë e saj të vogël.
Sinqerisht më dhimben resurset njerëzore e teknike që detyrohemi t’i ndajmë çdo të dytën ditë për të parë se si asnjë seancë nuk nis me kohë; se si ajo zgjat dy minuta e gjysmë dhe si në fund dalin, pak a shumë, fytyrat e njëjta për të na i përsëritur frazat që tashmë edhe papagajtë i kanë mësuar, se përse as pas katër muaj e gjysmë, ky vend nuk ka Kuvend të konstituuar.
Ajo që po ndodh në Kuvend e ka tejkaluar çdo kufi të turpit, nëse është një diçka që këta deputetë e dinë se çfarë është. I ka tejkaluar edhe kufijtë e ofendimit që i bëhet një populli, që ka merituar shumë mirë se kaq. Se për keq, tashmë jemi ngirë prej kohësh.
Por..., ngushëllimi i vetëm mbetet se bile këta që ende nuk janë nisur në shkollë, nuk e kanë as idenë më të vogël se kush janë këta 120 njerëz të kotë, që paguhen për të mos bërë gjë. E lëre që nuk bëjnë gjë, por për t’u ndihmuar që të mos bëjnë gjë, tash kanë marrë asistentë të lartë personalë (krejt lartmadhëri këta, me gjasë u duhen për t’u kujdesur për ‘lookun’).
Kështu, nja 75 mijë euro tonat, të atyre tatimeve që mezi po i mbledhim për t’i paguar, u shkojnë qe dy muaj 82 zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve që nuk bëjnë asnjë gjë. E këta asistentë, s’bëjnë da’ ma hiç asnjë gjë. Siç do të thoshte taksisti i Pakistanit, “Kosova, rich country”, kur mori vesh se taksistët në Kosovën e pasluftës vozisnin “Mercedesa”.
T’ishte ai taksisti tash të na e shihte cirkun, xhipat e zinj e qallëmin që e shesim gjithandej, a thua do të na thoshte “Kosova very rich country”, ta merr mendja jemi Arabi Saudite me plot naftë... Pa ditur të kuptojë se nuk jemi rich, po jemi nisur drejt bankrotit kolektiv, ku vetëm ata që kanë lidhje me rrymën, me gjasë, nuk e ndiejnë krizën e cila na ka kapluar.
* * *
Ka javë që përpiqem t’ia japë një logjikë krejt kësaj që po ndodh në Kosovën e pas 9 shkurtit, dhe nuk po ia gjej fijet.
Absolutisht e pakuptimtë e gjithë kjo bllokadë e cila në fund e ka një epilog: zgjedhje të reja. E dihet mirëfilli se ato nuk mund të ndodhin nëse a) nuk shpërbëhet Kuvendi dhe b) nuk mund të formohet qeveria e dalë nga këto zgjedhje. Por, për të ndodhur cilido opsion, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi.
Insistimi, tashmë patologjik, i kandidimit të një personi që nuk gëzon famë të figurës së unitetit, e më pas i insistimit që të votohet fshehurazi për këtë kandidate, nuk e ka asnjë, ama bash asnjë arsyetim të qëndrueshëm që do t’i sillte Kosovës përparim.
Sinqerisht, nuk e kam të qartë se si Albulena Haxhiu nuk po e sheh se është thjesht një figurë, që me kalimin e kohës veç sa e humb peshën edhe më. Nuk po e kuptoj se si nuk i kujtohet të tërhiqet vetë dhe ta ndalojë manipulimin me emrin dhe personalitetin e saj. Nuk po e kuptoj se si nuk po e sheh se po nëpërkëmbet për një kauzë që në fund do të jetë afatshkurtër, edhe nëse ia del t’i mbledhë votat mbas të 50-s herë ndoshta.
Argumenti se krejt Kuvendi ka faj se pse konstituohet qëndron, porse peshën më të madhe të përgjegjësisë e bartë VV-ja, duke e ditur se e drejta për ta pasur kryeparlamentarin, nuk ndodh me automatizëm nëse nuk i ka votat.
Pra, për të 500-n herë e shkruaj, VV-ja nuk i ka votat për Haxhiun. Nëse është njëmend e interesuar për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, VV-ja duhet të lëshojë pe, e të ecim para se laku po na ngushtohet.
* * *
Ndërkohë në botë krisi një luftë e re – dhe nuk është edhe një si ato luftërat civile në Afrikë që kryesisht askush nuk i bën hesap, përderisa nuk e ka ndonjë interes të madh minerar a financiar.
Plasi këmbimi i raketave dhe dronëve mes Izraelit dhe Iranit, që për mua bash asnjë kuptim nuk ka. Për ata që ia nisën luftën me siguri se ka – pos demonstrimit të një fuqie të madhe ushtarake të një vendi megjithatë të vogël, është edhe nevoja e krijimit të krizave të reja për ta vazhduar pushtetin e një njeriu. Dhe për shkak të ambicieve të ngushta, një pjesë e mirë e botës tash rri si nëpër therra duke e pritur se çfarë do të ndodhë në vijim, dhe nëse mos ajo luftë do të mund t’i kalojë kufijtë e këtyre dy shteteve.
E te ne, “krisi” KEK-u dhe rryma. Prapë.
Dje, në ditën e parë të verës, KESCO doli për të na thënë se duhet kursyer rrymën, për shkak se prodhimi lokal është në kolaps dhe se rryma tash duhet të blihet nga jashtë. KEK-u doli për të thënë se blloqet po punojnë, por në fund doli se vetëm një bllok po punonte, e ai mjafton për 10% të sasisë që Kosova e konsumon.
Vlerësohet se me çmimet aktuale të tregut, Kosova do të duhet të importojë rrymë në vlerë prej 2 milionë eurosh në ditë, derisa të mos stabilizohet prodhimi. Prodhim, i cili nuk mjafton, tashmë prej kohësh e kemi të qartë.
Pra, përderisa një pjesë e botës ka punë lufte me raketa, ne ende, mbas 26 vjetësh, kemi luftë me megavat orë. Dhe, në kushtet kur për një kohë të shkurtër na u shtrenjtua rryma dy herë, edhe me dashtë nuk do të mund të merreshim me zbatimin e projekteve për akumulimin e energjisë, se ose nuk kemi para, ose nuk ka vendime përkatëse në Kuvend që do të mund të na e siguronin bile shpresëzën e vogël se po punohet pak në një alternativë për ta zgjidhur problemin që tashmë është bërë kronik.
Dhe për shkak se nuk kemi Kuvend, mbesim pa i marrë paratë e Evropës, të cilat tashmë ka nisë t’i marrë Serbia “e cila u dëshmua konstruktive në normalizimin e raporteve me Kosovën” – që sinqerisht nuk e di se çfarë do të thotë, e as ku qëndron ai konstruktivitet. Po fundja, nuk ka lidhje çfarë mendoj unë, por çfarë mendojnë ata që i japin paratë. E ata që i japin paratë, veç mund ta na shikojnë seri – dhe të konkludojnë se sa të marrë jemi dhe se më mirë nuk meritojmë.
* * *
Deputetët e Kosovës janë respektues të mëdhenj të Rregullores së Kuvendit, e ajo parasheh se sesioni pranveror (i frytshëm për ta, pa dyshim) të përfundojë në fund të korrikut. E mandej i parasheh gjashtë javë pushim deri të hënën e dytë të shtatorit (që kësaj radhe i bie i 14-i).
Nuk e besoj se do të lënë t’u ikë pushimi i gushtit, se njëmend s’ka kuptim se fëmijët e një pjesë të tyre u shkojnë në shkollë, dhe nuk bën të mbeten pa pushim... pra po dua të besoj se kjo lojë e pafund e pafytyrësisë do të përfundojë në korrik, për t’i hyrë më pas procesit për formimin e qeverisë, që sipas të gjitha gjasave, do të dështojë.
E edhe nëse nuk dështon, zgjedhje të reja do të ketë gjithsesi në pranverën e ardhshme. Pos nëse e shpallim garën për kryeneçësinë e vitit, dhe saga e “unë kam të drejtë, jo unë kam të drejtë” të vazhdojë deri në pranverë edhe me rrezikun që Kosova të mbetet edhe pa buxhet.