OpEd

“Fuqia e Bashkimit 2025” apo spektakli i forcës dhe hijet e së kaluarës

Kujtim Dobruna

Kujtim Dobruna

Këtë të shtunë, në bulevardet e Beogradit, Serbia do të shpalosë në paradën ushtarake “Fuqia e Bashkimit 2025” jo vetëm arsenalin e saj ushtarak, por edhe një narrativë të qartë politike. Njësitet tokësore, ajrore, të blinduara dhe raketore, të përforcuara me teknologjinë më të re ruse dhe kineze, përfshirë dronët dhe raketat, që asnjë vend tjetër evropian nuk i ka blerë nga Pekini, do të marshojnë si shfaqje e ambicieve nacionale dhe e një orientimi strategjik drejt “Pax Orientalis”. Në krye të paradës, një flamur 300 metra i gjatë, i mbajtur nga kadetët, do të simbolizojë sipas autoriteteve serbe vazhdimësinë e misionit kombëtar të pararendësve. Por pyetja është cilin mision po afirmon Serbia: atë të një shteti që nisi katër luftëra brenda një dekade, duke lënë pas masakra, spastrime etnike, përdhunime sistematike dhe një gjenocid të njohur ndërkombëtarisht, apo një vizion të ri, paqësor dhe evropian, për të cilin retorika dhe veprimet aktuale nuk japin asnjë provë?

Armatosja si strategji, jo si mbrojtje

Statistikat e pesë vjetëve të fundit flasin qartë. Serbia ka shpenzuar mbi 10 miliardë euro për armatim dhe është e vetmja në rajon që ka blerë pajisje të avancuara nga Kina. Për krahasim, në periudhën kohore 2020-2024 Shqipëria ka shpenzuar 1.6 miliardë, Maqedonia e Veriut 1.3 miliardë, Bosnja 1 miliard, Kosova 0,58 miliard dhe Mali i Zi 0,57 miliard. Ky disproporcion tregon se Beogradi nuk po ndjek një strategji defansive, por një projektim të qartë të forcës. 

Serbia e justifikon armatosjen duke thënë se ndihet e kërcënuar nga Kosova, Shqipëria apo Kroacia. Mirëpo ky argument është i paqëndrueshëm. Asnjëri prej fqinjëve nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë. Është pikërisht Serbia që mban gjallë doktrinën 150-vjeçare të “Serbisë së Madhe”, të ripaketuar sot në konceptin e “Botës Serbe”, të miratuar si strategji kombëtare në vitin 2024 nga kuvendi pan-serb (sve srpski sabor). Ky ripaketim është i frymëzuar nga modeli i “Botës ruse”, një politikë ekspansioniste që legjitimon ndërhyrjen në shtetet fqinje përmes justifikimeve historike, religjioze e etnike.

Çmimi i hegjemonisë

Shpenzimet marramendëse për armatim financohen nga huamarrja dhe ridestinimi i fondeve që do të duhej të mbështesnin zhvillimin ekonomik. Serbia sot përballet me rritje të borxhit publik dhe presion fiskal në rritje. Çdo euro e shpenzuar për armatim është një euro më pak për infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe inovacion. Në një rajon që vuan nga rritja e ulët ekonomike, mungesa e bazës prodhuese dhe migrimi masiv, kjo qasje e Serbisë e përkeqëson edhe më shumë hendekun zhvillimor. 

Në këtë kuptim, Serbia po përpiqet të projektojë statusin e fuqisë rajonale duke investuar në “hard power” në vend se të ndërtojë kredibilitet përmes distancimit nga e kaluara, zhvillimit ekonomik, integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Kjo e bën të ngjashme me Rusinë, e cila gjithashtu sakrifikon mirëqenien e qytetarëve për të ndjekur projeksione hegjemoniste.

Mesazhi i paradës

Parada e Beogradit është një instrument propagandistik. Flamuri 300 metra i gjatë nuk është vetëm një simbolikë nacionaliste, por një përpjekje për të mitizuar kontinuitetin historik të një politike që ka sjellë tragjeditë më të mëdha në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Margaret Thatcher e përshkroi dikur regjimin e Millosheviqit si “një të keqe monstruoze që duhet të mposhtet dhe të shihet nga vetë serbët se është mposhtur.” Sot, tri dekada më vonë, Serbia e zyrtarizon një ideologji të ngjashme përmes paradave dhe doktrinave strategjike.

Pasojat rajonale dhe Kosova

Rreziku nuk është vetëm simbolik. Parada e Beogradit dërgon sinjale destabilizuese në një rajon ende të trazuar. Ajo i nxit fqinjët të rrisin shpenzimet ushtarake për qëllime mbrojtëse, duke shkaktuar një garë armatimi. Energjitë që duhej të përqendroheshin në integrimin evropian, në zhvillimin e sektorit privat, në inovacion dhe në ndaljen e emigrimit kanalizohen në kapacitete ushtarake. Në fund, qytetarët e rajonit mbeten të varfëruar dhe pa perspektivë dhe nën një presion të përhershëm psikologjik të luftërave të reja.

Në rrethana kur Beogradi shfaq muskujt, Kosova duhet të këndellet. Krizat artificiale politike, sfidimi i rendit kushtetues dhe mbajtja e vendit pa institucione funksionale vetëm sa e rrisin rrezikun. Siguria nuk garantohet me deklarata, por me aleatë dhe me një forcë reale mbrojtëse: një ushtri moderne, me shërbim të detyruar, e gatshme të mbrojë vendin dhe të dekurajojë çdo kërcënim. Çdo vonesë paraqet rrezik. Në të njëjtën kohë, politika e jashtme duhet të bëhet proaktive: të sigurojë njohje të reja, të shtyjë vendin pa kompromis drejt anëtarësimit në NATO dhe të forcojë partneritetet strategjike. Vetëm një Kosovë e forcuar ushtarakisht dhe e urtë diplomatikisht do të jetë e paprekshme ndaj kërcënimeve dhe do të garantojë një të ardhme të sigurt për qytetarët e saj.

Projektimi i forcës si dobësi

“Fuqia e Bashkimit 2025” nuk është thjesht një paradë. Është një demonstrim i një vizioni hegjemonist që vazhdon të kërcënojë stabilitetin rajonal dhe të minojë përpjekjet për paqe dhe integrim euroatlantik. Serbia po përpiqet të projektojë forcë, por në të vërtetë po shpalos dobësinë e saj: paaftësinë për të ofruar zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët e vet. Për aq kohë sa Beogradi investon në tanke e raketa dhe jo në shkolla, fabrika e fqinjësi të mirë, Evropa Juglindore do të mbetet peng i një historie që refuzon të mbyllet.