OpEd

Frika e udhëtarit para stacionit të trenit

Një dramë me tre kapituj: mbi apatinë gjermane pranë dhe mbi shinat e trenit.

“Duhet pranuar, hekurudhat gjermane (Deutsche Bahn) mund t’i acarojnë nervat. Kur treni i shpejtë ICE, me të cilin udhëtari shpreson të mbërrijë në Berlin, ndalet diku në humbëtirën e Saksonisë së Poshtme, kur pastaj edhe klima nuk funksionon dhe vagonët nisin të ziejnë nën diellin e shkretëtirës së Gjermanisë Veriore, kur pas rënies së natës gërhitja e burrave të trashë kumbon nëpër tren dhe jashtë ulërijnë kafshë të egra, e kur në mëngjes fshatarët vendas vijnë me traktorët e tyre për t’i çuar pasagjerët deri te stacioni më i afërt i autobusit - kjo vërtet ta prish humorin. Me thënë të drejtën, askush në tren s’ishte aq naiv sa të priste një mbërritje me kohë në Berlin, por të paktën optimistët kishin fantazuar se do të shpëtonin me një vonesë prej tri orësh. Këtu shihet se sa i shkëputur nga realiteti është në përgjithësi optimizmi”. - Süddeutsche Zeitung, 25 shtator 2025

Kapitulli i parë i një drame

Frika e udhëtarit para stacionit të trenit: ky do të ishte një titull për roman nëse udhëton në Gjermani me tren. Në një ditë tetori treni zviceran u nis me kohë nga Zürichu drejt Münchenit. Ndryshe as që pritej. Por sapo doli në Gjermani, filluan ndërlikimet. Sa më shumë që afrohej stacioni i trenit në München, aq më tepër shtohej frika se treni tjetër për Ingolstadt do të nisej pa pritur udhëtarët nga treni Zürich-München, të cilët planifikonin të udhëtonin më tutje. Ndodhi një mrekulli: me pak minuta vonesë treni hyri në peronin numër 21 në München (konduktori njëherë tha se do të ndaleshim në peronin numër 7, mandej tha jo në peronin numër 9, pastaj tha po hyjmë në peronin 21). Ky ishte lajm fantastik, sepse në peronin 22, po priste treni për Ingolstadt. I lehtësuar u ula në vendin e rezervuar.

Dhe po prisja të nisej treni. U nis, por me 15 minuta vonesë. Për pasojë trenin tjetër që do më çonte nga Ingolstadt në Regensburg nuk e kapa dot. Lehtësia me të cilën konduktorët gjermanë i njoftojnë udhëtarët se “trenin tjetër e keni pas një ore” tregon jo vetëm për gjendjen e mjerueshme të sistemit hekurudhor gjerman, në fakt dramat e Deutsche Bahn flasin mjaft edhe për gjendjen e Gjermanisë.

Për konduktorin është e vetëkuptueshme që treni vonohet, që duhet të presësh një orë, ose dy… Kështu përfundova duke pritur një orë në stacionin e trenit në Ingolstadt dhe për të shtyrë kohën u përpoqa të pi një kafe jo aq cilësore dhe të ha dy kifle, të cilat më shumë ishin një grumbull brumë. Treni për Regensburg, sipas planit, duhej të nisej në orën 11:05. Ndoshta. Ose ndoshta jo. Kushedi.

Kapitulli i dytë i një drame

Shqiptarët janë fantastikë në spontanitetin e tyre të stolisur me mikpritje tradicionale dhe dashamirësi. Sapo njoftova, përmes një shënimi në Facebook, se për shkak të vonesave të trenave gjermanë më duhej të kaloja disi kohën në stacionin e trenit në Ingolstadt (rreth një orë), menjëherë u lajmëruan dy shqiptarë, të cilët nuk i njihja personalisht. Njëri tha se do të vinte pasdite për të më shoqëruar e ftuar për kafe. Tjetri më dërgoi linkun e hotelit ku punonte dhe më tha se më ftonte me dashamirësi për vizitë. Solidariteti i shqiptarëve është i paparë, sidomos në mërgim. Nuk qenë rrethanat që  t’i takoja këta dy njerëz të mirë, por po i falënderoj publikisht Ilirin dhe Nehatin.

Udhëtimi nga Ingolstadti në Regensburg ishte një përvojë për t’u mbajtur mend. Për çudi, treni u nis me kohë, por pastaj ndalesat u shtuan, bashkë me vonesat. Befas lokomotivisti ndali trenin, hapi derën, në njërën dorë mbante një qese me duhan, në tjetrën një cigare të mbështjellë. Doli tipi të pijë cigare në peron derisa qendra operative ta njoftojë se mund të vazhdojë udhëtimin. Sikur kjo të ndodhte në Zvicër, lokomotivistit do t’i ndalohej hyrja në çdo stacion treni përgjithmonë. Vende të tjera, tabiate të tjera.

Pasi hodhi cigaren, lokomotivisti u kthye në kabinë dhe nisi ecjen me hap kërmilli. Në frustrim e sipër filloi të këndonte në latinisht… Spiritus sanctus… Befas treni i ngjau një kishe mobile me meshë të së dielës. Me këtë kaos në trafikun hekurudhor, lokomotivistit s’i mbetet gjë tjetër veçse t’i lutet atij atje lart. “Më vjen keq, por s’kam çfarë të bëj. Unë jam vrima e fundit e kavallit. Vetëm urdhra më duhet të zbatoj”, tha lokomotivisti. Një profil në X (ish-Twitter) mbledh njoftime të personelit të hekurudhës gjermane. Qe një nga këto: “Siç e dimë të gjithë, Hanau është qyteti i Vëllezërve Grimm. Prandaj, unë dyshoj se arsyeja që ne nuk kemi mbërritur ende në stacionin kryesor të trenit është se dispeçeri i trafikut po i tregon përralla lokomotivistit tonë".

Kapitulli i tretë i një drame

Plani i kthimit nga Regensburgu i Gjermanisë në Zürich ishte ky: nisja nga Regensburgu në 08:46. Arritja në München në 10:37. Vazhdimi i rrugës për në Zürich me trenin e orës 10:54. Arritja në Zürich në 14:27. 

E vërteta e hidhur pelin ishte kjo: po afrohej mbrëmja dhe unë isha ende në tren. Në Zürich arrita rreth orës 17:30. Me tri orë vonesë.

Nuk ka fushë të jetës ku shihet kolapsi i Gjermanisë më shumë se në transportin publik. Njerëzit janë topitur aq shumë nga mungesa e efikasitetit të trenave gjermanë, saqë kanë rënë në fatalizëm dhe apati. Vonesat e mëdha të trenave janë rregulli, saktësia është përjashtim, saqë edhe kur ndodh të duket e pabesueshme.

Nga Regensburgu treni u nis pothuaj me kohë. Treni tjetër nga Landshuti për në München u nis po ashtu gati me kohë. Po pse duhet ndërruar trenin në Landshut? Sepse janë duke u zhvilluar punime në stacionin e trenit. Zviceranët së pari do ta kishin ndërtuar një hekurudhë të re devijuese, pastaj do kishin nisur punimet në kantier (në baushtellë, siç thuhet në kosovarishten e lashtë).

Sidoqoftë, treni nga Landshuti për në München pas nisjes premtuese, u shndërrua në një mushkë që hedh shkelma, ecte pak, ndalej, ecte pak, ndalej prapë, ndërkohë zemërimi i udhëtarëve sa vinte e shtohej. Në stacionin e Münchenit treni hyri me 20 minuta vonesë. Treni zviceran tashmë ishte nisur.

E pashë vetëm vagonin e fundit duke ikur nga peroni numër 27.

E tash? Duhej pritur edhe dy orë, lidhja tjetër për Zürich ishte në 12:54. Stacioni i trenit në München ka pamje të shëmtuar. Është duke u rindërtuar. Punimet kanë filluar më 2019, thuhet se do të mbarojnë më 2030, disa skeptikë besojnë se punimet nuk do të mbyllen deri më 2038.

Duke u sorollatur nëpër stacion, më ra në sy një pamje: në një mur qëndronte shqiponja gjermane (prej teneqeje), me krahët në formë të muskujve, një simbol force, dhe pranë saj disa kabllo që dilnin nga muri dhe nuk dihej a janë nën tensionin e rrymës apo jo. (Mund ta prekë këtë ndonjë fëmijë i vogël, për shembull).

Gjermania është ekonomia më e madhe në Evropë.

E treta në botë.

Por kur e shikon kaosin në transportin publik, ky vend duket sikur është në rënie të lirë.

Mungesë investimesh në infrastrukturë.

Mungesë personeli.

Mungesë menaxherësh të aftë, bollëk menaxherësh të paaftë.

Dhe politikanë që me dekada kanë ndarë para për asfaltim rrugësh. Lobi i industrisë së automobilave është i madh në Gjermani.

Shpresat se së paku treni i orës 12:54 do të nisej me kohë vdiqën rreth orës 12:30. Treni po vonohej. Nuk është faji i zviceranëve, që të jetë kjo e qartë. Ata e fusin trenin me kohë në Gjermani, por aty fillon apokalipsi hekurudhor. Njëherë u njoftua përmes altoparlantëve të stacionit se treni do vonohej 15 minuta, pastaj 20 minuta, pastaj 30. Qindra njerëz po prisnin në peronin 27, një plak fjalosej me plakën e tij, disa fëmijë ua hanin nervat prindërve, disa të rinj pinin birra dhe bërtisnin. Më të civilizuarit heshtnin. U nisëm me 65 minuta vonesë nga Müncheni.

Gjermania, vendi i inxhinierëve, vendi i prodhimeve që eksportohen në mbarë botën, vendi i zbulimeve, vendi i shkencëtarëve, vendi i industrisë së veturave, vendi i qyteteve të bukura, vendi i trevave mbresëlënëse - të gjitha këto ende ekzistojnë, por një depresion ka përfshirë shoqërinë dhe kjo askund nuk vërehet më shumë se në trena dhe në stacione të trenave.

Në trenin i cili po më çonte drejt Zürichut, disa pasagjerë filluan të pinë duhan - me gjasë një shenjë proteste kundër vonesës. Shpejt e mori fjalën konduktori gjerman, i cili përmes altoparlantëve tha: “Për ata që kanë ndezur cigare: në të gjitha vendet alemane (Gjermani, Zvicër, Austri) ndalohet pirja e duhanit në tren. Po ua them në dialektin e Zvicrës gjermane: lëreni këtë mutësihane”. Një fjalë që i shkon për shtati edhe punëdhënësit të konduktorit.