Arbëri

Kastrati: SHBA-ja nuk tërhiqet nga Kosova, Ballkani Perëndimor në vijë me interesat amerikane

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka thënë se Ligji për politikën e mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), jep mesazh që Ballkani Perëndimor e në veçanti Kosova janë në vijë me interesat gjeopolitike dhe strategjike të SHBA-së. 

Në një intervistë ne emisionin “60 Minuta” ai ka thënë se dokumenti i nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, u jep mesazh të qartë Rusisë, Kinës e shteteve që kanë aspirata detabilizuese në Ballkanin Perëndimor, duke i kufizuar që të veprojnë drejt destabilizimit. 

“Ky dokument jep mesazh të qartë, mesazh te Rusia dhe Kina, por edhe të shtetet që kanë aspirata destabilizuese këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor, u jep mesazh të qartë që Ballkani Perëndimor është në vijë me interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe për këtë arsye i kufizon dhe i parandalon që të veprojnë më tutje drejt ndikimit të këtyre faktorëve në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kastrati.

Sipas tij dokumenti tregon që SHBA-ja nuk do të tërhiqet nga Kosova. 

“Edhe pse shumë njerëz, shumë analistë kanë thënë që është një rrezik i madh që Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor, kjo e tregon të kundërtën, se Ballkani Perëndimor dhe në veçanti Kosova janë në vijë me interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar Kastrati.

Sipas tij me këtë Ligj, Kosova më së largu në vitin 2027 do të marrë sinjale pozitive për anëtarësim në NATO. 

“Janë disa mesazhe pozitive, e para është që Kosova është shtet sovran, numër dy është që nuk ka shkëmbim territoresh qysh ka kërkuar Serbia dhe numër 3 qartë i jep mesazh Serbisë që njohja është e domosdoshme. Edhe një mesazh i qartë që për neve është jashtëzakonisht i rëndësishëm është që Kosova duhet të ecë fuqishëm drejt anëtarësimit në NATO. Unë pres që me këtë Strategji të mbrojtjes të SHBA-së, pres që Kosova, jo më larg se në vitin 2027, të marrë sinjalin pozitiv që të ecë drejt anëtarësimit në NATO”, është shprehur Kastrati, duke shtuar se kjo sipas tij do të prodhonte një stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kastrati: Institucionet kanë qenë në gjumë sa i përket armatosjes

Ai ka folur edhe për vendimin e Qeverisë për të ndërtuar fabrikën e municionit në Gjakovë.
Kastrati ka thënë se deri më tani institucionet kanë “qenë në gjumë” dhe se shpreson që vendimi të mos jetë vetëm për efekte elektorale. 

“Duke pasur parasysh situatën globale që është e rënduar, duke pasua parasysh që qindra miliarda shtetet evropiane janë duke investuar në forcat e tyre të armatosura, duke pasur parasysh që kanë aktivizuar të gjitha ato fabrikat e prodhimit që kanë pasur deri më tani shtete e NATO-s, ne mund të themi lirisht që kemi qenë në gjumë deri më tani dhe nuk kemi pasur asnjë strategji të mirëfilltë që nesër nëse vjen deri te një konflikt është shumë e vështirë që të vihet deri të pajisjes dhe municione”, ka theksuar Kastrati. 

Ai ka kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për mungesë veprimesh për t’u hapur rrugë investimeve ushtarake nga vetët e tjera në Kosovë. 

“Uroj që Qeveria që po vjen të mos jetë sikur kjo që shkoj, sepse Ministria e Punëve të Jashtme e cila do të duhej t’u hapte rrugë çdo kund veprimeve ushtarake për investime nuk ka qenë në nivelin e duhur”, ka theksuar Kastrati.

Sipas tij SHBA-ja nuk është larguar nga vija e përkrahjes por që disa shtete të tjera ka thënë se e kanë bërë. 

Ai ka folur edhe për ndikimin që Rusia mund të ketë në rajon nëpërmjet Serbisë, duke thënë se ka informata që Rusia po punon që në pushtet atje të sjellë ish-shefin e BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.

Sipas tij Kosova duhet të përgatitet dhe të dëshmojë që është partner serioz në fushën e sigurisë. 

“Sipas informatave që kam, Rusia është përgatitje e sipër që ta avancojë Vulinin në pushtet për ta zëvendësuar Vuçiqin, dhe Vulin është aleat i fuqishëm i Rusisë dhe njeri që do ta shtyjë përpara ‘Serbinë e Madhe’, na lë të kuptojmë që do të duhej të përgatitemi, pavarësisht se SHBA-ja po na ndihmon, por ne në rend të parë duhet ta ndihmojmë vetveten që të dëshmojmë se jemi partnerë seriozë”, ka deklaruar Kastrati.