OpEd

Etosi “luftarak” i Amerikës nuk do ta mbrojë Evropën

Epoka e “mbrojtjes” ka marrë fund dhe ka nisur epoka e “luftës”. Fragmentimi i BE-së, shpesh i trajtuar si çështje teknike, është tani një përgjegjësi e rëndë, ndërsa shpenzimet për mbrojtje, të para dikur si diskrecionale, tani janë çështje mbijetese. Çfarëdo që të ndodhë më tej, Evropa nuk mund ta heqë vëmendjen nga natyra ekzistenciale e sfidave të sigurisë me të cilat përballet – apo nga paqëndrueshmëria e Amerikës si partnere. Ajo duhet të bëhet aktor strategjik me të drejtën e vet

Ana Palacio

Javët e fundit dronë të paidentifikuar shkelën hapësirën ajrore të Bashkimit Evropian, duke e nxitur mbajtjen e një takimi emergjent të liderëve evropianë, nën organizim të Danimarkës. Në fakt, shkelje të këtilla janë shtuar ndjeshëm gjatë tre muajve të fundit, pasi të paktën dhjetë shtete – nisur nga Polonia e Rumania e deri te vendet baltike dhe madje Franca – raportuan aktivitete të dyshimta dronësh. Ky trend shpërfaq se sa e ekspozuar është Evropa ndaj kërcënimeve të sigurisë që lidhen me fushatën e luftës hibride të Rusisë. Por mbase rreziku më i madh për sigurinë e Evropës buron nga Shtetet e Bashkuara, ku administrata e presidentit Donald Trump po e ndjek një qasje të politikës së jashtme që i kombinon izolimin me konfrontimin.

Administrata Trump nuk e ka mbajtur fshehtë përbuzjen e saj për angazhimet e sigurisë së Amerikës, përfshirë ato për aleatët në NATO. Fjalimi i gjatë i zëvendëspresidentit amerikan, J.D. Vance, në Konferencën e Sigurisë në Munih gjatë shkurtit – kur liderëve evropianë u tha se kërcënimi më i madh për sigurinë e tyre burgon “nga brenda” – është shembulli tipik. Përderisa administrata Trump pretendon se thjesht kërkon që vendet e NATO-s t’i përmbushin detyrimet e tyre, veçanërisht për sa u përket shpenzimeve për mbrojtje, do të ishte naivitet për Evropën që të mbështetet tek SHBA-ja për ta përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes.

Për administratën Trump, “America First” (Amerika e Para) nuk është thjesht slogan; është etos politik i përdorur për ta justifikuar qasjen e mbyllur, të paqëndrueshme dhe transaksionale pa bazë në rregulla, norma apo vlera. Por nuk është në fakt “Amerika” që vjen e para; është Trumpi dhe qarku i tij i ngushtë, që kanë grumbulluar pasuri marramendëse që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë. Urdhri ekzekutiv i ri i Trumpit që ofron garanci të plota sigurie për Katarin – i cili së fundi ia dha SHBA-së një aeroplan 400 milionë dollarësh që Trumpi tani po e modifikon për t’i shërbyer si version ri i “Air Force One” – tregon se sa e paparashikueshme dhe oportuniste është bërë politika e jashtme amerikane.

Tani, sidoqoftë, administrata Trump ka kaluar nga qasja transaksionale në atë konfrontuese. Në një takim të jashtëzakonshëm në bazën ushtarake të marinsave Quantico, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u ligjëroi më se 800 udhëheqësve ushtarakë, që janë sjellë nga gjithë bota me një kosto të lartë, për ta promovuar “etosin luftarak”, për t’i kundërshtuar rregullat “torollake” të angazhimit dhe për t’i refuzuar “mbeturinat e ‘woke’-ut”, përfshirë “adhurimin e ndryshimeve klimatike”.

Por ishte vetë Trumpi ai që e përmblodhi më mirë qasjen e re të Amerikës karshi sigurisë, kur afirmoi se “Departamenti i Mbrojtjes” tani sërish do të quhet “Departamenti i Luftës”. (Kongresi ende nuk e ka miratuar ndryshimin e emrit). Kjo e zmbraps vendimin e 1949-tës që e synoi komunikimin e angazhimit të Amerikës për vetëpërmbajtje, ligjshmëri dhe kontroll civil mbi ushtrinë, në kohën kur SHBA-ja po e merrte rolin e garantuesit të një rendi botëror të qëndrueshëm e të bazuar në rregulla. Ky ndryshim e sinjalizon braktisjen nga Amerika të këtij rendi, i cili i mbështeti marrëdhëniet ndërkombëtare - përfshirë bashkëpunimin multilateral dhe angazhimin ekonomik me përfitim të ndërsjellë – për më tepër se tetë dekada.

Sa për dijeni, ky qe më tepër konfirmim i një ndryshimi politik sesa një lajm i ri. Ndonëse SHBA-ja përfitoi benefite të papëshkrueshme nga pozicioni i saj dominues përbrenda rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, administrata Trump prej kohësh shprehu pakënaqësi ndaj kostove dhe kufizimeve që ai i sjell.

Megjithëkëtë, veprimet e fundit të SHBA-së i japin jehonë një bote më të ashpër, në të cilën qiejt dhe shtigjet detare janë të kontestuar, zinxhirët e furnizimit janë përherë e më të brishtë, aleancat janë në dyndje, demonstrimi i forcës e eklipson diplomacinë dhe vendi që kaherë e përcaktoi stabilitetin global nuk mund të gjendet ndokund. Në fakt Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes e Amerikës i vendos “misionet vendase dhe rajonale” për mbrojtjen e “atdheut” mbi përpjekjet për t’iu kundërvënë kërcënimeve nga kundërshtarët e fuqishëm, si Kina apo Rusia, sipas atyre që e kanë parë draftin.
Pjesa tjetër e botës veçse ka nisur t’i përshtatet këtij realitet të ri strategjik. Disa vende, si Australia dhe Japonia, po e dyfishojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me SHBA-në, me shpresën se ajo ende nuk e ka humbur interesimin e saj për t’i kufizuar ambiciet hegjemone të Kinës në Indo-Paqësor. Të tjerët, si India, Turqia dhe shtetet e Gjirit, po e ndajnë rrezikun përmes diversifikimit strategjik. Përgjigjja e Evropës, megjithatë, lë shumë për të dëshiruar.

Edhe nëse tërheqjet e mëdha të forcave amerikane nga Evropa shmangen, një riorganizim i trupave është thuajse i pashmangshëm. Andaj, nëse shpërthen ndonjë krizë sigurie – skenar aspak i largët, duke e pasur parasysh luftën hibride të Rusisë – BE-ja duhet të jetë e përgatitur për ta përballuar. Por përderisa Polonia, vendet baltike dhe ato nordike po ecin përpara me ritme të shpejta në drejtim të riarmatosjes, vendet e tjera po ngelin prapa. Edhe iniciativat në nivel BE-je – përfshirë Fondin Evropian të Mbrojtjes, një strategji kjo e përbashkët industriale për mbrojtjen, Aktin e Mbështetjes së Prodhimit të Municioneve, Aktin për Forcimin e Industrisë së Mbrojtjes përmes Prokurimeve të Përbashkëta dhe instrumentin financiar “Security Action for Europe” – po dëmtohen nga fragmentimi.
Tri janë prioritetet që dalin në pah. E para, Evropa duhet të përqendrohet në rritjen e kapaciteteve të saja ushtarake – në municion, trajnim dhe mbrojtje ajrore – e jo në lëshimin e më shumë komunikatave. E dyta, ajo duhet të sigurojë kohezion: sanksionet dhe kontrollet e eksportit duhet të zbatohen në mënyrë uniforme, pa përjashtime. Dhe e fundit, Evropa duhet të përdorë peshën e saj ekonomike për ta forcuar pozitën e saj gjeopolitike. BE-ja e ka kapacitetin që të gjenerojë përparim të shpejtë në riarmatime, përfshirë porosi të parashikueshme shumëvjeçare për industrinë evropiane. Por pa një qasje strategjike të unifikuar, joefikasiteti do t’ia shterojë burimet, kësisoj bashkëveprimi do të pësojë.

BE-ja duhet njashtu të përfitojë nga bashkëpunimi më i gjerë me Mbretërinë e Bashkuar. Por, përderisa Partneriteti i ri BE-Mbretëri e Bashkuar për Sigurinë dhe Mbrojtjen është hap në drejtimin e duhur, bashkëpunimi nuk do të jetë i lehtë. Ndonëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ende e sheh NATO-n si gur themel të sigurisë britanike, ajo njashtu do të synojë ta marrë rolin udhëheqës në koalicionet e fokusuara te teknologjia e avancuar, si AUKUS (me Australinë dhe SHBA-në) dhe Programi Global për Aviacion Luftarak (me Japoninë dhe me Italinë).

Epoka e “mbrojtjes” ka marrë fund dhe ka nisur epoka e “luftës”. Fragmentimi i BE-së, shpesh i trajtuar si çështje teknike është tani një përgjegjësi e rëndë, ndërsa shpenzimet për mbrojtje, të para dikur si diskrecionale, tani janë çështje mbijetese. Çfarëdo që të ndodhë më tej, Evropa nuk mund ta heqë vëmendjen nga natyra ekzistenciale e sfidave të sigurisë me të cilat përballet – apo nga paqëndrueshmëria e Amerikës si partnere. Ajo duhet të bëhet aktor strategjik me të drejtën e vet.

(Ana Palacio, ish-ministre e Jashtme e Spanjës, ish-nënkryetare dhe këshilltare e përgjithshme e Grupit të Bankës Botërore, është ligjëruese në Universitetin Georgetown. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).