Pra, nesër na presin ethet e së premtes, edhe pse për këto ethe është dhënë vaksina nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga ambasadat e Kuintit dhe nga Ambasada e Kosovës në Facebook. Këto zhurma politike do të mbesin vetëm zhurma, kakofoni të kota, sepse në realitet asnjërës parti të opozitës nuk do t’i konvenonte shkuarja në zgjedhjet e sërishme të parakohshme e që do të ishte funerali i tyre politik. Përndryshe, munden edhe që t’i marrin seriozisht thirrjet publike të Partisë Socialiste Demokratike, të PSD-së dhe të mos e votojnë kandidimin e zonjës Osmani për presidente të Republikës së Kosovës, mirëpo pastaj lirisht le të llogarisin në bashkëngjitjen e tyre të të bërit opozitë së bashku me PSD-në në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës apo nëpër studiot e debateve politike të kanaleve të shumta televizive në Kosovë. Zgjedhja është e tyre
Sot është 1 Prilli, festa ndërkombëtare e politikanëve. Pas 364 ditëve me gënjeshtra vjen edhe 1 Prilli, dita e shënuar legjitime e gënjeshtrave. Në Perëndim asgjë të re.
Sirtari im është i mbushur me kabllogramet diplomatike, të cilat duhej shoshitur gjatë ditëve që i lamë pas.
Do t’ia fillojmë me arritjen e kontingjentit të parë prej 26.000 vaksinash të donatuara si pjesë e programit COVAX nga UNICEF-i dhe BE-ja për ndihmë vendeve të treta të botës. Për t'ia lehtësuar lexuesit të ditarit tim kuptimin e diplomacisë, e cila qëndron mbrapa tyre, më duhet të sqaroj faktin se arritja e këtij kontingjenti të vaksinave në Kosovë nuk është meritë e punës së Qeverisë së kaluar e aq më pak meritë e Qeverisë së tanishme. Është thjesht donacion për vendet e varfra me shuma simbolike të vaksinave, thjesht për një PR mbulesë të shkaktuar nga vetë vendet e pasura në tregun e industrisë farmaceutike dhe fabrikave të ndryshme, të cilat i prodhojnë vaksinat e aprovuara në luftën kundër COVID-it, me porositë e vaksinave për popullatat e tyre dhe me pamundësimin e porosive nga ana e shteteve të tjera më të varfra.
Kjo në fakt ka shkaktuar luftëra të shumta të heshtura midis qeverive perëndimore. Mbretëria e Bashkuar kritikohet ashpër nga Gjermania dhe Franca, të cilat ia tërheqin vërejtjen se ajo nuk do ta ketë aq kollaj që të porosisë kontingjentin e radhës së vaksinave të destinuara për popullatën e saj.
Vazhdojmë tek pranimi i kontingjentit prej 26.000 vaksinave të donatuara për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ato u pritën në aeroportin ndërkombëtar "Adem Jashari" të Kosovës, me nderime të larta qeveritare. Të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, z. Përparim Kryeziu, si dhe zyrtarë të tjerë të shumtë. Mungoi vetëm tepihu i kuq dhe orkestra revyale e Ushtrisë së Kosovës.
E gjitha kjo na u mbështjell se na qenka pjesë e protokollit të UNICEF-it dhe BE-së në lidhje me donacionet e vaksinave me anë të programit COVAX.
Mund të më quani cinik, mirëpo në përvojën time 10+vjeçare që ndërlidhet me donacionet dhe sponsorizimet nuk kam hasur në kësi lloj protokolli dhe kërkese nga ana e donatorit. Sidomos, aq më pak, kur shuma e donacionit është aq e papërfillshme për organizata me renome sikur UNICEF-i dhe BE-ja. Kjo ka mundur të jetë edhe donacion i thjeshtë i një qytetari, i cili disi në këtë rrëmujë ka arritur deri te vaksinat.
Siç thotë fjala e urtë e pellazgëve të vjetër "kalit të falur nuk i shikohen dhëmbët" dhe nuk dëshiroj që ta nënvlerësoj as këtë donacion, mirëpo, e kam të vështirë ta kuptoj se po ekzistuaka një protokoll për pranimin e tyre, i cili po kërkuaka që krerët e qeverive ta bëjnë pritjen e tyre qysh me aterrimin e këtij donacioni në pistën e aeroportit apo thjesht kemi të bëjmë me mentalitetin ballkanik, që nuk zgjedh as metodë e as rast për vetëpromovim të "sukseseve" të punës dhe angazhimit të tyre. Disi po e kam më të vështirë ta pranoj faktin se shpirti i njeriut është prishur deri në atë shkallë, saqë donatori ta kushtëzon një donacion simbolik me një pompozitet të tillë.
Për të mos mjaftuar ky protokoll, menjëherë të nesërmen kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, e mori vaksinën e parë si qytetar i Kosovës, natyrisht me fotografitë e përcjella si "pjesë" e protokollit të programit COVAX.
Lexuam reagime të shumta qytetarësh në lidhje me këtë gjë. Të dyja kampet kishin argumentet e veta. Kampi i parë se marrja e vaksinës nga ana e kryeministrit Kurti ishte për ngritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për marrjen e saj për shkak të dezinformatave të shumta, të cilat qarkullojnë në publik në lidhje me pasigurinë e këtyre vaksinave. Kampi i dytë ishte nga ata kritikues, të cilët thoshin se kryeministri Kurti e kishte tejkaluar COVID-in dhe se në organizmin e tij do të duhej të kishte mjaft antitrupa të krijuar për mbrojtjen e tij dhe se këtë vaksinë do të duhej t'ia lironte një të moshuari si privilegj.
Unë jam i mendimit se që të dyja kampet i kanë argumentet e qëndrueshme, mirëpo do të shtoja se sikur këto vaksina të ishin të porositura dhe të paguara nga Qeveria e Kosovës, si dhe numri i tyre së paku ta përfshinte vaksinimin e gjysmës së popullatës, atëherë do ta arsyetoja marrjen e vaksinës nga ana e kryeministrit për ngritjen e vetëdijes në lidhje me marrjen e saj, por në një donacion prej 26.000 sish e kam paksa të vështirë ta kuptoj edhe ta arsyetoj atë gjë.
Në vazhdën e protokolleve tashmë të njohura kosovare nuk vonoi shumë dhe doli lajmi se kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, tashmë nuk jeton në banesën e tij prej 60m², por edhe ky, sikur edhe të gjithë pararendësit e tij të cilëve miqtë ua ndërtonin shtëpitë luksoze apo ua dhuronin banesat pa pagesë qiraje, u shpërngul në një shtëpi prej 500 m², në lagjen “Taslixhe 4” të Prishtinës.
Por, për mua, kabllogrami më i rëndësishëm diplomatik i javës që po e lëmë pas është zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe përmbyllja e formalizimit të institucioneve kosovare në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, të premten, më 2 prill 2021.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur në Kryesinë e LDK-së, tashmë të udhëhequr nga kryetari i saj i ri, z. Lumir Abdixhiku, është sjellë vendimi që deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votimin e kandidates së Vetëvendosjes për pozitën e presidentes, zonjës Vjosa Osmani.
Nëse i kujtoni shkrimet e mia në ditarët e mëhershëm, unë isha i mendimit se ky do të duhej të ishte veprimi më logjik dhe korrekt politik i LDK-së, e sidomos pas rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Çdo gjë është e legjitimuar aty dhe LDK-ja apo disa nga anëtarët e saj të inatosur duhet që ta tejkalojnë egon e tyre dhe ta dëgjojnë zërin e sovranit. Ata mund të zgjedhin që të mos e votojnë zonjën Osmani, por assesi të shndërrohen në parti e cila do t’i bllokonte proceset e formimit të institucioneve të Kosovës e që Partia Demokratike e Kosovës ishte shumë e interesuar që një patate të tillë të nxehtë të përgjegjësisë t'ia linte në dorë LDK-së si një mollë sherri.
Partitë e tjera shqiptare të opozitës, AAK dhe PDK, kanë deklaruar dhe kanë sjellë vendim se ato nuk kanë vota për zonjën Vjosa Osmani dhe se nuk do të qëndrojnë në sallë të Kuvendit për t'ia bërë kuorumin asaj gjatë votimit. Ngjashëm është deklaruar edhe Lista Serbe, por e cila nuk e ka bërë të qartë se a do të qëndrojë në sallën e Kuvendit gjatë votimit.
Ajo që Lista Serbe e ka bërë sigurisht është se e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën kundër Qeverisë Kurti 2 për shkak të emërimit të vetëm një ministri nga komuniteti serb si pjesë e Qeverisë, përderisa të gjitha qeveritë e mëparshme i kishin ndarë dy ministri për komunitetin serb, e qe besa edhe pozitën e zëvendëskryeministrit.
Pra, nesër na presin ethet e së premtes, edhe pse për këto ethe është dhënë vaksina nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga ambasadat e Kuintit dhe nga Ambasada e Kosovës në Facebook. Këto zhurma politike do të mbesin vetëm zhurma, kakofoni të kota, sepse në realitet asnjërës parti të opozitës nuk do t’i konvenonte shkuarja në zgjedhjet e sërishme të parakohshme e që do të ishte funerali i tyre politik.
Përndryshe, munden edhe që t’i marrin seriozisht thirrjet publike të Partisë Socialiste Demokratike, PSD-së dhe të mos e votojnë kandidimin e zonjës Osmani për presidente të Republikës së Kosovës, mirëpo, pastaj lirisht le të llogarisin në bashkëngjitjen e tyre të të bërit opozitë së bashku me PSD-në në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës apo nëpër studiot e debateve politike të kanaleve të shumta televizive në Kosovë.
Zgjedhja është e tyre.