OpEd

Ditët e para

Edhe kjo Qeveri do të duhej ta kalonte 100-ditëshin e parë, për t’u “marrë më seriozisht”. Porse kjo nuk do të thotë se brenda 100 ditësh nuk duhet bërë gjë. Përkundrazi. Ekipi qeveritar, i mbushur me njerëz të rinj, ka shumë punë për të bërë, për të kuptuar se në çfarë gjendjeje i kanë marrë dikasteret nga Qeveria më e keqe që ka pasur Kosova ndonjëherë. E për ta kuptuar do t’iu duhet edhe kohë, por edhe vendosmëri për t’i spastruar ato nga njerëzit që Kosovës të mirën nuk ia duan.

Qeveria e re ka më pak se dy javë që ia nisi punës, tashmë me një kabinet ku 30% janë gra, dhe kur për herë të parë Kuvendi udhëhiqet nga një grua. Qeveria është në proces të plotësimit të vendeve të zëvendë sministrave, dhe krejt çfarë kemi parë deri tash është se të gjithë të emëruarit janë meshkuj dhe të gjithë janë të VV-së. Mbase LDK-ja ende nuk e ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve të tyre, porse të shohim po qe se do të ruhet kjo përqindja artificiale e 30% edhe në postet e zëvendësshefave të dikastereve. Fundi i javës tregoi se bashkëjetesa ndërmjet kësaj Qeverie dhe kryetarit të shtetit do të jetë e mundimshme dhe se do të ketë shumë pak hapësirë për koordinim - sepse veprimi i djeshëm i Thaçit tregon se ai do të vazhdojë t’i bjerë muzikës ashtu siç ia merr mendja atij se duhet, e jo ashtu siç në të vërtetë do të duhej.

Instalacioni i PDK-së

Ende është herët të dihet se si e ndiejnë veten deputetët e PDK-së në Kuvend, tash të ulur në ulëset e reze rvuara për opozitën. 

Prej veprimeve të para duket se këtë rol e kanë marrë seriozisht, fillimisht kur e bojkotuan seancën në të cilën Vjosa Osmani u zgjodh kryeparlamentare, dhe më pas kur nuk shkonin në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për shkak se Osmani e kishte zhvendosur fotografinë e Hashim Thaçit nga kabineti i saj. Në seancën e radhës, kur u vendos për komisionet e Kuvendit dhe shtyrjen e buxhetit deri në mars, deputetët e PDK-së e sollën një fotografi të madhe të Thaçit dhe ia vendosën prapa karriges së Osmanit. Fotografia u hoq më vonë dhe seanca u zhvillua normalisht deri në mbyllje. 

Në instalacionin që e bënë qenë të vetmuar: askush nuk iu bashkua nismës për ta vendosur foton, duke i lënë të vetmuar në mbrojtjen e “simbolit të unitetit të PDK-së”, ngase është evidente se askush tjetër në atë Kuvend nuk e sheh Thaçin si simbol uniteti të Kosovës. 

Duke e pasur parasysh se ende në debatin parlamentar nuk janë paraqitur “temat e nxehta“ që do të kërkojnë edhe konsensus e edhe opozitarizëm të pastër, mbetet e paqartë se si do të veprojnë deputetët e PDK-së, si dhe ata të AAK-së dhe NISMA-s, që kësaj radhe duhet ta luajnë korrektuesin e politikës së përcaktuar dhe të udhëhequr nga koalicioni qeverisës. 

Shmangia e Thaçit

Pak para se të bëhej e ditur se do të shkohej në Konferencën e Sigurisë në Munih,Kurti i bëri thirrje publike Thaçit që të uleshin për të koordinuar veprimet në politikën e jashtme të Kosovës. 

Kushtetuta ia përcakton shefit të qeverisë dhe kryetarit të shtetit këtë prerogativë, porse përvoja nga Qeveria e shkuar, kur Haradinaj kishte për ministër të Jashtëm Pacollin katastrofal dhe kur kishte hequr dorë nga pjesëmarrja në bisedat me Serbinë, tregonte se këto dhe shumë prerogativa të tjera i kishte marrë Thaçi, ani që nuk kishte bazë për këtë punë. 

Aq, sa edhe vetë Gjykata Kushtetuese e kishte precizuar se çështja e negociatave është punë e Ekzekutivit dhe se kryetari i shtetit nuk ka punë këtu. Siç ishte e pritur, Thaçi jo vetëm që nuk i dha përgjigje Kurtit, porse u ngut të shkonte në Gjermani sa më shpejt që të ishte e mundur, që të merrte pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të edhe dy letrave qëllimi për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në transportin hekurudhor dhe atë rrugor. Nën presionin tepër të madh të Grenellit, i cili është emisar special i Trumpit në raportet Kosovë-Serbi, dhe në prezencën e Vuçiqit dhe të Thaçit, u nënshkruan këto letra. Puna është se letrat nga ana kosovare i nënshkruan dy shërbyes civilë. 

Nga ana e Serbisë, nënshkrimi qe i Marko Gjuriqit, shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Natyrisht, se është evidente se Serbia vazhdon ta shikojë Kosovën si krahinë të veten, prandaj edhe e ka autorizuar këtë zyrtar që të paraqitet aty e të nënshkruajë letra sikur në kohën e masave të dhunshme,kur Kosovën e udhëhiqnin shefat e Okrugave. Sido që të jetë, dallimi tjetër shumë i madh është se përderisa Vuçiqi e ka fuqinë e vendimmarrjes në politikën e jashtme serbe,si dhe fuqinë për të negociuar e nënshkruar ose jo çfarëdo qoftë, Thaçi këtë të drejtë nuk e ka. 

Nuk e ka sidomos pas interpretimit tashmë të përmendur të Kushtetueses. Vazhdimi i funksionimit të tij si agjent i pavarur tregtar mbase do të duhej të mjaftonte për ta nisur procedurën para Kushtetueses për konstatimin e shkeljes së Kushtetutës nga Thaçi. Këto letra qëllimi në fund çojnë te muhabeti bajat i taksës - nëse duhet të hiqet ose jo. Dëmin ekonomik që kjo taksë do t’ia ketë shkaktuar Serbisë nuk është asgjë krahasuar me gjithë dëmin që na e ka shkaktuar Serbia në shumë dekada të shkuara, sidomos ato që janë të lidhura për kohën e luftës, e besa edhe këto të pasluftës. Qeveria e re ka vendosur që taksën ta zëvendësojë me reciprocitet apo, më mirë thënë, paritet, e edhe kjo u kundërshtua nga Grenelli. 

Problemi është se Grenelli apo kushdo qoftë tjetër që do të merrej me një proces ndërmjetësimi, nuk e ka ndier në lëkurën e vet se çfarë do të thotë të “merresh vesh” me Serbinë. Marrja vesh me Millosheviqin, pa kushte derisa nuk ndodhi bombardimi, na e shkatërroi gjysmën e Kosovës. Gjatë bombardimit na e shkatërroi edhe atë gjysmën tjetër dhe na i la kufomat e zhdukura e të shkapërderdhura nëpër Serbi. 

Shihet qartazi se Grenellit i konvenon një bashkëbisedim i përshpejtuar me Vuçiqin dhe Thaçin. Vuçiqi i ka të gjitha për t’i fituar për Serbinë. Thaçi vazhdon të përpiqet ta paraqesë veten si njeri i paqes, duke u përpjekur me gjithë shpirtin që ta shmangë Gjykatën Speciale. Krahasuar me situatën e tij deri para dy javësh, mbase edhe e ka pasur këtë komoditet. Porse tash e ka një Qeveri të vendosur që të mos ia lërë në dorë procesin e negociatave, nga e cila Kosova ka nxjerrë marrëveshje të këqija dhe e ka mohuar shtetësinë e vet duke ia vendosur vetes fusnotën në emër.

Ndërkohë

Para Munihut dhe para nënshkrimit të edhe dy letrave, përmbajtjet e të cilave nuk i dimë, dhe nuk e kemi as idenë më të vogël se si do të zbatohen, Qeveria e re i ndërmori edhe disa veprime, që jo pakkush i cilësoi populiste, ani pse të drejta. 

Vendimi i parë kishte të bënte me rrogat e qeveritarëve. Qeveria e shfuqizoi vendimin për rritjen e pagave të qeveritarëve, porse nuk i nguci ato të judikaturës. Tash, duke e pasur parasysh se Ligji për pagat është miratuar nga Kuvendi, porse ende nuk ka hyrë në fuqi për shkak të masës së përkohshme nga Kushtetuesja, ky vendim do të mund të zbatohet për aq kohë sa ky ligj të mos hyjë në fuqi. Kjo do të thotë se kursimi i proklamuar prej 5 milionë eurosh a sa, në fakt nuk është real. 

Do të jetë real vetëm nëse Qeveria i hyn ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të pagave, dhe vërtet rrogat i kthen në nivelin e përcaktuar me këtë vendim. Po qe se këto ndryshime nuk i bëhen ligjit, atëherë rrogat do të jenë të nivelit që i përcakton ligji, pra më të mëdha. Vendimi tjetër kishte të bënte me pagesat shtesë për ministrat dhe zëvendësministrat pas kryerjes së mandatit. Vendim shumë i qëlluar, ani pse jo me veprim retroaktiv. Për pasojë, badihavxhinjtë e Qeverisë së shkuar do t’i marrin këto shtesa, mbi rrogat që i kanë marrë gjashtë muaj pa bërë gjë, që nga rënia e Qeverisë e deri te formimi i Qeverisë së re. 

Vendimi i fundit, mbase më i qëlluari ndër ta, ishte përdorimi i mjeteve nga fondi rezervë për ndihmë komunave të goditura nga moti i lig, nga i cili pësuan shumë shkolla në Istog e Pejë. Pas shumë vjetësh, është mbase hera e parë që paratë e fondit rezervë shfrytëzohen për qëllimin për të cilin janë mbledhur: për t’i sanuar dëmet nga fatkeqësitë elementare. 

* * *

Kurti u nis së bashku me Konjufcën për Munih me aeroplan komercial dhe udhëtoi me klasën ekonomike. E kaloi kufirin e Kosovës nga linja e pasagjerëve të rregullt e jo nga zona e VIP-ve, duke e vendosur një standard të ri, të cilin Kosova nuk e ka pasur që nga çlirimi. Se sa do të zgjasë kjo qasje, ka mbetur të shihet. 

Ashtu siç ka mbetur të shihet po qe se zyra e tij do të jetë në gjendje të prodhojë raporte të rregullta për shpenzimet e udhëtimit që do t’i krijojë ai së bashku me kabinetin e tij në udhëtime jashtë vendit. Është e kuptueshme se kryeministri i vendit duhet të udhëtojë nëpër botë në takime, porse nuk është fare e arsyeshme që gjatë këtyre udhëtimeve të shkohet nëpër hotelet dhe restorantet më të shtrenjta për të shitur mend.

 Nëse në këtë drejtim do të arrijë të dëshmojë se politika e jashtme mund të ndërtohet edhe pa luks, atëherë do ta përmbushë së paku një nga shumë premtimet zgjedhore që i ka dhënë gjatë fushatës. Sido që të jetë, sikurse në secilin rast deri tash, edhe kjo Qeveri do të duhej ta kalonte 100-ditëshin e parë, për t’u “marrë më seriozisht”. Porse kjo nuk do të thotë se brenda 100 ditësh nuk duhet bërë gjë. Përkundrazi. Ekipi qeveritar i mbushur me njerëz të rinj ka shumë punë për të bërë,për të kuptuar se në çfarë gjendjeje i kanë marrë dikasteret nga Qeveria më e keqe që ka pasur Kosova ndonjëherë. E për ta kuptuar do t’iu duhet edhe kohë, por edhe vendosmëri për t’i spastruar ato nga njerëzit që Kosovës të mirën nuk ia duan.