OpEd

Deri kur me hajni?

Bash do të më interesonte të dija se çfarë do të kishte qenë interesimi i këtyre kandidatëve për t’u bërë deputet po qe se maksimumin që do të mund ta merrnin si pagë do të ishte rroga minimale prej 350 eurosh, aq sa figuron në platformën ‘Superpuna’. Se aktualisht, më superpunë sesa ‘deputetllëku’ nuk e besoj se ka

Duhet ta nis këtë “zgafelle” duke u kërkuar falje lexuesve për optimizmin e pamatur që kisha manifestuar javën e shkuar, kur kisha shkruar se mbase kjo do të ishte hera e parë në të cilën procesi zgjedhor do të mbyllej me shpejtësi dhe se mund të kishim Kuvend të konstituuar në fund të këtij muaji.

Sa naive... me gjithë moshën që kam. Naive që ende dua të besoj se gjërat mund të bëhen edhe pa dallavere.

Mbase kjo është e mundur në një vend tjetër, por në Kosovë jo.

KQZ-ja, nga fillimi i javës, mori vendimin që të rinumëroheshin 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në 10 komuna, votat do të rinumërohen në tërësi, ndërsa në 28 komuna do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve.

Pra, përderisa nuk pati vërejtje për votat partiake, hajnia e votave ndodhi brenda sojit – brenda vetë partive, nga vetë bashkëpartiakët që nëpërmjet numëruesve të votave ia dolën që në krah të tjetërkujt, të merrnin më shumë vota.

Veprime të këtilla në fakt flasin për mentalitetin tonë: nuk zgjidhen mjetet për të arritur te qëllimi, çfarëdo qoftë të jetë ai. Ani që e kemi gojën plot integritet e patriotizëm. Ama kur vjen puna e pushtetit apo e përfitimeve financiare, aty s’ka as rregull, as parim. As patriotizëm.

* * *

Për shkak të hajnisë së votave, hë për hë në 914 vendvotime, mund të ndodhë që mostra e përzgjedhur në 28 komuna të dëshmojë për deformime të njëllojta e që të jepet urdhri që të gjitha votat të rinumërohen. E nëse 914 vendvotimet do të kërkojnë 12 deri në 14 ditë numërim, atëherë rinumërimi i të gjitha 2.614 vendvotimeve do të marrë edhe nja 20 ditë shtesë. Dhe, nëse llogariten të gjitha afatet e ankesave, do ta kalojmë shkurtin, për pasojë, do të mbërrijmë në pikën ku mund te shkelet afati kushtetues për zgjedhjen e kryetarit/kryetares së shtetit.

E çka atëherë? A përsëri duhet pritur interpretim të Kushtetueses, në kushtet kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe qeveri të formuar?

Për besë, nuk e di njeriu çka të mendojë, pos që po tregohemi popull që s’e do shtetin e vet.

Tash, ose KQZ-ja e rrit numrin e numëruesve dhe e përfundon këtë procedurë më shpejt, o i futemi fazës së tretë a të katërt të krizës politike që jemi duke e vuajtur nga shkurti i vjetëm – pra thuajse rrafsh një vit.  

* * *

Numërimi do të vazhdojë edhe së paku një javë dhe sinqerisht mirë do të ishte të përfundonte me kaq.

Le të konstituohet Kuvendi e le të formohet Qeveria, nëse për asgjë tjetër, atëherë për fondet e BE-së që janë duke pritur një ratifikim qe thuajse 15 muaj.

E nëse procesi i numërimit veçon kandidatë që kanë marrë më shumë vota në këtë formë hajnie, atëherë do të duhej t’u nënshtroheshin hetimeve penale. Se ai që ia mësyn ulëses së leverdishme parlamentare me mashtrime, nuk e ka vendin në Kuvend, por në burg.

Bash do të më interesonte të dija se çfarë do të kishte qenë interesimi i këtyre kandidatëve për t’u bërë deputetë po qe se maksimumin që do të mund ta merrnin si pagë do të ishte rroga minimale prej 350 eurosh, aq sa figuron në platformën ‘Superpuna’. Se aktualisht, më superpunë sesa ‘deputetllëku’ nuk e besoj se ka.

Do ta kuptonin edhe vetë deputetët se si është të jetosh në një vend të varfër, që varfërohet sa më shumë krizë politike ka dhe ku punësimi është në rënie për shkak të krizës ekonomike, që është pikërisht pasojë e asaj politike.

Mbase do ta kuptonin hallin që e kanë pensionistët, të cilët tash duhet të çohen e ta padisin shtetin për shkak se e interpreton ligjin si të dojë dhe zgjedh të mos i respektojë vendimet gjyqësore. Pra lëre që ua konfiskon pensionet arbitrarisht për shkak se nuk janë paraqitur për disa muaj, por tash as nuk do që të dijë se ekziston një vendim gjyqësor që i liron pensionistët nga ky obligim jonjerëzor - që të dëshmojnë personalisht, çdo gjashtë muaj, se janë gjallë.

* * *

Ndërkohë, nëpër kampet politike ajo që po na paralajmërohet, po qe se certifikimi i rezultateve megjithatë arrihet të bëhet me kohë, është se kriza politike ka gjasa të thellohet edhe më po qe se nuk do të ketë marrëveshje për kryetar/kryetare të shtetit.

Tashmë LDK-ja e thotë qartë se nuk ka votë për Osmanin, për pasojë mund të mos dojë as ta sigurojë kuorumin, po qe se ajo kandidohet sërish. Nga ana tjetër, as VV-ja nuk është se ka vendim të prerë për rikandidimin e Osmanit – se po të ishte ashtu, Kurti nuk do të deklaronte se njëherë do ta pyeste atë për mendim nëse do të duhej të përpiqej ta fitonte edhe një mandat. Se në fakt, nuk ka pse e pyet asgjë: Osmani tashmë e ka thënë se është e interesuar edhe për një pesëvjeçar dhe se nëse nuk do të kalonte, do të vazhdonte të merrej aktivisht me politikë, që edhe ka logjikë marrë parasysh moshën e saj.

Nga PDK-ja nuk kemi dëgjuar asgjë në lidhje me temën, kurse nga AAK-ja ka dalë edhe propozimi konkret, ai të cilin vetë Haradinaj e ka përmendur në të shkuarën: se ai do të duhej të zgjidhej kryetari i shtetit.

Gjithnjë me idenë se të gjitha afatet po arrihen, qysh tash është e paqartë se kush do të jetë kandidati apo kandidatja për këtë post. LDK-ja kërkon kandidat konsensual, pa dhënë emra, por çështja është si të arrihet konsensusi mes njerëzish që për interesa e inate politike qenë në gjendje ta mbajnë shtetin e bllokuar për një vit?

Në këtë stad mund të spekulohet për shumë emra. Por ajo që i nevojitet Kosovës është një personalitet që do ta bëjë përfaqësimin e denjë të Kosovës në botë; që njëmend duhet të paraqesë figurë uniteti dhe që veprimet t’i kishte të tilla, duke shmangur polarizimet e fërkimet politike dhe të jetë person i matur dhe i rrethuar me këshilltarë të mirë, qofshin ata edhe të huaj.

Po ajo që më së paku i duhet Kosovës është që procesi të dështojë në mars, e të shkojmë sërish në zgjedhje. Të tretat parlamentare brenda një viti do të ishin të tepërta për qytetarët e lodhur nga problemet ekonomike që po e bëjnë mbijetesën gjithnjë e më të rëndë.

* * *

E zgjedhjet e reja eventuale mbase do të shndërroheshin edhe në çështje mbijetese për LDK-në, e cila është duke u përballur me një krizë të theksuar që nga rezultatet e dhjetorit.

Përderisa zgjedhjet e shkurtit të vjetëm i dhanë pak oksigjen, kur u shënua një rritje pas rënies katastrofale të 2021-tës, këto të dhjetorit e kthyen dikur partinë më të madhe të Kosovës, përafërsisht aty ku ishte: me vota pak dhe në vendin e tretë sipas rëndësisë politike nacionale.

Pas debaklit të përjetuar në dhjetor, objektivisht, vendimi i vetëm i logjikshëm do të ishte dorëheqja e parevokueshme e Abdixhikut së bashku me të gjithë kryesinë e tij, dhe thirrja e Kuvendit të jashtëzakonshëm, ku do të zgjidhej udhëheqja e re e partisë. Do të ishte shprehje e përgjegjësisë morale për humbjen e thellë dhe dështimin për t’i bindur votuesit për alternativën qeverisëse që e ofroi partia në këto zgjedhje.

Por jo. Kjo nuk ndodhi. U mbajt një mbledhje maratonike e kryesisë, dhe rezultati i saj, i vetmi i dukshëm dhe publik, qe dorëheqja e Hykmete Bajramit nga posti i nënkryetares së partisë që u kumtua të nesërmen. Tamam përgjegjësi morale.

Abdixhiku insiston që dorëheqjen do t’ia ofrojë Këshillit të Përgjithshëm, që ai të vendosë po qe se e pranon ose jo – gjë e cila nuk qenka e paraparë me statutin e partisë. Abdixhiku do t’i ketë arsyet e veta se pse vepron kështu, porse rrezikon shumë seriozisht, nëse edhe mbetet në krye të partisë, e ndodhin zgjedhjet e reja në pranverë, që të bjerë me shifra edhe më poshtë sesa Avdullah Hoti më 2021.

* * *

Hajnat vendin e kanë në burg – pra nëse qysh tash ka indice për njerëzit që e kanë keqpërdorur pozitën për t’ia rregulluar dikujt rezultatin e votave, prokuroria do të duhej të merrej me ta e edhe me kandidatët “e privilegjuar” urgjentisht, ndërkohë që partitë do të duhej të insistonin që këta t’i dorëzonin mandatet vullnetarisht.  

E kjo e fundit, do të ishte një hap epokal në demokracinë parlamentare të Kosovës.

[email protected]