Kronikë

Policia ndjek një person nëpër fusha, del se ai ishte i dënuar për tentim vrasje

Arrestim - policia

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Policia ka arrestuar një person për posedim të paautorizuar të armëve, e pas arrestimit ka rezultuar se i dyshuari ishte i kërkuar me urdhër gjyqësor për tentim vrasje. 

Policia njoftoi se patrulla në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive, duke iu përgjigjur një informate për një mosmarrëveshje, ka vërejtur një person të dyshuar i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Pavarësisht urdhrave për ndalim, i dyshuari ka vazhduar ikjen në këmbë në drejtim të fushave dhe pas ndjekjes rreth dy kilometra, policët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta arrestojnë atë.

Gjatë kontrollit trupor, te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar një thikë me këllëf dhe një shufër metalike. Personi i dyshuar, A.I, 27 vjeç, është shoqëruar në stacion policor.

“Nga verifikimi i dokumentacionit, ka rezultuar se ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Ferizaj, si person i kërkuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilën ishte dënuar me tre (3) vite e gjashtë (6) muaj burgim”, njoftoi PK.

Pas intervistimit, u dërgua në vuajtje të dënimit.