OpEd

Bjerini shkurt

Me insistimin eventual që të shkohet në zgjedhje të reja, VV-ja dhe LDK-ja (në rast se nuk shkon në opsionin e një Qeverie “të imponuar nga miqtë ndërkombëtarë”) do të jenë përgjegjëse për zgjatjen e jetës Qeverisë më të keqe dhe më zhvatëse edhe për së paku nja gjashtë muaj. Nga ana tjetër do të ballafaqohen edhe me rrezikun real të humbjes së elektoratit, i cili dita më ditë e sheh se si po i tretet entuziazmi. E mbi të gjitha, se si po i tretet shpresa me të cilën e kishte përjetuar rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kur Akademia suedeze kishte vendosur ta ndante Nobelin për letërsi sivjet, e kishte postuar edhe një pyetje në Twitter: “A keni lexuar ndonjërin libër shkruar nga laureati i vitit 2019, Peter Handke?” Bëhej fjalë për njeriun e njohur si serbofil i pakamufluar, adhurues i Millosheviqit dhe i Karaxhiqit e Mlladiqit. Mbi të gjitha ishte i njohur si mohues i gjenocidit të boshnjakëve në luftën e Bosnjës kryer nga forcat serbe paramilitare dhe ushtarake.

Përgjigjen më brutalisht të sinqertë dhe goditëse e kishte shkruar Emir Sulagiq, tash drejtor i Qendrës Memoriale Potoçari (Srebrenicë): “Jo, kemi qenë të zënë në kërkim të familjeve dhe miqve tanë të varrosur në varreza masive të cilat ai mohonte se ekzistonin”.

Te ne nuk u gjet askush që me fjalë kaq të fuqishme t’i përgjigjej Aleksandar Vuçiqit, i cili kishte reaguar pas dënimit të ish-ministrit Todosijeviq me dy vjet burgim, për shkak të mohimit të krimit në Reçak: “Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën, edhe unë e përsëris tani – krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”. Pra, deklaratë tashmë jo befasuese nga dikush që dy javë para se të ndodhte Srebrenica, nga foltorja e Kuvendit të Serbisë kishte kërkuar që të vriteshin nga 100 myslimanë për secilin serb të vrarë.

Por tepër befasuese dhe kurrë mjaft e sqaruar nevoja që të vrapohej drejt Brukselit për t’u takuar me eksponentin e politikës fashiste millosheviqiane, kinse për të arritur paqen dhe njohjen e ndërsjellë. Dhe pa insistuar që ky të kërkonte falje në emër të shtetit të vet për masakrat që ishin kryer në Kosovë. Tash është më se e qartë, po qe se ka pasur dyshime, se ky jo vetëm që nuk do të kërkojë falje, porse do të mohojë deri në pafund të gjitha krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë. E duke qenë kjo kështu, shtrohet pyetja se pse duhet besuar, edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje, që Beogradi do ta respektonte.

Doli ambicia për kryetar

Kështu negociatat me Serbinë do të jenë njëra nga temat për të cilën do të ushtrohet shumë trysni ndaj Qeverisë së re, e cila besohej se do të themelohej relativisht shpejt, e tash del se mund të na dalë dardhë me bisht.

Përderisa grupet negociatore të të dy partive ishin takuar shumë herë për ta përafruar programin qeverisës, sharra hasi në gozhdë në çastin kur duhej përcaktuar ndarjen e posteve kryesore shtetërore dhe dikasteret qeveritare.

Edhe pse shumë herë e përsëritur se çështja e kryetarit të shtetit do të duhej të ishte temë e mëvonshme, dhe se do të duhej të bëhej fjalë për një zgjedhje konsensuale, që jo domosdo do të duhej të ishte partiake, doli LDK-ja me kërkesën eksplicite që ky post t’i takonte kësaj partie. Dhe jo vetëm kjo, porse do të duhej ta kishte edhe postin e kryetarit/es të Kuvendit dhe pesë ministri.

Kjo informatë e paraqitur në këtë formë, dhe që u përsërit edhe nga Avdullah Hoti në Interaktiv të enjten, nuk flet për parimësi, siç e tha Hoti, por për ambicie personale që e mbisundojnë interesin e përgjithshëm. Për shkak se me qasjen ose dy postet e mëdha plus pesë ministri, ose zgjedhje – dëshmojnë se nuk e paskan pasur seriozisht kur thoshin se duan ta sillnin ndryshimin e premtuar. Kjo qasje nuk ndryshon fare nga ajo e aplikuar në rastin e formimit të Qeverisë me PDK-në më 2014, kur në marrëveshje ishin personalizuar postet më të rëndësishme shtetërore. Dhe jo, aty nuk pati parim. Pati interes. Dhe ky interes ende po na kushton.

Nëse insistimi është që posti i kryetarit të shtetit të rezervohet për Isa Mustafën, atëherë e kuptojmë se cili është problemi kryesor që nuk lë që koalicioni të formohet. Do të thotë se deklaratat e Mustafës pas zgjedhjeve se liderët e partive fituese nuk kanë nevojë të takoheshin para certifikimit të rezultateve paska qenë, në fakt, një kalkulim i Mustafës për t’u pozicionuar si kandidati i vetëm, logjik sipas tij, për postin e kryetarit të shtetit. Blerje kohe për të kuptuar në mos do të ketë mundësi për t’u bërë kryetar edhe më herët siç e parasheh Kushtetuta, me shpresën se Thaçi do të mund ta merrte ftesën për Hagë në fund të vitit ose në tremujorin e parë të vitit që vjen.

Bën edhe mos me u ngutë

Mustafës duket se nuk i ngutet, dhe do të përpiqet t’ia shtjerrë durimin Kurtit. Nuk i ngutet ngase Ligji i KQZ-së, edhe pse Kushtetuta nuk e thotë bash ashtu, parasheh që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve. Kjo do të thotë se seanca konstitutive duhet të mbahet më së voni më 27 dhjetor, kur do të mund të kryhej edhe çështja e mandatarit dhe e zgjedhjes së Qeverisë.

Kjo natyrisht vetëm në rast se arrihet marrëveshja mes këtyre dy subjekteve. E po qe se nuk ka marrëveshje, nuk do të duhej përjashtuar mundësinë që LDK-ja të krijojë Qeveri të re me partitë e PAN-it, në emër “të parimit”, si dhe shmangies së zgjedhjeve të reja të parakohshme. Kjo, pavarësisht se thonë se i kanë vendosur vijat e kuqe ndaj partive të tjera, ngase është fakt i pamohueshëm se këtë rrëfim tashmë e kemi dëgjuar në rastin e zgjedhjeve të 2014-s, kur kjo parti edhe atëherë udhëhiqej nga Mustafa.

Tash ky kërcënim mund të jetë atuja më e fortë që e ka LDK-ja karshi VV-së. Atu e cila do ta detyrojë Kurtin që të lëshojë pe dhe që të pranojë që posti i kryetarit t’i takojë LDK-së, përkatësisht Isa Mustafës. Mbase dhe ky do të mund të ishte kompromisi i fundit për formimin e Qeverisë, në të cilën VV-ja do të duhej t’i merrte mbase dikasteret më të ndjeshme, për ta dëshmuar planin e vet qeverisës. Porse, nëse LDK-ja do të insistonte t’i merrte edhe ministritë kyç, për t’i quajtur disi, atëherë vendosja e VV-së në plan të dytë, pavarësisht faktit se e mban postin kryesor ekzekutiv, nuk do të kishte shumë logjikë.

Alternativa jo fort e ndritshme

Nga kjo që kemi pari deri tash del se Mustafa është negociator dinak dhe me shumë përvojë për këso muhabetesh. Nëse kësaj duhet shtuar edhe kryeneçësinë me të cilën e ka udhëhequr Qeverinë në kohën e koalicionit me PDK-në, atëherë VV-ja do të gjendet në situatë fare të pavolitshme, ku edhe mund të heqë dorë nga koalicioni, me idenë që të shkohet në zgjedhje të reja.

Me insistimin eventual që të shkohet në zgjedhje të reja, VV-ja dhe LDK-ja (në rast se nuk shkon në opsionin e një Qeverie “të imponuar nga miqtë ndërkombëtarë”) do të jenë përgjegjëse për zgjatjen e jetës Qeverisë më të keqe dhe më zhvatëse edhe për së paku nja gjashtë muaj. Nga ana tjetër do të ballafaqohen edhe me rrezikun e humbjes së elektoratit, i cili dita më ditë e sheh se si po i tretet entuziazmi. E mbi të gjitha, se si po i tretet shpresa me të cilën e kishte përjetuar rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

I gjithë ai vullnet për të votuar për ndryshimin do të zhduket që në çastin kur të kuptohet se mundi i investuar nuk do të shpaguhet me ndryshim, por me inat që çon në zgjedhje që mund të na e përsërisin rezultatin e 2017-s.

Një vagë për interesin

Teknikisht kanë mbetur edhe tri javë për konstituimin e Kuvendit dhe nisjes së numërimit të ditëve brenda të cilave duhet të formohet Qeveria. Nëse nuk ka dakordim, ky proces mund ta kalojë edhe janarin, në të cilin do të hyjmë me një buxhet të replikuar dhe trashëguar nga viti i shkuar dhe një shpenzim të pakontrolluar të garniturës kineze të Qeverisë Haradinaj, që nuk çan kokë për të dhënë përgjegjësi për to. Ngase këtë e arsyeton me punët e rëndësishme shtetërore që i kryen, ani që është në dorëheqje qe thuajse gjashtë muaj.

VV-ja dhe LDK-ja duhen të vendosin nëse janë që t’i ndryshojnë të këqijat që i trashëgojnë nga krejt qeveritë paraprake, përfshirë edhe gabimet e vetë LDK-së, apo janë të interesuar të akomodojnë njerëz që mund t’iu bëjnë probleme në parti, po qe se mbeten pa ndonjë post.

Nëse vërtet këta dy partnerë eventualë duan që ta sjellin ndryshimin, atëherë ai nuk do të ndodhë po qe se VV-ja nuk i merr ministritë e Brendshme, të Drejtësisë, të Shëndetësisë, të Arsimit dhe të Zhvillimit Ekonomik, për shembull, duke supozuar se LDK-ja do t’i mbante punët e jashtme dhe financat në rend të parë. Kjo për shkak se kjo është e vetmja parti e cila kurrë nuk i ka udhëhequr këta resorë dhe nuk ka mundur t’i mbushte me militantë. Mbase është edhe e vetmja që do ta kishte guximin që ta luftonte krimin përbrenda këtyre ministrive, që na kanë shkaktuar aq shumë probleme për shkak të keqmenaxhimit dhe vjedhjes konsistente të parasë publike.

Sepse mossuksesi i VV-së në cilindo resor që do ta merrte për ta udhëhequr, do të ishte shumë më i dëmshëm politikisht për të sesa për LDK-në. Thjesht për shkak se premtimet zgjedhore të VV-së janë kuptuar shumë më seriozisht sesa ato të partive të tjera që kanë dalë kryesisht të rreme gjatë të gjitha zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë.

* * *

Për të mirën e Kosovës, këto parti duhen marrë vendimin shpejt. Edhe nëse vendosin të mos bëhen bashkë, do të duhej ta thoshin më herët dhe të jepnin zgjidhje për dalje nga kjo gjendje. Nëse e kanë ndërmend të bëhen bashkë, është më mirë të lëshohet pe për postin e kryetarit dhe të shkohet drejt formimit të Qeverisë. Sepse secila zgjatje e kësaj sage, është vetëm zgjatje e agonisë sonë.

[email protected]