OpEd

Asimetria

Prejse janë vendosur sanksionet kanë kaluar dy vjet e gjysmë, dhe ato vazhdojnë të përdoren si shkopi – “nëse nuk bëni si themi ne, nuk i heqim”. E kjo “nëse nuk bëni si themi ne” plotësohet e ndryshohet kujt qysh i teket ta vlerësojë nivelin e “depërshkallëzimit”. Ajo që për ndonjë shtet përkrahës është 70%, për dikë jopërkrahës është 25%, e për dikë që shërben si xhoker për Serbinë është 10% - pra, ngado që ta sjellësh, nuk ia mbushim syrin thuajse asnjërit. Po fundja çka ka lidhje – pse a mos po jetojnë ata nën sanksione?

Për dikë që nuk e ka marrë vesh tashmë, fushata, edhe për këto zgjedhje, e nisur në janar të sivjetmë ka nisur ta rrisë intensitetin. E shohim se kanë nisur tubimet, paraqitjet e kandidatëve, përgatitja e spoteve të fushatës dhe qasja më e hapur e liderëve për të dalë në sa më shumë mediume. Me gjasë kanë vendosur të mos kenë më vija të kuqe (por ndonjë politikan që credon e ka inatin, zor se fshin vija), sepse mendjemadhësia e shpërfaqur në fushatën e shkuar shumëkujt i kushtoi. Edhe simpati e edhe vota.

Zhgënjimi me krizën politike dhe ekonomike të 2025-s është aq i madh, saqë pyetja legjitime është nëse niveli i abstenimit kësaj radhe do të jetë më i lartë se kurrë. Sa të tillë do të dalin për të katërtën herë sivjet të votojnë. A thua, sa prej tyre e kanë të qartë se kë do ta votojnë, duke pasur parasysh se oferta mbetet e pandryshuar nga hera e kaluar sa u përket kandidatëve për shefin e qeverisë. E sa u përket listave të kandidatëve, disa parti kanë bërë freskime me njerëz të rinj që nuk kanë qenë aktivë politikisht, kurse disa të tjera i kanë ricikluar figurat e vjetra. Shpejt vjen i 28-i, e marrim vesh.

Nëpër tubimet e mëdha pritet që të dominojnë liderët e partive, që bën që kandidatët do të detyrohen të dalin në terren për ta kërkuar votën. Po të duheshin kërkuar votën për çdo ditë, shumë më ndryshe do t’i kishim pasur punët.

* * *

KQZ-ja vazhdoi me cirkun e përhershëm: para disa ditësh nuk u certifikuan kandidatët e Listës Serbe. Anëtarët shqiptarë të KQZ-së ose votuan kundër ose abstenuan, duke ditur se vendimi i tyre do të mbarojë në simbolizmin e vet, ngase PZAP-ja, si përherë, do ta prishë vendimin dhe do ta detyrojë KQZ-në që t’i certifikojë ata.

Reagimi automatik ndaj edhe një vendimi të kotë vijoi menjëherë: BE-ja në veçanti, duke shprehur brengën se përse nuk u certifikuan, ani se që të gjithë e kanë të qartë se askush nuk do t’ua ndalojë serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje (pos Vuçiqit – por kjo nuk është çështje që e brengos ndokënd në BE).

Dhe përderisa vazhdon rrjedha e këtij rrëfimi që veç kohën na e humb, u shfaq një informatë ekskluzive zbuluar nga Augustini në Bruksel: “KOHA mëson se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar

heqjen e masave ndaj Kosovës. Në anën tjetër, ‘së paku 13 shtete’ kanë kërkuar që ato të hiqen. Komisioni Evropian, sipas disa diplomatëve evropianë, ‘po fshihet prapa disa vendeve anëtare dhe po luan lojën e dyfishtë’”.

Pra, “do të nisim procedurat për heqjen e masave posa të bindemi se bartja e pushtetit në komunat e veriut bëhet pa probleme”, ishte edhe një në vargun e gjatë të blofeve që na i thonë diplomatët e politikanët evropianë. Tashmë e kemi thënë disa herë: vendosja e masave sanksionuese ndaj Kosovës, në kohën kur vendoseshin kryetarët, legalisht të zgjedhur të komunave në veri, dhe në kohën kur çfarëdo vendimi që merrej nga institucionet e Kosovës atje kontestohej edhe me dhunë nga serbët nën dirigjimin e Beogradit zyrtar, qe vendim që u mor me shpejtësinë e dritës dhe nuk ishte e qartë madje për këtë kishte pasur konsensus.

Prej atëherë kanë kaluar dy vjet e gjysmë, dhe ato vazhdojnë të përdoren si shkopi – “nëse nuk bëni si themi ne, nuk i heqim”. E kjo “nëse nuk bëni si themi ne” plotësohet e ndryshohet kujt qysh i teket ta vlerësojë nivelin e “depërshkallëzimit”. Ajo që për ndonjë shtet përkrahës është 70%, për dikë jopërkrahës është 25%, e për dikë që shërben si xhoker për Serbinë është 10% - pra, ngado që ta sjellësh, nuk ia mbushim syrin thuajse asnjërit. Po fundja çka ka lidhje – pse a mos po jetojnë ata nën sanksione?

Sa herë që po përmenden këto masa, po më kujtohet votimi i dështuar në Këshillin e Evropës, për shkak se dikujt iu kujtua, në çastin e fundit ta fusë si kusht “Zajednicën”. Pse? Pse ka mundur – dhe pse me siguri lobimi i serbëve ka qenë shumë më i fuqishëm dhe i organizuar se yni. Dhe për ata që vendosën se për shkak të “Zajednicës” nja 1.6 milionë banorëve u mohohet e drejta për t’iu qasur drejtësisë evropiane, për shembull, aq ua bën. Fundja, këta 1.6 milionë, nëse jo të gjithë, atëherë gjithsesi paraardhësit e tyre, e dinë se si është të jetosh i diskriminuar, sepse e kanë përjetuar në lëkurë të veten.

* * *

Në vazhdën e kujtimeve, po më bie ndërmend edhe Plani franko-gjerman, aq shumë i promovuar dhe i shtyrë si zgjidhje transitore drejt normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

U hartua një marrëveshje, palët u pajtuan. E më pas u hartua një aneks, që pësoi ndryshime sipas qejfit Lajçakut e Vuçiqit, dhe në përmbyllje të hallakamës në Ohër, doli ky i fundit dhe tha, po parafrazoj: as nuk e kemi pranuar, as nuk e kemi nënshkruar, dhe neve na merr mendja se mundemi t’i zbatojmë vetëm apo dispozita që ne na konvenojnë.

Borrelli doli e tha: palët e kanë pranuar, dhe marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët. Si është e detyrueshme nuk na tregoi. Kurse autorët, apo përfaqësuesit e shteteve që e hartuan dhe shtynë idenë e planit përpara, u zhdukën fare prej radarit. Do të thotë, i gjithë investimi diplomatik i këtyre shteteve e mori një shqelm “të madh sa kryet” nga Vuçiqi – kurse këta u bënë thuajse asgjë nuk ka ndodhur.

Për më tepër, tash njëri nga këta propozues, beson se Kosova duhet të vazhdojë të jetojë nën sanksione të cilat NUK i ka merituar, sidomos për shkak të mosplotësimit të kushtit të “depërshkallëzimit”. Për shkak se përshkallëzimin e situatës në veri e shkaktoi Serbia me bojkotin, më pas me dhunën, me Banjskën e më pas edhe me Varagën.

E edhe nëse kushdo ka pasur dyshime se sulmi i dytë ka qenë terrorist dhe i shkaktuar nga grupi i Radoiçiqit, aktakuza e ngritur kundër Viqentijeviqit i heq të gjitha dilemat.

* * *

Aktakuza, ndër të tjera thotë: “I pandehuri gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë... në bisedë me zyrtarët policorë kishte dhënë informacione në lidhje me veprimtarinë e tij të kundërligjshme e po ashtu edhe për persona të tjerë të involvuar në veprime të ngjashme, duke pohuar se ka marrë pjesë në ushtrimet në kampin e ushtrisë serbe të quajtur “Pasuljanske Livade” në Serbi. Atje ka qëndruar dhe është trajnuar prej datës 14.9.2023 deri më datën 23.9.2023”. Sipas tij, aty kanë qenë duke u trajnuar rreth njëqind e njëzet (120) persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb....

Viqentijeviq ka theksuar se në muajin tetor të vitit 2024 ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër rreshtimi ndërkombëtar, Milan Radoiçiq, me arsyetimin se duhet të presim deri të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, dhe kandidati për president të SHBA-së, z. Donald Trump të fitojë, pasi që, sipas informatave që ka i pandehuri Viqentijeviq, Milan Radoiçiq ka financuar fushatën e z. Trump te Lobi Serb me tridhjetë (30) milionë dollarë”.

Për këtë sulm, Vuçiqi kishte dhënë zotime publike se do të ndihmonte hetimet dhe do të bashkëpunonte edhe me Policinë e Kosovës. Shtatë muaj pas sulmit, BE-ja deklaronte se, “Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në janar ndërmjetësoi transmetimin e një kërkese për ndihmë të ndërsjellë juridike nga Prokuroria Speciale e Kosovës tek autoritetet e Serbisë, lidhur me sulmin në kanalin Ibër-Lepenc. Deri më tani nuk është marrë asnjë përgjigje për këtë çështje”.

Përgjigje nga Serbia nuk ka pasur as një vit pas sulmit, i cili përfundimisht u vërtetua të jetë terrorist. Dhe nëse dikush ka pasur dyshime se Policia e Kosovës do të mund të ishte e anshme, provat i vërtetoi FBI-ja, sipas raportit të ekspertimit gjeologjik të së cilës “mostra e dheut të çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, më datën 30 nëntor 2024, nuk dallon nga mostrat e dheut të marrë në vendin e ngjarjes në fshatin Varagë, te kanali i Ibër-Lepencit, ku ndodhi sulmi terrorist më 29 nëntor të vitit të kaluar”.

* * *

Pra, duket se përshkallëzimi i situatës nga ana e Serbisë nuk e ka mbërritur ende pikun. Po të ishte e kundërta, mbase dikush do të kujtohej t’ua kriste ca sanksione, pa konsensus, Vuçiqit dhe regjimit të tij. Por, disi më lehtë është me na i krisë neve dhe me na i lënë në fuqi nja dhjetë vjet.

Asimetria ka kohë, ka nisur të lëshojë rrënjë në politikën e jashtme të BE-së.

[email protected]