Kulturë

Holokausti – e kaluara që kujtohet për të mos u përsëritur

Dita Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe njëherësh 81-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit “Auschwitz-Birkenau” në Poloni

Zyrtarë të lartë shtetërorë të Kosovës e përfaqësues diplomatikë të shumë vendeve, të martën mbrëma, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, janë bërë bashkë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe njëherësh 81-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit “Auschwitz-Birkenau” në Poloni

Kosova i është bashkuar të martën mbrëma shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës gjashtë qirinj kanë qenë simbol i kujtimit të gjashtë milionë hebrenjve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore e aty kanë jehuar mesazhe paqeje e solidariteti midis popujve. Holokausti si mohim i të drejtave të njeriut është cilësuar si e kaluar, e cila kujtohet për të mos u përsëritur e si thirrje kundër mohimit të krimeve

Gjashtë qirinj janë ndezur të martën mbrëma në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në përkujtim dhe në nderim te kujtesës për gjashtë milionë hebrenj të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zyrtarë të lartë shtetërorë të Kosovës e përfaqësues diplomatikë të shumë vendeve janë bërë bashkë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe njëherësh 81-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit “Auschwitz-Birkenau” në Poloni. Në kujtim të viktimave, të pranishmit kanë dhënë mesazhe për një botë ku trajtimi njerëzor ndaj njëri-tjetrit dhe paqja duhet të jenë në rend të parë. 

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, në mbrëmjen e organizuar së bashku me Ambasadën e Gjermanisë, ka thënë se Holokausti ishte mohimi përfundimtar i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Sipas saj, buroi nga një ideologji antisemite që ua hoqi njerëzve të drejtat, i çnjerëzoi ata dhe shpalli se disa raca janë johumane dhe për këtë arsye janë të rrezikshme për shoqërinë dhe duhet të eliminohen. 

“Antisemitizmi, urrejtja ndaj hebrenjve, nuk përfundoi me Holokaustin 81 vjet më parë. Ai është shndërruar në retorikë të mohimit të Holokaustit, në sulme fizike kundër hebrenjve dhe komuniteteve hebraike në mbarë botën, si dhe në thirrje për shkatërrimin e shtetit të Izraelit”, ka thënë Ziv. Sipas saj, antisemitizmi po rritet me ritme alarmante dhe po përhapet në shoqëri, vende dhe kontinente. Ka thënë se komunitetet hebraike në dhjetëra vende raportojnë çdo ditë incidente, përfshirë kërcënime, sulme fizike, vandalizëm dhe gjuhë urrejtjeje në hapësirat publike dhe në rrjetet sociale, si dhe dhunë vdekjeprurëse. 

“Hebrenjtë po shënjestrohen sërish vetëm sepse janë hebrenj. Sinagogat, komunitetet hebraike dhe qendrat komunitare hebraike kanë nevojë për mbrojtje. Hebrenjtë fshehin simbolet e tyre të jashtme për të mos u identifikuar si hebrenj dhe për të mos u kërcënuar, ndërsa studentët hebrenj ndihen të pasigurt në kampuse”, ka thënë ajo. 

Ziv ka përmendur edhe sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023. Sipas saj, vala e madhe e antisemitizmit pasoi me këtë sulm. 

“Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2023, pas sulmit të 7 tetorit, u dokumentuan mbi 1 mijë e incidente antisemitike. Në vitin 2024, ky numër u dyfishua në më shumë se 6 mijë e 300 incidente dhe viti 2025 shënoi një rritje të mëtejshme. Që nga 7 tetori, mbi 13 mijë incidente antisemitike kanë ndodhur në mbarë botën, përfshirë sulme vdekjeprurëse në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Evropë dhe Australi, në të cilat më shumë se 20 hebrenj u vranë vetëm sepse ishin hebrenj”, ka thënë ajo. Si sulm të tmerrshëm e ka përshkruar atë të dhjetorit në Australi, kur u hap zjarr ndaj një turme prej mijëra personash që u mblodh për të festuar natën e parë të Hanukës, Festës Hebraike të Dritës. Duke bërë thirrje që nëpërmjet edukimit të ulet fryma antisemite, Ziv ka thënë se në atë sulm u vranë 15 persona të pafajshëm, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar dhe një të mbijetuar të moshuar të Holokaustit. 
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e  saj ka thënë se janë mbledhur për të kujtuar dhe nderuar 6 milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj që u vranë sistematikisht gjatë Holokaustit, si dhe miliona viktima të tjera të pafajshme që u shënjestruan nga regjimi nazist. Sipas saj, Holokausti nuk ishte thjesht një sulm kundër një populli, por sulm kundër vetë njerëzimit. 

“Këtë kohë vitin e kaluar, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, qëndrova në Auschwitz-Birkenau. Mes mbetjeve të një mizorie të paimagjinueshme, një mesazh jehonte me forcë të veçantë: e kaluara jonë nuk duhet të bëhet kurrë e ardhmja e fëmijëve tanë. Ky është një mesazh që duhet të udhëheqë ndërgjegjen tonë, zgjedhjet tona dhe veprimet tona. Në Auschwitz kujtuam miliona fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm që u bënë viktima të një urrejtjeje aq të thellë sa synonte të fshinte vetë ekzistencën e tyre”, ka thënë ajo. Sipas presidentes Osmani, Kosova është një vend që e ka kuptuar në mënyrë shumë personale se çfarë do të thotë të vuash nga përndjekja, spastrimi etnik, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, si dhe gjenocidi.

“Kjo përvojë e jetuar formëson atë që jemi sot. Prandaj Kosova qëndron fuqishëm dhe pa asnjë mëdyshje kundër antisemitizmit, kundër racizmit dhe kundër çdo forme urrejtjeje”, ka thënë ajo. 

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, e ka përshkruar si detyrë historike përkujtimin e viktimave të Holokaustit. Sipas tij, në këtë ditë, 81 vjet më parë, përmasat e krimeve naziste dolën në dritë kur ushtarët sovjetikë çliruan 7 mijë të mbijetuar, të sëmurë seriozisht dhe thellësisht të traumatizuar nga kampi më i madh nazist i shfarosjes. 

“Si asnjë vend tjetër, Auschwitz qëndron si simbol i tmerreve, vrasjes së pamëshirshme të miliona burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, kryesisht hebrenj, të përndjekur në mënyrë metodike dhe të vrarë sistematikisht nga nazistët”, ka thënë ai. Ka kujtuar se e ka vizituar për herë të parë memorialin e “Auschwitzit” si nxënës 17-vjeçar dhe imazhi që i është ngulitur në kujtesë është ai i shiritit të vetëm të hekurudhës që përfundon aty, pasi  për ata që u deportuan atje, nuk kishte as udhëtim përpara dhe as kthim mbrapa. Sipas tij, për Gjermaninë kujtimi dhe përkujtimi i asaj që ka ndodhur është një përgjegjësi historike e përhershme dhe një detyrë morale. 

“Ne nuk do t’i harrojmë kurrë krimet e paprecedente të kryera në emër të gjermanëve dhe nga gjermanët, as vuajtjet e pamatshme që iu shkaktuan viktimave”, ka thënë ai.

Për dallim nga shumë vende evropiane, Shqipëria dhe Kosova u bënë strehë e shumë familjeve hebraike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria e kishte edhe politikë shtetërore t’i mbrojë hebrenjtë nga forcat naziste. I pajisi ata edhe me dokumente shqiptare duke bërë që identiteti i tyre zyrtar të bëhet shkas për shpëtim. E familje të tëra në Kosovë e Shqipëri shpëtuan hebrenj. Një rast është rrëfyer edhe në këtë ceremoni. 

Rron Hoxha para të pranishmëve ka lexuar kujtimet e gjyshes së tij Igballe Mullashabani-Hoxha, e cila ka qenë e ulur midis mysafirëve. Ajo nëpërmjet nipit ka rrëfyer se si i ati, Hasan Mullashabani nga Gjakova, gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte strehuar në shtëpinë e tij tre hebrenj, të cilët më pas i kishte dërguar në një vend të sigurt pasi kishte marrë vesh se do të bastiseshin nga forcat naziste. Historitë e ngjashme nuk janë të pakta në këto anë. Rrëfim të tillë ka edhe familja e moderatorit të mbrëmjes Lekë Rezniqi. Gjyshi i tij, Arsllan Rezniqi, kishte strehuar e shpëtuar disa familje të komunitetit hebre. Ai mban edhe titullin “Fisnik mes kombeve” nga qendra botërore e përkujtimit të Holokaustit “Yad Vashem”. Në ceremoninë ku janë dëgjuar këngë hebraike e po ashtu rrëfime nga të mbijetuarit është bërë thirrje për humanitet e paqe.