Përderisa 2025-ta ishte vit zgjedhor në Kosovë, 2026-a do të jetë i tillë në Serbi. Për këtë shkak, por edhe për arsye se vetë BE-ja nuk e merr më seriozisht Marrëveshjen e Brukselit, as në vitin 2026 nuk pritet ndonjë progres domethënës. Kosova duhet të bëjë çmos që ajo të mos identifikohet si pengesë
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pas 15 vjetësh gjendet në një fazë, e cila nuk mund të definohet. Nuk do të ishte gabim sikur të shpallej edhe si i vdekur, por këtë nuk e do BE-ja. E, në anën tjetër, për një kohë të gjatë nuk ka pasur as përparim në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që është qëllimi përfundimtar i dialogut, e madje as nuk ka pasur takime të nivelit të lartë. Edhe takimet e ekspertëve dhe ato në nivel të kryenegociatorëve kanë qenë të pakta dhe nuk kanë prodhuar asgjë.
Për Bashkimin Evropian është e pamundur që vetë ta shpallë të dështuar dialogun, pasi ka investuar aq shumë në të. Prandaj në BE vazhdojnë jozyrtarisht të flasin për “ringjalljen e dialogut” ndërkohë zyrtarisht vetëm përsërisin atë që kanë thënë gjithmonë se “marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen pa vonesa dhe pa parakushte të reja”. Ndoshta fjala “pa vonesa” është ajo që më së shpeshti është përsëritur në tri vitet e kaluara, por nuk ka ndihmuar që të evitohen pikërisht vonesat.
Në shkurt do të mbushen plot 3 vjet prej kur BE-ja tha se është arritur marrëveshja. Por e njëjta BE që nga dita kur kumtoi arritjen e marrëveshjes lejoi që të relativizohet ajo deri në masën saqë mund të thuhet edhe se një marrëveshje e tillë nuk ekziston formalisht. Së pari BE-ja heshti kur Serbia refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen. Pastaj BE-ja relativizoi deklaratat që vinin nga Serbia se ai shtet jo vetëm se nuk ka nënshkruar, por as nuk e ka pranuar një marrëveshje të tillë si tërësi. Dhe madje edhe me shkrim Serbia e ka njoftuar BE-në se nuk e konsideron si ligjërisht obliguese atë dokument dhe se nuk e ka ndërmend t’i zbatojë pjesët kryesore të saj që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ato që kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës. Lehtësuesit në dialog jo vetëm se i ndihmuan Serbisë që të mos ketë pasoja për shkak të mosrespektimit të detyrimeve nga marrëveshja, por fajin kryesor për dështime në proces të normalizimit të raporteve ia lanë Kosovës.
Në mandatin e Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut, që të dy kundërshtarë të dëshmuar të pavarësisë së Kosovës, në BE u krijua përshtypja se Kosova “dëshiron ta nënshkruajë marrëveshjen, por jo ta zbatojë”, ndërsa Serbia “nuk dëshiron ta nënshkruajë, por dëshiron ta zbatojë”. Këtë Lajçak dhe Borrell thuhet se e kanë thënë shpesh në takime me përfaqësuesit e vendeve anëtare. Dhe kjo përshtypje ka dominuar dhe vazhdon të dominojë, sepse Kosova nuk ka arritur t’i bindë vendet anëtare të BE-së se nuk është ashtu.
Tash kanë ndryshuar strukturat në BE që merren me dialog. Ato nuk heqin dorë nga ajo që është bërë më herët dhe insistojnë në vazhdimësi, por së paku kanë një qasje më të balancuar sesa që kanë pasur Borrell dhe Lajçak. Megjithëkëtë, as tash BE-ja nuk heq dorë nga kërkesat që Kosova t’i zbatojë të gjitha obligimet nga dialogu dhe se mosnënshkrimi i marrëveshjes nuk duhet të përdoret si pretekst për të mos zbatuar obligimet.
Problem me marrëveshjen e panënshkruar është edhe në faktin se obligimi ligjor për zbatimin e saj lidhet vetëm me avancimin drejt integrimit në BE. Pra, Serbia të vetmen pasojë në rast të moszbatimit të obligimeve mund ta ketë në rrugëtimin drejt BE-së. E integrimi në BE nuk është obligim, por është zgjedhje. Tash Serbia gjithnjë e më shumë po dëshmon se nuk dëshiron anëtarësim në BE, së paku jo me kushtet që i vendos BE-ja. Prandaj në BE duhet të përgatiten edhe për të sqaruar se cili është fati i marrëveshjes nëse Serbia apo ndonjë ditë Kosova nuk duan të anëtarësohen në BE.
I gjithë ky improvizim i Lajçakut dhe Borrellit e ka bërë BE-në të duket joserioze, sepse marrëveshja edhe është, edhe nuk është obliguese. Kështu do të mbetet edhe në të ardhmen, sepse nuk duket se do të ketë interesim të sinqertë në BE për t’i detyruar palët që t’i zbatojnë obligimet e tyre. Përmendja e obligimeve vetëm në komunikata të BE-së apo në përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve nuk mjafton.
Dhe në këtë dështim BE-ja deri më tash e ka pasur lehtë që fajin t’ua bartë palëve. Kështu do të mbetet edhe në vitin 2026, kur nuk pritet ndonjë progres domethënës në procesin e dialogut.
Përderisa 2025-s ishte vit zgjedhor në Kosovë, 2026-a do të jetë i tillë në Serbi. Për këtë shkak, por edhe për arsye se vetë BE-ja nuk e merr më seriozisht Marrëveshjen e Brukselit, as në vitin 2026 nuk pritet ndonjë progres domethënës. Kosova duhet të bëjë çmos që ajo të mos identifikohet si pengesë. Këtë Kosova duhet ta bëjë përmes një bashkëpunimi dhe mirëbesimi me vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Kuintit. Këto raporte, përfshirë edhe temën e dialogut, duhet të jenë transparente dhe të sinqerta pa marrë parasysh sjelljen e Serbisë. Sepse normalizimi i raporteve me Serbinë në këto momente duket iluzion dhe tensionet e brendshme në Serbi do të reflektohen negativisht edhe në raportet me Kosovën. Kjo edhe për shkak se edhe opozita në Serbi ka iluzione rreth Kosovës dhe kundërshton zbatimin e obligimeve që kanë të bëjnë me së paku njohjen de facto.
Kosova për ta siguruar mirëkuptimin e partnerëve ndërkombëtarë do të duhej të mos e përdorte dialogun si temë për përplasje të brendshme politike. Prandaj duhet të krijohet një konsensus kombëtar për këtë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë Kosova rrezikon që ta marrë përgjegjësinë për dështime dhe me këtë t’i bartë edhe pasojat.
Edhe pse realisht nuk pritet ndonjë progres domethënës në dialog gjatë këtij viti të ri, BE-ja ia ka vazhduar mandatin diplomatit danez Peter Sorensen edhe për së paku dy vjet në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë.
Mandati i tashëm skadon në muajin shkurt, pasi ai fillimisht ishte emëruar në këtë post për vetëm 13 muaj. Kjo pasi në atë kohë në BE nuk ishin të sigurt se në çfarë mënyre mendojnë t’i qasen dialogut pas përfundimit të mandatit të Miroslav Lajçakut.
Edhe pse nuk ka pasur progres në dialog, në BE besojnë se ai mund të ringjallet dhe se palët do ta kuptojnë dëmin që ua bëjnë vendeve të tyre në rast se nuk bëjnë progres në procesin e normalizimit të raporteve, pasi ai progres është edhe kusht për rrugëtimin e tyre evropian, si dhe për përfitime nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Por, edhe BE-ja nëse vërtet dëshiron ringjalljen e dialogut duhet të jetë më serioze në qasjen e saj.